Besimtarë të nderuar!
Sot, në këtë ditë xhumaje, ka rastisur të jetë edhe një ditë tjetër e madhe, Dita e Arafatit. Është një mirësi e madhe e Allahut ndaj nesh kur brenda një dite na dhuron dy të nimete dhe begati të këtilla për çka duhet ta falënderojmë shumë. Dita e Arafatit është një ditë e veçantë për ne besimtarët. Kjo për shkak të simbolikës dhe vlerave që ka. Dita e Arafatit është:
Ditë feste për myslimanët
Dita e shpalljes së plotësimit të fesë. Pikërisht në Arafat u shpall ajeti:
الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمْ الْإِسْلَامَ دِينًا
“… Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe…” [Maide: 3]
Dita më e mirë. Nëse Nata e Kadrit është nata më e mirë e vitit, nëse Dita e Xhumasë është dita më e mirë e javës, atëherë Dita e Arafatit është dita më e mire e vitit.
Agjërimi i kësaj dite i shlyen mëkatet e dy viteve. Pejgamberi ﷺ ka thënë:
صِيَامُ يَومِ عَرَفَةَ، أَحْتَسِبُ علَى اللهِ أَنْ يُكَفِّرَ السَّنَةَ الَّتي قَبْلَهُ، وَالسَّنَةَ الَّتي بَعْدَهُ
“Shpresoj në Allahun se agjërimi i Ditës së Arafatit i shlyen mëkatet e vitit paraprak dhe vitit vijues.”[1]
Dita e Arafatit është dita kur fillon tekbire pas çdo namazi farz për të vazhduar kështu deri në ikindinë e ditës së katërt të bajramit.
Duaja më e mirë është duaja në Ditën e Arafatit. Pejgamberi ﷺ ka thënë:
خيرُ الدُّعاءِ دعاءُ يومِ عرفةَ
“Duaja më e mirë sëhtë duaja e Ditës së Arafatit…”[2]
Këto ishin vetëm disa prej mirësive dhe veçorive të kësaj dite ndryshe ka dhe shumë të tjera. Për shkak të rëndësisë, do të përmendim vetëm edhe një veçori. Ibën Abbasi r.a., transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Allahu mori besën e pasardhësve të Ademit në Ne’man (Arafat). Prej kurrizit të tij nxori të gjithë pasardhësit e Ademit që i ka krijuar, i shpërndau para Vetes, ashtu siç i takon madhërisë së Tij, si të ishin thnegla-milingona (ose si shumë të vegjël) dhe iu foli duke iu drejtuar:
أَلَسْتُ بِرَبِّكُمْ
…A nuk jam Zoti juaj?”
Ata thanë:
قَالُوا بَلَى
“Po, dëshmuam!”[3]
Xhematlinjë të dashur!
Këto ditë të mëdha përmbyllen me ditën e nahrit, ditën e therjes së kurbanit. Pra, është vepra me të cilën ne kurorëzojmë adhurimin dhjetëditor. Kurbani theret që këto festa shumë të mëdha dhe jashtëzakonisht të rëndësishme të mos lënë pa i gëzuar edhe fukaratë. Mu për këtë Allahu i Madhëruar ka thënë:
لَن يَنَالَ اللَّهَ لُحُومُهَا وَلَا دِمَاؤُهَا وَلَٰكِن يَنَالُهُ التَّقْوَىٰ مِنكُمْ ۚ
“Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj…” [Haxh: 37]
Kurbani, sipas medhhebit hanefi është vaxhib. Pra, ai që ka mundësi duhet të ther kurban.
Kurban është kafsha që theret, dhe e cila mund të jetë: dele, lopë, deve.
Një dele vlen për një person me gjithë familje ndërsa në një lopë mund të marrin pjesë shtatë persona (me familjet e tyre).
Që një kurban të jetë i vlefshëm, duhet t’i plotësojë kushtet në vazhdim:
të jetë i moshës së kërkuar: së paku 6 muaj për dashin, 1 vit për edhin, 2 vite për lopët.
të mos ketë të meta, si p.sh.: verbëria, sëmundja e qartë, çalimi i qartë, dhe e dobëta fizikisht.
Ekzistojnë edhe të meta tjera të cilat ndonëse nuk e ndalojnë që kafsha të theret për kurban megjithëkëtë nuk preferohet, si p.sh., kafsha që e ka bririn e thyer, veshin e prerë, hundën e dëmtuar. Kjo për arsye se ajo që ofrohet për Zotin duhet të jetë e mirë.
Therja e kurbanit në kohën e duhur, e që fillon nga koha kur falet namazi i kurban bajramit e vazhdon deri në perëndimin e diellit në ditën e katërt të bajramit ose ditën e tretë të teshrikut -siç njihet në fjalorin fetar.
Kurbani më së miri është të ndahet në tre pjesë: një pjesë për familjen, një tjetër për miqtë e të afërmit, dhe pjesa e tretë për të varfrit.
Ata që i therin kurbanet në shtëpi, nëse angazhojnë ndonjë kasap duhet ta paguajnë dhe jo në këmbim të therjen t’i japin mish ose lëkurën e kurbanit.
Nuk lejohet therja e kurbanit për të vdekurin natën e bajramit, siç është vepruar dikur gabimisht. Kurbani theret pasi të falet bajrami ndërsa në të, përveç të gjallëve, mund të përfshihen edhe të vdekurit. Por lejohet therja e kurbanit për të vdekurin nëse ai e ka lënë testament apo thjesht i bëhet sadaka nga të afërmit por që me këtë rast duhet marrë parasysh kohën e therjes, pra theret pasi të falet bajrami.
[1] Hadithin e shënon Muslimi, nr. 1162.
[2] Hadith hasen. Shih: Sahih et-Tirmidhij, nr. 3585.
[3] Ajeti 172 nga kaptina A’rafë. Hadithin e shënon Imam Ahmedi në Musnedin e tij ndërsa Shejh Albani e ka cilësuar autentik.