KOSOVA, FOLE E SHQIPONJAVE
Dr. Abdul Aziz Kasim
(Artikulli është botuar në Dituri Islame)
Ndonjëherë na ndodhë që, për disa çaste, të pushtohemi nga ndjenja dhe përjetime të magjishme, të cilat vijnë si rezultat i ndonjë ngjarje, vizitës së ndonjë vendi apo takimit me ndonjë njeri të caktuar. Ato paralizojnë ndjenjat dhe vetëdijen duke e bërë njeriun të ngjashëm me dikë që ka humbur toruan, është dehur apo është duke fantazuar sikur është jashtë kësaj bote në një vend tjetër, duke mos dashur të kthjellet nga kjo dehje dhe as të kthehet në botën e vërtetë.
Kjo më ndodhi edhe mua derisa në Rugovë, në zemër të Ballkanit, një urë të vjetër nga druri nga e cila po vëzhgoja ujin që gurgullonte i pastër si kristal. Për një çast sikur koha u ndal për mua dhe më kapluan ato momente të magjishme: uji poshtë meje bënte melodi përrallore, malet krijonin një portret të gjelbër të peizazheve që nuk kishin fund, pastaj ajri i pastër që depërtonte brenda meje si një fllad dhe freski e papërshkruar. Për një moment u kthjella nga dehja ime dhe thashë: O Allahu im, nëse Xhenneti ka këtë bukuri e madhështi, atëherë lum për ne!
Kam realizuar dy vizita në dy vende të ndryshme për të cilat edhe kam shkruar nga një libër. Vendin e Nexhashiut (Etiopinë) dhe vendin e Buhariut (Uzbekistanin). Kësaj radhe kam vendosur të shkruaj për Kosovën e bukur, me të cilën kam një rrugëtim që nuk nis sot. Historia ime me Kosovën ka nisur trishtueshëm, dhimbshëm, në fund të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, në luftën e saj. Kam bashkëndjerë dhimbjet me të. Në Kosovë erdha prapë por kësaj radhe me përjetime më ndryshe. Allahu ma mundësoi ta vizitoj Kosovën për dy javë, vizitë gjatë së cilës kam ndryshuar mbi 90% të informatave që i kam pasur për të. Imazhi për Kosovën për mua tanimë është krejtësisht ndryshe, gjithsesi më i mirë se që kam ditur e mësuar për të nga larg. E falënderoj Allahun shumë që ma mundësoi ta vizitoj Kosovën këtë pranverë të bukur e të mrekullueshme!
Edhe atje nuk munda të qëndroj larg profesionit tim si gazetar. Kam bashkëbiseduar gjerë e gjatë me disa intelektualë dhe hoxhallarë për vendin e tyre. Kam filluar me emrin e vendit të tyre për ta kuptuar nëse është Kosova apo Kosovo siç e lexojmë (në anglisht). Përgjigj ishte: Kosovë, e jo Kosovo, sepse me këtë emrin e fundi na thërrasin serbët. Në shumicën e burimeve ndërkombëtare, emri i Kosovë shkruhet kështu, që në një farë forme e ul dhe nënçmon paksa si shtet. Personalisht banorët e këtyre trevave, duke përfshirë këtu boshnjakët dhe të tjerët, i pata menduar si turq të mbetur që nga koha e sundimit pesëshekullor osman, por jam çuditur kur kam mësuar se shumica absolute e banorëve të Kosovës janë shqiptarë që kanë gjuhë gjuhën, traditën dhe kulturën e tyre plotësisht të ndryshme nga turqit. Po kështu mësova se Kosova ishte vendi i vetëm që ka popullsi me përkatësi islame prej 95%. Shqiptarët dallohen për guximin, trimërinë, forcën, sinqeritetin, bujarinë. Historianët arabë këtë vend e quanin ‘kusvah.’ Ata njihen edhe si ‘arnautë’ dhe mburren me këtë emër. Kjo për shkak të guximit të shfaqur gjatë betejave ne periudhën e sundimit osman. Kur të tjerët tërhiqeshin, ata ngelnin në fushëbetejë dhe thoshin ‘arun en neud’ (turp të kthehemi). Me kalimin e kohës, shqiptimi ka marrë trajtën e emrit arnaut. Për shkak të kësaj trimërie dhe guximi, ata përbënin kryesisht ushtrinë e jeniçerëve në shtetin osman.
Shqiptarët dallohen për nacionalizmin e tyre. Megjithëqë jetojnë të shkapërderdhur në disa shtete, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, Sanxhak, Bosnjë, ndjenja për nacionalizmin është e theksuar shumë. Duke shëtitur me një shoqërues timin, e pyeta për atë se përse Hollivudi po i portretizon shqiptarët si mafiozë e gangsterë? Ai paksa me ironi më tha se ne jemi të parët në çdo gjë dhe filloi të përmend Kelmendin në xhudo, Mustafin, Xhakën e Shqirin në futboll, Albanin, Abdul Kadrin dhe Shuajbin në hadith. Ajo që më çuditi edhe më shumë është se edhe poeti i njohur egjiptian, Ahmed Rami, ishte shqiptar. Edhe aktorët Ahmed Madhhar dhe Lejla Fevzi kishin rrënjë shqiptare, e mos pyet për Muhammed Ali Pashën, me të cilin disa historianë e lidhin fillimin e rilindjes arabe.
Ajo që kam parë në këtë vend e që më ka mahnitur më së shumti është valëvitja e flamurit amerikan në çdo vend dhe fotot e ish-presidentit amerikan Bill Klinton në sheshe, restorante, dyqane e madje edhe në shtëpi. I tërë populli atje, të mëdhenj e të vegjël, e donin Amerikën dhe shprehnin admirimin dhe mirënjohjen e tyre për të. Me kujtohet se kur vizituam kryetarin e një bashkie në zyrën e tij, në tavolinën e tij pashë flamujt e Amerikës, Shqipërisë dhe Kosovës. Ia parapriva menjëherë me pyetje: mund ta marr me mend pse e ke vendosur flamurin e Kosovës, po përse këta dy flamujt tjerë? Më tha: Po të mos ishte Zoti, së pari, e pastaj Amerika, serbët nuk do të ndalnin masakrat e tyre ndaj nesh para syve të tërë botës. Përkrah nesh në ato kohë të spastrimit etnik nuk kishte ngel askush ose fare pak. Me intervenimin e Amerikës nëpërmjet NATO-s, u ndalën masakrat dhe jeta rifilloi përsëri. Për këtë shkak i detyrohemi shumë Amerikës. Ndërsa sa i përket flamurit të Shqipërisë, është flamuri ynë kombëtar. Me këtë kemi sfiduar xhandarmërinë serbe dhe me të kemi kërkuar pavarësinë e vendit tonë.
Kosova është vend i bukur. Ai që e viziton, veçmas në pranverën e hershme, mahnitet nga bukuria e saj. Në këtë kohë, e veshur me të bardhë nga bora që ende nuk ka shkrirë dhe nga uji që gufon e rrjedh në lumenj, Kosova të duket si një parajsë e vërtetë. Nëse zgjat duart për ta mbushur një grusht nga ky ujë, do të përfshihesh nga një ndjenjë e veçantë e nëse e shijon, do të përjetosh ëmbëlsi që unë nuk di në jetën time të kam shijuar të ngjashëm me atë të ujit që piva atje. Kosova është vend turistik i klasit të parë. Edhe pse tani për tani familjet e gjirit arab preferojnë Bosnjën, kam përshtypjen se brenda pesë viteve të ardhshme, Kosova do të jetë destinacioni i tyre i ri, për shkak të karakteristikave që ofron për familjet konzervative.
Nuk mund ta harroj entuziazmin e shoqëruesit tim, hoxhës Musli nga qyteti i Pejës ndërsa po kalonin nëpër fshatin e Abdul Kadir Arnautit, hadithologut të Shamit, për të hyrë më pas në ato male të larta e të gjelbëruara që nuk mbaronin kurrë. Pamje përrallore që të magjepsnin. Më kujtohet se u ula rrëzë një bjeshke në një fushë të gjelbëruar në një lendinë të gjelbër dhe nga bukuria që shihja para vetes shpirti nuk ma thoshte që të çohem e ta braktis atë vend.
E kam vizituar edhe qytetin e Vushtrrisë ku kam parë njerëzit që nuk reshtnin së falënderuari EBA-të. Atje më parë kishte qenë një kontingjent i forcave të EBA-së që kishte qëndruar dy vite. Shejh Zayed bin Sultani -rahmet pastë- kishte ndërtuar një spital në këtë qytet, të cilin e vizitova kalimthi. Po kështu kishte ndërtuar një xhami të madhe, e cila mbante emrin e tij. Pata nderin të falem në këtë xhami. Shoqëruesi im[1] më tha se nuk ka familje në Vushtrri që nuk e falënderon Shejh Zayedin dhe që nuk lutet për të, për shkak të mirave që kanë parë prej tij.
Kam takuar edhe Myftiun e Kosovës, njëherësh kryetar i Bashkësisë Islame atje, hoxhën Naim Tërnava, një nga heronjtë e këtij vendi dhe mik e dashamir i Mbretërisë Saudite. Nuk kursehej nga krenaria që ndiente për takimin me mbretin tonë Abdullah, rahmet pastë, tre porositë e të cilit vazhdonte t’i kujtonte ende me kënaqësi: largimin e radikalistëve nga vendi, durimin dhe angazhimin për ndërtimin e Kosovës. Shkëlqesinë e tij e pyeta për Iranin nëse kishin arritur të depërtonin siç kishin depërtuar në Bosnjë ku disa bonjakë ishin shndërruar në shiitë. Ai prerazi ma tha: nuk kanë mundësi të hyjnë në vendin tonë. Ata më kanë ardhur mua dhe më kanë ofruar një çek me shumë të majme parash që t’iu jap leje për të hapur vetëm një qendër iraniane këtu në Kosovë por unë kam refuzuar rreptësishtë dhe iu kam thënë: këto vende për shekuj janë myslimanë sunnitë dhe unë nuk lejoj kurrë që shiizmi të përhapet këtu. Ata mund të na vardisen por ne jemi kundër tyre.
Shkëlqesia e tij falënderoi shumë edhe Shejhun Muhammed El-Isa duke thënë se vizita e tij vitin e kaluar ishte e suksesshme. Ai konsideronte se me ardhjen e tij në krye të Rabitas, kjo e fundit ka marrë një kthesë të re në veprimtarinë islame. Vizioni i Dr. El-Isa për Islamin në Evropë është tolerant, i hapur dhe punon në përmirësimin e imazhit të Islamit. Ne e inkurajojmë dhe me kënaqësi presim nismat sikur kjo. Ai po kështu foli fjalë të mira për Këshillin Ndërkombëtar të Kur’anit Fisnik dhe rolin e tij në mbështetjen e garave të Kur’anit në Kosovë.
Kam ende për të folur shumë për Kosovën por këtë gjerësisht do ta bëj në një libër të cilin jam i vendosur ta publikoj së shpejti me lejen e Allahut. Ajo që dua të them këtu është se shqiptarët nuk janë turq në origjinë dhe se ata ëndërrojnë krijimin e një Shqipërie të madhe. Personalisht, kam bindjen se brenda pak dekadave do ta bëjnë këtë dhe për herë të parë, pas shekujsh sundimi nga të huajt, do ta sundojnë vetveten. Të mendohet se shqiptarët kanë varësi politike, është gabim. Ata kanë qëndrimet dhe politikën e tyre të pavarur.
Kosova mund të luajë rol të rëndësishëm në përmirësimin e imazhit të Islamit në Evropë, për shkak të evropianizmit të saj, pozitës së SHBA-ve në mesin e popullit të saj dhe injorimit perëndimor që i bëhet vendeve tjera islame, veçmas Turqisë[2].
Përshtati në shqip: Dr. Sedat ISLAMI
----------------------------------------
[1] Përkthyesi i këtij artikulli.
[2] Artikulli është publikuar në gazetën elektronike Enha (http://www.an7a.com) më 3 maj 2018.