Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
364. IMAM MAVERDI

364.

IMAM MAVERDI

(الإمام الماوردي)

(364-450 / 972-1058)

(fekih, mendimtar mysliman, politikolog)

 

Ka qenë Imam në Fikh, Usul dhe Tefsir.’ (Jafiu)

ÛžÛžÛž

Ndonëse njihet me emrin Maverdi, sipas një lloj preparati mjekësor që shiste ose e punonte,[1] emri i tij është Ali bin Muhammed bin Habib.

Ka lindur në Basra, Irak, në vitin 364 h (972 g.). Fillimisht, ka mësuar tek dijetarët e Basrasë, ose më saktë tek Ebu El Kasim Sajmeriu, për të kaluar më pas në Bagdad, ku vijon mësimet tek dijetari tjetër, Ebu Hamid Isfirajini. Shumë shpejt, do të dallohet për diturinë dhe shkathtësinë, për çka edhe do të ushtrojë disa poste shtetërore e akademike. Më drejt, në më shumë se një vend do ta ushtrojë postin e Akda El Kudat  që, sipas rregullimit administrativ, ishte post më i ulët se ai i kryegjykatësit (Kadi El Kudat). Më pas, do të kthehet në Bagdad, të cilin fillimisht nuk ishte se e donte shumë por që me kalimin e kohës aq shumë u lidh me të saqë kur iu desh ta lëshonte, ishte mërzitur shumë.

Jeta në Bagdad ishte produktive. Krahas mësimdhënies, ai shkroi disa vepra që janë me vlerë të madhe. Në fakt, siç do të thoshte Ibn Hajruni, ‘ai shkroi në çdo disiplinë të shkencave.’ Shkroi në fikh veprën El Havi, e shtrirë në më shumë se njëzet vëllime. Sipas vlerësimit të Isneviut, nuk është shkruar vepër e ngjashme me të. Më pas, këtë libër e kishte reduktuar në dyzet faqe dhe e kishte quajtur El Ikna’. Ai po kështu ka shkruar edhe veprat ‘El Ahkam Es Sultanijje’, ‘Edebu-d-din ve-d-dunja’, ‘Kanun El Vizare’, ‘En nuket ve-l-ujun’, ‘Sijasetu-l-mulk’ etj.

Maverdi ishte i dalluar për personalitetin dhe moralin e lartë që kishte. Ruhej madje edhe në gjëra të lejuara. Kurrë nuk ishte parë të kishte veshur këmishë me mëngë të shkurtra. Ishte edhe guximtar. Pati refuzuar që udhëheqësi të thirrej me titullin Melik El Muluk (mbreti i mbretërve), duke konsideruar se me të mund të thirret vetëm Allahu.

Këto tipare kishin bërë që Imam Maverdi të gëzonte respekt të gjerë. E çmonin edhe pushtetarët, ani pse nuk i lajkatonte. Ndërsa dijetarët, krahas vlerës dhe pozitës së tij në dije, kanë dhënë edhe disa shpjegime për idetë e tij. Ibn Kadi Shehbe ka thënë: ‘Është Imam (prijës) nga radhët e as’hab el-vuxhuh.’[2] Ibn Felahu ka thënë: ‘Ka qenë Imam në fikh, usul dhe tefsir.’ Imam Dhehebiu e konsideron se dijetar të madh (ar. El Imam El Al-lameh) dhe autor të veprave të shumta. Hatib Bagdadi, njëherësh student i tij, e klasifikon si dijetar të besueshëm.

Imam Maverdi siç duket ka anuar paksa kah ideologjia mu’tezilite. Ibn Salah, që është marrë me këtë çështje paksa më gjerësisht, shpjegon se Imami nuk ishte tërësisht mu’tezili porse vetëm në disa çështje, siç ishte besimi në kader, ndërsa nxënësi i tij më i dalluar, Hatib Bagdadi, mohon çfarëdo ndikimi të tij nga ideja mu’tezilite. Në kohën e tij, në Basra të paktë ishin ata që nuk ishin pluhurosur nga ideja mu’tezilite. Ndryshe, sa i përket meseleve tjera, si: krijimi i Kur’anit, krijimi i Xhennetit, ishte në një vijë me Ehlu Sunnetin.

 

[Referenca:]

Ibn El Verdi, Omer bin Mudhaffer bin Omer, Tarihu Ibn El Verdi, (Bejrut: Dar el-kutub el-ilmijj, 1996), 1/353; Ibn Kethir, Ismail bin Omer, El bidaje ve-n-nihaje, ver. Ali Shiri, (Bejrut: Dar ihja et-turath el-arabi, 1988), 12/99; Ibn Tagri Berdi, Jusuf, En nuxhum ez-zahire fi muluki Misr ve-l-Kahire, (Egjipt: Ministria e Kulturës dhe Udhëzimit Kombëtar), 5/64; Ebu-l-Felah, Abdul Hajj bin Ahmed, Shedherat edh-dheheb fi ahbari men dheheb, ver. Mahmud Arnauti, (Bejrut: Dar Ibn Kethir, 1986), 5/218-291; Shirazi, Ibrahim bin Ali, Tabekat el-fukaha, ver. Ihsan Abbas, (Bejrut: Dar err-rraid el-arabi, 1970), fq. 131; El Himevi, Jakut, Mu’xhem El Udeba, ver. Ihsan Abbas, (Bejrut: Dar el-garb el-islami, 1993), 5/1955-1957; Ibn Salah, Uthman bin AbduRrahman, Tabekat el-fukaha esh-shafi’ijjeh, ver. Muhjiddin Ali Nexhib, (Bejrut: Dar el-beshair el-islamijje, 1992), 2/636-642; Ibn Hal-likan, Ahmed bin Muhammed, Vefejat el-a’jan ve enba ebnai-z-zeman, ver. Ihsan Abbas, (Bejrut: Dar Sadir, 1994), 3/282-284; Subki, Abdul Vehhab bin Tekijuddin, Tabekat esh-shafi’ijje el-kubra, ver. Dr. Mahmud Muhammed Tanahi & Dr. Abdul Fettah Muhammed Hulv, (Kajro: Hixhr li-t-tiba’ati ve-n-neshr ve-t-teuzi, 1413 h.), 5/267-286; Ibn Kadi Shehbe, Ebu Bekir bin Ahmed, Tabekat esh-shafi’ijje, ver. Dr. Hafidh Abdul Alim Han, (Bejrut: Alem el-kutub, 1407 h.), 1/230-232;  Dhehebiu, Muhammed bin Ahmed bin Uthman, Sijer a’lam en-nubela, (Bejrut: Muessesetu-rr-rrisale, 2001,) 18/64.

v

 

 



[1]Maverd’ - lat. unguentum aquae rosae.

[2] As’hab el-vuxhuh’ – rang i dijetarëve brenda medhhebit shafi’ij.


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013