Transmeton Ebu Hurejre se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“الْإِيمَانُ بِضْعٌ وَسِتُّونَ شُعْبَةً وَالْحَيَاءُ شُعْبَةٌ مِنْ الْإِيمَانِ
Imani është mbi 60 degë, e edhe turpi është dege e besimit”. ([1])
Komenti i përgjithshëm i hadithit
Ky hadith profetik paraqet edhe një dëshmi tjetër të oratorisë së rrallë të Pejgamberit tonë, alejhi’s salatu ve’s selam, i cili përmblodhi tërë besimin në këtë hadith të shkurtër, duke përmendur së pari dëshminë se nuk meriton të adhurohet askush me të drejtë përveç Allahut, Krijuesit të tokës dhe qiejve, dhe duke mos harruar as gjërat më të vogla, të cilat mund të injorohen apo merren si të pavlera nga dikush ndërsa ato ta rrisin besimin dhe dëshmojnë për praninë e tij në ty.
Ka thënë Hitabiu në (veprën e tij) El Mealim: “Ky hadith tregon se besimi i ligjshëm (el-imanu’sh-sher’ijju) është emër me domethënie të posedimit të degëve dhe pjesëve, që janë të larta e të ulëta, fjalë dhe vepra, shtim e pakësim. Emri lidhet pjesërisht me to sikurse që lidhet edhe tërësisht (d.t.th: nëse dikush i bën ca mund t’i thuhet se është njeri besimtar, por natyrisht se nëse i kryen të gjitha atëherë ai është besimtar) ndërsa realiteti (fetarizmi apo devotshmëria e madhe) përcakton lidhjen me të gjitha degët dhe përmbushjen e tyre. P.sh: namazi ka degë dhe pjesë. Me kryerjen e disa prej tyre, gjestet mund t’i quajmë namaz, ndërsa sipas realitetit (الْحَقِيقَة), duhet kryer dhe përmbushur të gjitha degët dhe pjesët e tij. Argument për këtë është edhe pjesa e fundit e hadithit: “Turpi është pjese e besimit”, (që vetvetiu është llogaritur besim, edhe pse pa besim nuk do të quhej kështu). Kjo po ashtu vërteton detajet e besimit dhe dallimin e besimtareve në to([2]).
Në koment të Sunenit të Nesaiut qëndron: Qëllimi me ِ La Ilahe Il’la Allah janë dy dëshmitë, pra “La Ilahe Il’la Allah Muhammedun Rresulullah”. Ose është për qëllim vetëm dëshmia për Njëshmërinë e Allahut, por me sinqeritetin shpirtëror se dëshmia për revelatën e Muhammedit, alejhi’s selam është degë tjetër. ([3])
Ka thënë Ebu Hatimi: Pejgamberi, alejhi’s selam aludoi në këtë hadith në gjënë, e cila është obligim për njerëzit çdoherë. Këtë gjë e vendosi në pjesën më të lartë të besimit. Pastaj aludoi edhe në atë, që është fakultative për besimtaret çdoherë, dhe të cilën e vendosi në fund të pemës së besimit. Kjo tregon së gjërat, të cilat janë përherë obligim për njerëzit dhe në çfarëdo rrethanash, ose janë obligim për disa njerëz në disa raste, ose janë fakultative (nafile) për të gjithë njerëzit në çdo rast dhe kohë. Tërë kjo është pjesë e besimit([4]).
Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam, nuk harroi të sillte edhe shtesa, të cilat, edhe pse bëjnë pjesë në sferën mes “La Ilahe Il’la Allah” dhe “Largimit të së keqes”, madje kanë pozitë të lakmueshme, megjithatë, i përmendi edhe njëherë, që t’ua bëjë me dije muslimanëve se kjo gjë që po ua them vërtetë është e madhe andaj kujdesuni për te dhe pajisuni e zbukurohuni me të. Sa bukur e ka përmbledhur këtë autori i Avnu’l Ma’bud: “Pejgamberi, alejhi’s selam e veçoi turpin ngase ai është sikur thirrës, që thërret për në të gjitha degët tjera, dhe se njeriu i turpshëm frikësohet se do t’i dalin në shesh të metat në dynja dhe ahiret (dhe mu për këtë turpërohet prej Allahut dhe iu largohet atyre)”([5]).
Versionet e hadithit
Ky hadith i Pejgamberit, alejhi’s selam, është hadith i vërtetë dhe është transmetuar në disa forma.
Tek Muslimi qëndron versioni i njëjte por qëndron edhe versioni tjetër, dhe që të dy nga Ebu Hurejre, :
“الْإِيمَانُ بِضْعٌ وَسَبْعُونَ أَوْ بِضْعٌ وَسِتُّونَ شُعْبَةً فَأَفْضَلُهَا قَوْلُ لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ وَأَدْنَاهَا إِمَاطَةُ الْأَذَى عَنْ الطَّرِيقِ وَالْحَيَاءُ شُعْبَةٌ مِنْ الْإِيمَانِ
Imani është 60 apo 70 e ca degë. Më e mira është thënia: La ilahe il’la Allah, ndërsa më e ulëta është largimi i një pengese nga rruga. Edhe turpi është degë e besimit”.
Tek Tirmidhiu, nga Ebu Hurejre, qëndron:
“الْإِيمَانُ بِضْعٌ وَسَبْعُونَ بَابًا أَدْنَاهَا إِمَاطَةُ الْأَذَى عَنْ الطَّرِيقِ وَأَرْفَعُهَا قَوْلُ لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ
Besimi është 70 e ca kapituj. Me i ulëti është largimi i se keqes nga rruga ndërsa me i larti është thënia La Ilahe Il’la Allah”.
Po ashtu, në një version tjetër të Tirmidhiut, prapë nga Ebu Hurejre, përkufizohen këto degë në 64. Thotë Pejgamberi, alejhi’s selam, sipas asaj që transmeton Ebu Hurejre:
“الْإِيمَانُ أَرْبَعَةٌ وَسِتُّونَ بَابًا
Besimi është 64 kapituj”.
Në recensimin e Albanit bërë këtyre dy haditheve të Tirmidhiut del se i pari është autentik derisa i dyti, me këtë formulim është Shadh-dh (i papranuar)([6]).
Tek Imam Ahmedi qëndrojnë disa versione, po ashtu nga Ebu Hurejre, si:
“الْإِيمَانُ بِضْعٌ وَسَبْعُونَ بَابًا أَفْضَلُهَا لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ وَأَدْنَاهَا إِمَاطَةُ الْعَظْمِ عَنْ الطَّرِيقِ وَالْحَيَاءُ شُعْبَةٌ مِنْ الْإِيمَانِ
Besimi është mbi 60 dyer. Më e mira është La Ilahe Il’la Allah ndërsa më e ulëta është largimi i kockës (ashtit) nga rruga. Edhe turpi është degë e besimit”.
“الْإِيمَانُ بِضْعٌ وَسَبْعُونَ بَابًا فَأَدْنَاهُ إِمَاطَةُ الْأَذَى عَنْ الطَّرِيقِ وَأَرْفَعُهَا قَوْلُ لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ
Besimi është 60 e ca dyer (kapituj). Me e ulëta është largimi i pengesës nga rruga ndërsa më e larta është thënia: “La Ilahe Il’la Allah”.
Tek Ebu Davudi qëndron nga Ebu Hurejre:
”الْإِيمَانُ بِضْعٌ وَسَبْعُونَ أَفْضَلُهَا قَوْلُ لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ وَأَدْنَاهَا إِمَاطَةُ الْعَظْمِ عَنْ الطَّرِيقِ وَالْحَيَاءُ شُعْبَةٌ مِنْ الْإِيمَانِ
Besimi është 70 e ca (degë). Më e mira është thënia La Ilahe Il’la Allah ndërsa më e ulëta është largimi i kockës nga rruga. Edhe turpi është degë e besimit”([7]).
Tek Nesaiu, po ashtu nga Ebu Hurejre, qëndron se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“الْإِيمَانُ بِضْعٌ وَسَبْعُونَ شُعْبَةً أَفْضَلُهَا لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ وَأَوْضَعُهَا إِمَاطَةُ الْأَذَى عَنْ الطَّرِيقِ وَالْحَيَاءُ شُعْبَةٌ مِنْ الْإِيمَانِ
Imani është mbi 60 degë. Më e mira është La Ilahe Il’la Allah ndërsa më e ulëta (ne pozite) është largimi i së keqes nga rruga. Edhe turpi është degë e besimit”([8]).
Tek Ibni Maxheh, po ashtu nga Ebu Hurejre, qëndron:
“الْإِيمَانُ بِضْعٌ وَسِتُّونَ أَوْ سَبْعُونَ بَابًا أَدْنَاهَا إِمَاطَةُ الْأَذَى عَنْ الطَّرِيقِ وَأَرْفَعُهَا قَوْلُ لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ وَالْحَيَاءُ شُعْبَةٌ مِنْ الْإِيمَانِ
Imani është 60 apo 70 e ca kapituj. Më i ulëti është largimi i pengesës nga rruga ndërsa më i larti është thënia La Ilahe Il’la Allah. Edhe turpi është dege e besimit” ([9]).
Transmeton Taberaniu nga Ebu Hurejre se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“الإِيمَانُ بِضْعٌ وَسَبْعُونَ شُعْبَةً، أَعْلاهَا شَهَادَةُ أَنْ لا إِلَهَ إِلا اللَّهُ، وَأَدْنَاهَا إِمَاطَةُ الأَذَى عَنِ الطَّرِيقِ، وَالْحَيَاءُ شُعْبَةٌ مِنَ الإِيمَانِ
Imani është 70 e ca dege. Me e larta është dëshmia La Ilahe Il’la Allah, ndërsa me e ulëta është largimi i se keqes nga rruga. Edhe turpi është dege besimi”([10]).
Taberaniu, ndryshe nga te tjerët, sjell këtë hadith edhe nëpërmjet sahabiut nderuar, Seid El Hudriut, ngjashëm me versionet e Ebu Hurejres:
“الإيمان بضع وسبعون شعبة، أرفعها : لا إله إلا الله ، وأدناها إماطة الأذى عن الطريق
Besimi është 70 e ca degë. Më e larta është La Ilahe Il’la Allah ndërsa më e ulëta është largimi i pengesës nga rruga”([11]).
Pra, siç po shohim, në hadithe, të nxjerra, kryesisht, nga gjashtë librat më të njohura të haditheve, por edhe në hadithe tjera të cilat për shkak të zgjerimit të temës nuk i përmendëm, gjërat e përmendura nuk janë rrëfyer njëjtë:
· Degët nuk janë precizuar saktësish; diku janë cekur 60 e ca, diku 64, e diku 70 e ca, edhe pse jo të gjitha versionet janë të sakta.
· Në disa transmetime, në vend të shprehjes “بضع” (ca) ka ardhur shprehja e njëjtë porse në gj. femërore “بضعة”.([12]) , e në disa raste, siç ishte tek ai i Tirmidhiut, nuk përmendet fare, por në vend të saj vie shifra e saktësuar (64) derisa në disa raste është përmendur 60 apo 70, pa shtesën “e ca”([13]).
· Diku është përmendur “më e mira”(Efdaluha), diku “më e larta” (me tri shprehje në gjuhën arabe: أَعْلاهَا, أعظهما dhe أَرْفَعُهَا-A’laha, A’dhamuha dhe Erfeuha),
· Diku është përmendur “me e ulëta” (me dy shprehje ne gjuhen arabe: أَوْضَعُهَا dhe أَدْنَاهَا-Evdauha dhe Ednaha),
· Zakonisht dega e parë e besimit, thënia La Ilahe Il’la Allah, është përmendur së pari edhe pse në disa versione iu janë ndërruar vendet, kështu që së pari përmendët dega më e ultë e besimit e pastaj ajo më e larta.
· Në disa transmetime përmendet se dega më e lartë është “thënia” ndërsa në disa te tjera përmendet se “dëshmia”, e në disa nuk përmendën as njëra as tjetra.
· Diku është përmendur largimi i pengesës në përgjithësi ndërsa diku është përkufizuar kjo e keqe në “kockë-asht”.
· Diku është përmendur si degë e diku si kapituj.
· Në shumicën e versioneve përmendet edhe turpi si degë besimi.
Të shohim në vijim mendimet e dijetarëve për këto dhe gjërat tjera:
Shprehja “ca” ç’domethënie ka?
Në koment të fjalës "بِضْع - ca" janë thënë disa mendime:
Kjo fjalë përfshin numërorët nga: 3-9, 3-10, 1-9, 2-10, 4-9, 7. Mendimi më i vërtetë është mendimi, të cilin e ka zgjedhur Kazzazi e ai është: 3-9, ngase për një gjë të tille janë pajtuar edhe komentuesit([14]) kur kanë komentuar ajetin:
“فَلَبِثَ فِي السِّجْن بِضْع سِنِينَ
...e për këtë mbeti në burg disa vjet”. ([15])
Degët e besimit 60 apo 70?
Në koment të “وَسِتُّونَ 60 ”, është dhënë një sqarim i thuktë i dijetarëve. Meqë ne pamë më lartë se kjo shprehje në disa versione ka ardhur në formë të dyshimtë, nuk dihet se a është 60 apo 70, vetvetiu lind nevoja që ta gjejmë problemin-sëmundjen, e pastaj diagnozën, ngase siç thonë mjekët, "gjetja e sëmundjes dhe definimi i saj është hapi i parë i shërimit të pacientit"([16]).
Përmendja e tyre së bashku, pra “60 e ca ose 70 e ca”, ka ardhur në shumë versione. Ndërsa përmendja ndaras (përmendja e vetëm një shifre 60 ose 70), është transmetuar, përafërsisht, në rrugë të njëjta transmetimi. Autorët e Suneneve, e më konkretisht, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, e transmetojnë prerazi versionin: “70 e ca”([17]). Buhariu e ka transmetuar pa asnjë dyshim: “”60 e ca degë([18]).
Bejhekiu ka favorizuar versionin e Buhariut, ku degët e besimit janë përkufizuar në “60 e ca”. Ibni Salahi e ka zgjedhur po ashtu mendimin për “60 e ca” ngase kjo është më bindëse, dhe siç thotë rregulli: ”Dyshimi nuk e largon bindjen”.
Pra, askush nuk diskuton rreth asaj se a mund të jetë kjo shifër nën 60. Diskutimi është fokusuar në atë se a është shifra 60 apo 70. Në këtë rast, anohet nga ajo që është më e saktë, e që padyshim është shifra 60, e cila është më pak. Megjithatë, Shejh Albani nuk është i këtij mendimi. Ai përkitazi me këtë mes’ele thotë: Nuk ka dyshim se, në rast konfuzioni tek transmetimet, duhet kapur pas asaj që është më e paktë, ngase për të je më i sigurtë, e sidomos kur nuk ke mundësi ta zgjedhësh dilemën në mes transmetimeve në asnjë formë, porse këtu, unë mendoj se puna qëndron ndryshe, ngase transmetimi i Muslimit (që përkufizon mbi 70) është më i qëlluar sesa ai i Buhariut, (që përkufizon mbi 60) për arsye se transmetohet nëpërmjet dy rrugëve([19]).
Edhe Shejh Ebu Abdullah El Halimi është i i këtij mendimi. Ai thotë se mendimi me i qëlluar është ai: ”70 e ca”, për arsye se فَإِنَّ الْحُكْم لِمَنْ حَفِظَ الزِّيَادَة جَازِمًا بِهَا dispozita është në anën e atij që mban mend shtesën në mënyrë teë prerë([20]).
Shejh Salahu ka thënë se dyshimi rreth shifrës, 60 apo 70, nuk është nga Ebu Hurejre, por është nga Suhejli, i cili e ka transmetuar këtë hadith prej tij. Megjithatë, nga Suhejli është transmetuar edhe padyshim fare: “70 e ca” ([21]).
Këtë e ka thënë edhe Imam Ahmedi, i cili përkitazi me këtë problematikë pati konkluduar se: Dyshimi ka ardhur si pasojë e Suhejlit, ndryshe, Sulejman b. Bilali e transmeton pa asnjë dyshim. Versioni i tij tek dijetarët është më i fortë sesa i Suhejlit, edhe pse disa transmetues e kanë transmetuar nga Suhejli pa asnjë dyshim, pra: “70 e ca”([22]).
Kadi Ijjadi, si përmbyllje të diskutimit, konkludon: Mendimi më i qëlluar është shifra, që është shprehur në shumicën e haditheve dhe tek shumica e transmetuesve: “60 e ca” ([23]), edhe pse degët, që në vijim, me lejen e Allahut, do t’i përmendim, janë mbi 70 ngase përshkrimi i tyre është marrë nga një dijetar që nuk ndan mendim të njëjtë me Kadi Ijjadin.
Cilat janë këto degë?
Ka thënë Kadi Ijjadi: Një grup njerëzish janë munduar që t’i përkufizojnë këto degë nëpërmjet ixhtihadit, por kjo është e vështirë, madje mosnjohja e tyre në detaje nuk e zbehë aspak besimin([24]).
Ka thënë Ibni Hibbani: E kam medituar kohë të gjatë këtë hadith. Fillova dhe numërova ibadetet (ta’atet), të cilat më dolën shumë më shumë sesa kjo shifër. U ktheva në sunnet dhe numërova çdo adhurim, të cilin Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam, e kishte konsideruar si pjesë besimi, dhe pashë se ato nuk arrinin shifrën në 79. Iu ktheva Kur’anit dhe e lexova me meditim, por, prapë, adhurimet e kësaj natyre nuk arrinin shifrën 79. I bashkova këto dhe fshiva adhurimet e përsëritura, kur ja ato më dolën 79, as më shumë dhe as më pak. Kështu u binda se qëllimi i Pejgamberit, alejhi’s selam, në hadith ishte kjo shifër([25]).
Megjithatë, Ibni Hibbani nuk shkel të drejtën e atyre, që potencuan se ato janë 69. Ai pranon se edhe ky version është i vërtetë([26]).
Ata, që kane numëruar këto degë, nuk janë pajtuar për ndonjë version të njëjtë. Versioni i Ibni Hibbanit duket të jetë më i përafërti me të vërtetën. Ai kishte ndarë këto degë në tri grupe kryesore veprash, ku secili grup ka degët kryesore e herë-herë edhe nëndegët e veta. Grupet kryesore:
1. Veprat e zemrës, në të cilat përfshihen besimet dhe nijetet. Në kuadër të kësaj dege bëjnë pjesë 24 cilësi:
1) Besimi në Allahun. (Këtu hyn edhe besimi në Qenien, Cilësitë dhe Njëshmërinë e Tij, besimi se askush nuk është sikurse Ai, besimi se çdo gjë, përveç Tij, është e shpikur).
2) Besimi në Melaike.
3) Besimi në Libra.
4) Besimi në të Dërguar.
5) Besimi në Ditën e Ffundit. (Këtu hyjnë edhe çështjet që kanë të bëjnë me të, si: varri, ringjallja, tubimi, llogaria, peshimi i veprave, Sirati, Xhenneti dhe Xhehennemi).
6) Besimi në caktimin e Allahut.
7) Dashuria për Allahun; dashuria dhe urrejtja vetëm për hire të Tij.
8) Dashuria për Pejgamberin, alejhi’s salatu ve’s selam. (Këtu bën pjesë dërgimi i salavateve mbi të dhe pasimi i sunnetit të tij).
9) Sinqeriteti. (Këtu hyn braktisja e syefaqësisë dhe hipokrizisë).
10) Pendimi.
11) Frika.
12) Shpresa.
13) Falënderimi.
14) Përmbushja (e premtimit).
15) Durimi.
16) Pajtimi me caktimin e Allahut.
17) Mbështetja në Allahun.
18) Mëshira.
19) Modestia. (Këtu bën pjese nderimi i të vjetrit dhe mëshirimi i të voglit).
20) Braktisja e mendjemadhësisë.
21) Braktisja e vetëpëlqimit.
22) Braktisja e zilisë.
23) Braktisja e mërisë (urrejtjes الْحِقْد).
24) Braktisja e hidhërimit
2. Veprat e gjuhës. Këto përfshijnë shtatë cilësi:
1) Shqiptimi i tewhidit (Njëshmërisë).
2) Këndimi i Kur’anit.
3) Mësimi i diturisë.
4) Të mësuarit diturinë tjerëve.
5) Duaja, dhikri (Përkujtimi i Allahut).
6) Isitigfari (Kërkimi falje).
7) Braktisja e epsheve
3. Veprat e trupit (gjymtyrëve). Në kuadër të këtyre hyjnë 38 cilësi.
A. Prej tyre ka që janë konkrete. Këto janë 15:
1) Pastrimi konkret e abstrakt. (Këtu bën pjesë edhe shmangia nga papastërtitë).
2) Mbulimi i pjesëve të turpshme.
3) Namazi, i obliguar dhe ai fakultativ.
4) Zekati.
5) Lirimi i robërve.
6) Bujaria. (Këtu bën pjesë dhënia e ushqimit dhe nderimi i mysafirit).
7) Agjërimi, i obliguar dhe ai fakultativ.
8) Haxhi dhe Umreja.
9) Tavafi.
10) I’tikafi.
11) Kërkimi i Natës së Kadrit.
12) Migrimi për ta mbajtur fenë. (Këtu hyn hixhreti nga vendi joislam).
13) Përmbushja e zotimeve.
14) Hulumtimi i çështjeve më kyçe në besim (për zbatimin dhe përfilljen e tyre)( وَالتَّحَرِّي فِي الْإِيمَان).
15) Përmbushja e kompensimeve (qefareteve).
B. Prej tyre ka që kane te bëjnë me pasim (tradicionalizëm). Ato gjithsej janë gjashtë (6):
1) Ruajtja nëpërmjet martesës.
2) Mbikëqyrja e familjes.
3) Bamirësia ndaj prindërve (këtu hyn edhe shmangia e arrogancës ndaj tyre).
4) Edukimi i fëmijëve.
5) Mbajtja e lidhjeve familjare.
6) Respektimi i zotërinjve (pronarëve të robërve, punëdhënësit, etj) apo butësia me robër.
C. Që kanë të bëjnë me njerëzit e rëndomtë. Ato gjithsej janë 17:
1) Udhëheqësia e drejtë.
2) Pasimi i xhematit (kolektivit) dhe mosndarja prej tij.
3) Respektimi i udhëheqësve.
4) Pajtimi i njerëzve. (Këtu bën pjesë mbytja e havarixhëve dhe zullumqarëve).
5) Pjesëmarrja në nisma të mbara. (Këtu hyn urdhërimi për te mire dhe ndalimi nga e keqja).
6) Ekzekutimi i kodeve penale.
7) Xhihadi dhe përforcimi në rrugën e Allahut.
8) Përmbushja e amanetit. (Këtu bën pjese dhënia e 1/5 për prijësin e muslimanëve).
9) Huadhënia (borxhdhënia) dhe kthimi i huasë.
10) Trajtimi i mirë i njerëzve. Këtu bën pjese fitimi i pasurisë në mënyrë të lejuar.
11) Shpenzimi i pasurisë me vend.
12) Istrafi (shpenzimi i pakontrollë i pasurisë).
13) Kthimi i selamit.
14) Dëshirimi shëndet atij që teshtin (duke i thënë Jerhamuke Allah – Allahu të mëshiroftë).
15) Mos shqetësimi i njerëzve.
16) Largimi nga epshet (që të shpijnë në humbje), dhe
17) Largimi i së keqes nga rruga.
Këto janë gjithsej 69 degë, të cilat mund të numërohen edhe si 79, nëse do t’i numëronin ndaras disa cilësi, që i kemi përmendur nën një pikë të vetme. Allahu e di më së miri! ([27])
Nuk ka dyshim se këto cilësi, edhe nëse jo për nga renditja, megjithatë dallojnë në vlerë. Nuk ka dyshim se besimi në Allahun dhe kushtet tjera themelore të besimit janë më të vlefshme sesa cilësitë tjera të cekura në kuadër të kësaj radhitje. Këtë e argumenton edhe transmetimi i Muslimit:
“الْإِيمَانُ بِضْعٌ وَسَبْعُونَ أَوْ بِضْعٌ وَسِتُّونَ شُعْبَةً فَأَفْضَلُهَا قَوْلُ لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ وَأَدْنَاهَا إِمَاطَةُ الْأَذَى عَنْ الطَّرِيقِ" وَالْحَيَاءُ شُعْبَةٌ مِنْ الْإِيمَانِ
Imani është 60 apo 70 e ca degë. Më e mira është thënia: La ilahe il’la Allah, ndërsa më e ulëta është largimi i një pengese nga rruga. Edhe turpi është degë e besimit”.
Turpi
Turpi fetarisht do të thotë: “خُلُق يَبْعَث عَلَى اِجْتِنَاب الْقَبِيح ، وَيَمْنَع مِنْ التَّقْصِير فِي حَقّ ذِي الْحَقّ Moral, i cili të shtyn ta braktisesh të keqen dhe të pengon nga anashkalimi i të drejtës së tjetrit”. Mu për këtë në hadith qëndron:
“الْحَيَاء خَيْر كُلّه
Tërë turpi është i mirë”.
Në disa transmetime qëndron:
“الْحَيَاء مِنْ الْإِيمَان
Turpi është prej besimit”,
“الْحَيَاء لَا يَأْتِي إِلَّا بِخَيْرِ
Turpi nuk të sjell përveçse të mira”,
“الْحَيَاء خَيْر كُلّه أَوْ قَالَ كُلّه خَيْر
Turpi është i mirë në tërësi”, ose ka thënë: “I tëri është i mirë”. ([28])
Ndoshta dikush pyet: Si ka mundësi që turpi të jetë degë besimi kur ai është natyrshmëri e lindur tek njeriu? Është e vërtetë që turpi lind së bashku me njeriun, por trajtimi i tij ashtu siç thotë feja, ka nevojë që ai të përfitohet (nga tradita fetare) dhe të ketë nijjet (për të). Kështu kjo ka bërë që ai të jetë pjesë e besimit. Madje, turpi të nxit të bësh vepra të mira dhe të pengon nga mëkatet([29]).
Kjo është argument se imani shtohet edhe pakësohet, ngase njerëzit nuk janë të njëjtë në rangun e turpit. Dhe meqë nuk janë të njëjtë, atëherë tek dikush gjendet më shumë dhe kështu, imani i tij është më i madh. Tek dikush gjendet më pak dhe besimi i tij është më i dobët([30]).
Është thënë se turpi është dy llojesh:
· I natyrshëm, të cilin Allahu e krijoi në njeriun, si: zbulimi i pjesëve të trupit, marrëdhëniet intime në prezence të njerëzve. Ky lloj vlen për të gjithë njerëzit.
· Turp i besimit, i cili e pengon njeriun të bëjë vepra të këqija. E pengon nga zinaja, nga alkooli, etj([31]). Ky lloj është i veçantë për pjesëtarët e fesë së drejte islame.
Disa veçori të turpit:
- Është pjesë e besimit. Thotë Pejgamberi, alejhi’s selam:
“الايمان بضع وستون بابا أو بضع وسبعون بابا أعظهما لاإله إلا الله ، وأدناها إماطة الاذى عن الطريق ، والحياء شعبة من الايمان
Besimi është 60 e ca kapituj, apo 70 e ca kapituj. Më i madhi është La Ilahe Il’la Allah ndërsa më i ulëti është largimi i së keqes nga rruga. Edhe turpi është pjesë e besimit”.
Po ashtu thotë:
“الحياء من الايمان
Turpi është nga besimi”.
- Turpi, cilësi e pëlqyer nga Pejgamberi, alejhi’s selam. Pejgamberi, alejhi’s selam, i kishte thënë Eshexh’xh b. Asarit:
“إِنَّ فِيكَ خُلَّتَيْنِ يُحِبُّهُمَا اللَّهُ عَزَّ وَجَلَّ قُلْتُ مَا هُمَا قَالَ الْحِلْمُ وَالْحَيَاءُ قُلْتُ أَقَدِيمًا كَانَ فِيَّ أَمْ حَدِيثًا قَالَ بَلْ قَدِيمًا قُلْتُ الْحَمْدُ لِلَّهِ الَّذِي جَبَلَنِي عَلَى خُلَّتَيْنِ يُحِبُّهُمَا
Ti vërtetë ke dy cilësi, të cilat i do Allahu. Thashë: Cilat janë ato? Tha: Butësinë dhe turpin. Thashë: A kanë qenë në mua përherë apo janë tani rishtazi (pasi që jam bërë musliman). Tha: Jo, kanë qenë qysh moti. Thashë: Falënderimi i takon Allahut, i cili më ka krijuar me këto dy cilësi, të cilat i do Ai”. ([32])
- Tërë turpi është i mirë. Ka thënë Pejgamberi, alejhi’s selam: “الحياء خير كلهTurpi, i tëri është i mirë”.
- Allahu e do të turpshmin dhe e urren të paturpshmin. Thotë Pejgamberi, alejhi’s selam:
“إن الله يحب الحيي العفيف الحليم ، ويبغض الفاحش البذئ السائل الملحف
Allahu e do të turpshmin, të ruajturin (në nder) dhe të butin, ndërsa urren fjalëkeqin, të pandershmin dhe atë që kërkon shumë”.
- Turpi rrugë për në xhennet. Ka thënë Pejgamberi, alejhi’s selam:
“الْحَيَاءُ مِنْ الْإِيمَانِ وَالْإِيمَانُ فِي الْجَنَّةِ وَالْبَذَاءُ مِنْ الْجَفَاءِ وَالْجَفَاءُ فِي النَّارِ
Turpi është nga besimi ndërsa besimi të shpie në Xhennet. Paturpi është nga neveria([33]), ndërsa xhefaja është në zjarrë”. ([34])
Pejgamberi, alejhi’s selam shquhej me turp të madh. Ka thënë Ebu Seid el Hudriu:
“كان رسول الله صلى الله عليه وسلم أشد حياء من العذراء في خدرها ، وكان إذا كره شيئا عرفناه في وجهه
Pejgamberi, alejhi’s selam, ishte më i turpshëm sesa virgjëresha në dhomën e nusërisë. Kur urrente diç, e vërenim nga fytyra e tij”.
- Turpi cilësi e humbur, që duhet pajisur me të. Kajsi rrëfen:
“دخل عيينة على النبي صلى الله عليه وسلم ولم يستأذن ، فقالت عائشة : يا رسول الله ! من هذا ؟ قال : (هذا أحمق مطاع في قومه) ، قال : ثم أتي بشراب فاستتر ثم شرب فقال : يا رسول الله ! ما هذا ؟ قال : (هذا الحياء خلة فيهم أعطوها وضيعتموها)
Hyri Ujejne tek Pejgamberi, alejhi’s selam pa kërkuar lejehyrje fare. Kush është ky o i dërguari i Allahut- pyeti Aisheja? Tha: Ky është ahmak i respektuar tek fisi i vet. Pastaj i sollën pije ndërsa ai e fshehu e pastaj e piu. Pyeti: Ja resulullah? Çka është kjo? Tha: Turp, që është cilësi (veçori e tyre); iu është dhënë atyre ndërsa ju e keni humbur”.
- Turpi porosi e përbashkët e pejgamberëve, alejhimu’s selam. Ka thënë Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam,:
“آخر ما أدرك الناس من كلام النبوة : إذا لم تستح فافعل ما شئت
Fjalën e fundit, që e kane zënë njerëzit nga Pejgamberët ka qenë: Nëse nuk turpërohesh bë çka të duash”.
- Turpi i paktë mëkat, ndoshta edhe i madh. Seid b. Musejjibi transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“قلة الحياء كفر
Turpi i pakte është kufër (pabesim)”.
- Turpi dhe besimi janë paralel; njëri pa tjetrin nuk shkojnë. Ka thënë Ibni Omeri: “إن الحياء والايمان قرنا جميعا ، فإذا رفع أحدهما رفع الاخر
Turpi dhe besimi janë shokë ndërmjet vete, nëse humb njeri, humb edhe tjetri”.
- Turpi është moral i besimit. Ka thënë Pejgamberi, alejhi’s selam:
“لكل شئ خلقا ، وخلق الايمان الحياء
Çdo gjë ka moral ndërsa morali i besimit është turpi”([35]).
([3]) Hashijetus Sendijj Ala’s Suneni En Nesaijj
([6]) Shih: Sahihu ve daifu suneni’t Tirmidhijj, 2614.
([7]) Albani e ka cilësuar këtë hadith autentik. Shih: Sahihu ve daifu Suneni Ebi Davud, 4676.
([8]) Albani këtë hadith në Sahihu ve daifu suneni’n Nesaijj, 5005, e cilëson autentik.
([9]) Albani këtë hadith në Sahihu ve daifu suneni Ibni Maxheh, 57, e cilëson autentik.
([10]) El Mu'xhemu’l kebir lit-Taberani
([11]) El Muxhem el evsat lit Taberanijj
([12]) Këtë transmetim ne nuk e kemi përmendur por këtë e kam hasur në koment të Sunenit të Ebu Davudit, Avnul Ma’bud, në koment të këtij hadithi.
([13]) Këtë transmeton Ibni Ebi Shejbe, nga Ibni Axhelani, por Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë, në Silsiletu’s Sahiha, 4/369, në mes tjerash ka thënë:…Ibni Axhelani është hasenu’l hadith (hadithet e tij janë të rangut të mirë), përveç kur të bie në kundërshtim me të tjerët, si në këtë rast, që nuk ka përmendur fare “بضع ca”, kështu që nuk argumentohet me të në raste të tilla.
([14]) Fet’hul Bari nga Haxher El Askalani
([16]) Fet’hul Bari nga Haxher El Askalani
([17]) Sahihu Muslim Bi Sherh En Nevevijj
([19]) Silsiletu’s Sahiha, 4/369
([20]) Sahihu Muslim Bi Sherh En Nevevijj
([22]) Shuabul Iman Lil Bejheki
([24]) Fet’hul Bari nga Haxher El Askalani
([25]) Sahihu Muslim Bi Sherh En Nevevijj
([27]) Fet’hul Bari nga Haxher El Askalani
([28]) I transmeton Muslimi
([29]) Fet’hul Bari nga Haxher El Askalani
([31]) Hashijetus Sendi Ala Ibni Maxheh
[33] Xhefa - e kundërta e bamirësisë, që të bën të përmbushësh premtimin
[34] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani në Sahihu ve daifu suneni’t Tirmidhijj, 2009, e ka cilësuar autentik.
([35]) Që të gjitha këto transmetime janë transmetuar nga: Musannef Ibni Ebi Shejbe.