Se sa rëndësi kanë dijetarët njeriu kupton vetëm atëherë kur të gjendet në ndonjë udhëkryq dhe nuk di kah t’ia mban, apo kur të bjerë në konfuzion për diç, dhe zgjidhjen, si për të parën po ashtu edhe këtu, e gjen tek sqarimet dhe komentet e dijetarëve. Ky artikull shumë i thjeshtë dhe modest, është një falënderim për Allahun që na ka dhuruar dijetarët, së pari, dhe mirënjohje e respekt për dijetarët, së dyti.
Derisa isha duke hulumtuar për hixhretin e pejgamberëve, alejhimu’s selam, më rastisi të gjej një koment të shkëlqyer të Nasiruddin Albanit, hadithologut shqiptar, rreth “Kufomës së Jusufit, alejhi’s selam” në librin Kasasu’l kur’an- durusun ve iber të Sa’d Jusuf Ebu Aziz([1]).
Edhe pse nuk është ndonjë çështje tepër me rëndësi në fe, ngase plotësimi apo mangësimi i besimit nuk lidhen për saj, megjithatë si pyetje shtrohet shpesh nga studentët, dhe atë sa herë që përmendet hadithi përkatës për këtë, i cili siç paragjykohet nga dikush, bie ndesh me hadithin e vërtetë kur potencohet se trupat e pejgamberëve, alejhimu’s selam nuk i kalb dheu. Hadithi, përkitazi me kufomën e Jusufit, alejhi’s selam, është:
“إن موسى حين أراد أن يسير ببني إسرائيل ضل عنه الطريق فقال لبني إسرائيل ما هذا ؟ قال : فقال له علماء بني إسرائيل : إن يوسف عليه السلام حين حضره الموت أخذ علينا موثقا من الله أن لا نخرج من مصر حتى تنقل عظامه معنا . فقال موسى : أيكم يدري أين قبر يوسف ؟ فقال علماء بني إسرائيل ما يعلم أحد مكان قبره إلا عجوز لبني إسرائيل فأرسل إليها موسى فقال : دلينا على قبر يوسف قالت : لا والله حتى تعطيني حكمي . فقال لها : ما حكمك ؟ قالت : حكمي أن أكون معك في الجنة . فكأنه كره ذلك قال : فقيل له أعطها حكمها ، فأعطاها حكمها فانطلقت بهم إلى بحيرة مستنقعة ماء ، فقالت لهم أنضبوا هذا الماء . فلما أنضبوا قالت لهم : احفروا فحفروا فاستخرجوا عظام يوسف فلما أن أقلوه من الأرض إذ الطريق مثل ضوء النهار
…Kur Musai, alejhi’s selam deshi te vazhdonte rrugën me izraelitët, ata e humbën rrugën.
Ç’është kjo? – pyeti Musai.
Dijetarët izraelitë thanë: Kur Jusufi, alejhi’s selam deshi të vdiste mori besën e Allahut prej nesh që nuk do ta lesojmë Misrin (Egjiptin) pa bartur eshtrat e tij me vete.
E kush e di prej jush se ku është varri i Jusufit, alejhi’s selam? –pyeti Musai, alejhi’s selam.
Askush, përveç një plake izraelite nuk e di atë- u përgjigjen dijetarët.
Musai, alejhi’s selam dërgoi ca njerëz te ajo plakë. Plaka erdhi ndërsa Musai, alejhi’s selam i tha: Na trego varrin e Jusufit, alejhi’s selam!
Jo, pasha Allahun, nuk do ta bëj këtë derisa nuk përmbushni kërkesën (apelin, thirrjen) time- tha plaka me ngulm.
E cila është kërkesa jote?- pyeti Musai, alejhi’s selam.
Të jem me ty në Xhennet- tha plaka.
Musai, alejhi’s selam sikur nuk e pëlqeu këtë por i thanë (sipas një transmetimi i erdhi shpallja prej Allahut([2])) që ta pranonte atë dhe ai, alejhi’s selam, ashtu bëri.
Plaka u nis me ta tek kah pellg (apo liqe), tek një moçal me ujë, dhe iu tha: Largojeni ujin! Kur e larguan iu tha: Groponi këtu dhe nxirrni eshtrat e Jusufit, alejhi’s selam.
Kur e nxorën mbi tokë rruga u ndriçua sikur të ishte pika e ditës”.
Rangu i hadithit
Këtë hadith e transmeton Hakimi në El-Mustedrek ala's sahihajn, pj. 9, f. 349, dhe Ebu Ja’la në Musnedin e tij, pj. 15, f. 65, ndërsa Albani në es-Silsiletu’s sahihah, 1/560, e ka cilësuar autentik siç e ka cilësuar edhe Imam Dhehebiu.
Problematika rreth hadithit
Ky hadith me tekstin e tij ka paraqitur një konfuzion, mëdyshje dhe paqartësi tek lexuesit, ngase aty potencohej fjala “eshtrat e Jusufit” që nënkuptonte se trupi i tij është kalbur derisa në hadithe autentike është vërtetuar e kundërta, siç është hadithi:
“إن الله عز وجل حرم على الأرض أجساد الأنبياء
Allahu i Madhëruar ia ka ndaluar tokës trupat e pejgamberëve (respektivisht ngrënien dhe prishjen e tyre)”. ([3])
Nasiruddin Albani, Allahu pastë mëshirë mbi të, ka zgjidhur këtë problematikë dhe ka dhënë një shpjegim të bukur e bindës. Le t’ia japim fjalën vet atij:
“Në të kaluarën fjala “Eshtrat e Jusufit” më pati bezdisur ngase binte ndesh me hadithin e vërtetë:
“إن الله عز وجل حرم على الأرض أجساد الأنبياء
Allahu i Madhëruar ia ka ndaluar tokës trupat e pejgamberëve (respektivisht ngrënien dhe prishjen e tyre)”.
Kjo zgjati deri atëherë kur unë ndalova tek hadithi i Ibni Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, se:
“أَنَّ النَّبِيَّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ لَمَّا بَدَّنَ قَالَ لَهُ تَمِيمٌ الدَّارِيُّ أَلَا أَتَّخِذُ لَكَ مِنْبَرًا يَا رَسُولَ اللَّهِ يَجْمَعُ أَوْ يَحْمِلُ عِظَامَكَ قَالَ بَلَى فَاتَّخَذَ لَهُ مِنْبَرًا مِرْقَاتَيْنِ
Kur Pejgamberi, alejhi’s selam u moshua, Temim Dariu i tha: O i dërguari i Allahut, a ta punoj një minber që do ta tubonte apo barte ashtin (trupin) tënd! Po, si jo, i qe përgjigjur Muhammedi, alejhi’s selam. Ai ia punoi një minder me dy shkallë”. ([4])
Nga ky hadith kuptova se fjalën “eshtra” e kanë përdorur si sinonim të “trupit”, sipas rregullit për përdorimin e pjesës (një pjesë të ndonjë gjëje) me synim të tërësisë (të tërë atij sendi), siç është përdorur edhe në Kur’an, në ajetin:
“و قرآن الفجر
dhe Kur’anin e sabahut”, ([5])
…që për qellim është namazi i sabahut por është përdorur vetëm një pjesë e tij edhe pse për qellim është në tërësi namazi. Kështu, falë ndihmës së Allahut, konfuzioni rreth kësaj çështjeje u lagua prej kokës sime dhe shkrova këtë si sqarim”- përfundon hoxha i nderuar, Allahu e mëshiroftë!
[1] Këtë libër e ka botuar Daru’l fexhri li’t turath, Kajro, Egjipt, b. 1, 1999, f.: 238-239.
[2] Këtë e përmend Albani në es-Silsiletu’s sahihah, 1/560.
[3] Transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani në Sahihu ve daifu suneni Ebi Davud, 1047, e ka cilësuar autentik.
[4] Transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani në Sahihu ve daifu suneni Ebi Davud, 1081, e ka cilësuar autentik.