Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
QË TA GJEJMË ËMBËLSINË E RAMAZANIT

Të nderuar vëllezër! Adhurimet kanë shijen e tyre të ëmbël të cilën vetëm shpirtrat e dëlirë dhe të pastër mund ta gjejnë e shijojnë. Hasan Basriu, një dijetar nga brezat e parë, namazin, leximin e Kur’anit dhe dhikrin i shihte si adhurime në të cilat mund ta gjejmë këtë ëmbëlsi. E tani kur jemi në Ramazan, i cili dallon, përveç tjerash, edhe për shumëllojshmëri të adhurimeve, duke përfshirë me theks të veçantë këto tre adhurimet e përmendura sipër, konsiderojmë se mundësia për ta gjetur e shijuar këtë ëmbëlsi të adhurimeve është më e madhe se kurdoherë më parë, prandaj, sot, në hytben e kësaj xhumaje, do të flasim për adhurimet në Ramazan dhe reflektimin e tyre në shpirtrat dhe veprat tona. Besimtarë të nderuar! Adhurimi ka rëndësi të madhe në fe. Është arsyeja pse ne ekzistojmë. Në Kur’an Allahu i madhëruar na shpalos këtë sekret të ekzistimit tonë: ‎﴿‏ وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ ‎﴿٥٦﴾‏ “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” [Dharijat: 56] Ramazani, si muaj me synime të mëdha edukative që është, namazin e ka në epiqendër të angazhimeve të tij. Pra, nuk dallohet vetëm për agjërimin por edhe për namazin. A nuk janë teravitë veçori e Ramazanit? Pejgamberi a.s., duke na folur për këtë çështje ka thënë: “Kush falet në Ramazan me besim dhe llogaritje në shpërblimin e Allahut, do t’i falen mëkatet e mëparshme.” Pra, të falesh me zemrën plot besim, me sinqeritet, të falesh duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, në mirësinë që do ta gjesh, të falesh duke e përjetuar namazin, do të falen mëkatet dhe do të shpërblehesh tek Allahu. Paramendo vetëm një detaj nga namazi i cili vërtetë të bën të ndihesh i privilegjuar. Kur të falesh përkujto se ti je në fqinjësi të Allahut; flet me Të e Ai fol me ty. Imam Muslimi shënon në Sahihun e tij hadithin e Ebu Hurejres r.a., në të cilin qëndron: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Allahu i madhëruar thotë: E kam ndarë namazin (suren fatiha) ndërmjet Meje dhe robit Tim në dy pjesë, e robit Tim do t’ia jap atë që e kërkon. Kur të thotë robi: El hamdu li-Lahi Rabbi-l-alemin - Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve, Allahu thotë: Më falënderoi robi Im. Kur të thotë: Err Rrahmani err-rrahim - të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, Allahu thotë: Më lëvdoi robi Im. Kur të thotë: Maliki jevmi-d-din ¬ Sunduesit të Ditës së Gjykimit, Allahu thotë: Më madhëroi robi Im. Një herë ka thënë: M’i besoi punët e veta robi Im! Kur të thotë: Ijjake na’budu ve ijjake nestein - Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë, Allahu thotë: Kjo është në mes Meje dhe robit Tim, e robit Tim do t’i jap atë që kërkon! Kur të thotë: Ihdina-s-sirata-l-mustekim sirata-l-ledhine en’amte alejhim gajri-l-magdubi alejhim ve la-d-dal-line - Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!, Allahu thotë: Kjo i përket robi Tim e robit Tim do t’i jap atë që kërkon. Çfarë kënaqësie më të madhe mund të përjetosh sesa ta kesh këtë mundësi të bashkëbisedimit me Allahun e madhëruar, këtë bisedë në të cilën Allahu të përgjigjet dhe të shpërblen me udhëzim në rrugën e drejtë. Çfarë kënaqësie më të madhe mund të kesh sesa të jesh pranë Zotit tënd. A nuk ka thënë Pejgamebri a.s.: “Robi më së afërmi Zotit është kur të jetë në sexhde andaj bëni dua sa më shumë!” Xhematlinj të respektuar! Veçori tjetër e Ramazanit është shpallja e Kur’anit, këtij libri me leximin e të cilit fitojmë shpërblime të mëdha dhe udhëzohemi në rrugën më të drejtë të mundshme. Allahu i madhëruar thotë: ﴿شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِّلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِّنَ الْهُدَىٰ وَالْفُرْقَانِ﴾ “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja)...” [Bekare, 185] Ajo që na bën të lidhemi me Kur’anin më shumë është pozita e tij tek ne. Pejgamberi a.s., ka thënë: “Vërtetë, vlera e Fjalës së Allahut ndaj fjalëve tjera është sikur vlera e Allahut ndaj krijesave të Tij.” Kur’ani është Fjalë e Zotit, është udhëzues, madje udhëzuesi më i mirë . Kur’ani është udhëzues dhe shërues, shërues i shpirtrave nga çdo e keqe. Allahu i madhëruar thotë: ‎﴿‏ وَنُنَزِّلُ مِنَ الْقُرْآنِ مَا هُوَ شِفَاءٌ وَرَحْمَةٌ لِّلْمُؤْمِنِينَ ۙ وَلَا يَزِيدُ الظَّالِمِينَ إِلَّا خَسَارًا ‎﴿٨٢﴾‏ “Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje.” [Isra: 82] Ky shërim, siç kanë shpjeguar dijetarët, është shërim shpirtëror. Ibën Xheuziu efektin shërues të Kur’anit për shpirtin e krahasonte me efektin shërues të mjaltit për trupin, thoshte: “Leximi i Kur’anit ndikon në shërimin e zemrave ashtu siç mjalti ndikon në shërimin e sëmundjeve të turpit.” Leximi i Kur’anit na sjell shpërblime të mëdha. Ja çfarë na mëson Pejgamberi a.s.: “Kush e lexon një germë nga Libri i Allahut ka për të një të mirë e një e mirë shpërblehet me dhjetë sosh. Nuk po them elif-lam-mim një germë por elif germë, lam germë dhe mim germë.” Të nderuar vëllezër! Bashkësia islame e Kosovës ka paraparë aktivitetet të veçanta sa i përket Kur’anit dhe leximit të tij. Në secilën komunë në xhaminë qendrore të saj organizohet mukabele ndërsa Imamët në çdo xhami janë të obliguar që të mbajnë mësimbesim ku përfshihet dhe mësimi i leximit të Kur’anit prandaj të gjithë ata që duan ta mësojnë leximin e Kur’anit apo ta përforcojnë atë e kanë këtë mundësi në të gjitha xhamitë tona. Vëllezër besimtarë! Ramazani është muaj i lutjeve ose thënë më mirë i pranimit të tyre. Pejgamebri a.s., na ka mësuar: “Tre lutje nuk refuzohen: lutja e prindit për fëmijën, lutja e agjëruesit dhe lutja e udhëtarit.” Mundësi e jashtëzakonshme veçmas nëse e kemi parasysh premtimin që na ka bërë Zoti ynë: ‎﴿ وَإِذَا سَأَلَكَ عِبَادِي عَنِّي فَإِنِّي قَرِيبٌ ۖ أُجِيبُ دَعْوَةَ الدَّاعِ إِذَا دَعَانِ ۖ فَلْيَسْتَجِيبُوا لِي وَلْيُؤْمِنُوا بِي لَعَلَّهُمْ يَرْشُدُونَ ‎﴿١٨٦﴾‏ E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.” [Bekare: 186] Së këndejmi, të nderuar vëllezër, nëse e falim namazin rregullisht dhe me përkushtim, nëse e lexojmë Kur’anin dhe veprojmë sipas tij, nëse e lusim Allahun dhe i përgjërohemi Atij, ne jo vetëm që do ta shijojmë ëmbëlsinë e adhurimeve por do të gjejmë efektet e tyre të qarta në jetën tonë, në ndreqjen e çdo gjëje që mëkatet e kanë shtrembëruar. Prandaj të mos i lëshojmë këto shanse e mundësi por të nxitojmë e të përfitojmë prej tyre, të nxitojmë tek Zoti ynë që të jetë i kënaqur me ne!


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013