Besimtarë të dashur!
Sipas mësimeve të fesë, fatkeqësitë të cilat iu ndodhin njerëzve, janë shkak i mëkateve të tyre. Ato përfshijnë jo vetëm mëkatarët por edhe të tjerët veçmas kur të këqijat bëhen publikisht. Ndonëse kanë mësime edukative, pra fatkeqësitë ndodhin që ne t’i kthehemi Zotit duke u penduar për gabimet e mëkatet, ndodhë e kundërta. Mundohemi t’iu japim kahe tjetër, veçmas kur fatkeqësitë janë natyrore. Kështu ndodhi edhe këto ditë kur shtetet fqinje u goditën nga tërmete të cilat u ndien edhe në vendin tonë. Tërmetet u interpretuan larg çdo nuance fetare. Si besimtarë kemi shpjegimet tona pse ndodhin tërmetet dhe, mund të themi përgjithësisht se, marrë parasysh degjenerimin moral që po ndodhë në vazhdimësi në mesin tonë, tërmetet mbase janë edhe shkak i tij.
Në këtë hutbe, me lejen e Allahut xh.sh., do të flasim për shthurjen morale si shkak i fatkeqësive.
Të nderuar vëllezër!
[Mëkatet shkak për fatkeqësi]
Kur’ani dhe Sunneti na mësojnë se veprat e njerëzve kanë ndikim në natyrë. Më saktë, mëkatet tona janë shkak për çrregullime, sikur që mirësjellja jonë shkak për harmoni. Allahu xh.sh., thotë:
﴿ ظَهَرَ الْفَسَادُ فِي الْبَرِّ وَالْبَحْرِ بِمَا كَسَبَتْ أَيْدِي النَّاسِ لِيُذِيقَهُمْ بَعْضَ الَّذِي عَمِلُوا لَعَلَّهُمْ يَرْجِعُونَ ﴾
“Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve, kështu që (Allahu) do t’i bëjë “të shijojnë” pjesë nga ajo që kanë punuar, me qëllim që ata të kthehen (në përmirësim).” [Rrum: 41]
Se si shkak i gjynaheve ndodhin të këqija dhe fatkeqësi kolektive na mëson edhe pejgamberi ynë, Muhammedi ﷺ. Në një prej haditheve të tij, duke na paralajmëruar për fatkeqësi që mund të na godasin si shkak i mëkateve, ka thënë: “...Nuk ka ndodhë të jetë përhapur prostitucioni në një vend dhe ta bëjnë atë haptazi e të mos jenë përhapur në mesin e tyre murtaja dhe sëmundje për të cilat të parët e tyre nuk kanë qenë në dijeni...” (Sahihu Ibni Maxheh, nr. 3262)
Pra, këto të këqija që ndodhin, duke përfshirë edhe tërmetet, janë pasojë e mëkateve tona. Ato mund të na bëjnë ta përjetojmë hidhësinë e asaj që kemi bërë por mund të jenë edhe shkundje për u kthjellur.
Vëllezër të nderuar!
[Fatkeqësitë janë thirrje për pendim]
Fatkeqësitë janë thirrje edhe për ta korrigjuar veten, për t’i përmirësuar raportet me Allahun xh.sh. Në Kur’an, Allahu na mëson:
﴿ وَمَا نُرْسِلُ بِالآيَاتِ إِلاَّ تَخْوِيفًا ﴾
“...Ne dërgojmë shenja vetëm për t’i frikësuar njerëzit.” [Isra: 59]
Po kështu ka thënë:
﴿ أَوَلَا يَرَوْنَ أَنَّهُمْ يُفْتَنُونَ فِي كُلِّ عَامٍ مَّرَّةً أَوْ مَرَّتَيْنِ ثُمَّ لَا يَتُوبُونَ وَلَا هُمْ يَذَّكَّرُونَ ﴾
“Vallë, a nuk e shohin ata se çdo vit vihen në provë një ose dy herë e prapëseprapë as nuk pendohen, as nuk e mbledhin mendjen?!” [Teube: 126]
Dijetarët myslimanë kanë thënë se ky sprovim është ligj i Allahut xh.sh., për të gjithë njerëzit, pra sprovohen myslimanët dhe jomyslimanët, që të largohen nga mëkatet dhe t’i kthehen Allahut e të pendohen sinqerisht.
Por jo vetëm pendimi. Na duhet edhe angazhimi kolektiv që Allahu të na ruajë nga të këqija të këtilla. Pra, nuk duhet të mendojmë se duhet të kujdesemi vetëm për vetët tona por për të gjithë që të shpëtojmë të gjithë. Buhariu shënon hadithin e Nu’man b. Beshirit në të cilin qëndron se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shembulli i atij që nuk i shkel kufijtë (ndalesat) e Allahut dhe atij që i shkel ato, është sikur shembulli i disa njerëzve që kanë hipur në anije, të cilët, për të zënë vendet kanë hedhur short se kush ku do të ulet. Disave shorti iu ra të ulen lart e të tjerëve poshtë. Këta që ishin poshtë kur kishin nevojë për ujë, kalonin pranë këtyre që ishin lart. Nga keqardhja që ndien për ta thanë: sikur ta hapnim një vrimë në pjesën tonë që të mos i bezdisim ata që janë lart! Nëse i lënë ta bëjnë këtë, do të shkatërrohen të gjithë, ndryshe, nëse i kapin për dore dhe i ndalojnë, shpëtojnë ata dhe shpëtojnë të gjithë.”
Xhematlinj të nderuar!
Nëse të këqijat dhe fatkeqësitë ndodhin si shkak i mëkateve, siguria, harmonia dhe mirëqenia vijnë si rezultat i besimit, moralit dhe punëve të mira. Kështu na ka premtuar Allahu xh.sh., në Kur’an:
Shenje e parë e shërimit është përcaktimi i diagnozës, e cila në rastin tonë është e përkufizuar vetëm në mëkate. Kështu, nëse nga mëkatet janë shkaktuar tërmetet dhe fatkeqësitë tjera natyrore, atëherë me braktisjen e tyre rikthehet qetësia dhe rehatia në tokë. Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ وَلَوْ أَنَّ أَهْلَ الْقُرَى آمَنُوا وَاتَّقَوْا لَفَتَحْنَا عَلَيْهِمْ بَرَكَاتٍ مِنْ السَّمَاءِ وَالْأَرْضِ ﴾
“Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka...” [A’rafë: 96]
Pra, nëse i braktisim mëkatet dhe i kthehemi Allahut xh.sh., duke e besuar sinqerisht dhe duke zbatuar çdo urdhërese të Tij e duke iu shmangur çdo ndalese të Tij, atëherë të mirat e Zotit do të na vijnë me bollëk nga toka e qielli.