Njerëzit, thellë në shpirt, fshehin dëshirën për të qenë të mirë, madje edhe nëse kanë bërë gabime e mëkate shumë. Në rrëfimet profetike kemi mësuar për një njeri që ka vrarë njëqind njerëz dhe që është penduar . Ka qenë fara e së mirës ajo që ka shpërthyer mbi llumin e mëkateve të këtij njeriu dhe e ka nxjerrë atë nga humnera. Kjo farë ekziston tek secili njeri, vetëm se, disa, të ndikuar nga faktorë të jashtëm (epshi, shoqëria e keqe, tiparet e urryera, disfata shpirtërore), e mbajnë atë të robëruar, të shtypur, nën gërmadhat e mëkateve. Në mësimet fetare na janë dhënë shpjegime të mjaftueshme për mënyrat se si i hapet rrugë kësaj fare që të sheh dritën.
Një nga këto mësime është edhe ai që na përshkruhet në një hadith profetik, të cilin na e transmeton sahabiu i nderuar, Amr bin El Asi (r.a.). Ai tregon se një njeri e kishte pyetur Pejgamberin ﷺ:
أَىُّ النَّاسِ أَفْضَلُ؟قَالَ: «كُلُّ مَخْمُومِ الْقَلْبِ صَدُوقِ اللِّسَانِ.»
قَالُوا: صَدُوقُ اللِّسَانِ نَعْرِفُهُ، فَمَا مَخْمُومُ الْقَلْبِ؟
قَالَ: «هُوَ التَّقِيُّ النَّقِيُّ لاَ إِثْمَ فِيهِ وَلاَ بَغْىَ وَلاَ غِلَّ وَلاَ حَسَدَ.»
Cili është njeriu më i miri?
Pejgamberi ﷺ tha: «Çdo njeri që ka zemër mahmum dhe gjuhë të pastër e të sinqertë.» Këtë të pastrin e të sinqertin në gjuhë po e njohim (kuptojmë se si është), por ky me zemër mahmum, ky kush është?- e pyetën. «Është zemra e devotshme, e pastër, në të cilën nuk ka mëkat, as padrejtësi, as urrejtje dhe as zili.»- u përgjigj .
Pra, që t’i hapim rrugë të mirës, duhet të pastrojmë zemrën dhe gjuhën.Në momentin e parë që dëgjojmë këtë hadith, mendja na shkon:
1) Athua vallë, përse janë përzgjedhur pikërisht këto dy organe të trupit dhe cila është lidhja ndërmjet tyre?
2) Çfarë nënkuptojmë me pastrimin e zemrës e çfarë me atë të gjuhës?
3) Cila është rëndësia e pastrimit të tyre?
1. Lidhshmëria ndërmjet zemrës dhe gjuhës
Zemra dhe gjuha kanë një lidhje të rëndësishme ndërmjet vete. Zemra është burimi ndërsa gjuha reflektimi. Atë që fsheh zemra, e shfaq gjuha. Është përkthyese e saj. Aliu (r.a.) ka thënë: “Nuk ndodhë dikush të fsheh diç e që ajo të mos shfaqet në gafat e tij dhe shenjat e fytyrës së tij.” Njeriu, siç thotë një poet arab, përbëhet nga dy gjysma: gjuha dhe zemra:
Gjuha e djaloshit është gjysma e tij
E gjysma tjetër është zemra
Së këndejmi, zemra dhe gjuha kanë këtë lidhje zbuluese –nëse mund ta quajmë kështu- të njëra tjetrës por edhe përmirësuese të njëra tjetrës. Në hadith qëndron: “Imani i njeriut nuk rregullohet përderisa të mos rregullohet zemra e tij, sikur që kjo e fundit nuk rregullohet pa mos u rregulluar më parë gjuha e tij.” Për ta kuptuar edhe më drejtë, gjuha është mjeti që na mundëson të nxjerrim atë që është brenda zemrës. Zemra është brenda në trup ndërsa imani brenda zemrës. Nuk mund t’i shohim me sy. Kështu, për ta ditur se çfarë janë, duhet të shikojmë tek gjërat që nxjerr gjuha.
2. Çfarë nënkuptojnë pastërtia e zemrës dhe gjuhës?
2.1. Pastërtia e zemrës
Në hadith, kërkohet të bëhet një pastrim i dyfishtë i zemrës:
1) Pastrim në raport me Allahun, duke qenë i devotshëm, respektivisht duke e besuar sinqerisht Allahun, duke e dashur Atë, duke i dhënë përparësi Atij dhe fesë së Tij para çdo gjëje, duke mos e patur në zemër askënd tjetër përveç Tij .
2) Pastrimi nga cilësitë e urryera. ‘Mahmum’ i thuhet zemrës që është pastruar nga smira dhe haseti .
Ibn Kajjimi shpjegon bukur se si ndodhë pastrimi i zemrës. Të kesh zemër të pastër d.t.th. të mos e synosh të keqen pasi që e ke njohur dhe kuptuar. Kështu, zemra pastrohet nga dëshirimi dhe synimi i të keqes, jo nga njohja e saj . Pra, pastrimi i zemrës është dije, bindje, vullnet dhe vendosmëri.
2.2. Pastërtia e gjuhës
Edhe pastrimi i gjuhës kërkohet të jetë i dyfishtë. Në fakt, kërkohet të jetë nga çdo fjalë e pavërtetë dhe e pistë: e pavërtetë, duke thënë atë që nuk e ke në zemër, pra hipokrizia. Kjo konsiderohet më e vrazhda kur të jetë hipokrizi në besim, që si mëkat, pa pendim, njeriun e çon përherë në xhehennem. Pastrimi tjetër është nga fjalët e këqija që shqetësojnë të tjerët në një apo formë tjetër.
3. Rëndësia e pastrimi të zemrës dhe gjuhës
3.1. Imazhi i vërtetë i besimtarit
Pastrimi i zemrës dhe gjuhës na ofron imazhin e vërtetë të besimtarit. Profeti Muhammed ﷺ për pastërtinë e shpirtit të besimtarit ka thënë: “Nuk e ka kompletuar besimin ndonjëri prej jush përderisa të mos ia do vëllait atë që do për vete!” Ndërsa për pastërtinë e gjuhës ka thënë: “Musliman është ai që të tjerët nuk janë të cenuar nga dora dhe gjuha e tij.” Po kështu ka thënë: “Besimtari nuk është fyes, mallkues, fjalëpistë, dhe as i paturpshëm.”
3.2. Besimtari para së gjithash vlerësohet me shpirtin e tij
Zemra është epiqendra e njeriut. Nëse ajo rregullohet, rregullohet i tërë trupi. Vlera e njeriut është në varësi të pastërtisë së saj. Kjo nuk nënkupton se nuk duhet t’i kushtojmë vëmendje veprave, jo, kjo nënkupton se ne duhet t’i kushtojmë vëmendjen më të madhe zemrës, sepse nëse ajo është e pastër, janë edhe veprat, ndryshe, sado shumë të kemi vepra, ato nuk na u pranohen. Zemra e pastër dhe me sinqeritet të rritë vlerën e veprave edhe nëse për nga sasia nuk ke shumë. Për ta kuptuar më drejtë, njëri nga të parët na e përkujton këtë kur flet për Ebu Bekrin (r.a.) e thotë: “Ebu Bekri (r.a.) nuk ka tejkaluar njerëzit me namaz dhe agjërim të shumtë, por me diç që ka patur në zemër.” Nëse e marrim jetën e tij, do të shohim se ka jetuar pas Profetit ﷺ vetëm dy vite ndërsa unanimisht është njeriu më i mirë pas profetëve. Pra, nuk është se ka bërë vepra numerikisht shumë porse momentet dhe ngjarjet gjatë jetës së tij kanë treguar se imani dhe besimi i tij mundin imanin e tërë botës. Se veprat e shumta (dhe assesi mungesa e veprave) nuk janë determinuese mësojmë edhe nga rasti i sahabiut që fitoi Xhennetin për shkak të pastërtisë shpirtërore .
Për këtë shkak, në botën tjetër do të shpëtojë ai që i ka shkuar Allahut para së gjithash me zemër të pastër.
﴿ يَوْمَ لَا يَنفَعُ مَالٌ وَلَا بَنُونَ ﴿٨٨﴾ إِلَّا مَنْ أَتَى اللَّـهَ بِقَلْبٍ سَلِيمٍ ﴾
“Në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, 89. përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” [Esh Shuara: 88-89.]
3.3. Pastërtia shpirtërore –xhennet i kësaj bote
Pastërtia shpirtërore është imazh i jetës në Xhennet. Allahu duke i përshkuar besimtarët në Xhennet, na tregon se ata janë të pastër nga tipare të liga siç janë smira, zilia, urrejtja, etj.
﴿وَنَزَعْنَا مَا فِي صُدُورِهِمْ مِنْ غِلٍّ إِخْوَانًا عَلَى سُرُرٍ مُتَقَابِلِينَ﴾
“Ne do ta heqim urrejtjen nga zemrat e tyre; ata do të rrinë ulur si vëllezër përballë njëri-tjetrit në divane.” [El Hixhr: 47]
Për këtë shkak është thënë se, për ta shijuar Xhennetin e asaj bote, na duhet ta shijojmë këtë të kësaj bote. Pra, nëse nuk e ke shpirtin e pastër, mund ta humbasësh Xhennetin.
Kështu, për të patur zemër dhe gjuhë të pastër, na duhet të largohemi nga bindjet dhe shprehitë e gabuara, na duhet të mishërohemi me moralin islam dhe të imitojmë banorët e Xhennetit në sjelljet e tyre.
Allahu na bekoftë për të pastruar zemrat dhe gjuhët tona!