DHUNA FAMILJARE: SHKAQET, FORMAT DHE ZGJIDHJA
HYRJE
Ndër problemet e shumta me të cilat po ballafaqohemi si shoqëri është dhe dhuna në familje. Dëshmitë në terren flasin për përmasat shqetësuese të saj. Dhuna tashmë ka eskaluar duke prekur familjen në tërësi. Pra, nuk është vetëm gruaja objekt i dhunës, por edhe burri, edhe prindërit, edhe fëmijët. Është gjendje alarmante e cila duhet të vë në lëvizje tërë shoqërinë me të gjitha institucionet dhe mekanizmat. Referuar studimeve të ndryshme, si shkaqe që çojnë në këtë , përveç tjerash, janë edhe: dobësimi i elementit fetar, edukimi i keq, dhënia pas konsumimit të alkoolit dhe lëndëve narkotike, gjëra këto që na kanë shtyrë të mobilizohemi edhe ne, si institucion, dhe ja, kjo hutbe që sot po mbahet me urdhër të Kryesisë së BIRK-ut, është hap konkret në luftimin e kësaj dukurie negative.
Dhuna nga prizmi fetar
Dhuna nënkupton çdo fjalë, veprim, lëvizje a aludim me efekt shqetësimi fizik a shpirtëror. Nga ky këndvështrim, dhuna paraqet shkelje të të drejtave, të dinjitetit, të krenarisë, gjë që dënohet fetarisht. Allahu i Madhëruar në Kur’anin Famëmadh na urdhëron për përmbajtje nga padrejtësia, pavarësisht se për çfarë apo kë bëhet fjalë:
﴿وَلَا تَعْتَدُوا ۚ إِنَّ اللَّـهَ لَا يُحِبُّ الْمُعْتَدِينَ﴾
“...mos tejkaloni kufirin! – Se, Allahu, nuk i do ata që e kalojnë kufirin.” [Bekare: 190]
Allahu e ka ndaluar dhunën edhe për një arsye shumë madhore. Ai, si Krijues, është i drejtë, andaj drejtësinë dhe sjelljen me përgjegjësi e kërkon prej të gjithë neve. Në hadith kudsij qëndron: “O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes Sime padrejtësinë dhe të tillë e kam caktuar në mesin tuaj, andaj mos i bëni njëri tjetrit padrejtësi!” Muslimi. Bile, si imazh identifikues të muslimanit, e ka bërë pikërisht përmbajtjen nga dhuna. Në hadith autentik qëndron: “Musliman është ai që të tjerët janë të sigurt nga gjuha dhe dora e tij.” Buhariu.
Pra, dhuna nuk përkon me besimtarin dhe karakterin e tij.
Familja nga prizmi i rëndësisë shpirtërore e psikike dhe trajtimi i dhunës familjare
Në mësimet islame, familjes i kushtohet rëndësi e madhe, për shkak të ndikimit që ka në prehjen dhe qetësinë shpirtërore të individit. Asgjë nuk është sikur familja dhe asgjë nuk mund ta zërë vendin e saj. Këtu qëndron sekreti pse përkujdesja për familjen ka shpërblimin më të madh dhe pse neglizhimi i tyre ka dënimin më të madh.
Në vazhdim, në mënyrë të përmbledhur, do të mundohemi ta shpjegojmë këtë që thamë duke u fokusuar tek fushat ku manifestohet dhuna familjare:
1) Dhuna ndaj prindërve
Në fenë islame, respekti për prindërit duhet të jetë në nivelet më të larta, për shkak se ai krahasohet me respektin për vetë Allahun. Ja çfarë na mëson Kur’ani:
﴿وَقَضَىٰ رَبُّكَ أَلَّا تَعْبُدُوا إِلَّا إِيَّاهُ وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَانًا ۚ إِمَّا يَبْلُغَنَّ عِندَكَ الْكِبَرَ أَحَدُهُمَا أَوْ كِلَاهُمَا فَلَا تَقُل لَّهُمَا أُفٍّ وَلَا تَنْهَرْهُمَا وَقُل لَّهُمَا قَوْلًا كَرِيمًا ﴿٢٣﴾ وَاخْفِضْ لَهُمَا جَنَاحَ الذُّلِّ مِنَ الرَّحْمَةِ وَقُل رَّبِّ ارْحَمْهُمَا كَمَا رَبَّيَانِي صَغِيرًا ﴾
“Zoti yt ka urdhëruar që ta adhuroni vetëm Atë dhe t’u bëni mirësi prindërve. Nëse njëri prej tyre, ose të dy, arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre: “Uh!”, dhe mos i kundërshto ata (me fjalë të këqija), dhe drejtohu atyre me fjalë respekti. (23) Lëshoj para tyre krahët tuaj të përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë edukuar kur isha unë i vogël!”.” [Isra: 23-24]
Pra, respekti për prindërit dhe mirësjellja me ta duhet të jenë deri në këtë masë që, jo vetëm të mos kundërshtojmë urdhrat e tyre, por edhe t’i kryejmë me përkushtimin më të madh. Ndryshe, sjellja e keqe me prindërit është prej mëkateve më të mëdha. Për atë që ka fjalor të pistë a vulgar me prindërit, Pejgamberi a.s. ka thënë se është i mallkuar. Më saktë ka thënë: “Allahu mallkon atë që mallkon prindërit e vet.” Transmetim unanim.
2) Dhuna ndaj gruas
Mirësjellja me gruan është urdhëresë fetare dhe jo vetëm. Është edhe matës i kulturës dhe edukatës fetare. Pejgamberi Muhammed a.s., ka thënë: “Më i përzgjedhuri nga ana juaj është ai që ka edukatën më të lartë me gruan.” Tirmdihiu. Nga këtu, feja urdhëron për mirësjellje sikur që ndalon çdo formë të dhunës, morale a fizike qoftë. Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَعَاشِرُوهُنَّ بِالْمَعْرُوفِ﴾
“...Silluni mirë me gratë...” [Nisa: 19]
Pejgamberi Muhammed a.s., duke përshkruar edukatën me gruan, ndalon që ajo të rrihet, të nënçmohet, të ofendohet, veçmas në publik, të bojkotohet e kështu me radhë (Shih hadithin e Ebu Davudit).
3) Dhuna ndaj burrit
Dhuna familjare nuk manifestohet vetëm ndaj gruas pro edhe ndaj burrit. Edhe në këtë rast, është mungesë e edukatës dhe përgatitjes fetare e edukative. Një grua e ndershme mund ta fitojë kënaqësinë e Allahut duke respektuar burrin. Bile, dëshmia e burrit për mirësjelljen e gruas është rrugë e fitimit të Xhennetit. Ndryshe, nëse gruaja vazhdon me arrogancë e kryeneçësi, ajo tërheq pas vete hidhërimin e Zotit.
4) Dhuna ndaj fëmijëve
Fëmijët janë dhurata e Zotit, janë gëzimi dhe kënaqësia, janë prehja shpirtërore, janë edhe përgjegjësia. Si besimtarë, jemi të obliguar të sillemi me përgjegjësi karshi fëmijëve tanë. “Të gjithë ju jeni kujdestarë dhe të gjithë do të jeni përgjegjës për atë që iu është lënë në kujdestari...” – na ka mësuar Muhammedi a.s. Së këndejmi, jo vetëm shprehja e dhunës por edhe mungesa e shprehjes së emocioneve karshi fëmijëve është e dënuar. Dikush kishte parë Muhammedi a.s., duke e përqafuar nipin ndërsa i kishte thënë se kurrë nuk e kishte bërë me fëmijët, megjithëse ishte baba i dhjetë fëmijëve. Muhammedi a.s., i kishte thënë: “Ai nuk mëshiron, nuk mëshirohet!” Pra, ai që nuk është i mëshirshëm me fëmijët, nuk i përqafon, nuk i ledhaton, nuk meriton mëshirën hyjnore.
Përfundim
Nga kjo që shpjeguam, mund të konstatojmë se feja mund të luajë rol të rëndësishëm në evitimin e kësaj dhe dukurive tjera negative në shoqëri. Na mbetet neve, edhe si individë, që këto mësime t’i përcjellim, veçmas në ato ambiente ku mendojmë se ka dhunë, në mënyrë që të kontribuojmë konkretisht. Mos të harrojmë, “Ai që udhëzon për në të mirën, ka shpërblimin sikur ta ketë bërë atë!”