Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
Zejnebja (Allahu qoftë i kënaqur me të)

Gruaja, për të cilën do të flasim sot ka disa karakteristika të veçanta. Ajo është njëra nga gratë e Muhammedit [alejhis salatu ves selam], për jetën e të cilës nuk dihet shumë. Kjo, për shkak se, jo vetëm se jetoi pak, porse edhe në shtëpinë e Muhammedit [alejhis salatu ves selam] nuk kaloi kohë të gjatë. Megjithëkëtë, ajo hyri në histori. Hyri, jo vetëm si nënë e besimtarëve, pro edhe si një grua me një tipar të dalluar. Sot do të flasim për Zejneben, të bijën e Huzejmes [Allahu qoftë i kënaqur me të!]
Kush ishte Zejnebja?
Emri i plotë
Quhet Zejnebe, e bija e Huzejmes, i biri i Harithit, i biri i Abdullahut, i biri i Amrit, i biri i Abdu Menafit, i biri i Hilalit, i biri i Amirit, i biri i Sa’sa’s.
Viti i lindjes
Zejnebja ka lindur në Mekke, 13 vite para pejgamberllëkut.
Familja e saj
Zejnebja rrjedh nga një familje e shquar. Ishte motër me Mejmunën, gruan tjetër të Muhammedit [alejhis salatu ves selam]. Në fakt, e kishte motër vetëm nga nëna. E, për nënën e saj, thuhet se nuk ka patur vjehërr dhëndurët e të cilës kanë qenë më të mirë se të saj. Dhëndurët e saj ishin:
1) Muhammedi [alejhis salatu ves selam]. Ishte i martuar me Zejneben dhe Mejmunën.
2) Abbasi, xhaxhai i Muhammedit [alejhis salatu ves selam].
3) Hamza, xhaxhai i Muhammedit [alejhis salatu ves selam].
4) Xhaferi, kushëriri i Muhammedit [alejhis salatu ves selam].
5) Aliu, kushëriri i Muhammedit [alejhis salatu ves selam].
6) Ebu Bekri, sahabijji i nderuar.
7) Sheddad in Usame in el-Had, sahabijj i nderuar.
Kur e pranoi Islamin?
Saktësisht nuk dihet kur e pranoi Islamin, porse ishte nga ata që e pranuan atë në vitet e para. Në të vërtetë, ajo, bashkë me burrin e saj, e pranuan fenë.
Martesat e mëparshme
Zejnebja para se të martohej për të Dërguarin e Allahut [alejhis salatu ves selam], ishte e martuar porse me kë dhe sa herë ka mospajtime. Disa kanë thënë se ka qenë gruaja e Tufejl ibn Harithit, porse ai e kishte shkurorëzuar. Pastaj qe martuar për Ubejde ibn Harithin, i cili ra dëshmor në betejën e Bedrit. Është thënë se ka qenë gruaja e Abdullah ibn Xhahshit, i cili ra dëshmor në betejën e Uhudit, mendim ky që nga disa është vlerësuar të jetë më i sakti.
Nga martesat e mëhershme, Zejnebja nuk kishte fëmijë. Në të vërtetë, thuhet se nga martesa me Tufejlin kishte patur një djalë, i cili kishte vdekur ende para pejgamberllëkut.
Martesa me Muhammedin [alejhis salatu ves selam]
Burri i Zejnebes, Abdullahu, do të bie dëshmor trimërisht në betejën e Uhudit. Zejnebja, sigurisht, u mërzit. Nuk kishte fëmijë ndërsa ishte edhe e re në moshë. Ishte vetëm 30 vjeçare. Kështu, për ta ngushëlluar dhe për ta mbushur boshllëkun e jetës bashkëshortore, Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] do të martohet me të në Ramazan të vitit të tretë hixhrijj ose plot 31 muaj pas hixhretit.
Është diskutuar po kështu se kush ishte ai që e mori përsipër martesën – kurorëzimin e saj me Muhammedin [alejhis salatu ves selam]. Thuhet se ajo vet ia la këtë çështje në dorë Muhammedit [alejhis salatu ves selam], e thuhet se atë e kurorëzoi xhaxhai i saj ndërsa Muhammedi, [alejhis salatu ves selam] ia dha mehrin prej 400 dërhemësh.
Jeta e saj si ‘Nënë e besimtarëve’
Zejnebja nuk jetoi gjatë në shtëpinë profetike. Ajo që do ta ndante atë kësaj radhe nga burri ishte vdekja e saj. Vdiq, sipas një mendimi, pas tetë muajsh martese me Muhammedin [alejhis salatu ves selam]. Thuhet edhe ndryshe se nuk jetoi më shumë se dy muaj se dy muaj e gjysmë në kurorë me të. Megjithëkëtë, emri i saj është përjetësuar, dhe jo vetëm si ‘Nënë e besimtarëve.’ Zejnebja njihej me një ofiq shumë të dashur, ‘Ummul meskinë – Nëna e skamnorëve.’ Ishte shumë dorëdhënëse. Ndihmonte të varfrit shumë. Angazhimi i saj në jetën publike ishte edhe para martesës me Muhammedin [alejhis salatu ves selam]. Kishte marrë pjesë në betejat e Bedrit dhe Uhudit duke iu ndihmuar ushtarëve në shërim dhe bartje të ujit. Madje, thuhet se ofiqin ‘Ummul meskinë – Nëna e skamorëve’ e mori në periudhën para islame. Pra, që moti njihej me këtë ofiq.
Vdekja e saj
Zejnebja, pas një jete bashkëshortore relativisht të shkurtër me të Dërguarin e Allahut [alejhis salatu ves selam], respektivisht në muajin Rebiul ahir, në vitin e katërt të hixhrit, do të vdes. Ishte vetëm 30 vjeçare kur vdiq. Varrimin e saj e mori përsipër vet Muhammedi [alejhis salatu ves selam]. Atë e varrosi në varrezat Bekië ndërsa është gruaja e tij e parë që u varros në atë varreza.
Mësimet e përfituara nga jeta e saj
Ndonëse nuk jetoi gjatë, ajo ishte protagoniste e disa veprave që emrin e saj e përjetësuan. Ajo la pas vete thesare urtësish e këshillash. Karakteri dhe personaliteti i saj flasin për Zejneben para se të flasin librat.
Në vijim, do të mundohemi të nxjerrim disa mësime të rëndësishme nga jeta e saj.
1) Urtësia e martesave të Muhammedit [alejhis salatu ves selam].
Orientalistët kanë akuzuar Muhammedin [alejhis salatu ves selam] për kinse njeri të dhënë pas grave. Ata kanë harruar ose qëllimshëm kanë anashkaluar këto raste, të cilat reflektojnë qëllimet e vërteta të tij në martesa. Nuk ishte epshi por qëllimet fisnike ato që e bënë të martohej. Zejnebja ishte e vejë, në një vend të huaj, kush do të përkujdesej për të? Ose, cili do të mund ta mbushte boshllëkun e saj bashkëshortor më mirë se Muhammedi [alejhis salatu ves selam]. Kështu, në mësojmë se urtësia e martesës ka qenë solidarizimi me të, ngushëllimi i saj dhe përpjekja për ta kompensuar humbjen e saj.
Një fakt tjetër, që vërteton këtë gjë, e që nuk përmendet shumë, është se Zejnebja, nuk ishte edhe gjithaq e bukur. Pra, nuk kishte ato tipare të një femre të cilën do ta pëlqenin meshkujt. Paramendoni çfarë krize shpirtërore do të përjetonte sikur në atë moshë të re, kur kishte humbur burrin e saj, të mbetej e ve dhe pa përkujdesje për shkak se meshkujt nuk do ta pëlqenin shkak i mungesës së bukurisë?!
2) Rëndësia e devotshmërisë
Zejnebja duroi dhe durimi i saj u shpërblye. Ajo tregoi në momentet më kritike të jetës së saj se Islami është gjëja më e rëndësishme për të. Për këtë shkak, Allahu i Madhëruar zgjodhi që muajt e fundit të jetës së saj të jenë nën kurorë me njeriun më të dashur të Allahut, Muhammedin [alejhis salatu ves selam].
3) Motivet e martesës
Martesat duhet të jenë rezultat i një përzgjedhje në baza morali dhe besimi. Elementet tjera nuk garantojnë jetë bashkëshortore të lumtur. Allahu na e përkujton këtë kriter në ajetin vijues.
“Mos u martoni me idhujtare deri që ato të besojnë (Zotin). Një robëreshë besimtare është më e vlefshme se një idhujtare, edhe nëse ajo (idhujtarja) ju mahnitë. Mos u martoni as me idhujtarë deri që ata të besojnë (Zotin). Një rob besimtar është më i vlefshëm se idhujtari edhe nëse ai ju mahnit. Ata ju ftojnë për në zjarr, e All-llahu me mëshirën e vet ju fton për në xhennet, për në shpëtim dhe u sqaron njerëzve argumentet e veta, ashtu që ata të përkujtojnë.” (el-Bekare, 221)
Ndërsa Muhammedi [alejhis salatu ves selam] thotë:
“Gruaja martohet për katër gjëra: pasurinë, familjen, bukurinë dhe fenë e saj. Zgjidhe atë që ka fenë, të lumshin duart!” (Buhariu)
Po kështu thotë:
“Nëse kërkon dorën e vajzës saj ai, fenë dhe mrolain e të cilit e pëlqeni, atëherë martojeni (me vajzën tuaj), ndryshe, në tok do të jetë sprovë dhe rrëmujë-çrregullim…” (Tirmidhiu. Hadithi është hasen.)
4) Respekti për burrin
Zejnebja është shembulli i gruas, e cila nëpërmjet respektit për burrin, synon të arrijë edhe kënaqësinë e Allahut. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] thotë:
“Nëse gruaja falë pesë namazet, agjëron muajin e saj (të Ramazanit), e ruan nderin e saj dhe e respekton burrin e saj, atëherë le të hyj në Xhennet nëpërmjet cilës derë të dëshirojë!” (Albani thotë se është autentik.)
5) Jeta dhe e vërteta e saj
Jeta e Zejnebes na flet për jetën dhe esencën e saj. Ajo nuk matet me vite. Jeta matet me vepra dhe kontribut. Ndonëse jetoi pak, ajo bëri vepra të mira aq sa të përjetësohet emri i saj.
6) Islami si koleksion vlerash
Jeta e Zejnebes na zbulon edhe një detaj të kësaj feje, i cili i garanton asaj përjetësinë. Zejnebja njihej si ‘Ummul mesakinë – Nëna e skamnorëve’ edhe në periudhën paraislame dhe me të u bë e njohur edhe në Islam. Islami është një fe, e cila nuk ka rol selektive. Ajo pranon të mirat. Madje ka ardhur me këtë parim edhe si moto të saj. Thotë Allahu:
…u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet…“ (el-A’rafë, 157)
7) Sadakaja dhe vlera e saj
Ky ndoshta është mësimi më i theksuar në biografinë e Zejnebes. Është një mësim i rëndësishëm për myslimanet e sotme, që të japin për Allahun dhe fenë e Tij. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] thotë:
“O ju gra myslimane! Le të mos përbuzë fqinja për fqinjen e saj, qoftë edhe një thundër dele!” (Buhariu)
Thundra e deles nuk jepet sadaka. Hadithi sikur na thotë se nuk bën që gruaja të ndihet keq nëse nuk ka mundësi të jap shumë. Asaj i mjafton ajo që e ka, pavarësisht se mund të jetë pak, ngase tek Allahu ajo mund të zmadhohet.
8) Horizonti i mirësisë i madh aq sa e zë çdo kë
Nga jeta e grave të Muhammedit [alejhis salatu ves selam] kemi mësuar se secila prej tyre ka qenë e shquar me diç. Zejnebja ka qenë e shquar në dhënien e lëmoshës. Kjo do të thotë se secili/a ka vlera. Duhet gjurmuar në vetveten tonë për të mësuar se çfarë mund të bëjmë më së miri.
9) Solidariteti si portret i shoqërisë myslimane
Biografia e saj portretizon shoqërinë myslimane. Ajo është shoqëri solidariteti, ndihme reciproke, respekti. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] thotë:
“Shembulli i besimtarëve në dashuri, mëshirë dhe butësi të ndërsjellë, është sikur shembulli i një trupi, që nëse rënkon një gjymtyrë, atëherë i tërë trupi vuan nga pagjumësia dhe ethet!” (Muslimi)
“Myslimani për myslimanin është sikur godina, pjesët e së cilës mbajnë njëra tjetrën!” (Buhariu)
10) Nevoja e organizimit institucional të jetës aktive të gruas
Gratë kanë rol të pamohueshëm në shoqëri. Atyre duhet tua mundësojmë që jetën e tyre ta organizojnë në formë institucionale. Ato kanë mundësi të bëjnë shumë për shoqërinë dhe kjo do të ishte forma më e mirë e mundshme për të ruajtur nderin e tyre por edhe për të përfituar nga dija dhe kontributi i tyre.


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013