Opens in a new tab

“Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të mirë...” — Kur'an, Jusuf 12:108

KONFERENCA, Konferenca ndërkombëtare • 07 Nov 2026

METODOLOGJIA E PROFETIT MUHAMMED ﷺ NË LUFTIMIN E DUKURIVE NEGATIVE NË SHOQËRI: VETËVRASJA SI SHEMBULL

Hoxhë Dr. Sedat Islami
Hoxhë Dr. Sedat IslamiDoktor i Shkencave Islame
METODOLOGJIA E PROFETIT MUHAMMED ﷺ NË LUFTIMIN E DUKURIVE NEGATIVE NË SHOQËRI: VETËVRASJA SI SHEMBULL

Sot (05 nëntor 2021) kam marrë pjesë në Konferencën Ndërdisiplinore Ndërkombëtare: “Arsimi dhe kultura në shoqërinë bashkëkohore” [Education and Culture in Contemporary Society] të organizuar nga AIS-ALBSA dhe partnerët ndërkombëtarë, në të cilën kam prezantuar punimin:
METODOLOGJIA E PROFETIT MUHAMMED ﷺ NË LUFTIMIN E DUKURIVE NEGATIVE NË SHOQËRI: VETËVRASJA SI SHEMBULL

Më poshtë keni referatin të cilin e kam lexuar në paraqitjen time online në këtë konferencë.

METODOLOGJIA E PROFETIT MUHAMMED ﷺ NË LUFTIMIN E DUKURIVE NEGATIVE NË SHOQËRI: VETËVRASJA SI SHEMBULL
Dr. Sedat ISLAMI

REFERAT
Shoqëritë bashkëkohore, pavarësisht zhvillimit të madh shkencor e teknologjik, janë duke u ballafaquar gjithnjë e më shumë me probleme dhe dukuri devijante, për të cilat nuk gjejnë zgjidhje të kënaqshme tek shkenca dhe teknologjia. Rrethanat e kanë diktuar nevojën që roli i fesë dhe mësimeve të saja në luftimin e këtyre dukurive negative të mos shihet thjesht si asistues por edhe thelbësor. Bashkëpunimet ndërinstitucionale në Kosovë dhe gjetiu janë dëshmia më e mirë për këtë. Ky punim mëton të hedh dritë mbi këtë rol të fesë, duke u fokusuar tek metodologjia që Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të!) ka ndjekur në evitimin e dukurive të ngjashme. Si mostër studimi është marrë dukuria e vetëvrasjes e cila, si fenomen, po bëhet gjithnjë e më shqetësuese. Sipas statistikave, në Kosovë, që nga paslufta, numri i të vetëvrarëve shkon mbi njëmijë. Në vitin 2020 kishte dyzet të vetëvrarë, shifër kjo më e madhe në krahasim me një vit më parë, mbase edhe për shkak të pandemisë. Edhe tek ne, edhe më gjerë, si shkaqe që çojnë në këtë vendim të gabuar, konsiderohen pesimizmi, problemet ekonomike, dështimet në jetë, etj., edhe pse ato mund të dallojnë nga individi në individ dhe shoqëria në shoqëri.
– Cila është zgjidhja fetare për këtë problem?
– Si e trajton feja islame vetëvrasjen dhe shkaqet që çojnë në të?

[Perceptimi fetar për vetëvrasjen]
Nëse do të donim ta përmbledhim perceptimin islam për vetëvrasjen me pak fjalë do të mund të konstatonim se ajo është pasojë e mosnjohjes së Zotit. Kjo për faktin se pesimizmi, që është si shkak mbase edhe kryesor në marrjen e këtij vendimi, në fe kategorizohet në radhën e mëkateve të mëdha (Kur’ani: Hixhr: 56; Jusuf: 87). Nëse mëshira e Allahut është më e madhe se hidhërimi i Tij, nëse ajo përfshin çdo gjë (Kur’ani: A’rafë: 156; Gafir: 7), nëse çdo mëkat i mundshëm me kthim kah Zoti falet (Kur’ani: Zumer: 53), nëse Zoti besimtarëve të devotshëm iu bën zgjidhje për çdo problem (Kur’ani: Talak: 2; 3; 4), nëse Zoti na urdhëron të ikim nga vetëvrasja sepse Ai është i mëshirshëm me ne (Kur’ani: Nisa: 29), atëherë pesimizmi fillimisht dhe vetëvrasja vijimisht janë të pavenda. Sa për ilustrim, ja çfarë na mësojnë Kur’ani dhe Profeti Muhammed:
“Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” [Zumer: Kur’ani: 53]
Në shpjegim të këtij citati kur’anor është thënë se kjo thirrje hyjnore i drejtohet mëkatarëve më të mëdhenj, atyre që kanë kryer mëkatet më të mëdha, që të mos e humbasin shpresën në Zotin, pra të mos bëhen pesimistë, sepse Allahu të gjitha mëkatet i fal. Këtë na e mëson edhe Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të!), i cili thotë: “…sikur ta dinte mohuesi i Zotit se çfarë mëshire të madhe ka Ai, nuk do të humbte shpresën në hyrjen në parajsë…” [Buhariu: 6469]
Nisur nga këtu, vetëvrasja konsiderohet paraprirje ndaj caktimit hyjnor. Pra, ai që e mbyt veten ka ndërmarrë një veprim që në mësimet profetike (Buhariu: 3463) konsiderohet në njëfarë forme tërheqje e vdekjes para kohe. Për këtë shkak, ky vendim i ngarkohet vet kryesit dhe ai i bartë pasojat e tij.
Vetëvrasja konsiderohet mëkat i madh dhe paraprirje e dhunshme ndaj caktimeve të Zotit për faktin se kryesi po i jep fund diçkaje që nuk është në pronësi të tij. Jeta ose shpirti është prej Zotit dhe vetëm Ai ka të drejtë ta merr atë.

[Mirësia e jetës dhe mundësitë e saja]
Për më tepër, jeta konsiderohet figurativisht sënduku ku fshihet zgjidhja e problemeve. Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që rron më gjatë dhe kryen punë të mira.” (Sahih et-Tergib: 3363) Po kështu ka thënë: “Për shkak se dikujt i ka ndodhur ndonjë e keqe, le të mos e dëshirojë vdekjen…”(Buhariu: 5671; Muslimi: 2680)

[Qasje e gabuar ndaj caktimeve të Zotit]
Vetëvrasja konsiderohet paraprirje ndaj caktimit të Zotit për shkak të mungesës së besimit në Zotin dhe caktimet e Tij, të cilat ndonjëherë, ani pse mund të na duken formalisht të dhimbshme, janë vet zgjidhja. Në Kur’an, Zoti thotë: “…Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” [Bekare: 216] Ndonjëherë privimi mund të jetë vet dhurata; njeriu kërkon a lutet për diç që mbase mund të jetë në dëm të tij. Nga këtu, besimi se prapa çdo caktimi të Zotit fshihet një urtësi është zgjidhje për këtë problem. Thirrja e fesë për durim është thirrje për ta shndërruar fatkeqësinë në mirësi. Ja si e shpjegon këtë Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të!): “E çuditshme është puna e besimtarit, e tërë puna e tij është në të mirë të tij gjë kjo që i përket vetëm atij: nëse i ndodhë një e mirë, e falënderon Zotin për çka ka shpërblim,; nëse i ndodhë një e keqe, bën durim për çka ka shpërblim.” (Muslimi: 2999)
Gjërat e këqija që mund të na ndodhin, për ta ilustruar me shembull kuptimin e ajetit të cituar sipër, mund të jenë të mira për ne. P.sh., sëmundja, e cila klasifikohet po kështu si shkak që çon në vetëvrasje, nga perspektiva fetare konsiderohet formë e ngritjes tek Zoti. Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Njeriut mund t’i jetë shkruar një pozitë e lartë tek Zoti të cilën nuk mund ta arrijë me veprat që ka bërë andaj sprovohet me gjëra që nuk i do derisa ta fitojë atë pozitë.” [Essilsiletu es-sahihah: 2599]
Ajo që na mbetet është të bëjmë durim dhe të presim se çfarë e mire fshihet prapa sprovës. Kjo për arsye se njeriu, siç na mëson Kur’ani, është i ngutshëm (Isra: 11), andaj mund të merr veprime të gabuara në kohën kur zgjidhjet janë afër. Është ligj i Zotit se pas vështirësisë vjen lehtësimi (Kur’ani: Sherh: 5-6; Talak: 7).
Se sprovat e jetës mund të jenë të këtilla flet edhe mësimi tjetër profetik, sipas të cilit njerëzit më të përzgjedhur të Zotit, profetët, kanë qenë më të sprovuarit (Sahih el-Xhami: 994). Nëse Zoti i sprovon ata që i do, atëherë sprova nuk është e keqe. Do të doja ta marr shembull problemin ekonomik, meqë është klasifikuar po kështu si shkak i këtij fenomeni, për të treguar se profetët kanë qenë të sprovuar edhe me varfëri. I sprovuar ka qenë edhe vet Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të!), i cili përkundër që ishte njëherësh edhe lider suprem, kishte raste kur kalonte ditë të tëra pa u ngopur. Por ajo që i dallon profetët është angazhimi për ta fituar jetesën, pavarësisht punës modeste që mund të kenë bërë. Kanë punuar barinj delesh, si p.sh., Musai, Muhammedi, e kanë punuar edhe si farkëtarë, si p.sh. Davudi, paqja qoftë mbi të gjithë! Pra, përderisa një punë është e ndershme dhe na siguron jetesën, nuk duhet ta nënvlerësojmë, sado modeste që të jetë.

[Hapat e ndërmarrë për parandalimin e kësaj dukurie]
Krahas vlerësimit që Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të!) ka për jetën dhe alternativave për zgjidhjen e problemeve të saja, na ka ofruar edhe këshilla se si praktikisht mund të luftohet ky fenomen.

1) Metoda e frikësimit
Mëkati sikur vetëvrasja është një ndër mëkatet më të mëdha (Kur’ani: Isra: 33; Buhariu: 5778 ; Muslimi: 109). Dënimi i paraparë për të është ndër dënimet më të ashpra. Në fakt, dënimi i paraparë është sipas llojit të veprës: është shkatërruar dhurata më e madhe, jeta, jepet dënimi më i rëndë: qëndrimi pothuajse i përjetshëm në ferr.

2) Presioni fetar
Në një prej citateve profetike, flitet se si një njeriu që kishte kryer vetëvrasje nuk i qenë kryer shërbimet mortore nga Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të!). Më saktë, nuk i qe falur namazi i xhenazes (Muslimi: 978). Siç qëndron unanimisht tek dijetarët, pavarësisht që vetëvrasja është mëkat i madh, ai nuk e nxjerr njeriun nga feja, andaj rrjedhimisht refuzimi i Profetit Muhammed (paqja qoftë mbi të!) për t’ia falur xhenazen është interpretuar si një formë presioni fetar ndaj atyre që e mendojnë vetëvrasjen në mënyrë që të mos i qasen fare asaj.

3) Nxitja dhe motivimi për tu kthyer tek Zoti, i Cili i fal mëkatet dhe ofron zgjidhje për çfarëdo problemi. Pendimi është ujë që shlyen çdo njollë të mëkateve, sikur që është izolues i çfarëdo të çare që mund të jetë shkaktuar nga mëkatet. Allahu na thërret në Kur’an: “…dhe mos e vritni veten (dhe njëri-tjetrin)! Vërtet, Allahu është i Mëshirshëm me ju.” [Nisa: 29]

4) Funksionalizimi i rolit prindëror pasi që ky fenomen ka filluar të prek edhe prek fëmijët. Rasti me lojën e dhunshme balena blu është dëshmi konkrete. Nga këtu Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të!) ua kujton prindërve përgjegjësinë në edukimin e fëmijëve të tyre (Buhariu: 893 ; Muslimi: 1829).

5) Angazhimi shoqëror. Duke qenë se vetëvrasja shkaktohet edhe si shkak i varfërisë, atëherë mësimet profetike na udhëzojnë që të funksionojmë shoqërisht si një trup, i cili lëngon në tërësi sa herë që lëngon një gjymtyrë e tij (Buhariu: 6011). Kjo dhimbje ndahet duke ofruar lëmoshë e ndihmë materiale e cila do t zhdukte varfërinë si shkak që çon drejt këtij fenomeni.
Për fund, si rezultat kryesor të këtij punimi do të veçoja rolin efektiv të fesë në parandalimin e dukurive negative, veçmas në një shoqëri sikur e jona në të cilën feja nuk është se nuk ka rëndësi. Ndërsa si rekomandim do të kërkoja nga institucionet tona që raportet e deritanishme me bashkësitë fetare të shkojnë në një nivel tjetër, respektivisht të inkorporohet edukimi fetar si mjet i parandalimit të këtyre fenomeneve.