Arben Idrizi në një shkrim të botuar në portalin gazetaexpress.com me titull ‘Mbi të qenit për së mbari dhe për së mbrapshti’ ka zgjedhë të trajtojë një fenomen, që vetëm ai, një autore rrëfimesh (të imagjinuara për së mbrapshti) dhe disa regjisorë filmash (komercialistë) kanë arritur ta kuptojnë. Ai ka zgjedhë të flet për natyrën dhe karakterin terrorist të myslimanëve. Ata, sipas tij, edhe kur janë të butë, edhe kur janë pa mjekra, edhe kur kanë flokë dhe veshje perëndimore, ata janë prapë terroristë.
Arbeni ka dalë me një teori të re, ndryshe nga ato që shihen si zgjidhje të problemeve. Ai mendon se raportet ndërmjet myslimanëve dhe perëndimorëve duhet të jenë të ngrira. Në fakt, ai thotë se këta të fundit, për shkak se myslimanët nuk janë të mirë çfarëdo që të jenë, duhet të ndërrojnë qëndrimet karshi tyre. Ai, me imagjinatën e tij prej një të mbrapshti gjenial, ka arritur t’ia paraprijë edhe FBI-së për zbulimin e autorëve të krimit në Boston. Ai është i bindur në këtë dhe kjo falë teorisë së tij se “nuk ka mysliman të mirë.”
Rreziku i teorisë së tij të mbrapshtë nuk është për tu nënvlerësuar. Ajo, për mendimin tim, është më skandalozja. Ajo, në vend të zgjidhjes së problemeve, është përcaktuar që zjarrit t’i hedhë benzinë. Ajo është duke ringjallë islamofobinë, dhe jo vetëm në Amerikë. Në kohën kur e tërë bota e qytetëruar dialogun e shohin si zgjidhje, ai e mendon të kundërtën. Ai ka urrejtje të madhe ndaj myslimanëve. Për të problemi i vetëm janë myslimanët. Është tejet interesante të dihet motivi i shkrimit të tij. Çfarë e bëri Arbenin të merret me Bostonin dhe terroristët myslimanë në kohën kur vendi ynë po kalon një ndër proceset më të rëndësishme historike që pas shpalljes së pavarësisë. Përse ai është kaq i bindur se myslimanët e kanë bërë një gjë të tillë, kur, ende autoritetet amerikane dyshojnë në autorët e krimit dhe se, kushtimisht, organizatat e mundshme e kanë demantuar atë. Personalisht jam kundër atyre që vrasin civilë, myslimanë apo amerikanë qofshin dhe, ndryshe nga Arbeni, unë nuk krijoj teori nga ky stil dhe metodë hulumtimi, sepse, po të vëzhgonim disa nga ngjarjet që kanë ndodhur në SHBA kohëve të fundit, si p.sh. sulmet me armë në shkolla, incestet, mbytja e prindërve, do të duhej të konkludonim se të gjithë amerikanët janë terroristë, të pamoralshëm, vrastarë. Dhe kjo, padyshim se do të ishte gabim. Përgjithësimi i rasteve të rralla është dije për së mbrapshti.
Arbeni ka gabuar me këtë shkrim. Ai, përderisa rastin e zhvendos nga një rrafsh në tjetrin, nga Bostoni në Kosovë, bën thirrje të gabuar për raporte me myslimanët.
Ndaj Arbenit duhet reaguar dhe çështjen e tij të mbrapshtë duhet çuar deri në Gjykatë, për shkak se me shkrimin e tij ai përhapë të pavërteta, krijon huti dhe panik tek qytetarët, si dhe përhapë islamofobinë.