Po, unë i mora paratë.
Këto janë fjalët e fundit që tha Imami para se t’ia fillonte të qante. Por, më lejoni tua rrëfej historinë nga fillimi.
Një fshat i vogël në një prej vendeve afrikane nuk kishte Imam. Një i sapo diplomuar në Universitetin Islamik të Medinës kishte shkuar për të shërbyer. Ishte e pazakonshme të kesh në një fshat të këtillë një Imam me një përgatitje të këtillë, prandaj për ta nderuar, veçmas gjatë Ramazanit, fshati kishte vendosur që secila shtëpi ta ftonte për iftar. Në natën e parë shkoi në një shtëpi, natën e dytë në tjetrën, natën e tretë në të tretën e kështu me radhë derisa i ra të shkonte tek një çift që nuk kishin fëmijë. Shkoi pak më herët se koha e iftarit prandaj derisa të bëhej gati ushqimi dhe të vinte koha e iftarit e futën në një dhomë. Imami e kishte zakon, për shkak të obligimeve, pas ngrënies së iftarit të mos e zgjaste shumë. Kështu veproi edhe këtë natë. Pasi shkoi Imami gruaja kishte vënë re se pikërisht paratë që kishte vendosur nën shtrojën ku kishte qenë ulur Imami mungonin. Nuk e kishte idenë se çfarë kishte ndodhur por ishte e bindur se paratë kishin qenë aty. Kërkuan në çdo pjesë të dhomës por nuk i gjetën ato. Mendja iu shkoi tek Imami por nuk mund ta nxirrnin atë fjalë nga goja. Kërkuan prapë dhe duke qenë se nuk i gjetën dhe se askush tjetër nuk kishte qenë në shtëpi u bindën se Imami i kishte marrë.
Pavarësisht se e mbanin fshehtë, burri i shmangej kontaktit me Imamin. Pra, ishte i zemëruar dhe nuk dëshironte të qëndronte me të. Kaluan muaj dhe Ramazani erdhi prapë. Tradita e iftarit për Imamin vazhdoi. I erdhi radha edhe kësaj familje. Si t’ia bënin? Ta ftonin atë që ua mori paratë? Pasi diskutuan, vendosën ta ftojnë. Erdhi Imami dhe pas iftarit burri filloi ta pyeste:
A ke vënë re disi një ftohje të raporteve të mia me ty?
Po, iu përgjigj Imami dhe shtoi se sa e sa herë kishte dashur të ndalej që ta diskutonte këtë por nuk kishte gjetur kohën e përshtatshme.
E di pse kam vepruar kështu? – e pyeti burri.
Jo.
Në vitin e kaluar, aty ku qëndroje ulur, ne kishim fshehur ca para, të cilat, pasi shkove ti, nuk i gjetëm më kurrë. Kërkuam atë natë e vazhduam pastaj edhe net tjera por nuk i gjetëm. Zemra nuk na qetësohej dhe bindja jonë ishte se ti je ai që i ke marrë ato para.
Imamit iu skuqën sytë dhe filluan lotët t’i rrjedhin. Përse nuk më keni folur për këtë gjë?- iu drejtua Imami.
Jemi turpëruar ta bisedojmë këtë me ty – i tha burri.
Po, unë i kam marrë ato para! – tha Imami. Burri që ishte me të dhe gruaja që e dëgjonte bisedën nga dhoma tjetër u shokuan. Imami e pranoi se kishte marrë paratë. U krijua një heshtje vrasëse të cilën dënesja e Imamit e bënte edhe më tragjike.
Nuk po qaj pse ju po më akuzoni, dhe as që ju jeni të sigurt se unë i kam marrë paratë. Po, unë isha ulur në atë dhomë ku ju kishit paratë. Duke pritur për ju dhe ushqimin, filloi të frynte një erë e cila e lëvizi shtrojën dhe paratë filluan të fluturonin. Arrita t’i kapi që të mos humbasin dhe, duke qenë se afër kisha një Mus’haf (Kur’an), i futa aty.
PO QAJ SE SI JU PËR NJË VIT TË TËRË, NGA RAMAZANI I KALUAR, NUK E PASKENI HAPUR KUR’ANIN KURRË.
Tani kur Ramazani po bëhet gati të ndahet prej nesh, le të mbetet lidhja jonë me Kur’anin e përditshme. Të mos i ndahemi, të mos e braktisim, të mos ndalojmë së vepruari me të.
Burimi:
https://youtu.be/EvYOrkisSxo
Produced By One Islam Productions
By Mohammad AlNaqwi