Të dashur vëllezër besimtarë!
Ramazani, krahas adhurimeve, karakterizohet edhe për vlerat dhe historitë të cilat e bëjnë edhe më madhështor. Është muaj i ripërtëritjes së lidhjeve me të afërmit e farefisin. Nxitjet që Kur’ani dhe Sunneti kanë bërë për mbajtjen e këtyre lidhjeve marrin dimension tjetër në këtë muaj. Allahu i madhëruar thotë: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit, të afërmit…” [Nisa, 36]
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le t’i mbajë lidhjet farefisnore!”[1]
Siç mund të shohim, mbajtja e këtyre lidhjeve me të afërmit e farefisin ka rëndësinë e vet sepse në ajet, si vepër, është vënë paralel me vepra të rëndësishme si besimi në Zot dhe mirësjellja me prindërit, sikur që në hadith është kushtëzuar me besim, pra kush e beson Allahun, le t’i mbajë lidhjet me të afërmit. Nga këtu, shkëputja e këtyre lidhjeve është përshkruar si mëkat i madh, aq sa Pejgamberi ﷺ na ka treguar se në xhenet nuk do të hyjë ai që i shkëput lidhjet.[2]
Mbajtja e lidhjeve me të afërmit është koncept i veçantë në Islam. Dallohet për vetiniciativën dhe këtu fshihet madhështia e tij. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mbajtësi (i lidhjeve farefisnore) nuk është kompensues; mbajtës është ai që, kur të shkëputet nga të afërmit, i mban lidhjet.”[3] Pra, mbajtës i vërtetë nuk llogaritet ai që i bën mirë vetëm atyre që i kanë bërë mirë dhe i mban lidhjet vetëm me ata që i mbajnë me të por ai që kur të tjerët ta lëçisin, vazhdon t’i mbajë lidhjet.
Po kështu përkujdesja materiale për të afërmit ka shpërblim të dyfishtë pikërisht për shkak të efektit që ka në forcimin e lidhjeve. Pejgamebri ﷺ ka thënë: “Lëmosha për një të varfër është thjesht lëmoshë ndërsa për të afërmin vlerësohet dyfish: lëmoshë dhe mbajtje e lidhjeve.”[4]
Prandaj nga kjo perspektivë, Ramazanin mund ta cilësojmë si një festival njëmujor të lidhjeve familjare dhe farefisnore. Vizitat dhe organizimet e iftareve familjare, farefisnore dhe shoqërore që po shohim në mesin e popullit tonë janë vërtetë për të na gëzuar, janë sihariq se mirësia në këtë popull nuk është sosur, se vlerat nuk janë shuar, se e ardhmja e tij do të jetë e ndritur nëse këtë përkujdesjen dhe interesimin që na mëson Ramazani për njëri-tjetrin e shndërrojmë në praktikë të përhershme.
Xhematlinj të nderuar!
Ramazani është muaj në të cilin besimtarët kujtojnë edhe një ngjarje historike pesha e së cilës është vërtetë e madhe, Betejën e Bedrit. Hapja e betejave të myslimanëve me të shënon fillimin e një epoke kur myslimanët nuk ishin më në pozitën e të shtypurit. Për trembëdhjetë vite në Mekkë kishin përjetuar tortura nga më të ndryshmet, madje kishte edhe të atillë nga besimtarët që shkaku i këtyre torturave kishin vdekur. Me kalimin në Medinë këtyre torturave do t’iu vinte fundi. Zoti tani kishte lejuar që myslimanët ta përdorin forcën për ta larguar dhunën dhe padrejtësinë (Kur’ani: Haxh, 39-40). Duke iu përgjigjur kësaj thirrje hyjnore për ta luftuar të padrejtën, Pejgamberi ﷺ bashkë me treqind e katërmbëdhjetë shokë dolën për ta penguar karvanin e idhujtarëve mekkasë që po vinte nga Shami. Karvani përbëhej nga njëmijë deve dhe marrja e tij do të kishte efekt të rëndë për idhujtarët. Kjo lëvizje e myslimanëve i provokoi idhujtarët andaj ata, të nxitur nga inati e fanatizmi, përgatitën një ushtri prej njëmijë ushtarësh, dhe ia mësyn Mekkës. Motivet e tyre dallonin nga motivet e myslimanëve: gjithçka kishte të bënte me dhunë, padrejtësi, fanatizëm e kryelartësi. Kështu, më 17 ramazan të vitit të dytë sipas hixhretit, myslimanët u ballafaquan ushtarakisht me idhujtarët në një vend, ndërmjet Mekkës dhe Medinës, të quajtur Bedër, dhe në një ditë që Kur’ani e quan dita e furkanit[5], dita ndarjes së të vërtetës nga e kota. Edhe pse ishin trefish më shumë në numër dhe posedonin arsenal ushtarak shumë më shumë se besimtarët, idhujtarët u mposhtën. Ishte ndihma e Allahut ajo që ua solli këtë fitore historike dhe të papërsëritshme. Allahu xh.sh., duke na rrëfyer për këtë thotë: “Ju kërkuat ndihmë nga Zoti juaj e Ai ju përgjigj: “Unë do t’ju ndihmoj me një mijë engjëj të cilët do të vijnë njëri pas tjetrit”. 10. Allahu e bëri këtë fitore si lajm të mirë, që të qetësohen zemrat tuaja me të. Fitorja vjen vetëm nga Allahu. Me të vërtetë, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” [Enfalë, 9-10]
Kështu e ka ligji i Zotit, kush e ndihmon Zotin duke i besuar, duke iu bindur e duke punuar për fenë e Tij, Ai do t’i ndihmojë ata.
Të dashur vëllezër besimtarë!
Dalëngadalë po hyjmë në pjesën e tretë dhe të fundit të Ramazanit, në ditët, të cilat kanë ngjarjet dhe rëndësinë e pakrahasueshme. Kemi Çlirimin e Mekkës që me të drejtë konsiderohet një nga ngjarjet më madhështore në historinë islame dhe jo vetëm. Shkaqet pse ndodhi dhe mënyra se si rrodhën ngjarjet janë pasqyrë ku reflekton madhështia e kësaj feje dhe pejgamberit të saj. Pavarësisht që kurejshët e luftuan, Pejgamberi ﷺ, insistonte në paqe. Për këtë qëllim, edhe atëherë kur kurejshët e penguan nga kryerja e Umres, ai prapë ishte për paqe, madje edhe lidhi marrëveshje dhjetëvjeçare për ndalim të luftës. E kur kjo e fundit u shkel për shkak të pabesisë së idhujtarëve kurejshë, të cilët tinëzisht ndihmuan aleatët e tyre kundër aleatëve të Muhammedit ﷺ, duke shkaktuar vdekjen e më shumë se njëzet burrave prej tyre, atëherë Muhammedi ﷺ, u nis për në Mekkë për atë që Allahu e quan çlirim, ndihmë dhe fitore. “Ne të dhamë ty një fitore të qartë.” [Fet’h, 1][6]
Si ngjarje, ka rëndësi të shumëfishtë: është fitore e të vërtetës ndaj të pavërtetës ose besimit ndaj idhujtarisë, është mundësia e kalimit të njerëzve në Islam sepse me çlirimin e Mekkës shumë fise e pranuan Islamin, është mënyrë madhështore për ta prezantuar Pejgamberin ﷺ dhe vlerat e tij. Pavarësisht se përjetoi ditë të rënda në Mekkë, duke rezultuar me largim të tij të dhunshëm prej saj, ai tani, kur kishte mundësinë të hakmerrej ndaj atyre që ia shkaktuan gjithë këto plagë, i fali. Çlirimi i Mekkës shpalos vlerat e çliruesve. Pejgamberi ﷺ, hyri në Mekke ndërsa nuk e ngrittë kokën lart. Nga modestia dhe falënderimi i madh për Allahun, qëndronte i përulur, sepse momentet e triumfit janë momente kur duhet falënderuar Allahun për to.
Vëllezër besimtarë!
Para nesh kemi dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Kemi mundësinë e artë që ta arrijmë Natën e Kadrit dhe të na falen mëkatet. Ka qenë praktikë e Pejgamberit ﷺ që këtyre dhjetë ditëve dhe netëve t’i kushtonte rëndësi më të madhe. Respektivisht kërkonte që familjes t’i kushtojmë rëndësi duke mos lejuar që shanset sikur Nata e Kadrit, që ka vlerë më shumë se një jetë e tërë, të kalojnë pa u shfrytëzuar. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush falet në Natën e Kadrit me besim dhe duke llogaritur në shpërblimin e Zotit, i falen mëkatet e mëparshme.”[7]
Pra, duke iu përkushtuar adhurimit, ne mund ta fitojmë preminë e Ramazanit, faljen e mëkateve. Për këtë shkak, preferohet që në këto dhjetë ditë të shmangen kontaktet e panevojshme me të tjerët. Ka qenë traditë e shokëve të Muhammedit ﷺ që këto dhjetë ditë t’i kalojnë në xhami me arsyetimin se po duam ta ruajmë Ramazanin. Pra, duke qëndruar në xhami, shmangen bisedat e kota dhe qëndrimet e padobishme, kështu që kjo krijon mundësinë vetvetiu për fitim të shpërblimit.
Allahun e lusim të në fisnikërojë me vlerat dhe virtytet e Ramazanit, të na begatojë me mirësitë e tij dhe mos na privojë nga mirësia e Natës së Kadrit!
[1] Buhariu, nr. 6138
[2] Buhariu, 5884; Muslimi, 2556.
[3] Buhariu, 5991.
[4] Tirmidhiu, nr 658; Nesaiu, nr. 2582; Ibën Maxheh, nr. 1844. Teksti është i Ibën Maxhes.
[5] Enfalë, 41.
[6] Shih edhe: Nasr, 1.
[7] Buhariu, 1901; Muslimi, 759.