Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
101 urtësi dhe këshilla

  1. A është fjala ‘La ilahe il-lallah’ çelësi i xhenetit?- u pyet Vehb ibn Munebihu. Po -u përgjigj dhe shtoi: por çdo çelës i ka dhëmbët e vet, andaj nëse ke çelës me dhëmbë (të duhur), hapet (xhenneti) për ty, e nëse jo, nuk hapet[1].
  2. Ai që citon tjetrin pa e përmendur emrin e tij, sikur ajo që thotë është e tij (plagjiati), nuk do të ketë bereqet në dije dhe as begati në jetë[2].
  3. Ai që i jep fetva njerëzve në çdo gjë që e pyesin është i çmendur[3].
  4. Ai që nuk e di shpërblimin për veprat e mira, do ta ketë të vështirë t’i bëjë ato[4].
  5. Allahu i madhëruar i shpalli Davudit a.s.: O Davud, do t’i mësoj dy punë me të cilat mund të fitosh simpatinë e njerëzve dhe kënaqësinë Time: ndërmjet Meje dhe teje mbulesë le të jetë devotshmëria ndërsa në raport me njerëzit sillu sipas moralit të tyre[5].
  6. Bazat e mëkateve dhe gabimeve janë tre: mendjemadhësia, lakmia dhe zilia[6].
  7. Besimtari i sinqertë ndërron gjatë ditës dyzet herë ndërsa dyfytyrëshi qëndron i njëjti për dyzet vite.[7]
  8. Bëhu zahid (asket) sepse zuhdi në trupin e zahidit është më i mirë se qaforja në trupin e beqareshës.[8]
  9. Bibliotekat janë vende ku ruhen librat, në të cilat është ruajtur gjaku dhe djersa e dijetarëve të shkuar...[9]
  10. Çoni thesaret tuaja në ahiret sepse njeriu e ka zemrën atje ku e ka thesarin.[10]
  11. Dallimeve në mendime mos iu thoni mospajtim por hapësirë (ose mendim ndryshe).[11]
  12. Dashuria për hir të Allahut nënkupton që ne çiltërsisht ta këshillojmë njëri tjetrin.[12]
  13. Davudi (a.s.) e kishte këshilluar të birin, Sulejmanin (a.s.), e i kishte thënë: Biri im, mos të të duken shumë shokët e mirë, edhe nëse i ke një mijë, dhe mos të të duken pak armiqtë, edhe nëse e ke vetëm një![13]
  14. Davudi a.s. e këshilloi të birin, Sulejmanin, a.s., dhe i tha: Biri im, tre gjëra dëshmojnë devotshmërinë e njeriut: Tevekkuli i (mbështetja e) mirë (në Allahun) për atë që nuk e ke arritur, pajtimi i mirë me atë që të është dhënë (nga Allahu) dhe durimi i mirë për atë që të ka dalë nga dora (të ka humbur)[14].
  15. Davudi a.s. e pyeti Allahun e madhëruar: Zoti im, kë urren nga robërit Tua? Allahu tha: Atë që me bën istihare (lutje për t’ia zgjidhur ndonjë gjë) ndërsa më pas nuk pajton me zgjidhjen Time.[15]
  16. Davudi a.s. u lut: Zoti im, cili furnizimin është më i miri? Zoti tha: Ai që e fiton me dorën tënde![16]
  17. Davudi a.s., u lut: ‘Zoti im, ji me birin tim siç ishe për mua! Allahu i Madhëruar i shpalli: O Davud, thuaji birit tënd të jetë për Mua siç ke qenë ti, do të jam për të siç kam qenë për ty!’.’[17]
  18. Dikush i tha Hasanit: Po flitet se kush thotë la ilahe il-la Allah!' shkon në Xhennet. Po, nëse i kryen edhe detyrimet e saja- u përgjigj ai[18].
  19. Dituria është e kushtëzuar me të vepruarit sipas saj.[19]
  20. Dituria është përkatësia më e ndershme ndërsa mirëdashësia shkaku më i fuqishëm.[20]
  21. Dituria nuk është ajo që memorizohet por ajo që bën dobi.[21]
  22. Dituria nuk fitohet me pushimin e trupit[22].
  23. Dituria, nëse nuk të bën dobi, të bën dëm[23].
  24. Dituria, nëse përdoret për të mirë, është ndërmjetësim tek Allahu, ndryshe, të bëhet armik nëse e keqpërdorë ose anashkalon![24]
  25. Djalli e devijon njeriun sipas dijes së paktë që ka[25].
  26. Do t’iu hapet Kur’ani njerëzve derisa të kenë mundësi ta lexojnë gruaja, fëmija dhe burri. Ky i fundit do të thotë: E kam lexuar Kur’anin por nuk po më pasojnë njerëzit. Për Zotin, do ta praktikoj në mesin e tyre ndoshta më pasojnë! Çohet dhe e praktikon por askush nuk e ndjek. Thotë: E lexova dhe e praktikova por askush nuk po më ndjek?! Do ta ndërtoj një xhami në shtëpinë time ndoshta më pasojnë! E ndërton por prapë askush nuk e pason. Thotë: E lexova, nuk u pasova, e praktikova, nuk u pasova, ndërtova xhami, nuk u pasova, për Zotin do t’iu sjell diç që nuk e gjejnë as në Kur’an dhe as në Sunnetin e të Dërguarit të Allahut ï·º, ndoshta më pasojnë! Keni kujdes nga fjalët e tij sepse ato janë devijim dhe asgjë tjetër[26].
  27. Do të vazhdojë të jetojë në robëri të dynjasë ai që është mposhtur nga dashuria për dynjanë, sikur që nuk do të jetë i përulur para Allahut ai që përulet para njerëzve.[27]
  28. Durimi është thesar mirësie të cilin Allahu xh.sh., ia jep vetëm besimtarit fisnik[28].
  29. Durimi i Jusufit a.s. ndaj joshjes së gruas së funksionarit është më i përsosur se durimi i tij ndaj hedhjes në gropë dhe ndarjes nga babai, sepse këto të fundit kanë ndodhur pa dëshirën e tij dhe se ai nuk ka pasur zgjidhje në to a rrugë tjetër pos durimit. Ndërsa durimi ndaj mëkatit është durim me vetëdëshirë, është përpjekje e nefsit, veçmas kur kemi parasysh rrethanat që e kanë favorizuar mëkatin: Jusufi a.s. ka qenë i ri, beqar, i huaj, skllav, gruaja ka qenë e bukur, me pozitë, ka qenë nën pushtetin e saj, nuk ka qenë i vëzhguar nga askush, ajo ka qenë që e ka nisur këtë punë, ajo e ka kërcënuar ashpër në rast se refuzon...Pavarësisht të gjitha këtyre, Jusufi a.s. zgjodhi durimin me vullnet të plotë duke favorizuar atë që është tek Allahu ndaj çdo gjëje tjetër[29].
  30. Dy veta u zunë në prani të dijetarit të madh Ibn Shexheriut, njëri prej të cilëve iu ankua për fjalët që shoku ia kishte thënë. Ibn Shexheriu i tha: O biri im, tolero sepse tolerimi i varrosë të këqijat[30].
  31. E mira nuk tretet, e keqja nuk harrohet ndërsa Llogaritësi nuk flenë. Andaj, vepro ji si të duash sepse, atë që ke bërë, atë do ta gjesh![31]
  32. E pyetën Imam Ahmedin: Kur fillon pushimi për besimtarin? Kur ta ketë vënë hapin e parë në Xhennet[32].
  33. Është ligj i Zotit për ithtarët e të kotës që të jenë armiq të së vërtetës dhe ithtarëve të saj si dhe t’i cilësojnë këta të fundit si armiq dhe kundërshtarë të saj (vërtetës)[33].
  34. Është pyetur Llukman Hakimi për njeriun më të ligë e ka thënë: Ai që nuk bezdiset nëse njerëzit e shohin duke bërë keq![34]
  35. Falini dy rekate në errësirën e natës për errësirën e varrit, agjëroni ditën me vapë përvëluese për vapën e ditës së ringjalljes, dhe jepni lëmoshë për të (shmangur të) keqen e një dite të vështirë (ditës së llogarisë).[35]
  36. Feja është devotshmëri[36] (ar. ver’) dhe përpjekje gjatë natës[37], ndërsa rruga më e mirë drejt Xhennetit është zemërbardhësia.[38]
  37. Feja ka ardhur për të realizuar të mirat dhe për t’i plotësuar ato si dhe për t’i larguar të këqijat dhe për t’i pakësuar ato[39].
  38. Feja nuk është të bësh zhurmë e potere në fund të natës. Feja është devotshmëri[40].
  39. Gojëtari duhet që të shtjellojë gjerësisht një çështje që kërkon shtjellim të tillë, sikur që duhet ta përmbledhë atë në rastet kur një gjë e tillë kërkohet[41].
  40. Gramatika për gjuhën është sikur kripa për gjellën[42].
  41. Hutbet (ligjërimet, fjalimet) më të mira janë ato i përshtaten kohës, vendit dhe rrethanave[43].
  42. I madhëruar qoftë Zoti im që nga robërit me begati nxjerr falënderimin dhe me sprovë durimin![44]
  43. Imam Shafiu i tha Ebu Musait: ‘O Ebu Musa, edhe nëse përpiqesh për t’i bërë të gjithë njerëzit të kënaqur me ty, nuk do t’ia arrish, andaj, në vend se të humbasësh kohë me këtë, angazhohu ta bësh të kënaqur Allahun me ty duke iu përkushtuar Atij me vepra dhe nijet.’ [45]
  44. Imam Shafiu iu drejtua Rebiut: ‘O Rebi, mos fol për gjëra të parëndësishme sepse nëse e thua një fjalë, ajo të ka në pronësi ty e jo ti atë.’[46]
  45. Jam përulur si kërkues i diturisë ndërsa jam ngritur si dijetar tek i cili kërkohet dija.[47]
  46. Jemi sprovuar me disa injorantë të cilët besojnë për disa prej gjeneratave të fundit, që kanë stërholluar e thjeshtësuar meseletë, se janë më të ditur se të paraardhësit e tyre. Prej tyre ka që i favorizojnë edhe ndaj Sahabeve (r.a.) vetëm për shkak të shkathtësisë në të folur dhe shpjegim. I favorizojnë edhe ndaj fukahave të mëdhenj...[48]
  47. Ka njerëz që nuk (duhet t’)iu përmenden gabimet[49].
  48. Ke frikë Allahun, të inspiron; puno për Të, nuk të çon tek ai që të nënçmon[50].
  49. Kerameti më i madh është t'i përmbahesh rrugës së drejtë[51].
  50. Kërkimi i dijes është i vështirë. Nxënia e saj përmendësh është më e vështirë. Ndërsa më e vështirë se këto të dyja është të vepruarit sipas dijes. Hilal bin Alau, cituar sipas Dhehebiut në Kebair, f. 76.
  51. Kjo ndarje dhe përçarje që ka ndodhur në ummet ndërmjet dijetarëve, hoxhallarëve, pushtetarëve dhe figurave e personaliteteve të mëdha është pikërisht ajo që solli këtë dominim të armikut ndaj nesh. Kjo ka ndodhur për shkak se nuk është punuar sipas asaj që do Zoti dhe i Dërguari i Tij![52]
  52. Kujt i zbutet (skuqet) fytyra, i zbutet (pakësohet) dija.[53]
  53. Kupola e lumturisë dhe strumbullari rreth të cilit sillet ajo është bindja ndaj Zotit dhe të Dërguarit të Tij[54].
  54. Kur Hasan bin Hajji dëshironte ta këshillonte dikë prej vëllezërve, e merrte një copë letër dhe ia dorëzonte. (etika e urdhërimit për të mirë, ruajtja e ndjenjave, këshillimi në fshehtësi[55].
  55. Kur Imami Ebu Hanife ngazëllehej nga hulumtimi në meseletë e dijes, thoshte: ‘Ku janë mbretërit në raport me këtë kënaqësi që përjetojmë ne?! Po të ishin të vetëdijshëm për të, nuk do të na e linin, qoftë edhe duke na luftuar!’[56]
  56. Kurrë nuk kam polemizuar me dikë me qëllim që ta mposhti. Përkundrazi, sa herë kam polemizuar me dikë, kam dashur që e vërteta të jetë në anën e tij.’[57]
  57. Kush i kompleton këto tre gjëra, ka kompletuar imanin: kush tregohet i drejtë me veten, përshëndet njerëzit mbarë dhe shpenzon edhe kur vet ka nevojë.’ [58]
  58. Kush ka dëshirë që Allahu ta begatojë me dituri dhe t’ia hap zemrën për të, le të vetmohet, të mos hajë shumë, të ikën nga shoqërimi i njerëzve të marrë e qe besa edhe i disa dijetarëve të cilët nuk kanë konsideratë për veten dhe as edukatë.’[59]
  59. Kush ka dëshirë ta arrin dashurinë e Allahut, le ta përmend shumë Atë sepse përmendja (dhikri) është porta e dashurisë, udha më e madhe dhe rruga më e drejtë e saj[60].
  60. Kush kërkon diturinë për të vepruar sipas saj, atij edhe dija e paktë do t’i bëjë dobi.[61]
  61. Kush lutet që një zullumqar të rrojë, ai në fakt është lutur që Allahu t’i bëhet mëkat[62].
  62. Lukmani i tha të birit: ‘Biri im, që të të rrah i edukuari është më mirë se të të bëjë lajka i marri.’[63]
  63. Llukmani e këshilloi të birin e i tha: “Biri im, kush i shoqëron të këqijtë, nuk shpëton. Kush nuk kujdeset nga hyn e nga del, do të akuzohet. Kush nuk ruan gjuhën, do të pendohet.[64]
  64. Llukmani i tha të birit: Biri im, besimtari ka dy zemra: zemër me të cilën shpreson dhe tjetër me të cilën ka frikë[65].
  65. Llukmani i tha të birit: Biri im, kam bartur gurë e hekur por asgjë nuk më ka ardhur më rëndë se fqinji i keq[66].
  66. Mësimi (ibreti) e shton dijen, dhikri dashurinë, meditimi frikën[67].
  67. Mirësia e dynjasë dhe ahiretit fshihet në pesë gjëra: pasurinë shpirtërore, shmangien nga të këqijat, fitimin hallall, petkun e devotshmërisë dhe besimin në Allahun në çdo rast a gjendje.[68]
  68. Mos e tradhto tradhtarin. I mjafton tradhtia e vet[69].
  69. Mos ji prej atyre që të vërtetën e pasojnë vetëm atëherë kur të përputhet me epshet dhe tekat e tyre ndërsa e refuzojnë kur të bie ndesh me to. Kështu, nuk do të shpërblehesh kur të jesh në një vijë me të vërtetën ndërsa do të dënohesh kur ta kundërshtosh atë[70].
  70. Mund të gjesh njeri që për nga gjuha është orator i madh ndërsa për nga veprat është batall fare.[71]
  71. Ndër gjërat që më së shumti dëmtojnë robin është edhe koha e lirë[72], respektivisht mosangazhimi me asgjë të dobishme.
  72. Ndër mirësitë më të begatshme është dija ndërsa ndër sprovat më të rënda injoranca.[73]
  73. Në disa tekste hyjnore Allahu ka thënë: “Unë nuk e shikoj fjalën e urtarit por ambicien e tij.” Duke u ndërlidhur me këtë, Ibn Tejmije shtoi: “Njerëzit e rëndomtë thonë: Vlera e njeriut qëndron në atë që zotëron ndërsa njerëzit e dalluar -elitat, thonë: Vlera e njeriut qëndron në atë që synon![74]
  74. Nëse dijetarit i duhet të jetë larg shtëpisë, atëherë dituria që ka, i mjafton, mu ashtu sikur që luanit i mjafton fuqia që ka dhe me të cilën ia del kudo që të jetë.[75]
  75. Nëse dikush ta sjell një të vërtetë, pranoje, qoftë ky edhe njeri i largët dhe i padashur për ty. Ndërsa refuzoje atë që ta sjell të kotën, qoftë ky i afërt dhe i dashur për ty[76].
  76. Nëse e njeh vëllain për të mirë, atëherë mos i dëgjo të tjerët çfarë flasin për të. Ne shpresojmë se ai që jashtë duket të jetë i mirë (edukuar), i tillë, e bile edhe më i mirë, të jetë edhe në shpirtin e tij![77]
  77. Niveli më i cekët i sinqeritetit është që korrespondenca ndërmjet trupit dhe shpirtit të jetë e sinqertë.[78]
  78. Nuk do ta ndiejë erën e sinqeritetit ai që i bën lajka vetes apo të tjerëve.[79]
  79. Nuk e ke vëlla atë që duhet ta miklosh (t'ia bësh qejfin)[80].
  80. Nuk kam mjekuar gjë më të rëndë se nijetin tim. [81]
  81. Nuk mund të fitojnë dije as ai që ka turp, as ai që është mendjemadh.[82]
  82. Nuk ndodhë që robi të tregohet i sinqertë për dyzet ditë rresht e të mos gufojë urtësia nga zemra dhe gjuha e tij.[83]
  83. Njerëzit nuk kanë arritur pozitat e larta për shkak se kanë bërë shumë namaz apo agjërim por për shkak të zemërgjerësisë, zemërbardhësisë dhe përkushtimit për të këshilluar ummetin.[84]
  84. Njerëzve iu mbyllet dera e suksesit për shkak të gjashtë gjërave: dhënia pas mirësisë duke harruar falënderimin për të, kureshtja për dije por jo edhe për vepër, nxitimi për në mëkate por jo edhe në pendim, mashtrimi me shoqërimin e të mirëve në llogari të veprimit sipas traditës së tyre, ndjekja e dynjasë edhe pse ajo ua ka kthyer shpinën, dhe ikja prej ahiretit edhe pse ai është në kërkim të tyre.[85]
  85. Njeriu ruhet (mbrohet nga Allahu) sipas nijetit që ka.[86]
  86. Njeriun që e do Allahu, do ta bëjë të punojë veprën që Allahu e do[87].
  87. O njerëz, po iu këshilloj dhe po tregohem i mëshirshëm me ju: faluni natën për errësirën e varrit, agjëroni ditët me vapë për vapën e ditës së ringjalljes, jepni lëmoshë nga frika e një ditë të vështirë për çështjet e mëdha (dita e llogarisë).[88]
  88. O njerëz, synojeni me diturinë tuaj Allahun sepse mua kurrë nuk më ka ndodhur të shkoj në një mexhlis me nijet të modestisë e të mos më këtë ngritur Allahu. Po kështu kurrë nuk kam qenë i pranishëm në një mexhlis në të cilin e kam pasur nijet të ngritëm e të mos jam zbuluar para se të çohem.[89]
  89. Parashtrimit të mirë të pyetjes vlerën dhe rëndësinë ia di vetëm ai që është ngarkuar me dhënien e fetvave[90].
  90. Për djallin nuk ka gjë më të dashur se pikëllimi i besimtarit[91].
  91. Po e lut Allahun për Xhennet ndërsa këndej nuk kursehesh nga asnjë haram. Nuk kam parë njeri më miop se ti.[92]
  92. Prej shenjave më të dalluara të evliasë është vazhdimësia në adhurim dhe shmangia nga mëkatet dhe ndalesat.[93]
  93. Profetit nuk i njihen meritat veç në vendin e vet[94].
  94. Sa njeriu bën tavafin rreth Qabesë ndërsa dikush tjetër që është larg saj ka shpërblim më të madh.[95]
  95. Sa njeriu që kërkon falje është i urryer e sa i heshturi është i mëshiruar! I pari kërkon falje ndërsa zemra e tij nuk ndahet nga mëkati. I dyti nuk flet me gjuhë por zemra e tij nuk resht se përkujtuari Allahun.[96]
  96. Sa shumë do të doja sikur njerëzit ta kishin mësuar këtë dituri (prej kujtdo qoftë) ndërsa mua të mos më atribuohej as edhe një germë.[97]
  97. Sa shumë do të doja të isha thjesht një qime në krahun e robit besimtar[98].
  98. Silluni me Allahun me zemrat tuaja.[99]
  99. Sinqeriteti d.t.th. që veprat e njeriut, të brendshmet dhe të jashtmet, të fshehtat dhe të dukshmet, të jenë njësoj. [100]
  100. Sinqeriteti d.t.th. të ngjitesh lart aq sa të mos vëresh njerëzit.[101]
  101. Sinqeriteti është shpatë që pret çdo gjë që i del përpara.[102]
  102. Sinqeriteti ka tre shenja dalluese: lëvdatat dhe kritikat e njerëzve të jenë të njëjta, të mos shohësh veprat gjatë veprave dhe të parashohësh (presësh) shpërblimin për to në ahiret.[103]
  103. Sinqeriteti nënkupton të harrosh të shikosh në njerëz nga shikimi i vazhdueshëm në Allahun.[104]
  104. Soditja e mirësive të Allahut është adhurimi më me vlerë[105].
  105. Sulejmani a.s. e këshilloi të birin: “Biri im, largohu nga bartja e fjalëve sepse ajo është sikur maja e shpatës.[106]
  106. Sulejmani a.s. këshilloi të birin e i tha: Biri im, sa i shëmtuar që është mëkati kur bëhet në varfëri dhe sa e shëmtuar është humbja kur vjen pas udhëzimit! Por më keq se kaq është puna e atij që dikur e adhuronte Allahun ndërsa tani e ka braktisur atë![107]
  107. Sulejmani a.s. këshilloi të birin: "Biri im, mos merr ndonjë vendim pa u konsultuar më parë me ndonjë udhëzues (ekspert), sepse, nëse vepron kështu, nuk do të pendohesh!"[108]
  108. Shenjë treguese se Zoti nuk e do robin është ta shohësh të merret me gjërat të padobishme.[109]
  109. Shoqëroni të penduarit sepse ata janë njerëzit me emrat më të buta[110].
  110. Takvaja (devotshmëria) nënkupton të bësh atë me të cilën synohet arritja e kënaqësisë së Allahut.[111]
  111. Të braktisësh veprën për hatër të njerëzve është rija (hipokrizi), të veprosh për hatër të njerëzve është shirk (idhujtari) kurse sinqeritet është të të shpëtojë Allahu nga të dyja gjendjet.[112]
  112. Të jesh evlia (i dashur) i Zotit nuk nënkupton të jesh i pagabueshëm[113].
  113. Turpërohem nga Allahu ta takoj një vëlla timin musliman dhe ta lus Allahun që t’ia dhuroj atij Xhennetin ndërsa unë të tregohem koprrac ndaj tij me dunjanë![114]
  114. Thuhej: Njeriu vazhdon të jetë dijetar përderisa të kërkojë dijen, e kur t’i jetë mbushur mendja se di, ai bëhet injorant.”[115]
  115. Unë, ndodhë t’iu urdhëroj për të mirë, edhe pse vet nuk e bëj një vepër të tillë, me shpresën se Allahu do të më shpërblejë për këtë![116]
  116. Urtësia thotë: kush më ka kërkuar e nuk më ka gjetur, le të veprojë sipas asaj që di më së miri dhe ta braktisë atë që e di se është më e keqja. Nëse vepron kështu, atëherë ai më ka gjetur mua, edhe nëse nuk më njeh[117].
  117. Zemra e vrazhdë nuk i pranon të vërtetat, sado që të kesh shumë argumente[118].
  118. Zuhdi nënkupton braktisjen e asaj që nuk të sjell dobi ndërsa ver'i braktisjen e asaj që të dëmton. Ose më qartë, zuhdi nënkupton braktisjen e asaj që nuk të sjell ndonjë të mirë në ahiret ndërsa ver’i braktisjen e asaj që të dëmton në ahiret[119].

 

 

Përmblodhi dhe përshtati në shqip:

Dr. Sedat ISLAMI

 

 

-------------------------------------------------------

[1] Ibn Haxher el-Askalani, El-metalib el-alije, 3/254.

[2] Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 50.

[3] Ibn Mes’udi, cituar sipas: Zuhejr b. Harib, El-ilm, f. 8.

[4] Ibn Rexhebi, Ihtijaru-l-evla, f. 23.

[5] Imam Ahmedi, Ez-Zuhd, fq. 66. Sipërfaqësisht, kjo thënie bën thirrje që njerëzit t’i shoqërojmë sipas moralit të tyre. Ibn Rexheb Hanbeliu, vështruar sipas kontekstit në të cilin e përmend këtë thënie në librin e tij Xhamiu-l-ulum ve-l-hikem (1/454), të jep përshtypjen se bëhet fjalë për raporte mbi bazën e mirësjelljes.

[6] Ibn Kajjimi, El-fevaid, 106.

[7] Ebu-l-Kasim Xhunejdi, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 50. Siç shpjegohet, besimtari i sinqertë kërkon kënaqësinë e Allahut andaj, nëse gjatë ditës i ndodhë të përmirësojë qëndrimet e tij të gabuara apo të ndryshojë nga ‘mirë’ në ‘më mirë’, e bën. Ndërsa ai që adhurimin e kryen për hatër të njerëzve, ai nuk ndryshon, sepse qëndrimet e tij i ka të lidhura me kënaqësinë dhe hidhërimin e njerëzve. Nëse ndryshimi nënkupton hidhërimin e njerëzve, ai preferon të qëndrojë në gjendjen që është vetëm e vetëm mos t’i ikin njerëzit.

[8] Imam Shafiu, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 76.

[9] Hafiz Halid Bushati, cituar sipas Muhammed Sytarit 'Dialog me një Hafiz të moçëm', Dituria Islame, nr. 176-177, 2005, f. 33-34.

[10] Isai a.s., cituar sipas: Imam Ahmedi, Ezzuhd, f. 50.

[11] Talha, cituar sipas: Et-tehdhib el-meuduij li-Hiljeti el-Eulija, f. 32.

[12] El-Havi fi fetava El-Albani, fq. 165-166.

[13] Ibn Ebi Dunja, El-ihvan, fq. 80.

[14] Tenbih el-gafiline, fq. 466.

[15] Ibn Ebi Dunja, Err-rrida an Allahi bi-kadaihi, fq. 99.

[16] Imam Ahmedi, Ezzuhd, f. 62

[17] Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 82; Ibn Ebi Hatim, Menakib Esh-Shafi, fq. 238.

[18] Xhamiu-l-ulum ve el-hikem, 208.

[19] Ahmed bin Ata Ruzbadi, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 62.

[20] Ibn Kutejbe Dineveriu, Tehdhibu Kitabi-l-Ilm, fq. 16.

[21] Imam Shafiu, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 62.

[22] Abdullah bin Ebi Jahja bin Ebi Kethiri , cituar sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 72. Që të fitosh dije, duhet të lodhesh fizikisht, të bësh gjumë pak dhe të lexosh shumë.

[23] Ibn Ujejne, sipas: Imam Ahmedi, Ezzuhd, f. 97

[24] Ebu Sa’d Nejsaburi, Sherefu-l-Mustafa, 6/188.

[25] Ibn Abdul Hadi, Essarim el-munki, f. 401.

[26] Muadh bin Xhebeli r.a., sipas: Darimiu, Sunen Ed Darimi, 1/284.

[27] Imam Shafiu, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 97-98. Ai që shtrin dorën e lypjes, do t’i humb marrja, e bashkë me të edhe përulja ndaj Zotit sepse do të preokupohet me njerëzit dhe deponimin e tyre që të gjejë momentin e të përfitojë prej tyre.

[28] Hasan Basriu, sipas: Ibn Ebi Dunja, Es-Sabru, f. 27.

[29] Ibn Tejmije, cituar sipas: Medarixh es-salikinë, 2/152

[30] Dhehebiu, Sijer A’lam en-Nubela, 20/196.

[31]  Imam Ahmedi, Ezzuhd, f. 117

[32] Tabekat el-hanabile, 1/291

[33] Ibn Kajjimi, Ixhtimau-l-xhujush, f. 24.

[34] Imam Ahmedi, Ezzuhd, f. 44.

[35] Ebu Derda, sipas: Letaifu-l-mearif, fq. 167.

[36] Me devotshmëri synohet një kuptim i veçantë i frikës ndaj Zotit, ver’i, ai që nënkupton braktisjen edhe të së lejuarës nga frika e rënies në të ndaluarën.

[37] Falja e namazit të natës.

[38] Kasim Xhuv’a, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 62.

[39] Ibn Tejmije, El-kaide el-xhelile, f. 184.

[40] Omeri r.a., sipas: Imam Ahmedi, Ezzuhd, f. 104

[41] Munaviu, Fejdu-l-Kadir, 1/92.

[42] Hasan bin Ahmed, cituar sipas Lisanu-l-mizan, 2/265.

[43] Shih:  Islahu-l-mesaxhid, f. 67.

[44] Davudi a.s., sipas: Imam Ahmedi, Ez-Zuhd, fq. 62.

[45] Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 64.

[46] Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 77.

[47] Ibn Abbasi r.a., siaps: Ibn Kutejbe Dinevriu, Tehdhibu Kitabi-l-Ilm, fq. 16.

[48] Ibn Rexheb, Mexhmuu resaili Ibni Rexheb, 3/22.

[49] Kasim bin Muhammedi, sipas: Imam Ahmedi, Ezzuhd, f. 92. Për qëllim është që të mirat e shumta të dikujt nuk duhen hedhur poshtë vetëm pse ka bërë ndonjë lëshim të vogël diku. Me këtë kuptim ka dhe një hadith të shënuar nga Ahmedi, Ebu Davudi, Nesaiu dhe Bejhakiu.

[50] Meda bin Isa, sipas: Hiljetu-l-Eulija, 9/324.

[51] Ibn Tejmije, sipas Medarixh es-salikinë, 2/10.

[52] Mexhmu el-fetava, 3/421.

[53] Omeri r.a., sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 73. Turpi që të pengon nga dija është i urryer.

[54] Ibn Abdul Hadi, Essarim el-munki, f. 388.

[55] Ibn Ebi Dunja, El-emri bi-l-ma’ruf ve-n-nehju an el-munker, f. 98.

[56] Ragib Asfahani, Muhadarat el-udebai ve muhaveratu esh-shuarai ve-l-bulegai, (Egjipt: Mektebetu Hilal, 1902) f. 51.

[57] Imam Shafiu, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 54.

[58] Imam Shafiu, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 70. ‘Tregohet i drejtë me veten’ duke i dhënë çdokujt të drejt që meriton: Allahut, duke e adhuruar, të tjerëve, duke i respektuar, vetes, duke përmbushur atë që kërkohet fizikisht e shpirtërisht.

[59] Imam Shafiu, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 98.

[60] Ibn el-Kajjim, El-vabil essajjib, f. 42.

[61] Ahmed bin Ata Ruzbadi , sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 62.

[62] Sufjan Theuriu, Sijer a’lam en-nubela, 7/46.

[63] El-adab esh-sher'ijje, 2/212.

[64] Tenbihu-l-gafiline, fq. 207.

[65] Imam Ahmedi, Ezzuhd, f. 87.

[66] Imam Ahmedi, Ezzuhd, f. 86.

[67] Hatim Esammi, sipas: Ihjau ulumiddin, 4/425.

[68] Imam Shafiu, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 56.

[69] Imam Ahmedi, Ezzuhd, f. 88

[70] Omer bin Abdul Azizi, cituar sipas Akides Tahavije, f. 522.

[71] Imam Maliku, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 105.

[72] Ibn el-Kajjimi në librin Tarik el-hixhretejni, f. 281.

[73] Husejn bin Erxhek, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 74.

[74] Ibn Tejmije, cituar sipas: Medarixh es-salikinë, 3/3.

[75] Ibn Kutejbe Dinevriu, Tehdhibu Kitabi-l-Ilm, fq. 16.

[76] Ibn Mesudi, cituar sipas Sherhu-s-Sunneh, 1/234.

[77] Aliu r.a., sipas: Ibn Bettal, Sherhu Sahihi-l-Buhari, 9/261.

[78] Kushejri, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 49.

[79] Sehli , sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 50.

[80] Imam Shafiu, Sijer a’lam en-nubela, 10/98.

[81] Sufjan Theuriu , sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 53. Për qëllim e ka se është përpjekur për t’i shëruar veprat nga bërja e tyre për hir të njerëzve ose çdo gjë tjetër që mund t’i njollosë dhe tua humb statusin e të qenit vetëm për Allahun.

[82] Muxhahidi, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 73.

[83] Mekhuli, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 48.

[84] Abdurrahman bin Ahmed bin Atijje , sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 58-59.

[85] Shekik bin Ibrahimi, sipas: El fevaid, fq. 173.

[86] Ibn Abbasi r.a., sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 54.

[87] Ibn Tejmije, El-ubudijje, f. 113

[88] Ebu Dherri, cituar sipas: Tarihu Dimeshk, 66/214.

[89] Ebu Jusufi, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 54.

[90] Etteratib el-idarije, 2/309.

[91] Ibn el-Kajjim, Tarik el-hixhretejni, f. 419.

[92] Fudajl bin Ijadi, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 96.

[93] Kushejri, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 125.

[94] Ketaniu, cituar sipas Etteratib el-idarije, 1/79.

[95] Fudajl bin Ijadi, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 82. Veprat vlerësohen sipas nijetit dhe përparësisë që kanë. Dikush që kryen haxhin vullnetarisht nuk ka shpërblim më të madh se dikush që kryen një punë të obliguar – farz apo që për kohën është më e rëndësishme se haxhi vullnetar, si ta zëmë kontributi për vende të prekura nga fatkeqësia, etj.

[96] Jahja bin Muadh Rraziu, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 61.

[97] Imam Shafiu, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 54.

[98] Ebu Bekri r.a., sipas: Imam Ahmedi, Ezzuhd, f. 90

[99] Ebu Sulejman Darani, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 58. D.t.th. pastroni zemrat tuaja dhe dëlirësoni ato në raport me Allahun.

[100] Dhu-n-Nuni, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 47.

[101] Kushejri, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 46. Për qëllim me ‘të mos vëresh njerëzit’ është që të mos i kesh synim ata por Allahun e Madhëruar.

[102] Dhu-n-Nuni, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 50.

[103] Dhu-n-Nuni, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 47. Për qëllim me ‘të mos shohësh veprat gjatë veprave’ është të mos mashtrohesh me to e pastaj të ndalesh nga veprat e mira ose të mendosh se me to e ke fituar Xhenetin. Ndërsa nga pjesa e fundit kuptojmë se, përderisa sinqeriteti parasheh shpërblimin për veprën në ahiret, atëherë për vepra nuk duhet të presim shpërblim nga njerëzit.

[104] Dhu-n-Nuni, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 47. Pra, duke qenë se vetëm prej Allahut kërkon shpërblimin, atëherë asnjë vepër nuk e kryen për hatër të askujt tjetër pos Allahut.

[105] Omer bin Abdul Azizi sipas: Ihja ulum ed-din, 4/424.

[106] Imam Ahmedi, Ezzuhd, f. 76.

[107] Imam Ahmedi, Ez-Zuhd, fq. 37.

[108] El-adab esh-sher'ijje, 1/327.

[109] Ma’ruf Kerhi, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 95-96.

[110] Imam Ahmedi, Ezzuhd, f. 99

[111] Ibrahimi, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 15.

[112] Fudajl bin Ijadi, sipas: Neveviu, Bustanu-l-Arifine, fq. 47.

[113] Ibn Tejmije, El-istikame, 2/93.

[114] Ali bin Hasani, sipas: Sijer A’lam En Nubela, 4/394.

[115] Ibn Kutejbe Dinevriu, Tehdhibu Kitabi-l-Ilm, fq. 13.

[116] Ebu Derda, sipas: Sijer A’lam En Nubela, 4/19. Thënia se ‘është mëkat të thuash atë që nuk e vepron’ ka kushtëzime, një ndër to edhe kjo, kur në pamundësi të bësh një vepër të mirë të caktuar, i urdhëron të tjerët për të. Madje, siç nënvizojnë dijetarët, duhet të urdhërosh për të mirë edhe nëse vet vepron ndryshe (për të keq), sepse në këtë rast, krahas mëkatit për të keqen që ke bërë, do të fitosh edhe një mëkat pse nuk ke urdhëruar për të mirë dhe nuk ke ndaluar nga e keqja.

[117] Një sahabi – shok i Muhammedit a.s., sipas: Ibn Kutejbe Dineveriu, Tehdhibu Kitabi-l-Ilm, fq. 18.

[118] Munaviu, Fejdu-l-Kadir, 1/143.

[119] Ibn Tejmije, sipas: Uddet es-sabirine, f. 226; Medarixh es-salikinë, 2/10


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013