PËRKUJDESJA SHËNDETËSORE SIPAS PIKËPAMJES ISLAME[1]
HYRJE
Rëndësia e shëndetit në Islam
Përkushtimi i fesë për shëndetin është i madh për shkak të lidhjes së tij, fillimisht me objektivat kryesore të saj, e më pas edhe me aplikimin e saj në jetë. Dijetari i madh, Gazaliu, duke folur për pesë objektivat e fesë, përkujdesjen për qenien e njeriut ku bën pjesë edhe shëndeti fizik, e radhit si objektiven e dytë, menjëherë pas objektives së besimit. Këtu mbase qëndron edhe arsyeja pse feja ka përshkruar si mëkate të mëdha gjërat që e cenojnë këtë objektivë. Këtu qëndron edhe arsyeja pse feja kur flet për shëndetin flet si për një mirësi dhe dhunti parësore në jetën e njeriut. Në një prej thënieve të Pejgamberit Muhammed a.s., qëndron: “Njerëzit nuk ua dinë vlerën dy mirësive: shëndetit dhe kohës së lirë.” [Buhariu] Madje, shëndetin e ka radhitur si mirësinë kryesore në një rast kur radhit atë që quhet e tërë bota e njeriut: “Kush gdhin në mëngjes ndërsa e ka shëndetin, sigurinë familjare dhe ushqimin për atë ditë, është sikur ta ketë tërë botën.” [Tirmidhiu]
Duke qenë se për shëndetit varen edhe jeta publike dhe fetare, atëherë feja shëndetit fizik i ka kushtuar rëndësi të madhe. Në Kur’an [2:247], Allahu, duke na folur për mbretin Talut, tregon se arsye e përzgjedhjes së tij ishin kapacitetet intelektuale dhe fizike. Këtë e gjejmë dhe në mësimet e Pejgamberit Muhammed a.s., i cili thotë: “Besimtari i fuqishëm është më i mirë se besimtari i dobët, edhe pse që të dy janë të mirë.” [Muslimi]
Për shkak të kësaj rëndësie, feja na tregon se shëndeti do të jetë prej gjerave të para që Allahu do ta merr në pyetje njeriun për të: “A nuk ta kemi bërë trupin të shëndoshë?!”- do t’i drejtohet Zoti robit, siç na mëson Muhammedi a.s. [Tirmidhiu]
SHËRIMI, SI KONCEPT
Nga këtu, feja kërkon që shëndetit t’i kushtohet rëndësi. Ballafaqimin me sëmundje e sheh si çështje nga e cila dilet duke u mjekuar. Në një prej thënieve të tij, Pejgamberi Muhammed a.s., na mëson: “Mjekohuni sepse Allahu, i Lartmadhëruar qoftë, nuk ka lënë sëmundje të cilës nuk i ka lënë shërim, përveç një sëmundje, pleqërisë.” [Ebu Davudi]
Pra, besimtarët janë të nxitur ta kërkojnë shërimin, sepse ai ekziston. Ikja nga shërimi, veçmas nëse sëmundjet janë epidemike, është mëkat.
PARANDALIMI I SËMUNDJEVE
Në metodologjinë fetare, rëndësi të madhe në mjekim ka edhe parandalimi. “Parandalimi është më i mirë se mjekimi!” –është moto të cilën feja e ka ngritur qysh moti dhe e ka promovuar në metodologjinë e saj. Sa për ilustrim, do të doja të veçoja disa hapa parandalues sa i përket sëmundjeve:
- Përkujdesjen për pastërtinë, të cilën e ka përshkruar të rëndësishme si nga ana fetare (gjysma e fesë), si nga ana shëndetësore. Pejgamberi Muhammed a.s., përkujdesjen për shëndetin trupor- pastërtinë e konsideron natyrshmëri. Në një prej thënieve të tij qëndron: “Pesë gjëra i përkasin natyrshmërisë –pra gjendjes siç Zoti kërkon të jetë njeriu-: në mesin e tyre përmend edhe prerjen e thonjve.” [Buhariu dhe Muslimi] Po kështu përmend pastrimin e dhëmbëve, të cilin, po të mos ishte mëshira ndaj njerëzve, do ta kushtëzonte pesë herë në ditë. Natyrisht, në kuadër të pastërtisë, hyn edhe pastrimin i ambientit brenda dhe jashtë shtëpisë, e që ka ndikim të drejtpërdrejtë në shëndet.
- Përkujdesjen për mënyrën e të ushqyerit. Allahu në Kur’an na mëson: “Hani e pini por mos e teproni...” [7:31] Ngrënien e pakontrolluar feja e konsideron si shkak për shumë sëmundje. Figurativisht, mbushjen e barkut Pejgamberi a.s., e konsideron si enën më të keqe që mund të mbush njeriu. [Tirmidhiu].
- Ushtrimet fizike – sporti.
- Largimin nga të infektuarit. Është porosi fetare që, për të shmangur përhapjen e një sëmundje, të infektuarit të mos shkojnë tek të shëndoshët. Pejgamberi Muhammed a.s., ka thënë: “Një i sëmurë (me sëmundje ngjitëse) le të mos shkojë tek një i shëndoshë.” [Muslimi]
- Aplikimi i masave parandaluese. Fetarisht, pikë kyçe në luftimin e sëmundjeve, morale apo fizike qofshin, është parandalimi. Kjo për shkak të shmangies nga pasojat e tyre. Nisur nga këtu, gjejmë se feja kur flet për disa sëmundje shoqërore, urdhëron apriori largimin prej tyre [Kur’ani: 17:32]. Këtë e gjejmë dhe në aspektin e shëndetit fizik. Disa dijetarë myslimanë kanë thënë: “Nëse shkenca moderne ka arritur të zbulojë metoda të parandalimit të sëmundjeve, atëherë aplikimi i tyre nga aspekti i të drejtës fetare është i obliguar.”
MJEKIMI
Përdorimi i secilit bar dhe ilaç që, parimisht nuk paraqet ndalesë fetare, është porosi fetare. Në një prej thënieve të tij, Muhammedi a.s., ka thënë: “Mjekohuni o robër të Allahut, por vetëm ikni ilaçeve të ndaluara.” [Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Maxheh.]
[1] Fjalim i mbajtur në tryezën me rastin e Ditës Botërore të Imunizimit e organizuar nga OJQ-SHMGGRM Mitrovicë, e mbështetur nga Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Vushtrrisë, 11.11.2019.