FJALORTH[1]
(Lexoje në pdf: https://sedatislami.files.wordpress.com/2022/02/fjalorth.pdf)
A’rafë: kaptina e shtatë në Kur’an. Është quajtur a’rafë (perdja, muri) sipas rrëfimit të një grupi njerëzish që në Ditën e Llogarisë do të qëndrojnë në një vend të caktuar ndërmjet xhenetit dhe xhehenemit derisa të kryhet gjykimi për të gjtihë njerëzit.
Abdullah bin Mes’ud: shok i profetit Muhammed ﷺ.
Abdullah bin Revaha: shok i Profetit Muhammed ﷺ.
Abdullah bin Umeri: shok i Profetit Muhammed ﷺ, i biri i Omerit r.a., dhe vëllai i Hafsasë r.a., gruas së Profetit ﷺ.
Abdurrahman bin Semure: shok i Profetit Muhammed ﷺ.
Ademi: babai i njerëzimit, profet.
Ahlak: moral.
Ajet: shenjë, tregues, citat kur’anor.
Ajshja: Gruaja e Profetit Muhammed ﷺ, vajza e Ebu Bekrit r.a.
Akaid: kredo, besim, shkenca që merret me studimin e besimit.
Aleksandri i Madh: komandant i njohur ushtarak. Ka mendime se është Dhulkarnejni. Shumë popuj e kanë përvetësuar figurën e tij. Edhe historianët shqiptarë thonë se është ilir.
Ali bin Ebi Talib: kushëriri i Profetit Muhammed ﷺ dhe dhëndri i tij. Ishte prej besimtarëve të parë. Pas Uthmanit r.a., është zgjedhur në krye të muslimanëve.
Alija Izetbegoviçi: (1925-2003) Presidenti i Bosnjë dhe Hercegovinës. Mendimtar i shquar musliman.
Alusi: (1803-1854) Mahmud Shihabuddin Ebu eth-Thena el-Husejnij el-Alusi, dijetar mysliman, autor i tefsirit të njohur Ruh el-meani.
As’hab el-uhdud: Besimtarë të përmendur në Kur’an, në kaptinën buruxh (85:4-9), të cilët, për të mos e lënë besimin, kishin sakrifikuare dhe me jetët e tyre.
Asim: (-754) Asim bin Ebi en-Nuxhud, njëri ndër dhjetë lexuesit e njohur të Kur’anit, dijetar mysliman nga Kufa.
Bagdad: kryeqendër botërore e dijeve dhe shkencave dikur. Sot kryeqytet i Irakut.
Begaviu: (1044-1122) Ebu Muḥammed el-Husejn bin Mes’ud bin Muhammed, dijetar musliman, autor i një komentari të njohur të Kur’anit.
Bekare: kaptina e dytë kur’anore. Është emërtuar me këtë emër sipas rrëfimit të Musait a.s., me një grup izraelitësh (2:67-73) të cilëve iu kërkohej therja e një lope për gjetjen e një dorasi.
Bela: Fatkeqësi, sprovë.
Belkiza: mbretëresha e popullit sebe’, e përmendur në Kur’an (27:23-44) në rrëfimin me Sulejmanin a.s.
Beteja e Hendekut: betejë ndërmjet myslimanëve dhe fiseve arabe të cilat ishin bashkuar për t’iu dhënë fund myslimanëve dhe shtetit islam. Ka ndodhur në Medinë, në vitin e pestë sipas hixhretit.
Beteja e Uhudit: betejë ndërmjet myslimanëve dhe idhujtarëve. Ka ndodhur në vitin e tretë sipas hixhretit.
Betejën e Mu’tes: betejë e ndodhur ndërmjet myslimanëve dhe idhujtarëve arabë, të ndihmuar nga romakët. Ka ndodhur në vitin e tetë sipas hixhretit në vendin që tashmë gjeografikisht është në territor të Jordanisë.
Bixhoz: kumar.
Buhariu: (810-870) Muhammed bin Ismail, dijetar i shquar mysliman, autor i librit më të saktë të haditheve, të njohur sipas emrit të tij Sahihu i Buhariut.
Çështjeve të domosdoshme që duhet ditur nga feja: është koncept fetar sipas të cilit ekzistojnë disa gjëra që duhet t’i dijë secili besimtar. Mosnjohja e tyre nuk nënkupton shfajësim apo shkarkim nga përgjegjësia.
Da’ve: predikim, thirrje, ftesë në fenë e Allahut xh.sh.
Dahhaku: (-723) Dahhak bin Muzahim, tabiin, dijetar musliman, tefsirolog
Dëshmia e ymetit: koncept kur’anor (2:143) përkitazi me këtë ymet: “…Ne u bëmë juve një popull të drejtë (një mes të zgjedhur) për të qenë ju dëshmitarë (në ditën e gjykimit) ndaj njerëzve, dhe për të qenë i dërguari dëshmitar ndaj jush…”
Dhulkarnejn: mbret. Rrëfimi i tij përmendet në Kur’an (18:83-98) si model i suksesshëm udhëheqjeje.
Ebu Bekir bin el-Arabi: (1076-1148), Muhammed bin Abdullah el-Arabi, dijetar mysliman nga Andaluzia, tefsirolog, autor i tefsirit Ahkam el-Kur’an.
Ebu Bekir: shok i Profetit ﷺ, mashkulli i parë i rritur që i besoi, babai i gruas së tij, Ajshes r.a. Pas vdekjes së Profetit ﷺ, ka qenë halife, duke u bërë kështu halifeja i parë i myslimanëve.
Ebu Davud: (817-889) Sulejman bin el-Esh’ath el-Ezdi es-Sixhistani, dijetar mysliman, haditholog, autor i koleksionit të haditheve të njohur sipas emrit të tij Suneni i Ebu Davudit.
Ebu Duxhane: shok i Profetit Muhammed ﷺ.
Ebu el-Alijeh:
Ebu Rejhan Biruni: (973-1048) Muhamed bin Ahmed, njëri ndër dijetarët më të cituar në historinë islame. Shquhej në matematikë, astronomi, fizikë. Biruni njihej edhe si gjeograf dhe historian.
Ebu Seid el-Hudrij: shok i Profetit ﷺ.
Ehlu el-hil-l dhe akd: organ konsultues, i ngjashëm me shura-në por i veçuar me kompetenca ekzekutive. Në të, krahas dijetarëve, bëjnë pjesë edhe pushtetarët.
Ehlu sunneti dhe xhemati: synitët, ithtarët ose ndjekësit e sunnetit; shumica dërrmuese e myslimanëve të botës.
El-emru bi-l-ma’ruf ve en-nehju an el-munker: urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, parim fetar, institucion shoqëror.
Enes bin Malik: shok i Profetit ﷺ
Ensar: medinasë, shokët e Profetit ﷺ nga radhët e banorëve të Medinës.
Epsh (ar. heva): çdo gjë që e devijon dhe lajthit njeriun.
Esma ve sifat: emrat dhe cilësitë e Allahut xh.sh., pjesë doktrinare e besimit.
Fadile: pozitë e lartë në Xhennet të cilën mund të arrijë vetëm një rob i Allahut xh.sh., dhe që shpresohet ai rob të jetë Profeti Muhammed ﷺ.
Fahruddin Rrazi: (1150-1210) dijetar mysliman, tefsirolog, autor i tefsirit Mefatih el-gajb.
Farz: vepër obliguese detyruese nga Zoti në mënyrë shumë të rreptë. Moskryerja e farzit ndëshkohet. “Farzi ajn” është obligim individual, kurse “farzi kifaje” është obligim kolektiv. Farzi, pra është obligim islam kryerja e të cilit është e domosdoshme për secilin mysliman apo myslimane të moshës madhore; ibadet i obliguar.
Fekih: jurist fetar, dijetar i fikhut i cili mund të jep fetva.
Fetva: Dekret; mendim zyrtar juridik, ose vendim i dijetarëve rreth çështjeve të ligjit islam; vendimi lidhur me ndonjë çështje të juridiksionit islam.
Fi dhilal el-kur’an: vepra e njohur e Sejjid Kutubit në të cilën ka shpjeguar kuptimet e Kur’anit.
Fikh: Shkencë fetare mbi të drejtën, e cila i përfshin ceremonitë dhe obligimet fetare, familjare, trashëgimisë, qytetare, penale dhe të drejtën kushtetuese si dhe rregullat lidhur me udhëheqjen e luftës (të drejtën e luftës).
Fisit gatafan: fisi i madh arab.
Fitne: provë, ligësi, joshje, persekutim. Zakonisht përdoret në kuptimin e kryengritjes ose përmbysjeve politike.
Fukaha: shumës i Fekih.
Gajb: e fshehur, e pakapshme, e panjohur për shqisat dhe arsyen. Në këto besohet e nuk mund të njihen. Këtu bëjnë pjesë: melaqet, shpirti, xheneti, xhehenemi, xhinët, shejtani, fati, Dita e Gjykimit etj.
Hadith garib: lloj i hadithit (transmetimi i të cilit veçohet me një transmetues të vetëm).
Hadith kudsij: fjalët e Pejgamberit a.s., kurse kuptimi dhe domethënia nga Allahu xh.sh.
Hadith: atë që i Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ e ka thëë, si dhe atë që për të dhe sjelljet e tij e kanë thënë shokët e tij; hadithi është burimi i dytë i sheriatit islam; disiplinë shkencore në kuadër të shkencave islame.
Halif: mëkëmbës, trashëgimtar, prijësi suprem i myslimane; trashëgimtar i plotë i Muhammedit a.s. në aspektin shoqëror, ushtarak, politik, ekonomik, por jo edhe në aspektin pejgamberik.
Haruni: profet, vëllai i Profetit Musa a.s.
Himjer: mbretëri e dikurshme në Jemen.
Hisbe: urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, organ shtetëror që merret me urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja.
Hixhret/hixhrij: Shpërngulja e Profetit ﷺ prej Mekës në Medinë në vitin 622; prej kësaj date fillon njehsimi i kalendarit islam; shënohet si njëra prej datave më të rëndësishme në historinë islame.
Hoxha: shkrues, dijetar, mësues; imam.
Hud: Profeti i Allahut. Me këtë emër quhet edhe kaptina e njëmbëdhjetë në Kur’an.
Hulefai rrashidinë: përkthyer në shqip nënkupton liderët e drejtë. Si term përdoret për katër liderët e besimtarëve pas vdekjes së Muhammedit ﷺ: Ebu Bekrin, Omerin, Uthmanin dhe Aliun, Allahu qoftë i kënaqur me ta!
I’xhaz: mrekulli, sfidim kur’anor, mrekulli kur’anore.
Ibën Abbasi: kushëriri i Profetit ﷺ, njëri prej dijetarëve të dalluar myslimanë.
Ibën Ashuri: (1879-1973), Muhammed bin Tahir, dijetar mysliman, autor i tefsirit Ettahrir ve ettenvir.
Ibën el Xheuzi: (1116-1201), AbduRrahman bin Ali bin Muhammed, dijetar mysliman.
Ibën Hibbani: (884–965), Muhammed bin Hibban, haditholog.
Ibën Kethiri: (1300-1373), Ismail bin Umer, dijetar mylsiman, tefsirolog, autor i tefsirit Tefsir el-Kur’an el-adhim.
Ibën Uthejmini: (1925-2001), Muhammed bin Salih, dijetar mysliman.
Ibrahim: profet, babai i profetëve, sipas tij emërtohet dhe kaptina e katërmbëdhjetë e Kur’anit.
Ihtisab: shih Hisbe.
Imam Hejthemi: (1335–1404), Ali bin Ebi Bekr, haditholog, autor i veprës Mexhmeu ezzevaid.
Imam Kasimiu: (1866-1914), Xhemaluddin bin Muhammed Seid bin Kasim, dijetar mysliman.
Imam Kurtubiu: (1214-1273), dijetar mysliman, tefsirolog, autor i tefsirit të njohur El-xhamiu li-ahkami el-Kur’an.
Imam: prijës, lider. Prijësi i besimtarëve në namaz. Titull i lartë në dijet dhe shkencat fetare.
Iman: besim, besim në një Zot të vetëm absolut, i Cili ka krijuar dhe krijon, ka drejtuar dhe drejton tërë gjithësinë. Besimi në islam përbëhet nga gjashtë shtylla: Besimi i Allahut, i melaqeve, librave, i të dërguarve, i Ditës së Gjykimit dhe i caktimit të Zotit.
Imaret: principatë; kuzhinë humanitare publike, në të cilën përgatitet dhe shpërndahet ushqimi pa kompensim për personat që janë përcaktuar nga themeluesi i atij vakëfi (udhëtarët, skamnorët, nxënësit e medreseve, jetimorja e vendit, etj.).
InshaAllah: “Nëse do Allahu”. Shprehje që përdoret për ta treguar varësinë e vullnetit të njeriut nga i vullneti i Zotit.
Inxhil: libër i Zotit i shpallur të dërguarit të Allahut xh.sh., Isait a.s. (Ungjilli).
Isa: profet i Zotit.
Israilijat: transmetime, rrëfime, këshilla të përcjella nga ithtarët e Librit. Nuk mbështetet në to, por as nuk refuzohen, as nuk pranohen, përveç transmetimeve që përputhen me Islamin dhe mësimet e tij.
Istigfar: kërkim falje për mëkatet e bëra.
Itikad: shih akide.
Ithtarët e Librit: të krishterët dhe hebrenjtë.
Ixhma: Konsensus i juristëve myslimanë lidhur me ndonjë çështje juridike, që nuk është zgjidhur në mënyrë eksplicite në Kur’an e as në sunet; burim i tretë i të drejtës islame.
Je’xhuxhët dhe me’xhuxhët: një ndër shenjat paralajmëruese të Ditës së Fundit. Mendohen si një popull i së keqes, të cilët do të shkatërrohen nga me fuqinë e Allahut xh.sh.
Jusufi: profet, i biri i profetit (Jakub), të birit të Profetit (Ibrahim); kaptina e dymbëdhjetë e Kur’anit.
Kafir: jobesimtar, ai që e fsheh të vërtetën, pasi që ajo i është bërë e qartë atij; ai i cili nuk e do Zotin; qafir.
Karun: me këtë emër në Kur’an njihet Korei i Biblës. Përmendet gjithsej tre herë. Përmendet si i mashtruar pas kësaj bote dhe mosmirënjohës ndaj Allahut xh.sh. Fundi i tij ishte i tmerrshëm.
Kasas: kaptina e njëzetetetë e Kur’anit.
Kassas: romancier; tregimtar; kallëzimtar, predikues që në fjalimin e vet fokusohet tek rrëfimet, jo rrallë të pavërteta, që t’i motivojë njerëzit. Predikimi i tyre është i refuzuar.
Kehf: shpellë, kaptina e tetëmbëdhjetë e Kur’anit, e emërtuar sipas njërit prej rrëfimeve të saja kryesore, në të cilën përmendën djem të rinj që u fshehën në shpellë për ta ruajtur besimin.
Keuther: Shumë të mira që Zoti ia ka dhuruar njeriut; emri i kaptinës së 108 të Kur’anit; burimi i Pejgamberit ﷺ në xhenet.
Kijas: analogjia; burimi i katërt i së drejtës islame.
Konfuqionizmi: njëra prej feve tradicionale kineze, e shfaqur në sekujt VI-V para e.r., që bazohet në tre koncepte: rituali, drejtësia dhe dashuria ndaj njeriut.
Kuds: emërtimi arab për Jerusalemin. Quhet edhe Bejt el-Makdis apo Mukaddes.
Kufr: pabesim; fshehje e së vërtetës për Zotin; mohimi i ekzistencës së Allahut xh.sh.
Kurejshë: fis arab në Mekë, të cilit i përkiste edhe Muhamedi ﷺ.
Leuh mahfudh: pllaka, tabela e ruajtur mirë, vetëm për Allahun e njohur, në të cilën janë të ruajtura të gjitha shpalljet hyjnore, pra edhe Kur’ani –arketipi i tyre. Nga ky vend, Kur’ani iu shpall Profetit Muhammed ﷺ, siç qëndron në kaptinën 88, ajeti 22.
Marrëveshja e Hudejbijes: paqja e parë pas hixhretit ndërmjet myslimanëve dhe idhujtarëve të Mekkës, sipas së cilës për dhjetë vite ndërpritej lufta.
Maverdi: (972-1058), dijetar mylsiman.
Megazi: përmbledhje e betejave të Profetit ﷺ në një libër.
Mesele: ndodhi që tregohet me gojë; tregim me gojë, zakonisht dëfryes; Çështje, punë; Bisedë; fjalë…Çështje që diskutohet e debatohet.
Mëkat i madh: konsiderohet mëkati për të cilin është përmendur kërcënim dhe dënim i rëndë. Besimtari duhet të pendohet nga mëkate të tilla, ndryshe, nëse vdes pa u penduar, mbetet në mëshirën e Allahut, i Cili, mund ta ndëshkojë me drejtësi, apo ta falë me mëshirë.
Mihrab: pjesë e thelluar në pjesën së brendshme, në mes të murit të përparmë të xhamisë, në drejtim të kibles, ku qëndron imami, teksa i prin xhematit me rastin e faljes së namazeve të përbashkëta.
Minber: piedestal prej së paku tri shkallëve në anën e përparme të djathtë të këndit të xhamisë, nga i cili hatibi u drejtohet të pranishmëve ditën e premte gjatë faljes së namazit të xhumasë si dhe gjatë namazeve të bajrameve.
Misr: qytet, vendbanim, Egjipti.
Mizan: peshojë.
Muaviu: i biri i Ebu Sufjanit, shok i Profetit ﷺ dhe mik i tij; halife i myslimanëve.
Mufessir: komentues i Kur’anit.
Muhammed el-Emin esh-Shenkiti: (1897-1973), dijetar musliman, autor i tefsiri Adva el-bejan.
Mukatili: (-767), Mukatil bin Sulejman, dijetar mylsiman, tefsirolog, autor i njërit rpej tefsireve të para të Kur’anit, në mos të parit.
Murted: renegat i fesë; personi që ka zgjedhur një besim të ri; tradhtar; tekstualisht: murtat.
Musa: profet.
Mus’haf: Kur’ani.
Mustehab: atë që Muhamedi ﷺ e ka porositur që të bëhet; gjëra të caktuara, të cilat e zbukurojnë namazin, por edhe pa të cilat namazi plotësisht do të jetë i saktë.
Muxhahidi: (645–722), Muxhahid bin Xhebri, dijetar mysliman nga gjeneratat e para.
Namaz: forma islame e kthimit të drejtpërdrejtë të njeriut kah Krijuesi i vet; kushti i dytë i islamit. Namazi në gjuhën arabe quhet ‘salat’. Namazi është rituali i parë dhe kryesor në islam.
Nasihat: këshillë fetare, ders, vaz.
Naziat: kaptina e shtatëdhjetenëntë e Kur’anit.
Nebij: Pejgamberi i Zotit. Të gjithë ata që nuk kanë pasur shpallje vetjake, por që kanë vazhduar shpalljen e ndonjë pejgamberi paraprak ose të kohës së tij. Sa për ilustrim po përmendim Harunin a.s. është ‘nebij’, sepse e ka ndihmuar Musain a.s.
Nefs: shpirti, fryma; në aspektin e gjerë është shpirti, ndërsa në aspektin e ngushtë është egoja.
Neml: kaptina e njëzeteshtatë e Kur’anit.
Nuh: profet, e shtatëdhjetenjëta kaptinë e Kur’anit.
Omer Muhtari: (1858-1931), luftëtar libian, simbol i rezistencës kundër kolonizuesve italianë.
Omeri r.a.: shok i Profetit ﷺ, halife i myslimanëve pas Ebu Bekrit r.a. Në histori të njerëzimit ka hyrë si njëri ndër liderët më të drejtë dhe njëri prej influencuesve më të mëdhenj në botë.
Resul: i Dërguar; personi të cilin Allahu i madhërishëm e ka zgjedhur që, nëpërmjet tij, t’ia dërgojë mesazhin ndonjë populli apo njerëzimit në tërësi; në përdorimin e përditshëm të myslimanëve, fjala i dërguari i Allahut nënkupton të dërguarin Muhamed ﷺ.
Reshid Rida: (1865-1935), mendimtar mysliman.
Rububijet: pjesë e besimit – Teuhidit, sipas së cilës Allahu ka krijuar çdo gjë dhe se Ai menaxhon me çdo gjë.
Ryshfet: mito.
Sa’di: (1889-1956), emrin e plotë e ka AbduRrahman Nasir Sa’di, dijetar mysliman, autor i tesfirit Tejsir el-Kerim err-rrahman. Fi tefsiri Kelami el-Mennan.
Sahabe: shokë të Profetit Muhammed ﷺ.
Salahuddin Ejjubi: (1137-1193), komandant i shquar mysliman, i cili luftoi kundër kryqtarëve. Ka qenë themeluesi i dinastisë ejubite, mbret, nën sundimin e të cilit ishin Egjipti dhe Siria.
Sebe’: popull antik që udhëhiqeshin nga mbretëresha Belkisa; kaptina e tridhjetekatër në Kur’an.
Sejjid Kutb: (1906-1966), dijetar dhe mendimtar i njohur mysliman, autor i librit –komentimit kur’anor: Fi dhilal el-Kur’an.
Selman Farisiu: shok i Profetit ﷺ.
Sened: zinxhiri i transmetuesve të haditheve.
Sunen: libra që kanë përmbledhur hadithet e Profetit Muhammed ﷺ.
Sunnet: tradita, praktika, zakoni, mënyra e jetës. Përvoja e Profetit ﷺ e cila nënkupton atë që ai e ka vepruar, duke folur, apo e ka lejuar në heshtje; ibadeti, të cilin ai vazhdimisht e ka vepruar “sunneti muekkede” (suneti i fortë) si dhe ato, të cilat nganjëherë i ka lënë “sunneti gajri muekkede” (suneti jo i fortë).
Shefat: ndërmjetësim. E drejta e Profetit ﷺ ose e ndonjë njeriut, të cilit Allahu ia lejon që të që të ndërmjetësojë tek Allahu në Ditën e Gjykimit për mëkatarët.
Shehid: personi, i cili në luftën e tij të drejtpërdrejtë për vlerat islame dhe të drejtat e njeriut, me vetëdije të plotë e në emër të Allahut e sakrifikon jetën e vet; personi, i cili për shkak të veprave të tij të jashtëzakonshme në këtë botë, u bashkëngjitet pejgamberëve të Allahut në xhenet.
Shejh: dijetar i fesë; plak, i shtyrë në moshë; epror, mësues i fesë.
Sheriat: ligji islam.
Sheukani: (1759-1834), Muhammed Sheukani, dijetar mysliman nga Jemeni, autor i disa veprave.
Shirk: Nënshtrimi dhe adhurimi i kujtdo qoftë tjetër përveç Allahut të madhërishëm; politeizmi.
Shura: kuvendim, këshillim, konsultë; marrëveshje; institucioni islam për marrjen e vendimeve të rëndësishme dhe për zgjidhjen e problemeve të rëndësishme.
Taha: kaptina e njëzet në Kur’an.
Takva: devotshmëri.
Talha bin Ubejdullah: shok i Profetit ﷺ.
Talut: personalitet i përmendur në Kur’an (Bekare: 246-249), mbret i izraelitëve.
Tarik Suvejdani: mendimtar mysliman bashkëkohor.
Tefsir: koment, komentar i Kur’anit.
Teuhid: Njëshmëria e Zotit; tekstualisht: ritual vullnetar, në të cilin madhërohet emri i Allahut dhe potencohet njëshmëria e Tij.
Teurat: Tora: (hebr.) – Libri i Allahut i zbritur të dërguarit të Tij, Musait a.s.
Texhdid: rimëkëmbje, ripërtëritje; lëvizje reformiste, e cila përpiqet të rikthejë formën e pastër të Islamit duke iu kthyer Kur’anit dhe Sunetit dhe duke refuzuar ligjet dhe praktikën e mëvonshme.
Tirmidhiu: (824-892) Ebu Isa Muhammed bin Isa, dijetar mysliman, haditholog, autor i njërit prej katër Suneneve – përmbledhjeve të haditheve.
Toka e shenjtë: Bejt el-makdis ose Kudsi në Palestinë (shpjegim i autorit).
Ukbe bin Ebi Muajt: një nga kundërshtarët e përbetuar të Profetit Muhammed ﷺ dhe keqtrajtuesit fizikë të tij. Është vrarë në Betejën e Bedrit. Të gjithë pasardhësit e tij e kanë përqafuar islamin më vonë.
Ulu el-azm: të vendosurit, term që veçon pesë profetë të dalluar: Nuhun, Ibrahimin, Musanë, Isanë dhe Muhammedin a.s.
Uluhijet: adhurim, ndarje e besimit (rububijet, uluhijet, esma dhe sifat). Feja i ka kushtuar rëndësi për shkak se shumica e njerëzve janë njëzëri sa i përket të parës, rububijetit, pra se Allahu është krijues, ndërsa janë ndarë sa i përket adhurimit.
Umejje bin Halef: një nga kundërshtarët më të mëdhenj të Profetit Muhammed ﷺ; pronari i Bilalit r.a., të cilit e torturonte për shkak të besimit. Është vrarë në Betejën e Bedrit.
Ummu Habibe: Remle bint Ebi Sufjan, gruaja e Profetit Muhammed ﷺ, nënë e besimtarëve.
Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja: pjesë esenciale e fesë, institucion fetar i cili merret me luftimin e dukurive negative në shoqëri. Shih: El-emru bi-l-ma’ruf ve en-nehju an el-munker.
Usame bin Zejdi: shok i Profetit Muhammed ﷺ.
Usuli fikh: Burimet e fikhut; shkenca që merret me studimin e burimeve të fikhut dhe me metodat me anën e të cilave nxirren dispozitat (rregullat) e fikhut.
Usulij: studiues i shkencës së Usuli fikhut, fundamentalist.
Uthman bin Affani: shok i Profetit ﷺ, dhëndër i tij, halife i myslimanëve pas Omerit r.a.
Vahj: shpallje, revelatë.
Vakëf: pasuria e lënë testament për qëllime bamirësie, nën kushte të veçanta që gjenden në vakëfname. Kjo pasuri shfrytëzohet vetëm për destinim të caktuar dhe ajo nuk është në dispozicion të lirë të askujt; me pasurinë vakëfnore në Kosovë udhëheq Bashkësia e Kosovës; zyra e vakëfit ka për qëllim Këshillin e Bashkësisë Islame.
Vaxhib: obligim, kategori normative: detyrë që duhet kryer.
Vaz: këshillë, predikim, nasihat.
Vesile: mjet, mjet (vepër) për tu afruar tek Allahu.
Xhafer bin Ebi Talib: kushëriri i Profetit ﷺ.
Xhahil: injorant, i paudhëzuar.
Xhahilijet: injorancë, periudhë kur sundon e keqja, periudha para shpallje së Islamit.
Xhemat: komunitet, grup, besimtarët që falin namazin. Për shkak të lidhjes dhe afërsisë së besimtarëve ndërmjet vete, njihen me këtë emër (Ehlu Sunneti dhe xhemati).
Xhibrili: engjëll, i ngarkuar me detyrën e shpalljes tek profetët.
Xhuma: dita e gjashtë e javës, dita në të cilën besimtarët kryejnë namazin kolektiv të njohur sipas kësaj dite, namazin e xhumasë.
Xhumhuri: shumica, pjesa dërrmuese e dijetarëve që ndajnë mendim të njëjtë.
Ymet: bashkësi, bashkësia e të gjithë myslimanëve.
Zebur: libri që i është shpallur Davudit a.s.
Zejd bin Harithe: shok i Profetit ﷺ.
Zejneb bint Xhahsh: bashkëshortja e Profetit ﷺ, nënë e besimtarëve.
Zekat: detyrim material që jepet për pasurinë në baza vjetore, shtyllë e fesë.
Zemahsheriu: (1075-1144) dijetar mysliman, tefsirolog, autor i tefsirit të njohur El-keshaf.
Zexhaxh: (855-923), gjuhëtar i njohur mysliman, i lindur dhe vdekur në Bagdad.
[1] Fjalorthi është botuar si shtojcë e librit të Prof. Dr. Hajrdin Hoxha Lidershipi i sukesshëm të cilin dr. Sedat Islami e ka përkthyer në shqip. Në këtë përmbledhje janë të përfshira vetëm termet, nocionet dhe personalitetet e përmendura në këtë libër. Literatura bazë: Ruqaiyyah Waris Maqsood, Fjalor bazë i Islamit, përkthyen: Ermal Bega dhe Xhabir Hamiti, (Tiranë: A.C.F.O.S. Books; 2020); Qemajl Morina, Glosar i nocioneve fetare, (Prishtinë: Fakulteti i Studimeve Islame – Prishtinë, 2010); Ali bin Muhammed Xhurxhani, Etta’rifat, (Bejrut: Dar el-kutub el-ilmije, 1983); Deeb Al-Khudrawi, Dictionary of Islamic terms arabic – english & english – arabic, (Damas – Bejrut: Al Yamamah); Fjalori arabisht-shqip i Prof. Isa Memishit, versioni online (https://arabisht-shqip.com/).