Opens in a new tab

“Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të mirë...” — Kur'an, Jusuf 12:108

Urtësi • 07 Nov 2026

Urtësi nga Muhammed Gazali

Hoxhë Dr. Sedat Islami
Hoxhë Dr. Sedat IslamiDoktor i Shkencave Islame
Urtësi nga Muhammed Gazali
  1. Allahu i mëshiroftë të parët tanë, interesoheshin për gjendjen e njëri tjetrit. Pyesnin për çështjen e ahiretit nga frika se mund ta kenë humbur besimin. Pyesnin për çështjen e dynjasë, nga frika se mund të jenë varfëruar ndërsa janë në mesin e vëllezërve dhe dashamirëve.
  2. Allahu mund ta pranojë një angazhim gjysmak për hir të Tij por assesi një nijet gjysmak. O duhet t’i kushtohet zemra tërësisht vetëm Atij, o e refuzon tërësisht atë.
  3. Ata që jetojnë për qëllime të mëdha, dëshirat materiale i vënë mënjanë për hatër të asaj që mëtojnë. Ata -në fakt- kanë dëshira tjera që i magjepsin dhe të cilat i bëjnë plotësisht shpërfillës edhe ndaj gjërave (materiale e epshore) më joshëse.
  4. Besimet (bindjet, kredot) nuk triumfojnë ndryshe vetëm se me njerëz të përkushtuar e besnikë, të cilët, nëse janë të pranishëm, nuk dallohen, e nëse mungojnë, nuk harrohen. Mund të ndodhë t’i harrojë jeta, por jo edhe Allahu.
  5. Besimtari duhet të jetë i bindur se ajo që Allahu ka caktuar për të është më e mira dhe më e dobishmja për të.
  6. Bindu plotësisht se dora e shtrirë kah Allahu xh.sh., nuk do të kthehet bosh kurrë!
  7. Burrat njihen në ditë vështirësish, jo në ditë gazmendesh.
  8. Buzëqeshni sepse jeni duke jetuar në saje të mirësive të Allahut, jo të njerëzve.
  9. E vërteta kurrë nuk ka frikë lirinë. Lirisë i druhen e shtrembëta, injoranca dhe padrejtësia.
  10. Faraonët dhe perandorët u hyjnizuan për shkak se gjetën masa të cilat iu shërbyen pa vetëdije.
  11. Fetaria e drejtë e besimtarit është ligjërimi më impresionues që thërret njerëzit në besim, sikur që morali i tij i mirë është magji që josh e tërheq zemrat.
  12. Fetaria e rreme është më e dëmshme për popujt se ateizmi ekstrem.
  13. Jo detyrimisht duhet të jesh servil për t’i shërbyer armiqëve të vendit, mjafton të jesh edhe mendjelehtë e budalla!
  14. Keqardhja sa nuk më mbyt kur shoh një punë që, kur kryhet nga një jomysliman, kryhet në formë të përsosur, e kur kryhet nga një mysliman, kryhet shkel e shko.
  15. Kur femra është boshe nga koka dhe zemra ; as kulturë në shkollë dhe as adhurim në xhami, atëherë prej nga do të realizohet edukimi i kërkuar?!
  16. Lufta ideologjike nga jashtë, pavarësisht që është e tmerrshme, megjithatë nuk është më gjunjëzuese se çrregullimi ynë i brendshëm.
  17. Mendimi i keq është sikur të folurit e keq. Kështu, sikur ndalohet të flasësh për të metat e dikujt tjetër, ndalohet edhe të kesh mendim të keq për të tjerët.
  18. Mesazhi islam (me pak fjalë): balli im, shpina ime dhe ndërgjegjja ime nuk i përkulen askujt tjetër pos Allahut të vetëm…
  19. Mjerë për ummetin që udhëhiqet nga njerëzit pa vlerë dhe në të cilin njerëzit me vlerë degradohen.
  20. Mos u lëndo kur dikush mohon mirësinë tënde ndaj tij sepse gjatë ditës harrohen dritat e rrugëve (ndriçimi publik)…
  21. Musai a.s., siç shpjegon Muhammed Reshid Rida në Tefsir el-menar, është përmendur mbi 130 herë në Kur’an, natyrisht jo as për ngushëllim dhe as më pak për argëtim, por që: prijësit të mos shndërrohen në faraonë, që popujt ta kuptojnë se të adhuruarit e dikujt tjetër pos Allahut është krim, që njerëzit ta kuptojnë se pajtimi me nënçmimin për rezultat ka poshtërimin në të dy botët. Arseja pse Kur’ani flet shumë për pasuesit (masat) që pasojnë të pasuarit (liderët/prijësit) në xhehennem është që ta luftojë këtë mendësi varësie dhe këtë pasim poshtërues.
  22. Myslimanët dy herë e kanë dëmtuar Islamin: një herë kur nuk kanë ditur ta zbatojnë dhe herën e dytë kur nuk kanë ditur ta përcjellin apo kumtojnë.
  23. Ne nuk i qortojmë të tjerët pse shfrytëzuan shanset për t’i shërbyer bindjeve të tyre. Ne e qortojmë veten tonë pse lamë hapësirë që të tjerët të futen brenda. Ai që lë hapur derën e shtëpisë, nuk duhet t’i qortojë vjedhësit për vjedhjen e pasurisë.
  24. Në histori të rilindjes dhe zhvillimit të popujve, rizgjimi intelektual ka paraprirë gjithnjë aktivitetin politik dhe shoqëror.
  25. Nëse dëshiron ta ndryshosh një gjendje për të mirë, atëherë më parë bëje gati një alternativë!
  26. Nëse njeriu do të angazhohej për ta arritur kënaqësinë e Allahut vetëm me gjysmën e angazhimit për të fituar pasuri dhe pushtet, do të përshkonte një distancë goxha të madhe në ngritje dhe avancim shpirtëror e moral.
  27. Nëse shiu ringjallë tokën e vdekur, normat fetare ringjallin moralin e vdekur.
  28. Nuk e di përse tërë ky pezëm dhe tërë kjo mërzi pse dështojmë në një ndeshje sportive ndërsa nuk bezdisemi fare për dështimin tonë civilizues, industrial dhe shoqëror?!
  29. Nuk mendoj se dynjaja vlen as edhe sa një grosh nëse njerëzit mohojnë Krijuesin, nënvlerësojnë të drejtat e Tij dhe harrojnë takimin me Të.
  30. Njerëzit nuk do të mund të gjejnë dikë më bamirës dhe më mëshirues se Allahun xh.sh.
  31. Njeriu që dëshiron nga masa ta brohorisë emrin e tij dhe të sillen rreth tij nuk është gjë tjetër vetëm se një idhull i gjallë, fundi i të cilit duhet të jetë po ai i idhujve të gdhendur nga guri e druri.
  32. Një djalosh i ri e pyeti Muhammed Gazalin: Cili është gjykimi fetar për atë që nuk falet? Ta kapësh për dore dhe të shkosh në xhami me të! -ia ktheu.
  33. Pata menduar se vëllanë tim, Jusuf Kardavin, e kam thjesht shok, në ndërkohë që, me mirësinë dhe begatinë e Allahut, avancoi shumë. Ai shkruan dhe ligjëron, debaton dhe bën paqe, dhe përpiqet maksimalisht të jetë në shërbim të së vërtetës dhe përkrahjes së fesë së Allahut dhe të Dërguarit të Tij!
  34. Për mendimin tim, puna e vështirë qëndron tek ndryshimi i popujve. Sa i përket qeverive, ato ndryshojnë vetvetiu kur populli të ndryshojë.
  35. Përkujto se si, ndonjëherë, mirësi e Allahut ndaj teje është që të mos e arrish atë që e dëshiron. Misionet e mëdha zakonisht korrin sukses falë ekuilibrit ndërmjet dy gjërave: epërsisë së liderit dhe dashurisë e sinqeritetit të ithtarëve.
  36. Po të kishte më pak gjykatës dhe dijetarë të korruptuar, do të kishte më pak mbretër (pushtetarë) të prishur.
  37. Po, e kota e ngrenë kokën vetën kur e vërteta të jetë në gaflet. [Gaflet: shkujdesje, pa vëmendje]
  38. Promotorët e së kotës kanë fituar guximin për ta promovuar atë atëherë kur kanë parë ithtarët e së vërtetës të kenë ulur kokën e të jenë mbërthyer nga frika. Po, e kota ngritet vetëm atëherë kur e vërteta është në gjumë.
  39. Ripërtëritja e fesë nuk nënkupton bartjen e saj atje ku duan njerëzit, përkundrazi, bartjen e njerëzve atje ku do Allahu.
  40. Sa herë që zgjedhjet vijnë ndiej një keqardhje të madhe, jo për faktin se disa manipulantë do t’ia dalin të marrin pozita pa meritë, megjithëqë është krim në vete. Ajo që më shqetëson ka të bëjë me qarkullimin e gënjeshtrës në heshtje e qetësi, me stabilizimin e shpifjes sikur të mos jetë e keqe, me pajtimin e të mëdhenjve dhe të vegjëlve me shtypjen e të vërtetës pa i dalë kush në ndihmë. Një popull që jeton me moral të këtillë meriton vdekjen sa më parë.
  41. Nuk kam parë më të pështirë dhe as më të ulur se njeriun që miklon një tjetër apo që i buzëqesh për thjesht një përfitim material. Këto janë shoqëri të lira, të pavlera dhe të papesha.