Rri n’shpi, mos i dëmto të tjerët
Thirrjeve të autoriteteve për të qëndruar në shtëpi jo të gjithë i janë përgjigjur sa duhet. Tashmë na është bërë e qartë se mbrojtja nga virusi varet prej nesh: nëse i përmbahemi udhëzimeve për pastërti dhe qëndrim në shtëpi, mund ta kalojmë këtë sfidë me më pak pasoja. Ndryshe, shpërfillja e udhëzimeve duke mos u kujdesur për pastërtinë dhe duke dalë jashtë shtëpisë mund të na kushtojë shumë, jo si individë, por si shoqëri. Virusi mjafton ta godet një njeri e më pas të përhapet.
Këtë çështje pata dëshirë ta trajtojë edhe nga ana fetare. Dëmtimi i të tjerëve duke dëmtuar të tjerët më pas konsiderohet shpërfillje edhe e porosive fetare. Qëndrimi në shtëpi dhe largimi nga çdo gjë që mund t’i dëmtojë të tjerët është këshillë profetike. Madje, ajo trajtohet në një formë tejet interesante. Besimtari me etikë dhe moral të këtillë konsiderohet prej atyre që japin lëmoshë për vetveten.
Në hadithin e shënuar n koleksionet e Buhariut (2518) dhe Muslimi (84, teksti është i Muslimit) qëndron se Ebu Dherri r.a., e paskësh pyetur Muhammedin a.s.:
Cila vepër është më e mira?
Tha: Besimi në Allahun dhe xhihadi në rrugën e Tij!
Cilët skllevër janë më të mirët (për tu liruar)?
Tha: Ata që kanë çmimin më të shtrenjtë dhe që kanë vlerën më të madhe tek pronarët e tyre?
Po çfarë nëse nuk kam mundësi ta bëj këtë?- e pyeta.
Tha: Atëherë ndihmo një zejtar ose puno për dikë që nuk di të punojë!
O i Dërguari i Allahut, po çfarë nëse nuk kam mundësi për disa punë?- e pyeta.
Tha:
“تَكُفُّ شَرَّكَ عَنِ النَّاسِ فإنَّها صَدَقَةٌ مِنْكَ علَى نَفْسِكَ”
“Mos ju bëj keq njerëzve sepse kjo është lëmoshë e jotja për veten tënde.”
Pra, pamundësia për të bërë mirë, kërkon detyrimisht shmangien e çfarëdo veprimi që mund t’i dëmtojë njerëzit. Braktisja e të keqes të këtë hadith, siç kanë thënë dijetarët, nënkupton çdo të keqe fjalë apo vepër qoftë.
Përkthyer me gjuhën e gjendjes aktuale: Nëse nuk je jashtë në detyrë për të shëruar të prekurit ose për të kontribuar në parandalimin e kësaj sëmundje, atëherë kursejnë njerëzit nga të këqijat: mos dil, sepse dalja nuk të dëmton vetëm ty por edhe të tjerët.
Siç kanë shpjeguar dijetarët, kjo është më e pakta që mund të bëjmë për shoqërinë, pra t’i kursejmë nga dëmtimi. Ndryshe, nëse i dëmton njerëzit, atëherë ti ngarkohesh me mëkate, dhe kështu e dëmton edhe veten tënde.
Allahu xh.sh., na mundësoftë ta kalojmë bashkërisht lehtë e më lehtë këtë fatkeqësi!