Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
PËRMASAT SHUMËDIMENSIONALE TË PERSONALITETIT TË MUHAMMEDIT, alejhi’s selam

Bismil-lahi’rr Rrahmani’rr Rrahim!(*)
Në emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Falënderimet i takojnë Allahut, Krijuesit të qiejve dhe tokës, Krijuesit të njerëzimit dhe të çdo gjëje, ashtu siç Ai meriton të falënderohet, ndërsa përshëndetjet më të thella, urimet më të ngrohta, lëvdatat më të sinqerta, qofshin mbi Muhammedin, njeriun që, shkurt e shqip, na shpëtoi nga humnera e injorancës, qoftë në raport me Allahun, vetveten apo rrethin!
Të nderuar mysafirë dhe kolegë!
Të dashur vëllezër dhe motra!
Të flasësh për njerëz të mëdhenj, për burra që me veprat e tyre shqyen stuhitë e kohës dhe kur të tjerët vdiqën duke qenë gjallë ata jetojnë ende për së vdekuri, është kënaqësi, madje edhe nëse nuk je prej tyre. Imam Shafiu me plot të drejtë kishte konstatuar një gjë të tillë kur kishte thënë: 
أحب الصالحين ولست منهم     لعلي أن أنال بهم شفاعة
وأكره من تجارته المعاصي     ولو كنا سواءً في البضاعة
I dua njerëzit e mirë edhe pse nuk jam i tillë
por shpresoj që nëpërmjet tyre të arrij ndërmjetësimin
Urrej ata që për tregti kanë mëkatet,
edhe nëse mallin e kemi të ngjashëm!([1])
Madje kjo, në një mënyrë, është edhe pjesë e besimit ngase njeriu kur flet për burra të mëdhenj edhe i do ata([2]).
Megjithatë, më së miri ndihesh kështu kur flet për vulën e Pejgamberëve, reformatorin më të madh, liderin më të famshëm,  mësuesin më të denjë, humanistin më të shquar, prindin më të mirë, bashkëshortin më fisnik, shokun më besnik...Muhammedin, robin dhe të dërguarin e Allahut Fuqiplotë!
Të nderuar të pranishëm!
Se Muhammedi ishte i tillë dhe shumë herë më i mirë se që mund ta përshkruaj gjuha e lapsi nuk ka asnjë dyshim. Mjafton që Allahu e cilësoi të tillë në Kur’an:
“Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!”. ([3])
Megjithatë, ajo që ne duam sot, në këtë ditë të premte kur shpërblimet për dërgimin të salavateve (përshëndetjeve) për të shumëfishohen([4]) dhe në këtë tribunë, të organizuar enkas për të, është studimi i këtij personaliteti që me fuqinë e ndikimit të tij vazhdon edhe sot e kësaj dite të mahnitë botën.
Të mos harrojmë, bota ka patur shumë njerëz të mëdhenj, vetëm pejgamberë ka pasur mbi 124.000, por, siç deklaron edhe Majkëll Harti në librin e tij, tashmë edhe në shqip, “100 personalitetet më me ndikim në histori”,: “...ai ka qenë njeriu i vetëm në historinë e njerëzimit që ka arritur një sukses dhe triumf absolut në nivel fetar e botëror”.
Çfarë e bëri Muhammedin, alejhi’s selam të tillë?
Para se të japim përgjigjen, dëshiroj të kthehemi prapë në retrospektivë, dhe për tu bindur për ndikimin e tij, të shohim ambientin në të cilin ai filloi misionin e tij. Nëse një piktori do t’i përshkruhej ai ambient, piktura e tij sigurisht se do të kishte qenë një imazh i një skëterre të paparë injorance, dhune, amorale e besëtytnie. Adhurimet e kota e banale; e adhuronin Allahun duke qenë lakuriq, i bënin shok duke ndërtuar zota prej guri e druri, e ndonjëherë kur kishin pasuri edhe prej hurmave për t’i ngrënë më pas “zotat e ëmbël” në kriza ekonomike, pastaj luftërat e pafundme fisnore, shtypja e të dobëtëve, varrosja e foshnjave femra të porsalindura duke qenë gjallë, kamatat dhe dhënia e parave me fajde, martesat e pakontrolluara e aq me keq martesa me gruan e babait pas vdekjes së tij, prostitucioni, konsumimi i alkoolit...janë motive të kësaj pikture, të quajtur: Skëterrë e Humnerë.
Paramendoni se me çfarë fuqie intelektuale duhej përballur me ta! Cili nga intelektualët modern do të arrinte që nga këta njerëz, me këto karakteristika që reflektojnë fantazma e shpirtkëqij, do t’ia dilte të nxjerr prej tyre njerëz që jo vetëm do të largohen nga këto besëtytni por edhe do të bëhen pishtarë, kandila dhe fenerë të këtij besimi të pastër?! Sigurisht se përgjigja e shumicës absolute do të ishte: Kjo është e pamundur.
Por jo për të gjithë. Muhammedi, alejhi’s selam praktikisht, ia arriti një gjëje të tillë. Faktet dhe dëshmitë janë të panumërta. 
Si ngadhënjeu Muhammedi, alejhi’s selam me një gjë të tillë?
Mysafirë të respektuar!
Suksesi i Muhammedit, alejhi’s selam në këtë fushe ku asnjë njeri nuk ngadhënjeu, përqendrohet në dy të vërteta të pamohuara:
·         Feja që predikonte ishte e vërtetë dhe plotësonte vakumin shpirtëror e shkencor, dhe
·         Si personalitet, për dallim nga të tjerët që shquheshin vetëm në ndonjë fushë të caktuar, ai ishte i kompletuar.
Kur jemi tek pika e parë, pra tek feja që predikonte, vërtetë është magjepsës fakti se edhe ata njerëz, që lirisht quaji të egër e vandalë, kishin kuptuar se parimet e saj nuk janë të përpiluara nga njeriu. Adhurimi i një Zoti që qeveris me qiejt dhe tokën dhe me çdo gjë tjetër, edhe sipas tyre, ishte më racional sesa adhurimi i zotave të gurit e drurit, zotit të dritës, errësirës, pranverës...zotave të shpifur. Adhurimi i Zotit që të bën mirë por edhe të sprovon ishte më logjik se sa adhurimi i atyre, që as veten nuk mund ta ruanin e mbronin, madje as nga ndyrësirat e kafshëve. Largimi nga prostitucioni, alkooli, kamat dhe çdo formë tjetër e jetës së shthurur ishte bërë nevoje imperative e shpirtit. Megjithatë, një dozë e mbetur e injorancës, që vazhdimisht furnizohej me material djallëzor, i motivonte ata të mos braktisin të kaluarën. E dinin se feja e tij është e vërtetë, ajo në të cilën thërret është realitet, por prapë nuk bënin ballë e të largoheshin nga ato dukuri. Kur ata e dëshmuan një gjë të tillë, atëherë Allahu e urdhëroi Muhammedin, alejhi’s selam t’iu thotë:
فَإِن تَوَلَّوْاْ فَقُولُواْ اشْهَدُواْ بِأَنَّا مُسْلِمُونَ
...E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam një Zot)!”. ([5])
Ajo qe ia vlen të ceket këtu është se feja e tij, edhe pse kanë kaluar 14 shekuj nga shpallja e saj, ka mbetur e pamposhtur, ashtu siç vet Muhammedi, alejhi’s selam në të gjallë të tij nuk mposhtej kurrë. Urtësia e Allahut refuzon që në tokë, për një periudhë kaq të gjatë, të mbetet ndonjë gënjeshtar apo profet i rremë. Madje, as tridhjete vite nuk i bën e shuhet ajo gënjeshtër. Këtë shumë bukur e kishte vërejtur një mbret, i cili një ditë, derisa mysafir kishte një të krishterë që shante Muhammedin, alejhi’s selam, kishte ftuar dijetarët e fesë së tij dhe i kishte pyetur: Sa mund të qëndrojë një gënjeshtar (në skenë me rrenat e tij)? 30 vjet ose diç më shumë- iu përgjigjën. Si kështu ndërsa feja e Muhammedit ka më shumë se 500 vite që është shpallur dhe nuk është shuar?! D.t.th.: nuk qenka gënjeshtar Muhammedi. Mbreti kur kuptoi këtë, urdhëroi dhe këtij të krishteri gënjeshtar iu pre koka. ([6])
Të nderuar besimtarë!
Kjo sa i përket të vërtetës së parë ndërsa kur të jemi tek e vërteta e dytë, që thamë se ka ndikuar në suksesin e Muhammedit, alejhi’s selam pozitivisht, dhe e cila ishte: Përsosmëria e personalitetit të tij, patjetër se do të ndalemi në disa kapituj, që duke shfletuar fletët e arta të tij dhe duke thithur nektar urtësie prej tij, do të konstatojmë, bashkërisht, se Muhammedi, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, ishte një shëmbëlltyrë e paparë, ishte personalitet i përkryer, i cili më parë thërriste me vepër se sa me fjalë, më parë praktikonte vet e pastaj urdhëronte të tjerët...
Nëse të tjerët janë dalluar në një fushë, siç f.v. N. Bonoparta në shkathtësitë ushtarake, Leka i Madh në sinqeritetin në luftëra ku rreziqet e mëdha i ndante së bashku me ushtarët([7]), Aristoteli edhe pse filozof i shquar megjithatë anët tjera i kishte te mangëta, p.sh.: pranonte skllavërinë e njerëzve dhe thoshte: "Skllavi është vegël me shpirt ose plaçke, me te cilën mbahet jeta.."([8]), Hitleri ishte oratori më i madh për tërheqjen e masës por ishte diktator([9]), ndërsa Muhammedi, alejhi’s selam ishte trim por edhe i ditur, ishte i urtë por edhe i drejtë, ishte orator por jo edhe diktator. Ai, po të garonte me secilën figurë botërore, do të fitonte. Nuk kishte lëmi, sferë, aspekt a fushë të jetës, qoftë private a shoqërore, e që nuk e kishte treguar veten. Duke filluar nga:
1. Adhurimi, ai kishte thyer rekordin njerëzor duke adhuruar Allahun, jo vetëm shumë por edhe sinqertë dhe në përputhje me ligjet dhe dëshirën e Allahut. Ai aq shumë falej saqë edhe këmbët iu çanë. Përse falesh kaq shumë kur Allahu t’i ka falur të gjitha mëkatet?!- e pyeti me habi gruaja e tij, Aisheja. Ai, me modestinë me të madhe, me sinqeritetin më të përkryer, dëshmoi atë që ndoshta shumë njerëz tjerë nuk do ta shprehnin: A të mos jam rob falënderues për Allahun?! ([10])
2. Sakrifica e tij për njerëzimin. Një shfletim sado formal i Kur’anit nga kushdo që në zemrën e tij ka një grimcë atomi sinqeritet, do të sheh se Muhammedi, alejhi’s selam nuk ishte një mashtrues që dëshironte pasuri a pushtet([11]), nuk ishte prijës, që pasuesit i linte pas. Përkundrazi, ai sakrifikonte me veten e tij, qante për ne që Allahu të na falë dhe ndihej shumë keq kur njerëzit refuzonin programin e Allahut, program ky që rezultat ka shpëtimin. “A thua ti do ta shkatërrosh veten nga hidhërimi pas tyre, nëse ata nuk i besojnë këtij ligjërimi (Kur'anit)?” ([12]) –ia tërhoqi vërejtjen Allahu.
Ai mundohej me gjithë shpirt tua sqaronte se unë jam mëshirë për ju([13]).
3. Morali i tij. Muhammedi, alejhi’s selam ishte më i devotshmi, më i moralshmi([14]), më i sjellshmi, më i edukuari. “Më ka edukuari Zoti im…”- thoshte Muhammedi, alejhi’s selam([15]).
Morali i tij sikur që kishte rrënjë të thella, ai kishte po kështu edhe degë të larta. Ai nuk i bënte hije vetëm një rrethi të ngushtë. Jo, nën hijen e pemës së moralit të tij të lartë, freski dhe fllad gjenin familja-bashkëshortja, personat e moshuar, fëmijët, jetimët, shërbëtorët, njerëzit me të meta, madje edhe armiqtë.
4. Drejtësia e tij. Tek Muhammedi, alejhis selam nuk kishte të afërm e jaranë në ekzekutimin e masave që duhej ekzekutuar. Çdokush që shkelte ligjin, pamarrë parasysh se për kë bëhej fjalë, madje qoftë edhe për ndonjë anëtarë të ngushtë të familjes, ai zbatonte ligjin. Tani kur Republika e Kosovës ka hyrë në magjistralen e shtetëformimit me plot kuptimin e fjalës dhe ka hapur shtigjet drejt së ardhmes progresive, për çka vazhdimisht hulumton modele e shembuj, nuk do të kishte qenë mirë që të kaloj pranë modelit të këtij burri e të mos përfitojë prej tij asgjë.
5. Modestia e tij. Si gjithnjë, edhe këtë virtyt moral Muhammedi, alejhi’s selam e kishte vjelur nga Kur’ani([16]), dhe asnjëherë, nuk kishte lejuar që asgjë t’ia shembte këtë fortesë morali. Ai i shoqëronte të varfrit, bisedonte me njerëz hallexhinj, ndihmonte nevojtarët, dhe çka është më e rëndësishmja, çdoherë ruante statutin e tij njerëzor. Kurrë, edhe pse bëri kaq shumë për njerëzimin, nuk pranoi që të glorifikohej apo konsiderohej si i shenjtë. « Unë jam rob dhe pejgamber i Allahut » -porosiste ai([17]).
6. Maturia dhe mençuria e tij në mision. Muhammedi, alejhi’s selam ishte njeri i butë, mëkatarin nuk e cilësonte si të pazgjidhje, përkundrazi, ai çdoherë përdorte metoda dhe mënyra për thirrjen e njerëzve në të vërtetën. Këtë e bënte në mënyra të ndryshme por unë, këtu, dua të përmendi vetëm dy:
a) Dyert e faljes së Allahut janë përherë të hapura. Ua përcillte njerëzve mesazhin e Allahut: “Thuaj: "O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!”. ([18])
b) Përdorte parimin moral: “Mos mat në kandarin e tjetrit”. Imam Ahmedi transmeton se një djalosh i ri kishte kërkuar nga Muhammedi, alejhi’s selam leje për amoral-kurvëri. Muhammedi, alejhi’s selam duke dashur t’ia bëjë me dije se me këtë vepër ti jo vetëm që i bën dëm vetes por edhe tjerëve ngase ato femra që dëfrehesh me to janë bija, motra e nëna të dikujt, e pyeti: A ke dëshirë që dikush ta bëjë një gjë të tillë me nënën tënde? A ke dëshirë që dikush ta bëjë një gjë të tillë me vajzën, motrën, hallën tënde? Ky njeri e kuptoi thelbin e kësaj problematike, andaj me kurrë nuk iu kthyer mëkateve.
Kështu duhet të veprojnë të gjithë mëkatarët: Nuk ka kthim prapa në mëkate!
6. Durimi dhe falja. Historia islame është përplot dëshmi nga durimi i Muhammedit, alejhi’s selam. E fyenin e rëndonin, jo vetëm në personalitete duke e cilësuar si të marrë, poet, të çmendur, por edhe në moral familjar; shpifnin për gruan e tij. Megjithatë ai asnjëherë të keqën nuk e kthente më të keqe, dhe kur erdhi koha dhe iu dha mundësia që t’i ndëshkonte një nga një të gjithë ata që për 23 vite e persekutuan, maltretuan, luftuan, bën komplote të pasuksesshme kundër tij, ai me një gjuhë modestie dhe një fjalor shpirtgjerësie, iu tha: Shkoni se ju jeni të falur!
Mysafirë, kolegë, vëllezër, motra!
Tani që pamë figurën e pastër të personalitetit të Muhammedit, alejhi’s selam, tani që mësuam se këtë tipar e këto veti ia kanë pranuar dhe vërtetuar edhe ithtarë të feve tjera, prej tyre dijetarë e shkencëtarë, neve pasuesve të tij, nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se ta lusim Allahun që rrugën tonë drejt vetëdijesimit, tolerancës, mirëkuptimit, mirëqenies dhe lumturisë, ta stolisim me porositë, mësimet dhe këshillat e krijesës më të zgjedhur të Allahut, Muhammedit, alejhi’s selam.
Duke iu falënderuar shumë për pjesëmarrje, e në veçanti mysafirët tanë, si dhe duke iu falënderuar për vëmendjen tuaj, ju përshëndes duke e lutur Allahun për shëndetin, harenë dhe mirëqenien tuaj!
 
Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!


* Kjo temë është ligjëruar në tribunën për lindjen e Muhammedit, alejhi’s selam të organizuar nga K.B.I-ja Vushtrri më 21.03.2008, e xhuma, në Shtëpinë e Kulturës.

[1] Imam Shafiu këtë e kishte thënë nga modestia, ndryshe ai, sipas biografisë së tij, ishte prej tyre. http://audio.islamweb.net/audio/index.php?page=FullContent&audioid=19326

[2] Ibni Omeri thoshte: Pasha Allahun!, sikur tërë pasurinë time ta shpenzoja për Allahun, sikur të agjëroja ditën dhe të mos haja kurrë, sikur të falesha natën e të mos flija kurrë, do të kisha patur frikë që kur të vdes dhe ta takoj Allahun pa patur në zemrën time dashuri për njerëzit e sinqertë (që e adhurojnë Allahun) dhe pa urryer mëkatarët të më hedhë zvarrë për fytyre në Xhehennem”.

 http://audio.islamweb.net/audio/index.php?page=FullContent&audioid=19326

[3] el-Kalem, 4

[4] Nga Evs b.Evsi r.a. transmetohet se ka thënë: I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Dita juaj më e vlefshme është dita e xhuma, prandaj shtojeni mbi mua atë ditë salavatin. Me siguri, salavatet tuaja do të më paraqiten”. Shokët e tij kanë thënë: “O i Dërguari i All-llahut, si do të paraqiten ty salavatet tona, kur ti do të kalbesh?” ((Muhammedi a.s.) tha:: (Pejgamberi s.a.v.s.) thotë: “Belite” (Muhammedi s.a.v.s.) ka thënë: “Vërtet trupat e pej­gam­berëve janë haram (të ndaluar) për tokën”. (Ebu Davudi me sened sahih)

[5] Ali Imran, 64

[6] Tregimi është shkëputur nga një ligjëratë e Muhammed b. Salih el-Munexh-xhidit. Tregimi gjendet në: Sherhu’l akideti’l esfihanijjeh, Ibni Tejmije. Burimi: www.islamhouse.com

[7] Majkëll Hart, 100 personalitetet më me ndikim në histori, Focus-Shkup, Shkup, 2000,f. 149.

([8])  Dr. Sabir Ahmed Taha, Skllavëria në Judaizëm, Krishterizëm dhe Islam, Përktheu: Sedat Gani Islami, libri është ende në dorëshkrim, f. 14

[9]Majkëll Hart, 100 personalitetet më me ndikim në histori, f. 173

[10] Buhariu

[11] el-Furkan, 57

[12] el-Kehf, 6

[13] el-Enbija, 107

[14] el-Kalem, 4

[15] Hadithi edhe pse është i dobët, domethënien e ka të vërtetë. Shih: http://www.islam-qa.com/index.php?ref=21635&ln=ara

[16] el-Kasas, 83

[17] Buhariu

[18] ez-Zumer, 53


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013