Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
PASIMI I SUNNETIT SI DËSHMI E DASHURISË PËR PROFETIN MUHAMED ﷺ

Të nderuar vëllezër! Jemi në muajin rebiul evvel, muajin në të cilin ka lindur i dashuri ynë, Profeti Muhamed ﷺ. Gëzimi ynë për lindjen e tij është i madh. Si jo kur me lindjen e tij fillon një epokë e re për njerëzimin, epokë e ndritur në të cilën njeriut i kthehet dinjiteti i munguar prej shekujsh. Për këtë arsye misioni i Profetit Muhamed ﷺ është përshkruar nga Allahu i madhëruar si mision i mëshirës për njerëzimin mbarë. ﴿‏ وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلَّا رَحْمَةً لِّلْعَالَمِينَ ﴾‏ “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët” [Enbija: 107] Prandaj, nuk kemi si të mos e duam, si të mos gëzohemi për të, për lindjen e tij, për misionin e tij, për mësimet dhe këshillat e tij. Por lidhja jonë me Profetin Muhamed ﷺ shkon përtej lidhjes emocionale. Është lidhje fetare, lidhje e besimit, prandaj edhe dashuria, edhe respekti, manifestohen ndryshe. Sot, në hytben e kësaj xhumaje, do ta trajtojmë vetëm një detaj të dashurisë për Profetin Muhamed ﷺ, që reflekton prej saj dhe që, njëherësh, e dëshmon atë. Do të flasim për pasimin e sunnetit si dëshmi e dashurisë për Profetin Muhamed ﷺ. Vëllezër besimtarë! Ta duash Profetin Muhamed ﷺ nuk është thjesht emocion. Dashuria është edhe besim. Allahu i madhëruar thotë: ﴿قُلْ إِن كَانَ آبَاؤُكُمْ وَأَبْنَاؤُكُمْ وَإِخْوَانُكُمْ وَأَزْوَاجُكُمْ وَعَشِيرَتُكُمْ وَأَمْوَالٌ اقْتَرَفْتُمُوهَا وَتِجَارَةٌ تَخْشَوْنَ كَسَادَهَا وَمَسَاكِنُ تَرْضَوْنَهَا أَحَبَّ إِلَيْكُم مِّنَ اللَّهِ وَرَسُولِهِ وَجِهَادٍ فِي سَبِيلِهِ فَتَرَبَّصُوا حَتَّىٰ يَأْتِيَ اللَّهُ بِأَمْرِهِ ۗ وَاللَّهُ لَا يَهْدِي الْقَوْمَ الْفَاسِقِينَ﴾ “Thuaj: “Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria juaj që e keni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë ku e ndieni veten rehat, janë më të dashura për ju sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni deri sa Allahu të sjellë vendimin (dënimin) e Tij. Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e pabindur.” [Teube: 24] Ky ajet kur’anor, siç ka thënë Kadi Ijadi, mjafton si nxitje, shtytje, udhëzim dhe argument për obligimin e dashurisë për Profetin ﷺ… Se dashuria është e obliguar dhe se besimi nuk plotësohet pa të na mëson edhe vet Profeti Muhamed ﷺ i cili thotë: “Nuk ka besuar plotësisht ndokush prej jush derisa mua të mos më dojë më shumë se prindin e tij, fëmijën e tij dhe njerëzit në përgjithësi.” (Buhariu, nr. 13) Së këndejmi, dashuria është reflektuese. Dijetarët myslimanë, duke na folur për konceptin e dashurisë për Profetin Muhamed ﷺ, kanë nënvizuar edhe aspektin praktik ose reflektues të saj. Kanë thënë se ta duash Profetin ﷺ nënkupton ta ndjekësh rrugën e tij, t’i përfillësh urdhëresat e tij, të largohesh nga ndalesat e tij, t’i çosh selam kur t’i përmendet emri, të largohesh nga gjërat e shpikura, etj. Pra, është dashuri e përzier me praktikë, sepse dashuria duhet dëshmuar, dhe praktikë e përzier me dashuri, sepse praktika nuk duhet kryer pa dashuri. Vëllezër të nderuar! Se dashuria nuk duhet të mbetet vetëm në fjalë na mësojnë dhe ajete tjera kur’anore. Në kaptinën Al Imran, ajeti 31, Allahu i madhëruar thotë: ﴿قُلْ إِنْ كُنْتُمْ تُحِبُّونَ اللَّهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ اللَّهُ﴾ “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë…” Siç mund ta shohim, ka një lidhje interesante ndërmjet dashurisë ndaj Zotit i madhëruar dhe pasimit të profetit Muhamed ﷺ. Kush e do Zotin i madhëruar, duhet ta dëshmojë praktikisht duke e ndjekur Profetin Muhamed ﷺ. Për këtë shkak disa dijetarë këtë ajet e kanë quajtur testues të dashurisë për Zotin. Është e pakuptimtë ta pretendosh dashurinë për Zotin e madhëruar e pastaj ta kundërshtosh Profetin ﷺ. Kjo, ngase, siç ka thënë mufesiri i madh, Shenkiti, rahmet pastë!, “bindja ndaj të Dërguarit të Allahut ﷺ është bindje ndaj vet Zotit i madhëruar.” Këtë na e konfirmojnë tekstualisht Kur’ani dhe Sunneti. Allahu i madhëruar thotë: ﴿مَّن يُطِعِ الرَّسُولَ فَقَدْ أَطَاعَ اللَّهَ ۖ ﴾‏ “Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut…” [Nisa: 80] Profeti Muhamed ﷺ ka thënë: “Kush më bindet mua, i është bindur Zotit, e kush më kundërshton mua, e ka kundërshtuar Zotin…” (Buhariu, nr. 2957; Muslimi, nr. 1835.) Kjo për arsye se Profeti Muhamed ﷺ përcjell mesazhin e Zotit të madhëruar, ajo çfarë thotë ai është në fakt ajo që Zoti ia mëson, prandaj nënkuptohet se t’i bindesh atij, i je bindur Zotit, dhe ta kundërshtosh atë, e ke kundërshtuar Zotin. Këtu qëndron arsyeja pse Zoti i madhëruar na porosit që të mos refuzojmë asgjë nga ajo që Profeti Muhamed ﷺ na përcjell. ﴿ وَمَا آتَاكُمُ الرَّسُولُ فَخُذُوهُ وَمَا نَهَاكُمْ عَنْهُ فَانْتَهُوا﴾‏ “…Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj…” [Hashr: 7] Besimtarë të nderuar! Një dimension tjetër i ndjekjes së rrugës profetike është edhe aspekti referencial i saj. Me fjalë tjera, ndjekja e rrugës profetike nuk duhet të na përçajë por të jetë mënyrë e zgjidhjes së mospajtimeve ndërmjet nesh. Kurdo që nuk pajtojmë, duhet t’i kthehemi Kur’anit dhe Sunnetit, që t’i zgjidhim mospajtimet tona. Dhe jo vetëm kaq. Këtyre dy burimeve duhet t’i kthehemi për ta vlerësuar çfarëdo vepre që bëjmë. Mos ndjekja e Sunnetit është shkak për refuzim të veprave. Profeti Muhamed ﷺ ka thënë: “Kush vepron diç në shpërputhje me rendin tonë, vepra e tij i refuzohet.” (Buhariu, nr. 2697; Muslimi, nr. 1718) Të nderuar besimtarë! Për fund, edhe si mesazh të kësaj hytbeje, do të donim të përcjellim tek ju një porosi me rëndësi sa i përket ndjekjes së rrugës profetike. Përcaktimi për ta ndjekur ose jo këtë rrugë nënkupton përcaktimin për të hyrë ose jo në xhenet. Profeti Muhamed ﷺ ka thënë: “I tërë ymeti im do të hyjnë në xhenet përveç atyre që refuzojnë. E kush refuzon, o i Dërguari i Allahut?- e pyetën. Tha: Kush më bindet hyn në xhenet, e kush më kundërshton ai ka refuzuar hyrjen në xhenet.” (Buhariu, nr. 7280.) Pra, duke e dashur dhe duke e ndjekur Profetin Muhamed ﷺ, ne jetojmë të udhëzuar në këtë botë dhe shpëtojmë në botën tjetër duke e fituar xhenetin! Hytbe e mbajtur më 13 shtator 2024 në xhamitë e Vushtrrisë


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013