Të nderuar vëllezër besimtarë!
Fëmijët janë dhuratë çmuar që Zoti ia jep njeriut. Dashuria për ta është e mbjellë në shpirtin e njeriut. Është dashuri me të cilën lind njeriu. Allahu i Madhëruar në Kur’anin Famëlartë na kujton se edhe robërit e Tij të sinqertë kanë qenë të pasionuar pas fëmijëve.
﴿ وَالَّذِينَ يَقُولُونَ رَبَّنَا هَبْ لَنَا مِنْ أَزْوَاجِنَا وَذُرِّيَّاتِنَا قُرَّةَ أَعْيُنٍ وَاجْعَلْنَا لِلْمُتَّقِينَ إِمَامًا ﴿٧٤﴾
Edhe ata që thonë: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!”.” [Furkan: 74]
Edhe i Dërguari i fundit, Muhamedi ﷺ ishte fisnikëruar me këtë dashuri për fëmijët. Madje, jo vetëm që i donte, por edhe kërcënonte ata që nuk i duan fëmijët se nuk do të mëshiroheshin prej Allahut të Madhëruar.
مَن لا يَرْحَمُ لا يُرْحَمُ
“Vërtetë, ai që nuk mëshiron (fëmijët), nuk mëshirohet!”[1]
Xhematlinj të nderuar!
Por, njeriu sprovohet, e sprova ndonjëherë nënkupton edhe vdekjen e më të dashurve, fëmijëve në këtë rast. Andaj, si ta përballojmë këtë gjendje? Si të gjendemi në të? Është një ndjesi që ka prekur edhe të Dërguarin e Allahut, Muhammedin ﷺ, i cili për vdekjen e të birit kishte thënë këto fjalë:
إنَّ العَيْنَ تَدْمَعُ، والقَلْبَ يَحْزَنُ، ولَا نَقُولُ إلَّا ما يَرْضَى رَبُّنَا، وإنَّا بفِرَاقِكَ يا إبْرَاهِيمُ لَمَحْزُونُونَ
“Syri loton, zemra pikëllohet, ndërsa ne nuk themi vetëm se atë që do Zoti ynë. O Ibrahim, ne për ndarjen tënde jemi mërzitur!”[2]
Andaj, sot do të kemi në fokus disa prej formave dhe mënyrave që na forcojnë në përballimin me vdekjen e fëmijëve.
E para: [1. Besimi në caktimet e Allahut të Madhëruar]
Myslimanët, për dallim nga të tjerët, besojnë se vdekja është caktim i Zotit, që nuk vjen as para dhe as mbrapa. Ajo ka kohën e caktuar, që pavarësisht rrethanave, ndodhë. Allahu i Madhëruar ka thënë:
﴿ وَلِكُلِّ أُمَّةٍ أَجَلٌ ۖ فَإِذَا جَاءَ أَجَلُهُمْ لَا يَسْتَأْخِرُونَ سَاعَةً ۖ وَلَا يَسْتَقْدِمُونَ ﴿٣٤﴾
“Çdo popull ka afatin e vet. Kur t’i vijë koha e fundit, ata nuk mund ta shtyjnë, qoftë edhe për një çast dhe as nuk mund ta shpejtojnë.” [A’rafë: 34]
Kjo nuk nënkupton se ne gjatë kësaj jete duhet të distancohemi nga shërimi i sëmundjeve, assesi, por nënkupton një bindje që në rast se ndodhë vdekja, të mos pikëllohesh shumë, sepse aty ka qenë fundi dhe ndryshe nuk bëhet. Tregimi i mbretit që la amanet për përcjelljen e xhenazes së tij në varreza vetëm nga mjekët është shpjegim shumë ngushëllues. Keni dëgjuar, mbreti kishte porositur suitën e tij që xhenazja t’i përcillej në varreza vetëm nga mjekët, për tua bërë me dije njerëzve se vdekjen askush nuk mund ta largon.
Myslimanë të dashur!
[2. Nuk jeni të parët, as të fundit]
Një prej formave të ngushëllimit është edhe fakti se Allahu i Madhëruar ka sprovuar njerëzimin në vazhdimësi dhe këtë me sprova të ndryshme. nuk ka sprovë që godet njeriut, e që mos të ketë goditur dikë para tij. Allahu i Madhëruar ka thënë:
﴿الم ﴿١﴾ أَحَسِبَ النَّاسُ أَن يُتْرَكُوا أَن يَقُولُوا آمَنَّا وَهُمْ لَا يُفْتَنُونَ ﴿٢﴾ وَلَقَدْ فَتَنَّا الَّذِينَ مِن قَبْلِهِمْ ۖ فَلَيَعْلَمَنَّ اللَّهُ الَّذِينَ صَدَقُوا وَلَيَعْلَمَنَّ الْكَاذِبِينَ ﴿٣﴾
“Elif, Lam, Mim. 2. A menduan njerëzit të thonë: “Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?” 3. Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, ashtu që All-llahu gjithqysh do t’i dallojë ata që e thanë të vërtetën e do t’i dallojë edhe gënjeshtarët.“ [Ankebut: 1-3]
[3. Ka edhe më keq]
Mënyrë tjetër se si besimtarët ngushëllojnë veten për humbjen e fëmijëve është dhe përkujtimi për atë se ka mundur të ndodhë dhe më keq. Ndarja është e dhimbshme por format e saja ndonjëherë mund të shkaktojnë mërzi dhe pikëllim jo të njëjtë. Ta zëmë, nuk është pikëllimi për atë që ka vdekur në shtrat, sikur pikëllimi për atë që vritet. Kësisoj, pikëllimi për fëmijën që vdes nga vdekja natyrale është më pak i rëndë se sa pikëllimi për vdekjen në forma tjera. P.sh., njëri nga hoxhallarët përmend një rast interesant dhe shumë prekës. Përmend rastin e një familjeje që kishin therur kurban për ftesën e Kurban Bajramit. Fëmijët, duke parë të atin se si e therte kurbanin, e kishin therë njëri-tjetrin, respektivisht vëllai i madh e kishte therur të voglin. E kur kupton se ka bërë faj, ikën për të mos e ndëshkuar prindërit, por me të dalë në rrugë, e shkel vetura. Pra, dy vdekje shumë të dhimbshme brenda vetëm dhjetë minutave.
Të dashur vëllezër!
[4. Vdekja e fëmijëve si mirësi]
Durimi për vdekjen e fëmijëve për shpërblim ka xhenetin. Profeti ﷺ ka thënë:
لا يَمُوتُ لإِحْدَاكُنَّ ثَلَاثَةٌ مِنَ الوَلَدِ فَتَحْتَسِبَهُ، إلَّا دَخَلَتِ الجَنَّةَ فَقالتِ امْرَأَةٌ منهنَّ: أَوِ اثْنَيْنِ يا رَسُولَ اللهِ؟ قالَ: أَوِ اثْنَيْنِ
“Do të hyjë në Xhennet një grua të cilës i kanë vdekur tre fëmijë për vdekjen e të cilëve ka duruar duke llogaritur në shpërblimin e Allahut. Një grua tha: E nëse i vdesin dy? Profeti ﷺ tha: Ose i vdesin dy fëmijë.”[3]
Këta fëmijë nesër në Ditën e Kiametit këtë pikëllim dhe mërzi do të na e kompensojnë, ngase atje do të shfaqin një këmbëngulësi të pashoqe për ne për të na futur në xhenet.
Kur Profeti ﷺ ulej në ndonjë mexhlis [në xhami apo diku tjetër], uleshin me të edhe disa shokë të tij, në mesin e të cilëve edhe një burrë që me vete e merrte një djalosh të vogël i cili e ndiqte pas. E ulte para vetes. Pas një kohe i vdiq i biri ndërsa njeriu nuk shkonte më në mexhlise për shkak të kujtimit që kishte me të birin. Ishte mërzitur shumë për të (prandaj nuk dilte nga shtëpia). Duke qenë se Profeti ﷺ nuk e shihte, pyeti për të: Përse nuk po e shoh filanin? Thanë: O i dërguari i Allahut, djali i tij me të cilin e shihje i ka vdekur. Profeti e takoi dhe e pyeti për të birin. I tha se i kishte vdekur. E ngushëlloi për të dhe i tha: O filan, çfarë do të dëshiroje më shumë, të kënaqeshe me të gjatë tërë jetës apo nesër, në Ditën e Llogarisë, të mos shkoje tek asnjë derë e xhenetit e të mos e gjeje atë duke ta paraprirë për të ta hapur atë? O Profet i Allahut, dua që të ma paraprijë tek dera e xhenetit që të ma hapë atë, këtë e dua më shumë! Atëherë kjo është për ty! – i premtoi Profeti (Paqja qoftë mbi të!). [4]
Të dashur besimtarë!
[5. Fëmijët myslimanë në botën tjetër]
Fëmijët myslimanë, që vdesin para moshës madhore do të jenë në Xhennet. Profeti ﷺ ka thënë:
النَّبِيُّ فِي الْجَنَّةِ، وَالشَّهِيدُ فِي الْجَنَّةِ، وَالْمَوْلُودُ فِي الْجَنَّةِ، وَالْوَئِيدُ فِي الْجَنَّةِ
“Profeti është në Xhennet, shehidi është në Xhennet, foshnja që lind e vdekur është në xhenet, fëmija i mbytur nga prindërit[5] është në xhenet!”[6]
Por, jo vetëm që do të jenë në Xhennet, porse ata do të kenë një përkujdesje të rrallë dhe shumë ekskluzive. Deri në momentin kur të takohen me prindërit e tyre në Ditën e Kiametit, ata do të jenë në Xhennet, nën mbikëqyrje të babait të profetëve, Ibrahimit [alejhiselam] dhe gruas së tij, Sarës. Profeti ﷺ ka thënë:
أطفالُ المؤمنينَ في جبلٍ في الجنةِ ، يكفلُهم إبراهيمُ و سارَّةُ ، حتى يردَّهم إلى آبائِهم يومَ القيامةِ
“Fëmijët e besimtarëve do të jenë në një kodër në xhenet. Për ta do të përkujdesen Ibrahimi dhe Sara derisa tua kthejnë prindërve të tyre në Ditën e Kiametit!”[7]
Madje, mbikëqyrja do të jetë e atillë që atyre të mos iu mungojë asgjë që ka të bëjë me moshën e tyre. Kur i vdiq djali Muhamedit ﷺ tha:
إنَّ إبْرَاهِيمَ ابْنِي، وإنَّه مَاتَ في الثَّدْيِ، وإنَّ له لَظِئْرَيْنِ تُكَمِّلَانِ رَضَاعَهُ في الجَنَّةِ
“Vërtetë, biri im, Ibrahimi, vdiq duke qenë ende për gjiri. Ai do të ketë dy gra që do t’ia kompensojnë gjidhënien në Xhennet!”[8]
Të nderuar vëllezër!
[Përfundim]
Mëshira e madhe e Allahut të Madhëruar me robërit e Tij ka bërë, që për të arritur këtë mirësi, të mos kushtëzojë patjetër durimin e prindit dhe llogaritjen në shpërblimin e Allahut. Pra, edhe nëse ndodhë që të qanë apo mërzitet shumë, Allahu i Madhëruar prapë e fal atë dhe nuk e privon nga kjo mundësi shpërblimi. Por, për të qenë robër të vendosur në rrugën e Tij, për të treguar lidhjen tonë të madhe me Zotin, le të durojmë dhe le të shpresojmë në shpërblimin e Tij ngase kështu do ta kemi më të sigurt shpërblimin e Tij.
[1] Buhariu, 5997; Muslimi, 2318.
[2] Buhariu, 1303; Muslimi, 2315.
[3] Buhariu, 101; Muslimi, 2632. Teksti i Muslimit.
[4] Hadith i saktë. Shih: Sahih en-Nesaij, nr. 2087.
[5] Arabët në periudhën para Islamit i mbysnin fëmijët vajza.
[6] Hadithin i saktë. Shih: Sahihu Suneni Ebi Davud, nr. 2521.
[7] Hadith i saktë. Shih: Sahih el-Xhami, nr. 1023.
[8] Muslimi, nr. 2316





