Vëllezër besimtarë!
[Rrëfimi për murgeshën etiopiase]
Që nga dita e parë kur Profeti Muhamed ﷺ filloi kumtimin hasi në kundërshtim e refuzim. Ata që e refuzuan ishin më shumë se ata që e besuan. Të gjendur në një ambient jo vetëm refuzues por edhe armiqësor e të padrejtë, Profeti ﷺ do t’i jepte leje një pjese të besimtarëve që të migrojnë në Habesh apo Etiopinë e sotme. Arsyeja ishte se atje kishte një mbret që ndante drejtësi. Pas kalimit të Profetit ﷺ në Medinë dhe kthimit të këtij grupi besimtarësh nga Etiopia në Medinë, Profeti ﷺ do t’i pyeste për qëndrimin e tyre. Në të vërtetë, do t’i pyeste për diç të veçantë që iu kishte lënë mbresa gjatë kohës sa kishin qëndruar atje. Disa morën fjalën dhe treguan për një rast interesant, mesazhi i të cilit përbën thelbin e kësaj hytbeje.
“Derisa ishim duke qëndruar ulur, pranë nesh kaloi një murgeshë plakë e cila mbi kokë kishte vënë një enë uji nga qeramika. Duke qenë ashtu u çua një djalosh prej tyre dhe e shtyu. Ajo ra në gjunjë ndërsa ena iu rrëzua dhe thye. Kur u çua në këmbë, iu kthe djaloshit dhe i tha: Or i pabesë, se kush jam unë e kush je ti e çfarë vlere kemi do ta marrësh vesh nesër kur Allahu i madhëruar ta ketë vënë kursinë dhe t’i ketë tubuar njerëzimin mbarë, të parët e të mbramët, për t’i gjykuar. Atë ditë kur do të flasin këmbët e duart për atë që kanë bërë e punuar, atë ditë do ta kuptosh kush jam unë e kush je ti!”
Kur Profeti ﷺ dëgjoi këto fjalë tha:
صدَقَتْ صدَقَتْ كيفَ يقدِّسُ اللَّهُ أمَّةً لا يؤخَذُ لضَعيفِهِم من شديدِهِم
Të vërtetën e ka thënë. Të vërtetën e ka thënë. Si mendoni se Allahu do ta pastrojë e lartësojë një popull në të cilin i dobëti mbetet i shtypur?![1]
Vëllezër të nderuar!
[Përse Sahabet evokuan pikërisht këtë kujtim?]
Rëndësia e këtij rrëfimi është e shumëfishtë dhe përtej të qenit thjesht një përshtypje nga qëndrimi në kurbet.
Përse pikërisht ky rrëfim për padrejtësinë?
Sepse ishte diçka që e kishin përjetuar edhe ata vet, madje me dimensione tjera, ekstreme dhe të dhunshme. Ishin larguar nga shtëpitë pa dashjen e tyre, kishin lënë pasuritë, kishin lënë vendin, kishin shtëpinë e Zotit – Qabenë. Prandaj, prej shumë gjërave tjera që sigurisht se kanë parë për disa vite sa qëndruan atje zgjodhën këtë rast i cili mbase edhe i ka ngushëlluar. Përmendja e daljes para Zotit për tu gjykuar i ka ngushëlluar se edhe ata që iu kanë bërë padrejtësi do të dalin para Tij e do të japin llogari për dhimbjet dhe mërzinë që ua kanë shkaktuar…
Xhematlinj të nderuar!
[Fuqia preventive e fesë]
Natyrisht, rrëfimi ka mësimet e veta të shumta, por neve na intereson thjesht kjo pjesa që zullumqarët do të dalin para Zotit dhe do të japin llogari për çdo gjë që kanë bërë. Nga aspekti fetar, ndërlidhja e veprimeve me shpërblimin dhe ndëshkimin në botën tjetër ka rëndësi edukative të jashtëzakonshme. Fakti se Allahut të madhëruar nuk mund t’i ikësh dhe nuk mund t’i fshehësh asgjë mjafton si frenues ndaj mëkateve.
Për shkak se kohëve të fundit janë shpeshtuar vrasjet, do të doja ta ilustroj si shembull për të parë se si feja arrin ta parandaloj këtë fenomen. Në Kur’anin fisnik, mënyra se si është përshkruar krimi i vrasjes është e rrallë, madje e atillë që nuk e gjen për asnjë mëkat tjetër. Allahu i madhëruar thotë:
﴿ وَمَن يَقْتُلْ مُؤْمِنًا مُّتَعَمِّدًا فَجَزَاؤُهُ جَهَنَّمُ خَالِدًا فِيهَا وَغَضِبَ اللَّهُ عَلَيْهِ وَلَعَنَهُ وَأَعَدَّ لَهُ عَذَابًا عَظِيمًا ﴿٩٣﴾
“Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh.” [Nisa: 93]
Kjo i ka shtyrë disa dijetarë të mendojnë se për vrasjen nuk ka pendim.
Dhe jo vetëm kaq. Nëse ke vrarë e mbytur padrejtësisht, ke bërë mëkat më të madh se të shkatërrosh Qabenë. I Dërguari i Allahut, Profeti Muhamed ﷺ ka thënë ndërsa shikonte Qabenë:
ما أطْيَبَكِ وأطْيَبَ رِيحَك, ما أعظَمَكِ وأعظَمَ حُرْمَتَك, والَّذي نفْسُ محمَّدٍ بيدِه، لَحُرمةُ المُؤمنِ أعظَمُ عند اللهِ حُرْمَةً منك
“Sa e këndshme që je e sa aromë të këndshme që ke! Sa madhështore që je e sa shenjtëri të pacenueshme që ke! Por, po betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, tek Allahu shenjtëria e besimtarit është mbi shenjtërinë tënde!”[2]
Dhe, përsëri, jo vetëm kaq. Nëse ke bërë një krim dhe ia ke arritur t’i shpëtosh gjyqit të dynjasë, a mendon se do t’i shpëtosh gjyqit të ahiretit.
﴿ الْيَوْمَ نَخْتِمُ عَلَىٰ أَفْوَاهِهِمْ وَتُكَلِّمُنَا أَيْدِيهِمْ وَتَشْهَدُ أَرْجُلُهُم بِمَا كَانُوا يَكْسِبُونَ ﴿٦٥﴾
“Sot Ne do t’ua vulosim atyre gojët e do të Na flasin duart e tyre dhe do të dëshmojnë këmbët e tyre për atë që kanë bërë.” [Jasin: 65]
Pra, në Ditën e Llogarisë, kriminelët dhe mëkatarët nuk do të kenë mundësi ta mohojnë atë që kanë bërë sepse do të bëhen memecë e në vend të gjuhëve të tyre do të flasin duart dhe këmbët çfarë kanë bërë.
Myslimanë të respektuar!
[Thirrja e fesë për angazhim kolektiv në luftimin e dukurive negative]
Në komentin që Profeti ynë i dashur ﷺ i bën rrëfimit të sipërpërmendur, gjejmë porosinë për aktivizim qytetar e shoqëror. “Si mendoni se Allahu do ta pastrojë e lartësojë një popull në të cilin i dobëti mbetet i shtypur?!” – është thirrje që kategoria e shtypur dhe e pakrahë të ndihmohet. Atyre që iu bëhet padrejtësi, çfarëdo qoftë ajo, duhet t’iu dalim në ndihmë, ndryshe, nëse ne mbajmë anë tjetër, Allahun nuk e kemi me vete. Allahu nuk e do padrejtësinë për Vete dhe as për robërit.
يا عِبَادِي، إنِّي حَرَّمْتُ الظُّلْمَ علَى نَفْسِي، وَجَعَلْتُهُ بيْنَكُمْ مُحَرَّمًا، فلا تَظَالَمُوا
“…O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes Sime padrejtësinë dhe të tillë e kam bërë edhe ndërmjet jush prandaj mos i bëni njëri-tjetrit padrejtësi!…”[3]
Mesazhi
Zëri ynë kundër këtyre fenomeneve duhet të dëgjohet. Ne duhet ta dënojmë këtë dhunë, veçmas kur nga njerëz të papërgjegjshëm e dashakëqij ka tendenca që t’i jepen motive fetare. ne duhet ta ngritim zërin edhe tek institucionet tona që edukimi fetar të futet si lëndë shkollore nëse këtij vendi dhe kësaj shoqërie ia duam të mirën. Ndryshe, “Si mendoni se Allahu do ta pastrojë e lartësojë një popull në të cilin i dobëti mbetet i shtypur?!”
[1] Hadith hasen. Shih: Sahihu Ibni Maxheh, nr. 3255.
[2] Hadith sahih li-gajrihi. Shih: Sahihu et-Tergib, nr. 2441.
[3] Muslimi, nr. 2577.




