Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
DASHURIA PËR FEMRËN NË ISLAM

Islami si fe, çdoherë e sidomos tani në kohën moderne, është akuzuar padrejtësisht nga injorantë se është pakëz i vrazhdë, dhe në jetën e përditshme (lexo: të shthurur), jo i mirëseardhur. Kjo jo për tjetër vetëm për faktin se Islami është kundër çdo gjëje të pa kontrolle, edhe adhurim qoftë ai e lëre më gjërat tjera më pak të rëndësishme.
Tani kur bota më shumë se kurrë më parë është degjeneruar, ka rënë në humnerë amorali dhe është distancuar nga ata që thërrasin në moral të shëndoshë, Islami ballafaqohet prapë por kësaj radhe me një arsenal të paparë të kundërshtarit. Politikanë, akademikë, profesorë, artistë, sportistë, ushtarakë, studentë, janë dirigjues të këtij arsenali. “Tolerancë ndër gjinore”, “Liri për femrën”, “Emancipim të femrës”, “Avancim i femrës”, “Modë për femrën”, janë municioni bazë i këtij arsenali, që, përkthyer në gjuhën e realitetit dhe aktualitetit, d.t.th.: Shkatërrim i familjes, luhatje e bazave të shoqërisë, keqësim të raporteve burrë-grua, e kështu me radhë. 
Islami, bazuar në deklaratat e atyre që kur kuptuan esencën e tij, hynë në të dhe përqafuan mësimet e tij me plot ëndje e kënaqësi, nuk është fe, sikurse ajo çifute a krishtere, jo, Islami është program jete, sistem që duke filluar nga gjërat madhore e deri te ato sekondare ka paraparë ligje, norma, rregulla dhe parime. Tani kur 14 shkurti është afruar dhe festa e Shën Valentinit, një festë, ambalazhi i së cilës, krahas tjerash, ka ngjyrë idhujtare e pagane, ka filluar të errësojë qiellin e pastër moral, mendova se do të ishte mirë që ta ofrojmë versionin islam për dashurinë për femrën: Cilat janë lidhjet e lejuara? A ka dashuri në Islam?, etj.
Definicioni i dashurisë dhe esenca e saj
Dashuria është një fjalë, e cila ka definicione të shumta, varësisht nga prizmi që definohet. Ajo, gjuhësisht, është e kundërta e urrejtjes([1]), ndërsa në fjalorin islam, ajo kërkohet në kuptimin pozitiv, edhe pse ndonjëherë, kur ajo i dedikohet dikujt më shumë se që duhet të jetë, merr kahje negative. Ndryshe, ajo shpërblehet shumë nga Allahu i Madhëruar.
Dashuria e lindur në njeriun nuk mohohet asnjëherë; njeriu, instinktivisht, e do babanë, nënën, gruan, pasurinë, shtëpinë, fëmijën, etj, porse fetarisht, ai është i obliguar që këtë dashuri natyrore ta rrethoje me një mur fetar, i cili për asnjë moment nuk do ta linte aktualizimin e motos famëkeqe: “Dashuria të verbëron”. Më thjesht, nëse dashuria për diç të shmang nga feja apo të fut në ndonjë humnerë besëtytnie, qoftë edhe në fe, ajo është e refuzuar dhe si e tillë nuk është dashuri por është mëkat i madh. Glorifikimi i Isait, alejhi’s selam ndodhi pikërisht në saje të kësaj dashurie të gabuar. Nisur nga këtu, do të mund të konkludonim, se “Dashuria në Islam është një formë adhurimi dhe afrimi tek Allahu me kusht që ajo të jetë vetëm për hire të Allahut”. Në kuadër të këtij definicioni hyn çdo lloj dashurie, vetëm se klasifikimi bëhet sipas pozitës së atij/asaj që dashuron.
·         Dashuria për Allahun dhe të dërguarin e Tij, e cila nuk krahasohet me asnjë dashuri tjetër([2]).
·         Dashuria për babanë dhe nënën, e cila është shumë e kërkuar dhe shumë e dobishme në të njëjtën kohë ([3]).
·         Dashuria për vëllezërit, e cila reflekton nga dashuria për Allahun siç reflekton çdo dashuri tjetër ([4]).
·         Dashuria për farefisin([5]).
·         Dashuria për miqtë, madje konsiderohet bamirësi ndaj prindërve([6]).
·         Dashuria për gruan, si pjese kyçe e familjes, është obligative dhe prej cilësive më të ndershme të muslimanit([7]).
·         Dashuria për gruan, edhe në kuptimin më të ngushtë, pra në marrëdhënie seksuale, prape është diç që të sjell shpërblim([8]).
Statuti i femrës në Islam
Para se të përmendim diç përkitazi me tretmanin që i bëhet gruas në Islam, nuk do të ishte e tepërt aspak që t’i hedhin një shikim retrospektivës së hidhur të gruas në shoqëritë paraislame. Duke filluar nga India e Vjetër, në të cilën gruaja nuk gëzonte të drejtën e martesës, trashëgimisë dhe asnjë të drejtë në asnjë fushë tjetër([9]), saqë nga mëria dhe smira që ndienin për të kishin formuluar maksimën([10]): Vdekja, ferri, zjarri, helmi, etj, janë më të mira se gruaja([11]); pastaj në Romën dhe Greqinë e Vjetër, djepin e filozofisë, ku gruaja konsiderohej mall tregtie([12]); pastaj në Kinë ku nga urrejtja që kishin për gruan as nuk e emërtonin fare por thirrej vetëm me: njëshi, dyshi, treshi...; pastaj në Evrope ku vetëm në Angli deri në vitin 1805 ligjet angleze lejonin shitblerjen e gruas, pastaj konsideroheshin të ndyra që nuk iu lejohej prekja e librit të shenjtë, Ungjillit, pastaj të drejtën e shkollimit që deri me 1840 në Angli dhe 1875 në Francë nuk e gëzuan([13]); pastaj në Arabinë Paraislamike ku ajo varrosej për së gjalli([14])..., gruaja kurrë nuk ndjeu identitetin e saj human derisa nuk erdhi në botë ligji i Allahut i quajtur Islam dhe i proklamuar nga Muhammedi, alejhi’s selam.
Madje çka të bën të ndihesh më së keqi është fakti që disa nga këto ligje e dekrete burim kanë njerëz të “mëdhenj” në histori. Demonsteni, mendimtar i njohur grek, thotë: Ne prostitutat i marrim për dëfrim, dashnoret që të përkujdesen për shëndetin tonë ndërsa bashkëshortet që të na lindin fëmijë në mënyrë legjitime([15]).
Çudia edhe më shumë shtohet kur shohim projektuesin e Republikës (Shtetit), Platonin, të projektojë një shoqëri të përkryer me një parim, ndër parime tjera, edhe si ky: Gruaja është një mall i shkëmbyeshëm që duhet të kaloje nga një dorë në tjetrën” ([16]).
Këto teori famëkeqe shpesh buruan edhe nga liderë e njerëz autoritativ fetarë të krishterë. Gjon Damaskusi kishte thënë: Femra është e bija e dreqit, roje e ferrit, armik i paqes. Për shkak të saj Adami e ka humbur parajsën”. Shën Kipriani thoshte: “Femra është instrument, të cilën dreqi e përdor për të përfituar dhe për të patur në dispozicion shpirtrat tanë”. Shën Antoni po kështu përshkroi femrën. Ai tha: Femra është burim i forcës së dreqit, zëri i saj është fërshëllima e gjarprit”([17]).
Por kështu nuk qëndron edhe në Islam. Gruaja nuk është ikone seksi. Nuk është as objekt shfrytëzimi. Ajo është e barabartë me mashkullin, si në të drejta po kështu edhe në obligime, por jo edhe të njëjtë, ngase vet natyra e tyre ka caktuar që ata të dallojnë. Burri shtatzënë nuk mbetet kurrë. Mbështetur në këtë të vërtetë, tekstet fetare islame që vërtetojnë këtë janë të shumta. Allahu ka thënë:
فَاسْتَجَابَ لَهُمْ رَبُّهُمْ أَنِّي لاَ أُضِيعُ عَمَلَ عَامِلٍ مِّنكُم مِّن ذَكَرٍ أَوْ أُنثَى بَعْضُكُم مِّن بَعْضٍ فَالَّذِينَ هَاجَرُواْ وَأُخْرِجُواْ مِن دِيَارِهِمْ وَأُوذُواْ فِي سَبِيلِي وَقَاتَلُواْ وَقُتِلُواْ لأُكَفِّرَنَّ عَنْهُمْ سَيِّئَاتِهِمْ وَلأُدْخِلَنَّهُمْ جَنَّاتٍ تَجْرِي مِن تَحْتِهَا الأَنْهَارُ ثَوَاباً مِّن عِندِ اللّهِ وَاللّهُ عِندَهُ حُسْنُ الثَّوَابِ
Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni njëri nga tjetri por ata që u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe emigruan, u munduan vetëm pse ishin në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, atyre patjetër do t'ua shlyej mëkatet e tyre dhe do t'i vejë në xhennete në të cilët burojnë lumenj. Ai është shpërblim nga ana e All-llahut, se më i miri i shpërblimeve është tek All-llahu”. ([18])
وَمَن يَعْمَلْ مِنَ الصَّالِحَاتَ مِن ذَكَرٍ أَوْ أُنثَى وَهُوَ مُؤْمِنٌ فَأُوْلَـئِكَ يَدْخُلُونَ الْجَنَّةَ وَلاَ يُظْلَمُونَ نَقِيراً
Kush bën ndonjë nga punët e mira, qoftë mashkull ose femër duke qenë besimtarë, të tillët hyjnë në xhennet dhe nuk u bëhet farë padrejtësie”. ([19])
Si mund të diskriminohet gruaja kur ajo për zhvillimin dhe formësimin, në kuptimin e ngushtë dhe të gjerë të fjalës, jep kontribut të madh. Në prehrin e saj fillon fëmijëria, gëzimi i së tashmes dhe shpresa e së ardhmes, prej moralit dhe sjelljes së saj fëmija thith nektarin e edukatës dhe kulturës...([20])
Keqinterpretimi i përkufizimeve
Kuptimi më i brishtë i lirisë do të ishte shfrenimi dhe jeta e shthurur. Islam, si ligj i Allahut, nuk pranon jetën e tillë por nuk cenon dhe as përkufizon të drejtat dhe liritë pa ndonjë arsye të fuqishme paraprake. Nga këtu, thirrja e tij për ta ruajtur femra veten dhe nderin e saj, konstaton Dr. I’tisameja, nuk d.t.th.: përkufizim i lirisë. Islami na fton në ruajtje të nderit, gjë të cilën duhet ta ndiejë çdo njeri dhe të jetë kureshtar për të, ndryshe morali nga ambienti i papastër (degjenerues) dhe paturpësia nuk përfitohet kurrë- shton Dr. I’tisameja([21]).
Nëse gruaja muslimane është e mbuluar dhe nuk del lakuriqe, kjo nuk do të thotë se gruaja muslimane është e izoluar. Ajo në çdo moment dhe rrethanë obligim parësor ka ruajtjen e identitetit të saj njerëzor si një besimtare e devotshme. Ndryshe, kjo nuk përkufizon asgjë përveç që të keqen e shkul në rrënjë. Ja se si kuptohet shamia në Islam. Ajo në radhë të parë është përgjigje urdhrit të Allahut dhe të dërguarit te Tij, Muhammedit, alejhi’s selam për mbulim duke ditur se respektimi i tyre është obligim([22]). Pastaj, Ai që krijoi botën, krijoi njeriun dhe shpalli fenë, urdhëroi me këtë gjë([23]), që d.t.th.: se Krijuesi, përderisa nuk diskriminon asnjë njeri, femër a mashkull qoftë, ngase të gjithë janë krijesa të Tij, atëherë urdhri për mbulim nuk guxon assesi të kuptohet si ngushtim i fushëveprimit të botës femërore. Pastaj Hixhabi (mbulesa) është nder. Allahu i Madhëruar bartjen e hixhabit e cilësoi si shenje e nderit dhe pastërtisë morale të gruas([24]). Meqë ka të atilla që nuk mbulojnë kokën dhe trupin e tyre, edhe pse e dinë një gjë të tillë si obligim, Kur’ani na ka njoftuar se vetëm femrat e devotshme, që shpresojnë në faljen e Allahut kur të dalin para Tij janë ato që zbatojnë dhe përfillin këtë urdhër të Tij([25]). Në fund të fundit, nuk ka nevojë të çuditemi aspak kur dëgjojmë zëra që kundërshtojnë këtë ngase Allahu me këtë urdhër i është drejtuar besimtareve. Në Kur’an, ky urdhër ka shprehet kështu: “وَقُل لِّلْمُؤْمِنَاتِthuaju besimtareve”, pastaj: “وَنِسَاء الْمُؤْمِنِينَgrave te besimtarëve”.
Ndërsa lakuriqësia në asnjë mënyrë nuk identifikon kulturën, devotshmërinë dhe as prirjen për adhurim për Krijuesin. Ajo është vetëm një formë e rreme e lumturisë. Fjalët e urta, si: “Moda është ikje me elegancë nga përditshmëria.”, “Moda është plagjiat, që femrat e marrin shpesh si gjë origjinale.”, dhe “Moda nuk është gjë tjetër veçse epidemi e nxitur.”, më së miri e sqarojnë këtë.
Muslimanja nëse mbulohet nuk do të thotë se privohet nga shkollimi. Urdhri i Allahut për dituri përfshin mashkullin dhe femrën. Muhammedi, alejhi’s selam:
طَلَبُ الْعِلْمِ فَرِيضَةٌ عَلَى كُلِّ مُسْلِمٍ
Dituria është obligim për çdo musliman”. ([26])
Termi musliman, në këtë hadith, nuk është emër për mashkullin por për tërësinë e ithtarëve të Islamit, meshkuj apo femra qofshin ata. Mu për këtë qëllim, disa autorë në librat e tyre pas fjalës “musliman” kanë shtuar edhe “muslimane”, duke aluduar në kuptimin e hadithit. Shtimi nuk ka bazë në asnjë rrugë transmetimi ndonëse kuptimisht, siç thotë Sehaviu në el-Mekasid, është i qëlluar([27]).
Puna, thënë të vërtetën, është grepi dhe kurtha më e madhe e djallit me të cilën ka devijuar femra. Ato, në fillet e kësaj historie, pra të punës masovike të tyre në fabrika, etj, nuk kane dalur me këto moto që sot i pretendojnë. Femra ka dalur në punë, jo pse ndihej nevoja për barazi gjinore, por për shkak se ndihej nevojë për fuqi punëtore në sistemin kapitalist. Puna e gruas në shtëpi me burrin dhe fëmijët e saj është puna më e madhe. Nëse gruaja dëshiron ta ndihmojë materialisht burrin atëherë asaj i mbetet që ta jetë shtëpiake ekonomike, të kursejë shumë, të punojë punë dore, si: qëndisje, etj. Ndihma materiale burrit nuk bëhet me braktisjen e shtëpisë, fëmijëve dhe kufizimin e fëmijëve (mos shtimin), ngase pasojat e kësaj, morale dhe kriminale, janë shumë herë më të mëdha. Nëse njerëzit ankohen prej shtimit të madh për shkak se jetojnë në qytete të mëdha dhe me banorë të shumtë, atëherë atyre iu themi se toka e Zotit është e gjerë dhe se mjetet për komunikim janë bërë shumë të afërme, saqë botën e kanë shndërruar në një fshat të vogël([28]).
Nuk mund të kaloj tutje pa përmendur edhe Prof. Cyril Joadi-in, i cili përkitazi me këtë thotë: Besoj se toka do te ishte vend më i lumtur nëse gratë do të kënaqeshin të kujdesen për zjarrin (shtëpinë) e tyre, bile edhe nëse ajo do të kishte si pasojë rënien e lehtë të standardit jetësor([29]).
Pastaj puna për femrën në Islam nuk është e ndaluar. Ajo ka parametrat edukativë. Allahu këtë e ka sqaruar nëpërmjet tregimit të Musait, alejhi’s selam me vajzat e Shuajbit, alejhi’s selam. Rahmetliu, Muhammed Mutevel-li Sha’ravi, nga ky tregim ka nxjerrë këta parametra. Të shohim së pari tregimin. Thotë Allahu:
وَلَمَّا وَرَدَ مَاءَ مَدْيَنَ وَجَدَ عَلَيْهِ أُمَّةً مِنَ النَّاسِ يَسْقُونَ وَوَجَدَ مِنْ دُونِهِمُ امْرَأتَيْنِ تَذُودَانِ قَالَ مَا خَطْبُكُمَا قَالَتَا لَا نَسْقِي حَتَّى يُصْدِرَ الرِّعَاءُ وَأَبُونَا شَيْخٌ كَبِيرٌ
E kur arriti ujin e Medjenit, aty gjeti një grumbull njerëzish që po i jepnin bagëtisë ujë, e pak më larg prej tyre vërejti dy gra që po i ndalnin (kafshët e tyre) e u tha: "E çka është puna e juve dyjave?" Ato që të dyja i thanë: "Ne nuk u japim ujë deri që të largohen barinjtë, kurse babai ynë është shumë i vjetër!”. ([30])
Parametra edukativë dhe parimorë të punës së femrës janë: Mos përzierja në punë me meshkuj dhe ushtrimi i ndonjë funksioni nëse për to nuk ka kush të sjelle fitim në shtëpi. Kjo për arsye se ato vajza nuk iu dhanë ujë kopesë së tyre derisa meshkujt u shpërndan edhe se arsyeja e ruajtjes së kopesë së tyre ishte fakti se babai i tyre ishte i moshuar. ([31])
Unë nuk di përse njerëz konsiderojnë se Islami e izolon femrën kur nga vet radhët e tyre pranuan Islamin njerëz që dëshmuan se stili i jetesës së tyre ishte i pa kontrolle. Arsyeja e mbi 30.000 femrave franceze të kthyera në Islam, përveç tjerash, ishte edhe: Feja islame ofron solidaritet besimtarëve dhe parimet e saj janë tepër tërheqëse, e sidomos vlerat morale.
Hatem Houri, gazetar libanez, pranon se arsyeja e hyrjes në Islam është: Vlerat e larta të Islamit që udhëzojnë në rrugë të Zotit, që të përpiqesh për drejtësi e liri. Fatime Kazuei, një japoneze e kthyer në Islam, faktin e hyrjes në këtë fe e përshkruan: Posa filluam ta pranojmë stilin amerikan të jetesës, edhe unë ndjeva se diç më mungonte, diç më shqetësonte...Sjellja e një muslimani, të cilin e njoftova, dhe adhurimi që ai bënte për Krijuesin, e sidomos mënyra e përshëndetjes Selam alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu (Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qofshin mbi ju) që nuk është si “Mirëmëngjesi, mirëdita”, më lanë mbresa të mëdha kështu që hyra në Islam([32]).
Dashuria e paligjshme dhe pasojat e saj
Nga vet fakti se është e paligjshme kuptojmë se sa e rrezikshme është ajo. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
من كان يؤمن بالله واليوم الآخر فلا يخلون بامرأة ليس معها ذو محرم منها ، فإن ثالثهما الشيطان
Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, le të mos vetmohet me gruan e huaj përveçse në prani të ndonjërit prej të afërmeve të saj, ngase i treti i tyre (nëse ata janë vetëm) është djalli”. ([33])
لا يخلون رجل بامرأة لا تحل له، فإن ثالثهما الشيطان إلا محرم
Le të mos vetmohet asnjë njeri me asnjë grua që nuk i lejohet, përveç nëse ajo ka ndonjë të afërm prezent, ndryshe, i treti i tyre është djalli”. ([34])
Ajo që ne vërejmë në këto dy hadithe është se Muhammedi, alejhi’s selam rrezikun e kësaj dukurie e ka paraparë jashtëzakonisht të madh dhe mu për këtë besimtarëve ua kushtëzon me besim në Allahun dhe në Ditën e Fundit që të mos bien në graca të tilla, ndryshe, besimi i tyre është shumë i dobët dhe pasojat janë të paparashikuara. Sa njeriu është vrarë për shkak të kësaj dashurie?! Sa njeriu është vrarë në shenje hakmarrjeje si shkak i kësaj dashurie?! Sa fëmijët e paligjshëm, të pafajshëm, kanë ardhur në këtë botë si shkak i kësaj dashurie? Sa sëmundja është përhapur si shkak i kësaj sëmundjeje?! Ka thënë Muhammedi, alejhi’s selam:
“Çdo herë që përhapet prostitucioni në një popull, në të përhapen edhe sëmundje dhe epidemi, të cilat nuk kanë ekzistuar te paraardhësit e tyre”.
Ju lutem, a dinin të parët tanë për Sidën, Gonorrenë, Sifilizin, e shumë sëmundje tjera që sot edhe fëmijët i vegjël i dinë. Pra shkak i kujt është janë këto sëmundje?
Si rezultat i kësaj dashurie, bota sot ka shumë fëmije të paligjshëm. Vetëm në Evrope, 1/3 e fëmijëve të lindur janë të paligjshëm([35]).
Kështu, kuptimi i ajetit që më poshtë do e citojmë është më se i vërtetë. Thotë Allahu:
واتقوا فتنة لا تصيبن الذين ظلموا منكم خاصة
Ruajuni nga e keqja (nga dënimi) që nuk i godet vetëm ata që bënë mizori prej jush, (por edhe të mirët)... ([36]).
Përpjekje bashkëkohore e ligjësimit të marrëdhënieve të paligjshme
Në kohën kur jetojmë, të këqijat interpretohen si të mira, antivlerat si vlera, lakuriqësia si modë, etj. Në kuadër të këtyre degjenerimeve, fatkeqësisht ligjore, bën pjesë edhe përpjekja për internacionalizim edhe në shoqëritë islame të dukurisë “Bashkëjetesë”. Bashkëjetesa është një term i keqinterpretuar. Ti mund dhe duhet të bashkëjetosh me rrethin, të jesh i mirë dhe i sjellshëm ndaj tyre por të kesh edhe marrëdhënie të ngushta me dikë duke u mbështetur në këtë gjë, kjo nuk ka asnjë arsyetim fetar. Kjo gjë, nëse nuk është prostitucion atëherë të paktën është amoralitet, për çka lipset ndëshkimi adekuat. Çoroditja morale nuk guxon assesi të quhet kulturë. Nëse kjo është e tillë, atëherë ka gjasa që të jetë kulturë djalli([37]).
Me kë të lidhet dashuria
Islami, siç konstatuam edhe më lartë, bën rregullimin e jetës familjare me qëllim të përgatitjes së një shoqërie të shëndoshë, bazë e së cilës padyshim është familja. Nga këtu, dashuria e ligjshme (kurorëzimi) nuk bën të lidhet vetëm në pikëpamje të jashtme: bukuria, pasuria, etj, ngase në mungese të moralit të femrës, të gjitha këto bien dhe cilësohen të papranuara. Thotë Allahu:
" الزَّانِي لَا يَنْكِحُ إِلَّا زَانِيَةً أَوْ مُشْرِكَةً وَالزَّانِيَةُ لَا يَنْكِحُهَا إِلَّا زَانٍ أَوْ مُشْرِكٌ وَحُرِّمَ ذَلِكَ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ
Laviri nuk do të duhej të martohej me tjetërkë, pos me ndonjë lavire ose idhujtare, e me laviren nuk do të duhej të martohet kush, pos ndonjë lavir o idhujtar. Ajo (kurvëria ose martesa me të) është e ndaluar për besimtarët". ([38])
Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë:
“Gruaja martohet për katër gjëra: për pasurinë e saj, për atë se i takon familjes së ndershme, për bukurinë e saj dhe për fenë e saj. Zgjidhe atë që ka fe, të lumshin duart!” ([39])
Amr b. Shuajbi transmeton nga babai i tij, siç ka shënuar Tirmidhiu, se një burrë prej shokëve të Muhammedit, alejhi’s selam, që quhej Merthed b. Ebi Merthed bartte robërit muslimanë nga Mekkeja në Medine. Një prostitute në Mekke, që quhej Anaka, kishte qenë më parë shoqe e tij. Ai i kishte premtuar një muslimani se natën do të shkonte ta merrte. Thotë: Shkova dhe kur gjendesha nën hijen e një muri në një natë me hënë, erdhi Anaka dhe ma vërejti hijen time. Kur u afrua më njohu dhe tha: Merthedi?!  Thashë: Merthedi. Tha: Mirë se na ka ardhur, eja dhe buaj sonte tek unë. Thashë: Oj Anaka! Allahu na e ka ndaluar prostitucionin. Ajo bërtiti: O njerëz! Ky njeri po ua vjedh-bart robërit muslimanë. Mu lëshuan pas tetë veta por nuk me zunë dot ngase hyra në një shpelle. Aq shume mu afruan por Allahu ua verbëroi sytë saqë erdhën dhe mbi kokën time urinuan e këtë nuk e vërejtën fare. U kthyen dhe unë u ktheva tek shoku im e morra dhe e dërgova në Medine...Kur shkova atje e pyeta Pejgamberin, alejhi’s selam për leje për t'u martuar me Anakën por nuk mu përgjigj asgjë derisa zbriti ajeti (i lartpërmendur) kështu që Pejgamberi, alejhi’s selam më tha: O Merthed! Mos u marto me të!([40])
Dashuria e ligjshme
Nëse Islami ndalon dashurinë e paligjshme, atë të ligjshmen e ka aprovuar dhe ka nxitur për të. Jetën bashkëshortore e ka cilësuar shumë të rëndësishme por ka theksuar se motor i kësaj jete duhet të jetë në radhë të parë dashuria dhe respekti i ndërsjellë, që sipas fesë, janë edhe natyrshmëri e njeriut. Thotë Allahu:
وَمِنْ آيَاتِهِ أَنْ خَلَقَ لَكُم مِّنْ أَنفُسِكُمْ أَزْوَاجاً لِّتَسْكُنُوا إِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُم مَّوَدَّةً وَرَحْمَةً إِنَّ فِي ذَلِكَ لَآيَاتٍ لِّقَوْمٍ يَتَفَكَّرُونَ
Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë”. ([41])
Madje, gruaja e dnerhsme, ishte edhe pjese e lutjeve te robërve te sinqerte qe ia benin Allahut dhe te cilat Kur’ani i regjistroi. Thotë Allahu:
وَالَّذِينَ يَقُولُونَ رَبَّنَا هَبْ لَنَا مِنْ أَزْوَاجِنَا وَذُرِّيَّاتِنَا قُرَّةَ أَعْيُنٍ وَاجْعَلْنَا لِلْمُتَّقِينَ إِمَاماً
Edhe ata që thonë: "Zoti ynë, na bën që të jemi të gëzuar me (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë, e neve na bën shembull për të devotshmit”. ([42])
Një gjë të tillë e shpreh edhe ky hadith i transmetuar nga Abdullah b. Amr b. el-'Asi se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kjo botë është dëfrim kurse dëfrimi më i mirë i saj është gruaja e ndershme”. ([43])
Hadithet e kësaj natyre janë të shumta megjithatë ajo që unë dua të theksoj këtu është fakti se distancomi nga martesa apo dashuria e ligjshme nuk konsiderohet adhurim. Madje, shmangja nga një gjë e tillë me vetdëshirë duke qenë se ke mundësi për martesë, konsiderohet pasim jo i denjë i Muhammedit, alejhi’s selam. Tre vetave që kishin ardhur tek familja e tij dhe kishin pyetur për adhurimin e tij me ç’rast secili kishte vendosur për vete diç si sakrificë për të arritur shestimin, njëri prej të cilëve martesën, iu qe përgjigjur:
"Çka është me një popull që thotë kështu e kështu. Unë agjëroj dhe ndalem (pushoj) së agjëruari, falem dhe flejë, dhe martohem me gra. Kështu që kushdo që ia kthen shpinën Sunneti tim, ai nuk është prej meje.” ([44])
Dashuria për hyritë
“Çdo gjë që të shpie në haram është haram”- thonë dijetarët muslimanë. Përderisa ndalohet dashuria e paligjshme, kufizohet dashuria e ligjshme([45]), e sidomos sekretet intime të gruas tjetër([46]), në mënyrë që të mos i kontribuohet të keqes, megjithatë neve, sigurisht për joshje dhe nxitje, na u janë përshkruar gratë e Xhennetit, madje edhe me disa detaje të bukurive të tyre. Arsyeja e përmendjes së tyre është bërë që besimtarit, që beson në Ditën e Llogarisë, në shpërblimin dhe ndëshkimin, t’i bëhet me dije se nëse ti largohesh nga amoraliteti dhe dashuria e paligjshme, ky do të jetë shpërblimi yt. Le t’i numërojmë së bashku disa nga ato bukuri mahnitëse:
1. Bukuria e fytyrës së tyre. Thotë Allahu:
كأنهن الياقوت و المرجان
Ato janë si xhevahiri e diamanti (te kuqërremta ne te bardhe)([47])
Transmetohet nga  Ebu Seid El Huderiu se Pejgamberi, alejhi’s  selam në koment të ajetit:
كأنهن الياقوت و المرجان
ato janë si xhevahiri e diamanti (të kuqërremta në të bardhë)([48]),
...ka thënë: "Shikohet njeriu në faqen e saj më të pastër sesa pasqyra. Po të afrohej një margaritar pranë fytyrës se saj çka ka mes lindjes e perëndimit. Mbi të ka 70 pale rroba. Shikimi i tij depërton në trupin e saj derisa e shef edhe palcën e kërçikës nga jashtë([49]).
a) Sy të mëdhenj. Prej gjërave të bukura të grave janë sytë e gjerë e të mëdhenj ndërsa prej cilësive jo të hijshme janë sytë e vegjël e të ngushtë. Hyritë janë symëdha. Thotë Allahu:
"و زوجناهم بحور عين
Ja kështu, edhe i martojmë më bardhoshe symëdha (me hyria)"([50])
b) Gojëbukura: Enesi transmeton merfuan se: "Sikur një Hyri Symadhe të pështynte në shtatë dete do të ëmbëlsoheshin detet nga ëmbëlsia e gojës së saj, si dhe hyritë symëdha janë krijuar nga shafrani". ([51])
2. Bukuria e trupit: Thotë Allahu:
إن للمتقين مفازا حدائق و أعناب و كواعب أترابا
S'ka dyshim se të devotshmit kanë fitime të mëdha. 32. Kopshte e vreshta rrushi. 33. Edhe vasha të një moshe([52])
Fjala Kevaib (Vasha) është shumës i fjalës Kaib, që dtth: Nahid (gjinj të shtrënguar). Katadeja, Muxhahidi dhe komentatorë tjerë kanë thënë se Kelbiu ka thënë: "Ato janë felkat (Beqaresha me gjinj të rrumbullakët), të cilat i bëjnë gjinjtë e tyre në formë kubi. Kuptimi i vërtet është se bëhet fjalë për femra me gjinj të bukur sikurse shegë  e jo të lëshuara. Femrat e tilla quhen (كواعب و نواهد Kevaib dhe Nevahid).
3. Ato janë të virgjëra: Ka thënë Allahu:
"فيهن قاصرات الطرف لم يطمثهن انس قبلهم و لا جان
Aty janë ato që përqendrojnë shikimet e tyre (vetëm në burrat e vet) e që nuk i ka prekur kush para tyre, as njerëz, as xhin. ([53]).
4. Ato nuk plaken. Thotë Allahu: Thotë Allahu:
إنا أنشأنا هن إنشاء فجعلناهن أبكارا عربا أترابا لأصحاب اليمين
Ne i kemi krijuar ato në një krijim të ri (formë të re). Dhe i kemi bërë ato virgjëresha, të dashura (për burrat e tyre), të një moshe, (ato) janë për ata të djathtit".([54]),
5. Janë të bardha. Transmeton Buhariu nga Enes Ibni Malik se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë "…po të shfaqej një femër nga gratë e xhennetit tokën do ta mbushte me erë çka ka mes tokë e qielli dhe do të shndriste. Mbulesa e saj mbi kokën e saj është më e mire se dynjaja dhe çka ka në të "([55]).
Ftesë!
Pas tërë kësaj që pamë përkitazi me dashurinë në Islam, nuk na mbetet tjetër vetëm se të ftojmë besimtarët të bëhen gati për një vendosmëri, respektivisht, për një sakrificë. Ajo sakrificë është largimi nga epshet, të cilat sa të sjellin dëme në këtë botë (ndëshkimi nga ana e organeve kompetente) po aq, madje edhe më shumë, të sjellin dëm edhe në ahiret. Andaj, nëse dikush është i përmalluar për femra dhe është i dhënë në dashuri pas tyre, le ta bëj kalimthi një krahasim me femrat e kësaj dhe botës tjetër e pastaj le të vendose se kë e dëshiron: Epshin në këtë botë e ndëshkimin në botën tjetër apo nderin në këtë botë dhe Xhennetin me të gjitha ato bukuri që  përmendëm në botën tjetër, por le të mos harroje assesi se kjo botë është kalimtare ndërsa bota e ardhshme është e përjetshme!


[1] Lisanu'l areb, Ibni Mundhiri, kreu: habbebe, pj.1, f.: 289

[2] Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë:“Tri gjëra kush i posedon, ai ka shijuar ëmbëlsinë e besimit: Që Allahun dhe të dërguarin e Tij t’i duaje më shumë se çdo kë tjetër, ta duaje njeriun vetëm për Allahun dhe, të urreje të kthehet ne pabesim pasi që Allahu e shpëtoi prej tij ashtu siç urren të hidhet në zjarrë”. (Buhariu dhe Muslimi)

[3] Argumente adekuate për këtë kemi shumë porse një që ia vlen është edhe ky hadith nga Ibni Omeri, një pjese të të cilit do ta shënojmë poshtë: “Tre veta nga gjeneratat para jush u nisën për në rrugë, e një ditë i zuri nata para një shpelle në të cilën hynë dhe bujtën. Një shkëmb u rrokullis nga kodra dhe plotësisht e mbylli hyrjen e shpellës. Ata thanë: “Shpëtimi nga ky shkëmb është vetëm që ta lusim All-llahun e madhërishëm që ta largojë për hir të veprave tona të mira. Njëri prej tyre tha: “O Zoti im, unë i kam pasur prindërit pleq të thinjur dhe asnjëherë para tyre nuk ju kam dhënë të hanë e as të pinë fëmijëve të mi e as mallit tim (shërbëtorëve). Një ditë më hutoi kërkimi i kullosës më të mirë për kopenë time, e nuk ju erdha me kohë dhe ata kishin fjetur. Unë e mola qumështin në enë dhe ua solla por i gjeta duke fjetur. Më erdhi keq t'i trazoj, por edhe që t'i ushqej para tyre familjen dhe shërbëtorët, andaj kam pritur me enë në dorë dhe kam shikuar kur do të zgjohen, e kjo pritje ka zgjatur deri në agim. Fëmijët e mi aty te këmbët e mia klithnin të uritur, të cilëve u kam dhënë qumësht pasi janë zgjuar prindërit dhe e kanë pirë qumështin të cilin ua kisha sjellur. O Zoti im! Nëse këtë e kam bërë vetëm për Ty, e për askënd tjetër, atëherë na e largo këtë shkëmb nga hyrja e kësaj shpe­lle në të cilën gjendemi!” Shkëmbi pak u lëviz, por jo edhe aq sa të mund të dalin!...”. (Muttefekun alejhi)

[4] Transmetohet nga Ebu Hurejre se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Një njeri e vizitoi një vëlla të vetin në një fshat tjetër. All-llahu i Madhëruar ia cakton një engjëll për ta vëzhguar gjatë rrugës së tij dhe kur erdhi tek ai (engjëlli) i tha: “Ku po do?” Tha: “Te një vëlla imi në këtë fshat”. Tha: “A mos ke ti tek ai ndonjë leverdi e donë ta fitosh atë prej tij?” Tha: “Jo, përpos që unë atë e dua për All-llahun!” (Engjëlli) Tha: “Unë jam i dër­guar nga All-llahu te ti për të njoftuar se All-llahu të do ty ashtu siç e do ti atë njeri”. (Muslimi)

[5] Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: “Askush prej jush nuk ka besim komplet përderisa për vëllain e tij të mos duaje atë që do për vete”. (Buhariu dhe Muslimi)

[6] Ibni Dinari thotë: “Kur dilte Ibni Umeri në Mekke, i hipte gomarit të tij që e kishte - kur mërzitej nga deveja - dhe me një shall e mbulonte dhe forconte kokën dhe duke qenë kështu hipur mbi gomar, kaloi aty­pari një beduin të cilit i tha: ”A nuk je ti i biri i filanit?” (Beduini) Tha: “Po, unë jam”. (Ibni Umeri) Pastaj ia dha gomarin dhe i tha: “Hipi këtij!” dhe ia dha edhe shallin duke i thënë: “Me këtë mbështille kokën”. Disa shokë të tij i thanë: “All-llahu të faltë, ia dhe këtij arabi gomarin mbi të cilin ishe hipur vet dhe shallin me të cilin  pate mbështjellur kokën tënde?” (Ibni Umeri) Tha: “Vërtet, unë e kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “Vërtet, bamirësi më e mirë është që njeriu t'i mbajë lidhjet me dashamirët e babait të vet pas vdekjes së tij”. Vërtet, babai i tij ka qenë shok i Umerit r.a.”(Muslimi)

[7] Transmetohet nga Abdull-llah ibn Amr ibn el-'As r.a. se i Dërguari i All-llahut, alejhi’s selam ka thënë: “Kjo botë është dëfrim kurse dëfrimi më i mirë i saj është gruaja e ndershme”. (Muslimi)

[8] Transmetohet nga Ebu Dherri r.a. se disa njerëz kanë thënë: “O i Dërguari i All-llahut, pasanikët na tejkaluan me shpërblime, ata falin namaz si ne, agjë­rojnë si ne, kurse (përveç kësaj) nga teprica e pasurisë së tyre japin sadaka”. (Pejgamberi) Tha: “A nuk ju ka dhënë All-llahu edhe juve me çka të bëni sadaka? Vërtet, çdo tesbih (lavdërim All-llahut) është sadaka, çdo tekbir (madhërim All-llahut) është sadaka, çdo tahmid (falënderim All-llahut) është sadaka, çdo tehlil (thënia: La ilahe il-lall-llah) është sadaka”. Urdhë­resa për të mirë është sadaka, ndalesa kundër të keqes është sadaka, edhe marrëdhënia seksu­ale (bashkëshortore) është sadaka”. Njerëzit i thanë: “O i Dërguari i All-llahut, a edhe kur ndonjëri prej nesh kryen marrëdhënie epshore ka shpërblim? Tha: “Më thuani, nëse epshin e tij e përdor në haram, a nuk ka për të mëkat? Po ashtu nëse e përdor në hallall do të ketë shpërblim”. (Muslimi)

[9] Gruaja në Islam, Prof. Dr. Bekir Topaloglu, b. 2, Stamboll, 2000, f. 19-22.

[10] Resul Rexhepi, E drejta martesore islame, b. Medreseja e Mesme Alauddin në Prishtinë, Prishtinë, 1996, f. 13

[11] Specifike tjetër e hindusëve ishte edhe fakti se pas vdekjes se bashkëshortit, gruaja akuzohej prej shoqërisë për vdekjen e tij dhe dënohej me vdekje apo digjej e gjallë. Shih: Emancipimi i femrës dhe moda, Jusuf Zimeri, b. Shoqata ilmije në RM-Shkup, Shkup, 2002, f.: 13

[12] Krahas kësaj, në Greqinë e Vjetër përkitazi me femrën ekzistonte ky mit: Zoti Prometheu kishte vjedhur zjarrin nga qielli dhe ua kishte dhënë banoreve të tokës. Ky veprim e hidhëroi pa masë zotin e madh Zeusin, dhe ai vendosi të krijojë një femër të cilën e pagëzoi Pandora, me qellim që banorëve të tokës tua ndaloj begatitë e saj. Kjo femër, gjithnjë sipas mitologjisë greke, zbriti në një trevë që e sundonte Epimetheusi. Ajo me bukurinë e saj mahniti mbretin dhe ai vendosi të kurorëzohet me të. Kjo grua posedonte një kuti, në të cilën ishte e grumbulluar e keqja. Një ditë e hapi atë, dhe e keqja u shpërnda nëe rruzullin tokësorë, andaj femra ngeli përgjegjëse për të gjitha të këqijat që ndodhin në tokë. Ibid, f.: 12

[13] Ibid, f.: 15-16

[14] Gruaja në Islam, Prof. Dr. Bekir Topaloglu, f. 19-22.

[15] Mustafa Tahhan, Gruaja në karvanin e thirrjes, Furkan-ISM, Shkup, 2001, f. 23

[16] Gruaja në Islam, Prof. Dr. Bekir Topaloglu, f. 21.

[17] Këshillat islame, përktheu: Abdullah Ramizi, b. “Bashkimi”, Gjilan, f. 5

[18] Ali Imran, 195

[19] en-Nisa, 124

[20] El-mer’etu fi rekbi’l iman, I’tisam Ahmed Sarraf, Daru’l i’tisam, 1984, f. 4

[21] Ibid, f. 8.

[22] Kur’ani, el-Ahzab, 36

[23] Kur’ani, en-Nur, 31, el-Ahzab, 33, 59.

[24] Kur’ani, el-Ahzab, 36

[25] Kur’ani, el-A’rafe, 26.

[26] Transmeton Ibni Maxheh ndërsa Albani ne Sahihu ve daifu suneni Ibni Maxheh, 224, thotë se hadithi me vetëm pjesën e parë, pra me këtë që figuron këtu është autentik. Pjesa tjetër është shumë e dobët.

[27] Hashijetu’s Sindijj ala Ibni Maxheh, hadithi nr. 220.

[28] Rezymeja e parathënies së librit: Hukuku’t tifli fi’l islam, Xhevde Muhammed Avvad.

[29] Mevdudi, Të kuptuarit e drejtë të Islamit, b. Logos-A, Shkup, f. 130

[30] el-Kasas, 23

[31] Muhammed Mutevel-li Sha’ravi, Drejtuar femrave muslimane, përktheu: Muselem Mazllami, b. Shoqata Humanitare Shqiptare “Shpresa e Kosovës”, f. 19

[32] Prej errësirës në dritë, përgatiti: Mexhid Yvejsi, Logos-A, Shkup, 1997, f. 21, 22, 39-40.

[33] Ahmedi

[34] Buhariu, Muslimi dhe Ahmedi.

[35] Gazeta Express, data 16 maj 2006, e martë, f:18.

[36] el-Enfale, 25

[37] I nderuari lexues! Për të mos përsëritur gjëra të njëjta, një temë “Bashkëjetesa- dukuri degjeneruese”, e kam të publikuar në disa revista (revista Familja, Shqipëri) dhe në internet (www.kbi-vushtrri.com, www.mesazhi.com, www.islamgjakova.net) andaj për më shumë kthejuni këtyre burimeve.

[38] en Nur, 3

[39] Buhariu dhe Muslimi

[40] Sahihu ve daifu suneni't Tirmidhijj, 3177, senedin  e ka të mirë-hasen

[41] err-Rrum, 21

[42] el-Furkan, 74

[43] Muslimi

[44] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

[45] Ngase njeriu nën kurorë nuk mund të mbajë më shumë se 4 gra, nuk lejohet që sekretet me gruan e tij t’ua tregojë të tjerëve sikur që edhe gruaja nuk bën t’ia përshkruajë burrit te vet detajet e asnjë burri, siç qëndron në hadith: Nga Ebu Seid El-Hudriu r.a. tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Vërtet njeriu më i keq te All-llahu në Ditën e Gjykimit është ai që i zbulon fshehtësitë e gruas së vet, e edhe ajo të tijat, dhe pastaj përhapen fshehtësitë”. (Muslimi)

[46] Nga Ibni Mes'udi r.a. transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Një grua kurrsesi mos t'i përshkruajë gruan tjetër burrit të saj hollësisht, sikur ai e shikon atë”. (Muttefekun alejhi)

[47] Rrahman 58

[48] Rrahman 58

[49] Transmeton Ahmedi 3/75 ndërsa Ibni Kethiri në tefsirin e tij 4/280 ia ka adresuar Ibni Ebi Hatimit. Hejthemiu po ashtu e ka cekur në El Muxhme'10/419, dhe ka thënë" E transmetojnë Ahmedi dhe Ebu Ja'lau me senedet e tyre, të cilat arrijnë gradën e hasenit-senedit të mirë.

[50] Duhan 54

[51] Ebu Neim, 386, Ibni Ebi Dunja

[52] Nebe 31-33

[53] Rrahman 56

[54] Vakia 35-38

[55] Bid'u-l-Halki,Bab: Ma xhae fi sifetil xhenneti, Fet’hul Bari 6/365


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013