Umeri ka lindur 13 vite pas vitit të elefantit. Islamin e ka pranuar në vitin e gjashtë të profetësisë ndërsa ka qenë njëzet e gjashtë ose njëzet e shtatë vjeçar. Numerikisht, konsiderohet ta ketë pranuar Islamin ndër të parët, respektivisht pas dyzet burrave dhe njëmbëdhjetë grave. Pranimi i Islamit nga ana e tij ka qenë moment gëzimi e krenarie për besimtarët pasi që kanë forcuar radhët me një burrë të fuqishëm e të mençur. Ka qenë ndër dhjetë të përgëzuarit me Xhennet dhe një ndër dijetarët e mëdhenj të Sahabeve. Nuk ka betejë që nuk ka marrë pjesë me të Dërguarin e Allahut [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të!] ndërsa, përveç shoqërisë së madhe me të, ka qenë edhe mik shtëpie i tij. Më qartë, është babai i Hafsas, gruas së të Dërguarit të Allahut [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të!]. Pas Ebu Bekrit ka qenë halife i myslimanëve. Është i pari që mori titullin ‘Prijësi i Besimtarëve.’ Koha e sundimit të tij ishte kohë krenarie dhe çlirimesh. Janë çliruar Shami, Egjipti dhe shumë vende tjera. Në fund të vitit 23 h., pasi ishte kthyer nga Haxhi, duke e falur namazin e sahabut, zjarrputisti Piruz Nahavandi i njohur ndryshe si Ebu Lu’lule, hyri në xhami dhe e theri për vdekje. Ishte gjashtëdhjetë e tre vjeçar kur vdiq ndërsa kishte sunduar plot dhjetë vite, gjashtë muaj e pesë ose nëntë ditë. Umeri ka transmetuar gjithsej 539 hadithe, prej të cilave Buhariu dhe Muslimi janë akorduar për 26 hadithe në ndërkohë që Buhariu është veçuar me 34 hadithe ndërsa Muslimi me 21 hadithe.
|