Es-Selamu alejkum!
Falënderimet i takojnë Allahut ndërsa përshëndetjet tona qofshin mbi Muhammedin, familjen, shokët dhe pasuesit e tij!
Xhematlinjë të nderuar!
Ndonëse Allahu e zgjodhi dhe dalloi muajin e Ramazanit prej muajve tjerë, e nderoi atë me përzgjedhjen e tij si muaj i zbritjes së Kur’anit, megjithatë, edhe vet përbrenda Ramazanit, Allahu përzgjodhi ca ditë, të cilat janë më me vlerë se sa ditët tjera. Është fjala pikërisht për këto dhjetë ditët e fundit, që ne sonte veç po shënojmë të parën prej tyre. Vlera e tyre është, sigurisht, më e madhe se sa vlera e 20 ditëve të para ngase pikërisht në këto dite ka filluar zbritja e Kur’anit, siç thotë Allahu:
ãökytb$ÒtBuüÏ%©!$#tAÌRé&ÏmÏùãb#uäöà)ø9$#WèdĨ$¨Y=Ïj9;M»oYÉit/urz`ÏiB3yßgø9$#Èb$s%öàÿø9$#ur4...ÇÊÑÎÈ
185. (Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur'ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)...“.
(el-Bekare, 185)
Në këto dhjetë net, besimtarë të nderuar, është edhe Nata e Kadrit, e cilësuar si më e mirë se 1000 muaj, e cila para së gjithash, për ne është një shans jetik për tu pastruar nga mëkatet dhe gabimet. Thotë Allahu:
لَيْلَةُ الْقَدْرِ خَيْرٌ مِنْ أَلْفِ شَهْرٍ
3. Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!“.
(el-Kadr, 3)
Kështu është në ligjin e Allahut, zgjedh e dallon me urtësinë dhe bujarinë e Tij çka tç dojë!
وَرَبُّكَ يَخْلُقُ مَا يَشَاءُ وَيَخْتَارُ
68. Zoti yt krijon çka të dojë dhe zgjedh kë të dojë...“.
(el-Kasas, 68)
Vëllezër muslimanë!
Si ishte gjendja e Muhammedit, alejhi’s selam në këto ditë? Çfarë bënte dhe si vepronte? A shtonte adhurimin dhe lutjet apo ishte si zakonisht?
Jo, Muhammedi, alejhi’s selam në këto dhjetë ditë ishte më aktiv në adhurime se kurrë më parë, ishte më i freskët në lutje se sa kurrë më parë; falej, lutej, lexonte Kur’an e edhe zgjonte familjen të faleshin me të. Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, rrëfen për Muhammedin, alejhi’s selam e thotë:
„كَانَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يَجْتَهِدُ فِي الْعَشْرِ الْأَوَاخِرِ مَا لَا يَجْتَهِدُ فِي غَيْرِهِ
Pejgamberi alejhi’s selam angazhohej në dhjetë ditët e fundit (me ibadet dhe vepra të mira) jo sikurse në ditët tjera (por shtonte dhe përpiqej më shumë)“. (Muslimi)
„انَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ إِذَا دَخَلَ الْعَشْرُ أَحْيَا اللَّيْلَ وَأَيْقَظَ أَهْلَهُ وَجَدَّ وَشَدَّ الْمِئْزَرَ
Pejgamberi alejhi’s selam kur vinte dhjetëshi i fundit i Ramazanit, i ngjallte netët (me ibadete), zgjonte familjen e tij prej gjumi, përpiqej (për ibadet të shumtë), dhe shtrëngohej (për ibadet)“. (Muslimi)
Në një transmetim tjetër po ashtu nga Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, qëndron edhe kjo shtesë: “..si dhe largohej nga marrëdhëniet seksuale me gratë (e veta)”.
Ja kështu ishte Muhammedi, alejhi’s selam në këto dhjetë ditë.
Edhe shokët e Muhammedit, alejhi’s selam dhe të tjerët pas tyre iu kushtonin rëndësi të madhe këtyre dhjetë ditëve. Ata, madje edhe në veshje, përgatiteshin special për këto dhjete dite duke blerë rroba të veçanta.
Ftese për llogaritje të vetes sonë
Muslimane të nderuar!
Kaluan 20 ditë dhe tani shtegut përfundimtar të Ramazanit veç po i afrohemi. Është zakon që atleti mundin e tij më të madh ta jap në fund të maratonit kur është afër cakut final, por si ka qenë puna jonë gjatë pjesës së parë të maratonit. A kemi qenë prej atyre që kemi vepruar drejt e me mençuri apo kemi qenë prej dembelëve që si në fillim po edhe në fund të muajit jemi të ngjashëm. Nëse do, ja disa nga gjërat që duhet ta llogarisësh veten për to për të parë nëse ato ta mundësojnë fitoren dhe të japin fuqi tani në fund të shtegut, apo anashkalimi i tyre të ka lënë mbrapa.
Keni dëgjuar shumë herë se Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë për namazin në Ramazan:
„ من قام رمضان إيماناً واحتساباً غفر له ما تقدم من ذنبه
Kush falet në Ramazan me besim dhe sinqeritet (vetllogari) i falen mëkatet e mëparshme“.
Enesi transmeton se Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë:
„إن لله ملكا ينادى عند كل صلاة ، يا بني آدم قوموا إلى نيرانكم التي أوقدتموها فأطفئوها
Allahu ka një melek, i cili thërret për çdo namaz: O bijtë e Ademit, ngrihuni për tek zjarret tuaja që i keni ndezur dhe fikni-shuani ato“. ([1])
E vërtetë, por çfarë namazi ke bërë ti gjatë këtyre 20 ditëve? A ka qenë namazi yt në përputhje me udhëzimet fetare apo ke qenë prej atyre qe Muhammedi, alejhi’s selam, siç transmeton Imam Ahmedi, i ka quajtur hajnat më të këqij në tokë.
„أسوأ الناس سرقة الذي يسرق من صلاته قالوا : يا رسول الله : كيف يسرق من صلاته ؟ قال : لا يتم ركوعها ولا سجودها
Hajni më i keq prej njerëzve është ai që vjedh në namazin e tij. Si mund të vjedh njeriu në namaz?- pyetën disa. Tha: Nuk kryen siç duhet rukunë dhe sexhden e namazit “.
A je ngitur ta shuash zjarrin tënd apo ke fjetur ndaj kohëve të namazit dhe kështu atë zjarr vetëm sa e ke ndezur më shumë?
Allahu e ka obliguar agjërimin në këtë muaj të shenjtë por me thuaj se çfarë agjërimi ke bërë? Agjërim të cilësuar me devotshmëri apo vetëm je larguar nga ushqimet por jo edhe nga fjalët e punët e këqija? Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë:
“Ai qe nuk braktis fjalët e këqija (çfarëdo që të jenë) dhe veprimin sipas tyre, ai nuk ka shpërblim për agjërimin e tij ngase Allahu nuk ka nevojë që njeriu të mos hajë dhe pijë”.
Allahu e ka zbritur Kur’anin në këtë muaj, më thuaj sa e ke lexuar dhe si e ke lexuar atë. Imam Ahmedit i kishin rrëfyer për një nxënës të tij, i cili falej dhe lexonte tërë Kur’anin brenda një nate. Imami deshi ta mësonte se si në të vërtetë duhet të lexohet Kur’ani me meditim e studim kështu që shkoi tek ai dhe i tha: Më kanë informuar se ti bën kështu e kështu...Tha: Po o Imam.
Mirë, shko sonte dhe vepro siç ke vepruar por kur të lexosh Kur’an bëhu sikur lexon në prezencën time e pastaj nesër më informo se si kalove natën- sugjeroi Imam Ahmedi.
Erdhi të nesërmen nxënësi dhe i tregoi se nuk ka mundur të lexojë më shumë se dhjetë pjesë (xhuza) të Kur’anit.
Shko e sonte këndo Kur’an dhe parafytyroje veten sikur këndon në prani të Muhammedit, alejhi’s selam- rekomandoi për të dytën herë Imami.
Shkoi por kur u kthye të nesërmen rrëfeu se kësaj radhe më pak kishte lexuar. Përveç pjesës së fundit, xhuz’it Amme nuk kishte mundur të lexonte më shumë.
Shko prapë sonte lexo Kur’an por parafytyroje veten se kësaj radhe je duke lexuar Kur’an para Allahut të Madhëruar- e porositi Imami. U çudit studenti dhe shkoi. Kur u kthye të nesërmen erdhi i përlotur dhe në të vëreheshin shenjat e pagjumësisë së madhe.
Çfarë bëre mbrëmë o biri im?- e pyeti Imami.
Pasha Allahun, as kaptinën el-Fatiha nuk kam mundur ta mbarojë-tha studenti. ([2])
Allahu të ka përkujtuar në Kur’an se të ka begatuar me pasuri, a e ke dhënë zekatin e saj? A e di se Muhammedi, alejhi’s selam është urdhëruar t’i luftoj ata që nuk e japin zekatin?
„Jam urdhëruar t’i luftoj njerëzit derisa të dëshmojnë se nuk meriton të adhurohet me të drejte askush perveç Allahut dhe se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij, ta falin namazin dhe ta japin zekatin...“- thoshte Muhammedi, alejhi’s selam.
Cila ishte sjellja jote me prindër gjatë këtyre ditëve të Ramazanit. Pa mos kërkuar përgjigjen prej teje po ta them një hadith e ti thuaj çfarë përgjigje të duash. Derisa Muhammedi, alejhi’s selam ishte duke hipur në minber tha tri herë “Amin”. O i dërguari i Allahut, kjo gjë nuk është e zakonshme, na thuaj se çfarë kuptimi ka kjo?- pyetën disa nga shokët e tij.
Derisa isha duke hipur më erdhi Xhibrili dhe më tha: O Muhammed, i poshtëruar është një njeri që prindërit e tij e arrijnë pleqërinë ndërsa ai nuk e fiton Xhennetin prej tyre (për shkak të arrogancës së tij ndaj tyre). Thashë: “Amin” –sqaroi Muhammedi, alejhi’s selam.
Ke dëgjuar vëlla se Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë:
„Tërë ummeti im janë të falur përveç atyre që bëjnë mëkate haptazi“.
Si ishte gjendja jote? Bëje apo nuk bëje mëkate haptazi? A konsumoje duhan para syve të njerëzve? A haje bukë para agjëruesve? Apo agjëroje siç duhet. A veprove që mëkatet tua të falen. Hadithin që e shënuam më lartë na flet edhe për këtë. “I poshtëruar qoftë një njeri që e përjeton Ramazanin ndërsa nuk i falen mëkatet”- tha Xhibrili dhe e aprovoi me lutje Muhammedi, alejhi’s selam.
Ne folëm për vlerën e namazit në Ramazan por më thuaj se si ishte gjendja jote me namaz nate? Allahu ka përshkruar robërit e Tij të sinqerte me namaz nate dhe ka thënë:
وَالَّذِينَ يَبِيتُونَ لِرَبِّهِمْ سُجَّدًا وَقِيَامًا
64. Dhe që për hir të Zotit të tyre natën e kalojnë duke i bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë (falen)“.
(el-Furkan, 64)
Muhammedi, alejhi’s selam e kishte zakon t’i pyeste shokët nëse dikush kishte parë ndonjë ëndërr apo jo. Abdullahu, i biri i Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, kishte parë se si dy burra e kishin kapur për krahësh dhe e kishin dërguar deri afër Xhehennemit ku kishte parë njerëz që i njihte. Thoja: O Zot, më mbro nga zjarri i Xhehennmit! E pamë një melek tjetër, i cili më tha: Përse nuk ke bërë më shumë adhurim? Ia tregova motrës sime, Hafsës, e cila ishte gruaja e Muhammedit, alejhi’s selam dhe ajo ia rrëfeu atij. Me atë rast Muhammedi, alejhi’s selam tha: “Sa njeri i mirë do të ishte Abdullahu po të falte namaz nate”.
Apo mos ndoshta i ke bërë mëkat Allahut gjatë kësaj kohe. Unë e lus Allahun që ti të mos e kesh bërë një gjë të tillë. A e di pse? Ngase Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë:
„ لَأَعْلَمَنَّ أَقْوَامًا مِنْ أُمَّتِي يَأْتُونَ يَوْمَ الْقِيَامَةِ بِحَسَنَاتٍ أَمْثَالِ جِبَالِ تِهَامَةَ بِيضًا فَيَجْعَلُهَا اللَّهُ عَزَّ وَجَلَّ هَبَاءً مَنْثُورًا قَالَ ثَوْبَانُ يَا رَسُولَ اللَّهِ صِفْهُمْ لَنَا جَلِّهِمْ لَنَا أَنْ لَا نَكُونَ مِنْهُمْ وَنَحْنُ لَا نَعْلَمُ قَالَ أَمَا إِنَّهُمْ إِخْوَانُكُمْ وَمِنْ جِلْدَتِكُمْ وَيَأْخُذُونَ مِنْ اللَّيْلِ كَمَا تَأْخُذُونَ وَلَكِنَّهُمْ أَقْوَامٌ إِذَا خَلَوْا بِمَحَارِمِ اللَّهِ انْتَهَكُوهَا
Disa njerëz nga ummeti im do t’i njoh në Ditën e Kijametit ngase vinë të shndritur (bardhë) me sevape të shumta sa kodrat e Tihames por Allahu i bën hi e pluhur ato të mira. Theubani, shok i Muhammedit, alejhi’s selam tha: O i dërguari i Allahut, na i përshkruaj ata, na dëfto gjendjen e tyre që të mos jemi ne prej tyre nga padituria? Sa iu përket atyre, sqaroi Muhammedi, alejhi’s selam, ata janë vëllezërit tuaj, janë prej lëkurës suaj, falen natën siç faleni edhe ju por kur të vetmohen me ndalesa të Allahut i shkelin ato“. ([3])
Shkaku se përse ky grup njerëzish do të kenë veprat e shkatërruara derisa ata, që bëjnë mëkate fshehurazi, nuk do ta kenë një statut të tillë, është se këta njerëz shtiren kinse janë të devotshëm, janë burra të ndershëm, janë të moralshëm. Këta njerëz bëjnë syefaqësi, gënjejnë, ndryshe, janë mëkatarë. Mu për këtë, Ibni Haxher el-Hejthemiu në librin e tij ez-Zevaxhir (pj. 2 / f. 763) mëkatin e 56-të në rënditjen e mëkateve të mëdha e ka llogaritur: “Shfaqja e devotshmërisë në masë të gjerë dhe kryerja e mëkateve në vetmi, qofshin ato edhe të vogla”, e pastaj e përmendi këtë hadith.
Vëlla turpërohesh prej njerëzve ndërsa nuk turpërohesh prej Allahut, ke dro të mos shikojnë njerëzit ndërsa për Allahun nuk ke fare dert a të sheh apo jo. A e di se Allahu i Madhëruar, ashtu siç i takon madhërisë së Tij, zbret në pjesën e tretë të natës dhe ofron shans e mundësi për falje mëkatesh: „A ka kush që kërkon falje e t’ia fali mëkatet“, ndërsa ti, në vend që të kërkosh falje mëkatesh, ti vetmohesh dhe bën mëkate edhe më shumë.
وإذا خلوت بريبة في ظلمة والنفس داعية إلى الطغيان
فاستحي من نظر الإله وقل لها إن الذي خلق الظلام يراني
Nëse vetmohesh me ndonjë gjë të dyshimtë në errësirë
dhe nefsi të motivon për mëkat
turpërohu nga shikimi i Allahut dhe thuaj se
Ai që ka krijuar errësirën më sheh
Kështu nuk ishte gjendja e muslimanëve. Ata vetmoheshin, jo për mëkate, por për të kryer adhurime. Një natë Omer b. Hattabi doli vetëm që të mos e shihte askush dhe hyri në një shtëpi. Pastaj hyri në një shtëpi tjetër. E pa një burrë por Omeri nuk e vërejti fare atë.
E pa Talhaja, i cili filloi të dyshonte. Përse hyri në këtë shtëpi? Përse në këtë kohë dhe vetëm? Përse fshihet? Kur erdhi mëngjesi, Talhaja shkoi dhe hyri në atë shtëpi por nuk gjeti asgjë përveç një plake të verbër dhe të paralizuar. Ç'është puna e këtij njeriu që vjen tek ti?- e pyeti Talhaja. Gruaja fare nuk e dinte se ai ishte Omeri, prijësi i besimtarëve, kështu që iu përgjigj: Ai ka kohë që më vjen, ma pastron shtëpinë dhe e rregullon atë…
Kështu kishte vepruar edhe Ebu bekri para tij, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë sahabet. Omeri vinte në xhami dhe vetmohej, e qortonte veten e tij e thoshte: Mjerë për ty o Omer nëse Allahu nuk të falë!
Imam Ahmedi kishte dëgjuar prej nxënësit të tij një poezi të thënë nga një hoxhë:
Nëse vetmohesh ndonjë ditë
mos thuaj u vetmova por thuaj unë kam përcjellës
Mos mendo se Allahu është neglizhent
dhe se ajo që është e padukshme Atij i fshihet
Imami hyri në një dhomë, e mbylli derën dhe qau shumë!
Muslimanë të nderuar! Nga gjërat shumë të preferuara në këto dhjetë dite është edhe I’tikafi. “Pejgamberi bënte I’tikaf në dhjetë netët e fundit të Ramazanit deri në kohën kur vdiq”- qëndron në një hadith.
I’tikafi behet me qellim të vetmisë me adhurim për Allahun e Madhëruar dhe largim nga problemet e përditshmërisë së dunjasë. Le të përkujtojmë o vëllezër se të këndosh Kur’an d.t.th.: të flasësh me Allahun, të falësh namaz d.t.th.: te jesh mysafir i Allahut, andaj të vendosim se duam apo jo të flasim dhe të jemi mysafir të Allahut?
wes selamu alejkum!
(Ligjëratë e mbajtur në Xhaminë Shqiptare të Reinachut, Aarau, Zvicër, 2 tetor 2007, e martë, para teravive)
[1] Transmeton Taberaniu me sened hasen
[2] http://www.workforislam.com/forum/lofiversion/index.php/t881.html
[3] Transmeton Ibni Maxhe ndërsa Shejh Albani ka cilësuar si autentik. Shih: Sahihu’l xhamii, 5028