Vëllezër të nderuar!
Islami promovon jetën në shoqëri. Besimtari është shoqëror nga natyra dhe besimi i tij. Në tekste të shumta kur’anore dhe profetike bëhet thirrje për bashkëpunim shoqëror, për raporte shoqërore, për rregulla dhe etikë shoqërore. Sa për ilustrim, Allahu i madhëruar thotë:
وَتَعَاوَنُوا عَلَى الْبِرِّ وَالتَّقْوَىٰ ۖ وَلَا تَعَاوَنُوا عَلَى الْإِثْمِ وَالْعُدْوَانِ ۚ
“…Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi!…” [Maide: 2]
Element për të cilin shquhen raportet shoqërore është lidershipi. Shoqëria nuk mund të funksionojë pa prijës dhe liderë, dhe në këtë në çdo fushë dhe aspekt të saj. Prandaj ne gjejmë fenë tek i kushton rëndësi të madhe organizimit të jetës dhe veprimtarisë shoqërore mbi këto principe. Edhe në çështje të thjeshta besimtarët porositen që të mos veprojnë kokë më vete por, nëse janë tre persona, njërin ta caktojnë prijës.
Besimtarë të dashur!
Raportet shoqërore që promovon Islami nuk janë formale dhe as më pak teorike. Ato janë praktike më shumë se çdo gjë tjetër. Nëse ndaleni dhe i shikoni tekstet fetare do të gjeni se raportet ndërmjet besimtarëve dallojnë për të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin prej tyre. Pra, si pjesë e shoqërisë, feja të ka garanton të drejta por të ngarkon dhe me detyrime. Ndryshe, shoqëria nuk mund të funksionojë.
Një nga këto detyrime është edhe ai material. Një shoqëri nuk do të mund të funksionojë në mënyrën e duhur nëse mungon përkrahja materiale nga pjesëtarët e saj. Prandaj ne gjejmë fenë tek i kushton rëndësi të madhe kontributit material që duhet të bëjnë besimtarët, qoftë nëpërmjet zekatit, që është i obliguar, qoftë nëpërmjet sadakasë e lëmoshave vullnetare, veçmas atyre që janë të vazhdueshmet. Profeti Muhamed ﷺ duke nxitur për këtë lloj sadakaje ka thënë:
إِذَا مَاتَ الْإِنْسَانُ انْقَطَعَ عَنْهُ عَمَلُهُ إِلَّا مِنْ ثَلَاثَةٍ: إِلَّا مِنْ صَدَقَةٍ جَارِيَةٍ، أَوْ عِلْمٍ يُنْتَفَعُ بِهِ، أَوْ وَلَدٍ صَالِحٍ يَدْعُو لَهُ
“Kur njeriu të vdesë i ndërpritet shpërblimi për veprat përveç nga tre sosh: nga lëmosha rrjedhëse, nga dituria nga e cila kihet dobi ose nga fëmija i mirë që lutet për të.”[1]
Siç mund të shohim, sadakaja është një vepër nga e cila përfitojmë edhe pas vdekjes sonë. Është vepër me shpërblim rrjedhës.
Këtu qëndron arsyeja pse myslimanët përgjatë gjithë brezave të tyre i kanë ofruar njerëzimit mbarë shembujt më të përkryer të lëmoshave dhe sadakave, të vakëfeve dhe projekteve shoqërore, disa prej të cilave vazhdojnë së gjeneruari të mira për shekuj e shekuj. Shihni kontributet e shokëve të Profetit Muhamed ﷺ, kontributet e liderëve, pushtetarëve, dijetarëve; kontributet e grave myslimane që pas vete kanë lënë vepra kapitale e trashëgimi nga e cila do të përfitojnë gjatë.
Xhematlinj të nderuar!
Këta shembuj nuk janë imagjinarë dhe as më pak të trilluar. Kjo, jo vetëm pse historia e ka dokumentuar, porse se të tillë ka edhe në mesin tonë. Edhe ju, të nderuar, keni treguar shembull të përkryer të përkushtimit për fenë duke mos kursyer asgjë për mbështetjen e saj. Ne, siç e dini, që nga ndarja nga perandoria osmane, e cila përfaqësonte shtetin islam, vazhdojmë ta ruajmë dhe kultivojmë jetën fetare islame në këto troje falë kontributit tuaj. Secili prej jush dhe prej prindërve e pasardhësve tuaj ka meritat për ndërtimin e kalasë së Islamit në këto troje. Ne e lusim Allahun e madhëruar që secilit që ka vënë në këtë kala qoftë edhe një tullë të vetme Allahu t’ia shpërblejë me të mirat e Tij!
Besimtarë të respektuar!
Nevoja për mbështetjen e mëtutjeshme materiale të fesë vazhdon. Ne, ende nuk gëzojmë asnjë të mirë materiale nga shteti, prandaj, do të donim që t’ju bëjmë thirrje të vazhdoni ta mbështesni fenë dhe institucionet e saja, ta mbështesni Bashkësinë Islame të Kosovës institucioni i vetëm përgjegjës për organizimin e jetës islame në Kosovë. Më konkretisht, ju thërrasim që të paguani anëtarësinë vjetore. Këshilli i Bashkësisë Islame në Vushtrri është institucioni i vetëm fetar që ju përfaqëson juve dhe interesat tuaja fetare në komunën tonë. Për organizimin e jetës fetare, Këshilli i Bashkësisë Islame në Vushtrri varet tërësisht nga kontributet tuaja, për çka ju falënderon shumë. Bashkërisht po punojmë dhe do të vazhdojmë për të promovuar vlerat dhe për ta ngritur vetëdijen fetare dhe kombëtare. Aktivitetin tonë e realizojmë nëpërmjet më shumë se dyzet xhamive. Po ju përmendim si aktivitet të fundit që kemi bërë organizimin e shkollës verore me më shumë se 200 nxënës, aktivitet ky që me vlerësimet e prindërve të fëmijëve pjesëmarrës ka qenë i jashtëzakonshëm. Ne vazhdojmë të ofrojmë mësime fetare në çdo xhami, kurse të vazhdueshme, për gjininë mashkullore dhe femërore. ne planifikojmë që shërbimet tona t’i ngrisim në nivele tjera, prandaj, ne duhet të bëhemi bashkë dhe të kontribuojmë gjithsecili nga pozita përkatëse, ne duke organizuar e menaxhuar, ju duke ndihmuar e asistuar.
Ejani dhe paguani anëtarësinë. Të gjithë të ndajmë nga pasuria dhe koha jonë për të mirën e të gjithëve!
[1] Hadithin e shënon Muslimi në Sahih, nr. 1631.