Opens in a new tab

“Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të mirë...” — Kur'an, Jusuf 12:108

Hytbe, Hytbe të xhumasë • 27 Nov 2026

28 NËNTORI DATË QË DUHET TË NA BASHKOJË

Hoxhë Dr. Sedat Islami
Hoxhë Dr. Sedat IslamiDoktor i Shkencave Islame
28 NËNTORI DATË QË DUHET TË NA BASHKOJË

Të nderuar vëllezër!

[Hyrje]

Ndër ngjarjet që kanë peshë historike është padyshim edhe 28 nëntori i vitit 1912. Të gjendur përballë një realiteti të ri, të ashpër e të pamëshirshëm, shqiptarët, nga profile e përkatësi të ndryshme, u bënë bashkë dhe shpallën pavarësinë. Që nga ajo ditë, 28 nëntori ka hyrë në histori si një datë që shërben më shumë se thjesht një shënim a ceremoni formale. 28 nëntori vazhdon të përçojë mesazhin e bashkimit rreth interesit kombëtar. Marrë parasysh rrethanat nëpër të cilat po kalojmë, sot në hytben e xhumasë, do të flasim për detyrimin tonë karshi atdheut dhe jo vetëm. Për shkak të përpjekjeve dashakeqe që çështjen kombëtare ta shndërrojnë në kauzë të përçarjes dhe jo bashkimit, do të sjellim përmbledhje të kontributit jetik dhe historik të disa hoxhallarëve për gjuhën, arsimin, flamurin dhe traditat tona.


Vëllezër besimtarë!

[Përkushtimi për atdheun detyrë fisnike]

Dashuria për vendin është pjesë e natyrshmërisë së njeriut, të cilën feja e ka ngritur edhe në nivele tjera. Profeti Muhamed ﷺ aq shumë e donte Medinën saqë kur i duhej ta lëshonte për ndonjë udhëtim mallëngjehej shumë për të. Sahabiu i nderuar Enes bin Maliku r.a., siç qëndron në Sahihun e Buhariut, transmeton: “Kur Profeti Muhamed ﷺ kthehej prej ndonjë udhëtimi dhe afrohej afër Medinës saqë shihte rrugët, pemët apo muret e saj, e nxitonte devenë…” E lëvizte nga dashuria që ndiente për të. Ky fakt i ka shërbyer dijetarëve si argument dhe dëshmi për ligjësimin e dashurisë për vatanin. Krahas kësaj, ta duash vendin dhe të punosh për të mirën e tij është vepër me të cilën afrohesh tek Zoti dhe e fiton dashurinë e Tij. Të sakrifikosh jetën për vendin duke mos synuar gjë tjetër pos kënaqësisë së Zotit është vepër që të klasifikon në radhën e shehidëve apo dëshmorëve, atyre që nuk duhet të quhen të vdekur. Ja çfarë na mëson Zoti në Kur’an:

‎﴿‏ وَلَا تَحْسَبَنَّ الَّذِينَ قُتِلُوا فِي سَبِيلِ اللَّهِ أَمْوَاتًا ۚ بَلْ أَحْيَاءٌ عِندَ رَبِّهِمْ يُرْزَقُونَ ‎﴿١٦٩﴾‏ فَرِحِينَ بِمَا آتَاهُمُ اللَّهُ مِن فَضْلِهِ وَيَسْتَبْشِرُونَ بِالَّذِينَ لَمْ يَلْحَقُوا بِهِم مِّنْ خَلْفِهِمْ أَلَّا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ ‎﴿١٧٠﴾

 “Kurrsesi mos i quani të vdekur ata që janë vrarë në rrugën e Allahut. Jo, janë të gjallë, duke u ushqyer te Zoti i tyre. 170. Janë të gëzuar për çfarë u ka dhënë Allahu nga dhuntitë e Tij dhe gëzohen edhe për ata që ende nuk u janë bashkuar e që kanë ngelur pas tyre (dhe ende nuk kanë rënë martirë), sepse nuk do të frikësohen (për çfarë i pret) dhe nuk do të pikëllohen (për çfarë kanë lënë pas).” [Al Imran: 169-170]

Nuk duhet të quhen të vdekur për shkak të idealit për të cilin kanë vdekur dhe për shkak se kjo sakrificë e tyre llogaritet një lloj tregtie që kanë bërë me Zotin Fuqiplotë. Më saktë Zotit ia kanë shitur shpirtin për xhenetet, gjerësia e të cilave sa gjerësia e qiejve dhe e tokës. Pra, të tillët edhe pse fizikisht nuk janë me ne, vazhdojnë të jetojnë: në mesin tonë me kujtimet e mira e heroizmin frymëzues, e tek Zoti duke u shpërblyer në xhenet me të mira që mendja as nuk mund t’i imagjinojë.

Nga këtu, të akuzohet një mysliman se kinse nuk e ka të kultivuar ndjenjën atdhetare është jo vetëm injorancë por edhe marrëzi e llojit të vet. Në fakt ajo që të do të duhej të diskutohej është mënyra se si një mysliman dallon për këtë përkushtim sepse lidhja e tij me Zotin dhe kërkimin e kënaqësisë së Tij i jep dimensione tjera këtij përkushtimi çfarë të tjerët e kanë të vështirë ta perceptojnë.


Xhematlinj të nderuar!

Kontributi themeltar i hoxhallarëve për kombin dhe arsimin

Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes kombëtare, kohëve të fundit kemi parë përpjekje smirëzeza për ta shndërruar çështjen kombëtare në kauzë që përçan, jo që bashkon. Tendencat që kombi të identifikohet me një përkatësi fetare duke anatemuar -sipas fjalorit të tyre- përkatësinë tjetër, respektivisht duke e shpallur për armike të kombit fenë islame dhe duke i ngarkuar akuza që as djallit nuk do t’i shkonin ndërmend, janë të rrezikshme dhe të dëmshme për kombin në tërësi përballë të të cilave nuk mund të heshtim. Heshtja do të ishte tradhti ndaj Haxhi Ymer Prizrenit themeluesit të Lidhjes së Prizrenit, organizimit që, për nga aspekti historik e politik, mund të quhet themeltar për pavarësinë dhe të ardhmen e trojeve tona. Lidhja e Prizrenit është më shumë se thjesht një organizim dhe mesazhet e saja janë më shumë se thjesht një pakënaqësi dhe revoltë ndaj shtypjes. E mbajtur në xhaminë Bajrakli, ku edhe shërbente myderrizi, dhe e përbërë në pjesën absolute nga përfaqësues myslimanë, ajo flet për qëllimin e vërtetë të Lidhjes, për misionin e saj, për përfaqësuesit dhe bindjet e tyre.  Lidhja e Prizrenit kishte edhe synimet e saja arsimore. Në vendimet e datës 1 nëntor 1878, përveç tjerash qëndronte:

  • Të gjithë nëpunësit që do të jenë në Shqipëri duhet të dinë shqip
  • Të përhapet arsimi dhe në shkolla të mësohet shqip, dhe
  • Të ndahen mjete për zhvillimin e arsimit.

Çfarë do t’i themi Daut ef. Boriçit nëse heshtim përballë akuzave se kinse hoxhallarët nuk paskëshin kontribut për atdheun dhe arsimin në shqip ndërsa ai ka qenë themelues i Lidhjes së Prizrenit dhe njëri ndër hartuesit e parë të abetares së gjuhës shqipe?  Çfarë do t’i themi ne ndërsa ai qysh në faqet e para të abetares së tij ka shkruar: “Shqiptari me mënyrën e shkronjave që kam kallzue në alfabetin shqip, mbrenda pak kohe mundet me shkrue gjuhën e vet.”

Çfarë do t’i themi Hafëz Ali Podgoricës i cili, si kryetar i bashkisë së Durrësit, me dorën e vet e ngriti flamurin kombëtar? Çfarë do t’i themi Vehbi Dibrës, hoxhës dhe liderit që pavarësia e Shqipërisë dhe flamuri kombëtar bartin firmën e tij? A kanë harruar këta njerëz se ky flamur kombëtar që e kemi sot është miratuar vetëm pas fetvasë së dhënë pikërisht nga ky hoxhë i madh?! Ndër reformat që Hoxhë Vehbi Dibra kishte bërë në institucionet fetare vlen të përmenden ligjërimi në shqip brenda xhamive dhe përdorimi i vulës zyrtare të institucioneve fetare duke pasur simbol shqiponjën.

Çfarë do t’i themi Hafëz Ali Korçës njërit ndër mësuesit e parë të shkollës shqipe në Korçë? Çfarë do t’i themi këtij burri për rolin e të cilit në përhapjen e edukimit shqip, respektivisht alfabetit, është thënë: “…Naimi shkronjat i mbolli, Hafiz Aliu me shokë i ujiti”? Çfarë do t’i themi Hafëz Ibrahim Dalliut për kontributin e të cilit në themelimin e shkollës shqipe është thënë: “Normalja e Elbasanit ka në themelin e saj djersën dhe kontributin e Hafiz Ibrahim Dalliut…”?

Çfarë do t’i themi Mulla Idriz Gjilanit i cili hapi shkollën dhe ftoi besimtarët me këto fjalë: “Të hapim mejtepin për djem dhe vajza, t’u japim dije fëmijëve, që ta plotësojmë detyrën e prindit dhe të myslimanit!” Çfarë do t’i themi atij kur ai nuk ndalej së predikuari se: “S’ka fe pa atdhe!” dhe “Pa një atdhe të lirë feja nuk mbahet, nuk mund t’ushtrohet…!”

Si mund të akuzohen hoxhallarët për ide antikombëtare kur ata ishin në ballë të përpjekjeve për kombin?! Mulla Idriz Gjilani atyre që kishin shitur tokat dhe e lëshonin Kosovën për tu shpërngulur në Turqi ju thoshte: “…Ju nuk jeni as myslimanë as shqiptarë…! Ktheni kaparet e tokës dhe qëndroni me pushkë e sëpata në dorë…!? Kështu do t’u urdhëronte Muhamedi a.s… Jemi përgjegjës për varret e prindërve tanë para Zotit dhe para kombit. Nuk guxojmë të heqim dorë prej tyre, t’i lëmë të shkreta për t’i lavruar derrat e naselenikëve (kolonë) sllavë… Zoti në Kur’an na ka bërë përgjegjës për vatanin dhe për kombin…!”

Çfarë do t’i themi edhe qindra hoxhallarëve tjerë që dhanë madje edhe jetën për këtë vend, për këtë gjuhë, për këtë popull?

Prandaj është koha që, si shtet e shoqëri, zërat që na duan të përçarë t’i refuzojmë. Edhe më parë ka pasur tendenca që uniteti i brendshëm të sulmohet por urtësia e prijësve tanë fetarë ka bërë që ato përpjekje të shkojnë huq.

Vëllezër të dashur!

[Këshilla të Hoxhë Vehbi Dibrës për stabilitet shoqëror e politik]

Këshillat e hoxhallarëve tanë që punuan për këtë vend shtrojnë rrugën e fuqizimit shoqëror, arsimor, politik e ekonomik. Këtyre që sot po marrin guxim ta promovojnë çështjen kombëtar për të përçarë, ua kujtojmë këshillën e firmëtarit të pavarësisë, Hoxhë Vehbi Dibrës, i cili ka thënë: Armikut të atdheut i pritet hovi e guximi në qoftë se na shef të bashkuar e të lidhur për një qëllim të naltë.”; “Naltësimi e përparimi i një vendi varet në sigurimin e qetësisë së brendshme. Atje ku mungon qetësia, nuk mund të përparojë industria, tregtia e burimet e tjera ekonomike që e lumturojnë një popull.”

Politikanëve tanë që sot janë përballë vendimeve të vështira prej të cilave varet e ardhmja e vendeve tona ua kujtojmë sërish këshillat e hoxhës tonë, Vehbi Dibrës i cili në një prej këshillave të tij javore ka përmendur tri elemente të qeverisjes së mirë e cila popullit i garanton mirëqenie dhe stabilitet:

  • Qytetari të jetë në fokus të politikës, respektivisht të angazhohet me çdokush që atij t’i sigurohet jetë më e mirë.
  • Të gjithë popujt kanë meritat por më meritori për ta shërbyer është populli yt.
  • Ka një botë më të madhe se kjo botë, ku do të japim llogari, andaj ta kryejmë detyrën me sinqeritet e përkushtim.

Xhematlinj të nderuar!

28 nëntorit është një datë që duhet të na kujtojë përgjegjësinë që kemi të gjithë karshi trojeve tona, si individë e shoqëri, prijës fetarë intelektualë e politikanë. Sakrifica e qindra mijëra burrave dhe grave përgjatë shekujve duhet të na shërbejë si frymëzim që amanetin e tyre për t’i ruajtur këto troje, për ta ruajtur unitetin dhe për të punuar për zhvillimin e tyre, duhet ta çojmë në vend. Kjo datë duhet të na bëjë bashkë kundër nismave përçarëse dhe projekteve që kanë për qëllim destabilizimin e trojeve tona. Ashtu si urtarët tanë dikur, edhe ne sot, duke ndjekur gjurmët e tyre, ta ruajmë unitetin dhe bashkimin.