Erdhi një njeri te Ibrahim b. Ed-hemi dhe i tha: “O Ebu Is-hak, e kam tepruar në mëkate… Më trego diçka që të largohem nga këto mëkate dhe ta ndriçoj jetën! I tha Ibrahim Ed-hemi: Nëse i pranon pesë kushte, të cilat do t’i veprosh para se të biesh në mëkate atëherë mos u mërzit nga demi i mëkatit.
I tha njeriu: M’i trego ato o Ebu Is-hak!
Ibrahimi tha: Sa i përket të parit, kur dëshiron t’i bësh mëkat All-llahut të Lartësuar mos u ushqe nga rrisku i Tij!
Tha njeriu: E nga të ushqehem unë, kurse çdo gjë që është në tokë është nga furnizimi i Tij?!
Ibrahimi iu përgjigj: Vallë, a rehatohesh që të ushqehesh nga rrisku i tij dhe ti t’ia kthesh me mëkat?!
Tha njeriu: Jo. Më trego për kushtin e dytë!
I tha Ibrahimi: Kur dëshiron t’i bësh mëkat All-llahut mos bano në tokën e Tij!
Iu përgjigj njeriu: Kjo qenka më e rëndë se sa e para, e ku të banoj unë pra?!
I tha Ibrahimi: O ti njeri, a je i rehatshëm të banosh në tokën e Tij dhe aty t’i bësh mëkate Atij?!
Tha njeriu: Jo. Më trego për kushtin e tretë!
I tha Ibrahimi: Kur dëshiron që t’i bësh mëkate Atij, dhe të ushqehesh nga furnizimi i Tij dhe të banosh në tokën e Tij, atëherë shko në një vend që nuk të shikon as All-llahu dhe bëre mëkatin.
Tha njeriu: O Ibrahim çka është kjo?! Si mund ta bëjë këtë kurse Ai sheh atë që është në fshehtësi?!
Ia ktheu Ibrahimi: O ti njeri, si ke mundësi që të ushqehesh nga furnizimi i Tij, të banosh në tokën e Tij dhe ti i bën mëkate Atij kur e din që Ai të sheh ty kur bën mëkate në fshehtësi dhe haptazi?!
Tha njeriu: Jo. Më trego për kushtin e katërt!
I tha Ibrahimi: Kur të vjen meleku i vdekjes që të ta merr shpirtin tënd, thuaj atij: “Më vonë pak, derisa të pendohem sinqerisht dhe të bëj vepra të mira”!
Tha njeriu: Po ai nuk do ta pranoje këtë gjë nga unë!
I tha Ibrahimi: Si ke mundësi që të vazhdosh në mëkate pasi e di që për ty do të ketë fund dhe nuk ke mundësi qe ta shtysh vdekjen deri qe te pendohesh, dhe se meleku nuk e pranon nga ti kërkesën për vonim?!
Tha njeriu: Më trego për kushtin e pestë!
I tha Ibrahimi: Kur te vijnë Zebanijtë (Melaiket e Xhehennemit) Ditën e Kiametit që të marrin për në zjarr, ti mos prano që të shkosh me ta!
Tha njeriu: Ata nuk do të më lejojnë, dhe nuk do të pranojnë këtë nga unë!
Në fund iu drejtua Ibrahimit dhe i tha: O Ibrahim, me mjafton… më mjafton kaq, kërkoj falje nga All-llahu dhe pendohem tek Ai.
U pendua ky njeri dhe u largua nga të gjitha mëkatet dhe iu nënshtrua All-llahut me adhurim derisa u nda nga kjo botë.