Mendimtari i njohur mysliman, Dr. Muhammed Imare, rrëfen:
Në një prej takimeve që kisha, një laik mu drejtua disi me ironi dhe më pyeti: Me sa kam kuptuar nga shkrimet tuaja, ju jeni ai që po doni ta aplikoni sheriatin dhe të na ktheni mbrapa?!
U ktheva dhe iu përgjigja duke e pyetur njëkohësisht:
Me “mbrapa” a ke për qëllim periudhën rreth një shekull më parë kur Sulltan Abdul Hamidi II sundonte me pothuajse gjysmën e botës? Apo periudhën kur mbretërit e Evropës sundonin popujt e tyre me autorizim nga sulltani osman?
Apo mos ke për qëllim edhe “më mbrapa” në kohën e sundimit të memlukëve të cilët e shpëtuan botën nga mongolët dhe tatarët?
Mos ndoshta dëshiron të shkosh “edhe më mbrapa” në kohën e sundimit të dinastisë abasite kur nga myslimanët sundohej gjysma e botës?
Mos ndoshta me “kthim mbrapa” ke për qëllim kohën e sundimit të dinastisë emevite apo periudhën edhe më mbrapa kur sundonte halifeja Omer r.a., i cili sundoi me pjesën më të madhe të botës?
Apo mos vallë të shkon ndërmend koha e Harun Rreshidit, i cili i dërgoi një letër mbretit romak Nikiforosit I (Nikephoros I):
“Nga Harun Rreshidi, Emiri i Besimtarëve,
Letër Nikiforosit, qenit të romakëve!”
Apo mos po e synon kohën e AbduRrahman Dahilit i cili me ushtritë e tij rrethoi Italinë dhe Francën?
Kjo sa i përket kthimit politik, ndryshe, nëse me “kthim mbrapa” ke për qëllim aspektin shkencor, atëherë më lejo të të pyes se për çfarë konkret e ke fjalën? Për kohën e Ibn Sinës, Farabiut, Ibn Xhubejrit, Huvarizmit, Ibn Rushdit, Ibn Haldunit, atyre që ia mësuan botës mjekësinë, farmacinë, inxhinierinë, astronominë, poezinë, sociologjinë?
Apo mos ndoshta me “kthim mbrapa” ke për qëllim dinjitetin dhe krenarinë, kohën kur një hebre ia hoqi shaminë një myslimaneje dhe ajo thirri halifen në ndihmë, i cili iu përgjigj menjëherë ndërsa sot pavarësisht që çnderohen me mijëra, kryetarët rrinë sikur s’ka ndodhur asgjë?
Apo mos me këtë “kthimin mbrapa” ke për qëllim atë kohën kur myslimanët themeluan universitetin e parë në Evropë, universitetin në Andaluzi (Spanjë), në të cilin filloi një traditë universitare me rastin e diplomimit për tu përhapur më pas në të gjithë botën, tradita e veshjes së pelerinës dhe kapelës së rrafshët, që atëbotë përdorej për ta vendosur një kopje të Kur’anit sipër saj?
Apo mos e ke fjalën për kohën kur Kajroja ishte qyteti më i bukur në botë?
Apo kohën kur një dinar irakian kishte vlerën e pesë dollarëve amerikanë?
Apo kur njerëzit braktisnin Evropën për shkak të skamjes dhe urisë dhe drejtoheshin kah Aleksandria (në Egjipt)?
Apo kohën kur Amerika kërkonte nga Egjipti ta shpëtonte Evropën nga uria?
Ende jam duke të pritur të më tregosh se çfarë nënkupton me fjalët “kthim mbrapa”?