MË LIDH PO DESHE TË MË SHPËTOSH
Morali është petku më i mirë që mund të vesh një njeri. Në Islam moralit i kushtohet vëmendje e veçantë për shkak të lidhjes së tij me Zotin. Pse besimtari ruhet nga mëkatet, pse nderon të tjerët, pse fal e toleron, përgjigja gjendet në besimin e tij. Duke synuar fitimin e kënaqësisë së Zotit dhe shmangien nga hidhërimi i Tij, besimtari jo vetëm që shpëton por vete por edhe ofron model dhe shembull për të tjerët, duke bërë kështu në të njëjtën kohë dy të mira të mëdha. Historia islame ka shënuar ngjarje nga madhështoret sa i përket moralit dhe ruajtjes së tij. Ato ndonjëherë janë aq interesante saqë me magjinë e tyre të bartin në një botë tjetër, të pushtojnë dhe për ca çaste nuk e ndien veten fizikisht. Një nga këta shembuj ose këto ngjarje është dhe ajo e një të riu të sprovuar në nder, i cili bëri atë që nuk di në do ta bënte dikush vetëm e vetëm që t’i shpëtonte kurvërisë. Se për çfarë bëhet fjalë, do të shohim në vazhdim:
Ibn El Xheuzi në librin e tij ‘Dhemmu-l-heva’ citon Xhabir bin Nuhun të ketë thënë: Isha në Medinën e Resulullahit ï·º dhe derisa po rrija me disa tregtarë në treg kaloi një plak që dukej bukur dhe ishte veshur bukur. Shitësi u ngrit dhe e përshëndeti fillimisht e pastaj edhe e ngushëlloi. Nga përgjigja e plakut kuptova se bëhej fjalë për një humbje të madhe. Shitësi vazhdoi ta ngushëllonte: Duro se durimi është shtylla dhe mbështetja e besimtarit. Shpresoj në Allahun se nuk do të privojë nga shpërblimi!
Kur u kthye shitësi, e pyeta: Kush ishte ky plaku?
Tha: Është një banor i Medinës, hazrexhas.
Çfarë është puna e tij, çfarë i ka ndodhur?- e pyeta.
Tha: I ka vdekur djali. Ka qenë shumë i sjellshëm me prindërit e vet dhe iu ka shërbyer shumë. Ka vdekur por jo si të tjerët.
Si ka vdekur?- i ndërhyra.
Tha: Një grua e martuar kishte rënë marrëzisht në dashuri me të. I kishte çuar lajm disi që të takohej me të, thjesht, për të çuar dashuri, por ai kishte refuzuar kategorikisht duke i thënë:
Harami është rrugë që nuk e trasoj
Dhe nuk i bie andej sa kohë që me njerëz të jetoj
Bë ç’të duash se unë nuk të përgjigjem
Nga ajo që bën ti unë neveritem...
Gruaja iu përgjigj ashpër duke i thënë se fjalët që kishte thënë ishin broçkulla dhe se asaj nuk i interesonte në bënte mëkat apo jo sepse për të feja nuk kishte asnjë rëndësi.
Gruaja nuk ndalej së bëri presion këtij djaloshi. Ai e diskutoi me një shok të tij këtë punë, i cili e këshilloi ta dërgonte dikë nga familja e tij që t’i fliste për të hequr dorë nga ky mëkat. Djaloshi refuzoi dhe tha se më parë do të pëlqente turpin e dynjasë sesa të pranonte zjarrin e ahiretit.
Gruaja nuk ndalej. I çoi fjalë që o të shkonte ai tek ajo, o ajo do të shkonte tek ai. Natyrisht, djaloshi prapë refuzoi duke e qortuar për këmbëngulësinë e saj në mëkat. E kur u lodh së dërguari njerëz që ta bindnin për këtë punë të shëmtuar, gruaja shkoi tek një magjistare, për t’i bërë magji që ta joshte në punë të pistë me të. Një natë, derisa djaloshi ishte duke qëndruar me babanë e vet, i ndodhi diç e çuditshme. Përnjëherë iu zgjuan ndjenjat dhe epshi. U çua shpejt e shpejt dhe filloi të falte namaz dhe të qante. Falej por kjo gjendje nuk i largohej.
Babai e pyeti se çfarë i ndodhi që përnjëherë ndryshoi kështu.
O babai im, po deshe të më shpëtosh, më prangos, ngase jam duke parë që nuk jam vetvetja.
Babai qante dhe e pyeste të birin t’i tregonte se çfarë kishte ndodhur.
Djaloshi ia tregoi rrëfimin.
Atëherë babai u çua dhe e prangosi si dhe e mbylli në një dhomë. Djaloshi kishte tundime dhe mundime të mëdha njëkohësisht duke e bërë të bërtiste me zë. Pas pak, britmat pushuan. Djaloshi kishte rënë në tokë ndërsa nga hundët i dilte gjak. Kishte vdekur.
Po, kishte vdekur ndërsa kishte refuzuar që të bënte mëkat.
Ibn El Xheuzi, AbduRrahman bin Ali, Dhemmu-l-heva, ver. Mustafa Abdul Vahid, konsulent: Muhammed Gazali, fq. 258-260.