Akide
Islam
Tefsir
Hadith
Dave
Histori islame
Orientalizem
Kulture dhe civilizim
Avancim personal
Hutbe
Tregime
REPUBLIKA KUR’ANORE
Platoni, si filozof, dhe “Republika”([1]) e tij, si libër, kanë gëzuar respekt gjithnjë tek shkencëtarët e dijetarët. Edhe pse shumë i kërkuar, ky libër asnjëherë në histori nuk shërbeu për asnjë qeveri apo shtet si model për kushtetutë të tyre([2]). Arsyeja e këtij refuzimi në heshtje, nëse mund të quhet kështu, qëndron, krahas tjerash, edhe në faktin se ai është perceptuar nga pushtetarët dhe ligjvënësit si imagjinar dhe, realisht, i paarritur.
Ky libër edhe tek muslimanët ka patur një autoritet të madh, megjithatë, duhet pranuar se ky autoritet, sa herë që është studiuar e kuptuar Kur’ani, libri hyjnor i fundit dedikuar njerëzimit, ka rënë. Kjo për faktin se alternativat islame kanë qenë në dispozicion gjithmonë, dhe, nëse kihet parasysh dallimi në mes Platonit, si krijesë, autor i atij libri, dhe Allahut, Krijues i Platonit dhe shpallës i Kur’anit, në njërën anë, dhe “Republikës” dhe Kur’anit, në anën tjetër, atëherë çështja nuk do shumë shpjegime. Madje Platoni, binte në kundërshtim me “Republikën” e tij([3]).
“Republika”-t kur’anore për rregullimin dhe sistematizimin e jetës shoqërore janë të shumta, janë në tërë Kur’anin, megjithatë, një përmbledhje e shkurtër por shumë kuptimplote, është bërë në kaptinën el-Asr, që Allahu e ka hapur me betim, për të na bërë me dije se ajo vërtetë ka një rëndësi të madhe.
2. Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt.
3. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t'i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm. (el-Asr)
Vlera e kësaj kaptine
Imam Shafiu ka thënë: Sikur njerëzit ta meditonin vetëm këtë kaptinë kur’anore, do t’iu mjaftonte (për udhëzimin e tyre në rrugë të vërtetë)([4]). Shumica e njerëzve janë neglizhent ndaj meditimit te kësaj kaptine([5]).
Njëri prej selefit, të parëve tanë, ka thënë: Kuptimin dhe domethëniet e kësaj kaptine i kam mësuar nga një shitës akulli, i cili endej në treg dhe thoshte: Mëshirojeni atë që baza e pasurisë së tij po shkrihet! Mëshirojeni atë që baza e pasurisë së tij po shkrihet! Thashë: Ky është kuptimi i ajetit: “...Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt” ([6]); i vie koha (ikindia) dhe i kalon jeta pa përfituar asgjë që i bën dobi, dhe kështu ai është humbës([7]).
Sahabet, duke shijuar dhe thithur në praktikë domethëniet dhe kuptimet e saja të vërteta, kishin bërë traditë që sa herë takoheshin me shokët nuk ndaheshin pa ia lexuar njeri tjetrit këtë kaptine. Taberaniu transmeton se:
“كان الرجلان من أصحاب رسول الله إذا التقيا لم يفترقا إلا على أن يقرأ أحدهما على الآخر سورة العصر ثم يسلم أحدهما على الآخر
Kur dy shokë të Muhammedit, alejhi’s selam takoheshin, nuk ndaheshin përderisa t’ia këndonin njëri tjetrit kaptinën el-Asr, e më pas përshëndesnin njëri tjetrin”([8]).
“Republika” e Asr-it
Kjo kaptinë kur’anore ka përfshirë tri elemente shumë me rëndësi për funksionimin sa më të qetë e më të mirë të një shoqërie. Ajo përveç aspektit shpirtëror përfshin edhe atë ligjor, ngase shteti nuk mund të funksionojë në rregull nëse edhe ana shpirtërore nuk funksionon në përputhje me ligjin. Me të drejtë Sherif Ahmeti kishte konstatuar se kjo kaptinë kur’anore ka përfshirë tërë statutin islam, të cilin Allahu ia shpalli Muhammedit, alejhi's selam([9]). Kjo kaptinë ka përfshirë:
***
1. Besimin në Allahun([10]), që është preventive kryesore për degjenerim ngase ai që beson në Allahun, ai doemos beson edhe në shpërblimin dhe ndëshkimin e Tij, dhe rrjedhimisht, zbaton urdhrat e largohet nga ndalesat.
Para se të kalojmë në rëndësinë e besimit në këtë aspekt, e shoh të udhës ta bëjë një sqarim se në këtë kaptinë, edhe pse fjala Insan është përmendur në fillim, megjithatë ajo nuk ka kuptimin e njëjësit. Ajo, edhe kështu, rrëfen për shumës ngase është emër i një lloji krijesash, pra njeriut, që dallon nga kafsha, xhinët dhe melekët([11]).
Besimi është shtyllë kyçe për zhvillimin e jetës paqësore dhe normale. Sa herë që ai i mungon një shoqërie, problemet vetëm sa i shtohen asaj. Muslimani në jetën e tij çdoherë model merr maksimën islame: Adhuroje Allahun sikur e sheh ngase nëse ti nuk e sheh Ai të sheh ty!”, dhe kështu, ai edhe nëse nuk e shohin njerëzit nuk vjedh, edhe nëse nuk është policia nuk thyen ligjin, edhe nëse nuk mbikëqyret nga shteti nuk dëmton tjetrin. Ai, çdoherë, ka në hatër mbikëqyrjen e Allahut. Mu për këtë, në Amerikë, një zyrtar i lartë i Nju Jorkut, kishte deklaruar se lagjet ku frekuentojnë muslimanët janë lagjet më të sigurta dhe me më së paku probleme.
Rëndësinë e besimit e përshkruan edhe fakti se për plot 13 vite, Islami iu përkushtua vetëm kësaj ane edukative për të kaluar e filluar më pas, në periudhën medinase siç quhet në fjalorin historik islam, me aspektin ligjor e ligjvënës. Këtë e kishin diktuar edhe kushtet e papërshtatshme për liri në zbatimin e fesë por pastrimi shpirtëror dhe murosja e besimit të vërtetë në zemër, padyshim se, ishin synimi primar i revelatës-shpalljes islame.
Besimi i sinqertë bën çudira. Me të ngulitur në zemër, ai reflekton edhe në sjellje dhe veprime. Zhveshja nga politeizmi dhe traditat dhe sjelljet e tyre është argument i kësaj. Shembullin më të mirë për këtë e kemi gjeneratën tonë të parë; shokët e Muhammedit, alejhi’s selam, të cilët para Islamit ishin të zhytur në thellësitë e injorancës, besëtytnisë, padrejtësisë, por me pranimin e besimit monoteist, pra besimit të pastër islam, ata u ngritën lart([12]) duke shkelur me këmbë injorancës dhe të gjitha dukuritë që reflektonin prej saj. Injoranti u bë dijetarë, mëkatari i devotshëm, vjedhësi bujar, armiku mik-vëlla, padrejtësia drejtësi, e kështu me radhë.
Këtë e kuptojmë edhe nga faktet se, besimi kushtëzohet me sjellje të mira. Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë:
“أكمل المؤمنين إيماناً أحسنهم أخلاقاً
Besimtari me besim më të përkryer është ai me moralin më të mirë”. ([13])
Ndërsa përkitazi me atë se mungesa e besimit sjell të liga në shoqëri, Muhammedi, alejhi’s selam, besimtarin dhe hipokritin i përshkruan me cilësi të ndryshme.
“من كان يؤمن بالله واليوم الآخر فليكرم ضيفه ، ومن كان يؤمن بالله واليوم الآخر فليقل خيراً أو ليصمت
Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit le ta nderojë mysafirin. Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit le ta thotë të vërtetën ose le të hesht”. ([14])
“ثلاث من كن فيه فهو منافق ، وإن صام وصلى وحج واعتمر وقال : إني مسلم ! ، إذا حدث كذب ، وإذا وعد أخلف ، وإذا أؤتمن خان
Tri gjëra kush i ka, ai është mynafik, edhe nëse agjëron, falet, bën haxhin, urren dhe thotë se jam musliman. (I tillë është ai që) Kur flet, gënjen, kur premton, nuk realizon, dhe kur i jep në besë diç tradhton”. ([15])
Thënë troç, Feja Islame përfshin tërë jetën e njeriut prej lindjes e deri ne vdekje, e madje edhe pas vdekjes, dhe tërë këtë në baza shumë të forta të besimit… Kur besimi të ngulë rrënjët në zemër, ai largon friken prej çdokujt tjetër përveç prej Allahut, nënshtrimin ndaj çdokujt tjetër përheq Allahut([16])…Allahu thotë:
.... Ta dini se All-llahu e di çka fshehni në vete, pra kini frikë prej Atij...”. (el-Bekare, 235)
Muhammedi, alejhi's selam po kështu e ka sqaruar këtë e ka thënë:
“اتق الله حيثما كنت
T’ia kesh frikën Allahut kudo që të jesh!”. ([18])
Ndryshe, keqinterpretimi i kësaj ndjenje apo moskuptimi real, të shpie në humbje. Allahu ka thënë:
” وَمَا كُنْتُمْ تَسْتَتِرُونَ أَنْ يَشْهَدَ عَلَيْكُمْ سَمْعُكُمْ وَلا أَبْصَارُكُمْ وَلا جُلُودُكُمْ وَلَكِنْ ظَنَنْتُمْ أَنَّ اللَّهَ لا يَعْلَمُ كَثِيراً مِمَّا تَعْمَلُونَ وذالكم ظنكم الذي ظننتم بربكم أرداكم فأصبحتم من الخاسرين
Ju nuk fshiheshit (kur bënit mëkate) se do të dëshmojnë kundër jush të dëgjuarit tuaj, të pamurit tuaj dhe lëkurat tuaja, bile ju menduat se All-llahu nuk di për shumë gjëra që ju i bënit. 23. Mendimi juaj i gabuar, të cilin e patët ndaj Zotit tuaj, është ai që ju shkatërroi dhe tani jeni më të dëshpëruarit”. ([19])
Disa njerëz nga ummeti im do t’i njoh në Ditën e Kijametit ngase vinë të shndritur (bardhë) me sevape të shumta sa kodrat e Tihames por Allahu i bën hi e pluhur ato të mira. Theubani, shok i Muhammedit, alejhi’s selam tha: O i dërguari i Allahut, na i përshkruaj ata, na dëfto gjendjen e tyre që të mos jemi ne prej tyre nga padituria? Sa iu përket atyre, sqaroi Muhammedi, alejhi’s selam, ata janë vëllezërit tuaj, janë prej lëkurës suaj, falen natën siç faleni edhe ju por kur të vetmohen me ndalesa të Allahut i shkelin ato“. ([20])
Besimi në përsosmërinë e Allahut dhe dhënien llogari para Tij, që mund të rezultojë me Xhennet apo Xhehennem, është një preventivë shumë me rëndësi([21]). Mungesa e këtij elementi shkakton degjenerim shpirtëror. Tragjedia e Gërdecit në Shqipëri (mars 2008) edhe pse u cilësua si tragjedi kombëtare, megjithatë ne pamë njerëz me ndërgjegje të papastër tek e shfrytëzuan këtë rast dhe plaçkiten shtëpitë e demoluara nga shpërthimet e fuqishme. Pra, ndodhi ajo që nuk do te duhej ndodhur. Mu për këtë, Allahu besimtarit ia përkujton vëzhgimin e përhershëm. Allahu thotë:
Çelësat e fshehtësive janë vetëm te Ai, atë (fshehtësinë) nuk e di kush pos Tij. Ai e di çka ka në tokë dhe në det, Ai e di për çdo gjeth që bie dhe s'ka kokërr në thellësi të tokës, s'ka të njomë dhe s'ka të thatë që nuk është (shënuar) në librin e qartë (Levhi - Mahfudh)”. ([22])
Dhe vihet libri (i veprave), e i sheh mëkatarët të frikësuar nga shënimet që janë në të dhe thonë: "Të mjerët ne, ç'është puna e këtij libri që nuk ka lënë as (mëkat) të vogël e as të madh pa e përfshirë?", dhe atë që vepruan e gjejnë të gatshme - prezentë, e Zoti yt nuk i bën padrejtë askujt”. ([23])
Sido që të jetë, kjo nuk mjafton. Besimi është shumë me rëndësi, është themel i çdo gjëje, por i vetëm, ai i ngjan themelit të një ndërtese të lartë, e cila prêt t’i ngrihen katet sipër. Këto kate janë pikërisht:
***
2. Veprat e mira. Qytetarë të sinqertë dhe me perspektive për vendin janë ata që krahas besimit vazhdimisht bëjnë punë të mira. Këta fitojnë dhe nuk janë humbës për arsye se punojnë për botën e amshueshme por edhe për këtë botë, duke mos paraqitur kjo e fundit asnjë pengesë për të parën([24]).
Besimtari monoteist e di përse është krijuar nga Zoti i tij andaj në dunja vepron në përputhje me ligjet e Zotit,…larg jetës së brishtë dhe degjeneruese([25]). Veprat janë vërtetim i besimit në praktikë. Madje, pa vepra të mira, siguria, stabiliteti dhe mirëqenia në vend nuk mund të arrihen kurrë. Allahu shumë qartë e ka sqaruar një gjë të tillë në Kur’an:
Atyre nga mesi juaj të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, All-llahu u premtoi se do t'i bëjë zotërues në atë tokë ashtu si i pat bërë zotërues ata që ishin para tyre dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta, do ta forcojë, e në vend të frikës Ai do t'ju dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë. E kush edhe pas kësaj mohon, të tillët janë ata më të prishurit”. ([26])
Veprat e mira janë ato që shtetin e ruajnë edhe nga fatkeqësitë natyrore derisa zhveshja prej tyre përcakton të kundërtën([27]). Ja edhe dëshmitë kur’anore:
All-llahu sjell si shembull një fshat (vendbanim) që ishte i sigurt dhe i qetë, të cilit i vinte furnizimi nga të gjitha anët me bollëk, kurse ata (banorët) i përbuzën të mirat e All-llahut. Atëherë All-llahu, për shkak të sjelljes së tyre, ua veshi petkun (ua ngjeshi) e urisë dhe të frikës”. ([28])
Ndërsa dëshmia përkitazi me atë se vepra e mirë të çliron nga këto fatkeqësi janë fjalët e Allahut:
Përse nuk pati vendbanim që të ketë besuar e besimi i tij të ketë ndihmuar (në shpëtim), pos popullit të Junusit, që pasi që besoi, Ne larguam prej tyre dënimin shëmtues në jetën e kësaj bote dhe i lejuam të jetojnë deri në një afat të caktuar”. ([29])
Po All-llahu nuk do t'i dënojë ata, derisa ti (Muhammed) je në mesin e tyre dhe All-llahu nuk do t'i dënojë, derisa ata kërkojnë falje (istigfarë)”. ([31])
Hadithi i tre vetave që hynë në shpellë dhe u bllokuan, dhe për të shpëtuar prej saj e lutën Allahun me vepra të mira që kishin bërë vetëm për hire të Tij, është po kështu një dëshmi tjetër e kësaj([32]).
Mu për këtë, Allahu na ka nxitur për vepra të mira, i ka lëvduar ata që besojnë dhe bëjnë mirë si dhe iu ka dhënë pozitë të lartë. Thotë Allahu:
E kush do që i bindet All-llahut dhe të dërguarit, të tillët do të jenë së bashku me ata që All-llahu i shpërbleu: (me) pejgamberët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të mirët. Sa shokë të mirë janë ata! 70. Ky shpërblim i madh është prej All-llahut. Mjafton që All-llahu di më së miri”. ([33])
Se çfarë pozite kanë robërit e mirë dëshmon qartë edhe rasti se Muhamedi alejhi’s selam Nexhashiut, mbretit të Etiopisë ia kishte falur namazin e xhenazes pa qenë fare prezent kufoma e tij. Ai, alejhi’s selam kishte thënë:
“قد توفي اليوم رجلٌ صالح من الحبشة، فهلم فصلوا عليه، قال: فصففنا، فصلى النبي صلى الله عليه وسلم ونحن معه صفوف
Sot ka vdekur një njeri i mirë i Habeshit andaj ejani t’ia falim xhenazen. U rreshtuam ndërsa Muhammedi, alejhi’s selam ia fali xhenazen ndërsa ne pas tij ishim të rreshtuar”.
***
Elementi i tretë i kësaj kaptine për funksionimin sa më të drejtë të shtetit përmblidhet në: Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t'i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm”. ([34])
Besimtarët e porosisin njëri tjetrin për të vërtetën, e cila është besimi në Allahun dhe në Njëshmërinë e Tij si dhe në çdo gjë që e ka ligjësuar Allahu dhe largohet nga çdo gjë që e ndaloi prej saj. Po kështu porosisin njëri tjetrin për durim, qoftë në kryerje të obligimeve fetare (farzeve), qoftë në ballafaqim me caktimet e dhimbshme të Allahut (vdekja e fatkeqësi tjera)([35]), qoftë në largim nga mëkatet, e të ngjashme([36]).
Si element, organ apo institucion fetar, urdhërimi për të mirë, ka rëndësi të madhe. Allahu Fuqiplotë ka sqaruar nevojën e ekzistimit të një organi të tillë në shoqërinë muslimane si një parakusht i stabilitetit shoqëror e ka thënë:
Nga ju le të jetë grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Të tillët janë ata të shpëtuarit”. ([37])
Madje, Allahu i Madhëruar, për shkak të rëndësisë që i ka dhënë, në Kur’an e solli edhe para besimit, namazit dhe zeqatit([38]), siç qëndron në ajetet kur’anore:
Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në All-llahun. E sikur ithtarët e librit të besonin drejt, do të ishte shumë më e mirë për ta. Disa prej tyre janë besimtarë, po shumica e tyre janë larg rrugës së Zotit”. ([39])
Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja, e falin namazin dhe japin zeqatin, respektojnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t'i mëshirojë All-llahu. All-llahu është ngadhënjyes, i urtë”. ([40])
Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja ka shtrirje të madhe dhe përfshin çdo aspekt të jetës. Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë:
“من رأى منكم منكراً فليغيره بيده, فإن لم يستطع فبلسانه, فإن لم يستطع فبقلبه, وذلك أضعف الإيمان
Kush sheh prej jush ndonjë të keqe, le ta largoj me dorën e tijë; nëse nuk mundet, atëherë me gjuhën e tij; nëse nuk mundet, atëherë me zemrën e tij por ky është besimi më i dobët”. ([41])
Një koment të shkëlqyer përkitazi me esencën e këtij hadithi e ka dhënë Ibni Tejmije, i cili thotë:
“Ai që në zemër nuk ndien urrejtje për gjërat e ndaluara që i urren Allahu dhe i dërguari i Tij, si: pabesimi, shkelja e dispozitave të fesë dhe kundërshtimi (mëkati), ai nuk ka në zemrën e tij besim, të cilin Allahu e ka obliguar. Ndërsa nëse fare nuk i urren të këqijat, ai fare nuk ka besim”.
Se sa rëndësi ka kjo, dëshmon edhe fjala e Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, të cilit i kishte ardhur një njeri dhe i kishte thënë:
“إني أعمل أعمال الخير كلها إلا خصلتين : الأمر بالمعروف والنهي عن المنكر , فقال عمر ـ رضي الله عنه ـ لقد طمست سهمين من سهام الإسلام إن شاء الله غفر لك وإن شاء عذبك
Unë i bëj të gjitha veprat e mira përveç dy: Nuk urdhëroj për të mirë dhe nuk ndaloj nga e keqja. Ti paske shkatërruar dy pjese të mëdha të islamit; nëse do Allahu të fal, e nëse do të ndëshkon”.
Ibni Tejmije, prapë, jep një sqarim rreth kësaj e thotë: “Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja është obligim parcial (nëse një pjesë e kryen pjesa tjetër lirohet) por çdo pjesëtar i ummetit është i obliguar që të urdhëroj për të mirë sipas mundësisë që ka...”. ([42])
Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja nuk kufizohen në njerëz të veçantë. Ky organ përfshin të gjithë, ngase vetëm, kështu funksionon mirë shoqëria. Thelbin e kësaj e përshkruan edhe Uvejs el-Karni, i cili kur qe pyetur: Si u zgjove dhe si u ngryse o Uvejs?, pati thënë: E falënderoj Allahun për çdo rast. Si pyet për një njeri, i cili kur të gdhijë mendon se nuk do të ngryset dhe kur të ngryset mendon se nuk do të gdhije. Vdekja dhe përkujtimi i saj besimtarit nuk i kanë lënë gëzim, e drejta e Allahut në pasuri nuk i ka lënë as ari dhe as argjend, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja nuk i kanë lënë shok; urdhërojmë për të mirë ndërsa ata na shajnë dhe për këtë marrin shokë disa hipokritë saqë, pasha Allahun, me kanë akuzuar me mëkate të mëdha, por, pasha Allahun nuk do të ndalem duke e përhapur të vërtetën nëmesin e tyre...”. ([43])
Megjithatë, ajo që neve na intereson në këtë rast është kuptimi i cili nxirret prej ajetit dhe i cili përqendrohet në këto pika: Thirrje për besim dhe kryerje të adhurimeve si dhe thirrje për durim ndaj mëkateve([44]).
Një shoqëri me një organ të tillë që njerëzit i thërret në besim, respektivisht në nënshtrim Krijuesit, tek i Cili e kanë kthimin dhe para të Cilit do të japin llogari, pra ndërgjegjësimit shpirtëror, sigurisht se problemet që fundosin ardhmërinë e saj do t’i flakë në dritën dhe vezullimin e kësaj thirrjeje. Duke ditur se kjo rrugë është rrugë përplot sakrifica, pra vetëdijesimi nuk është gjë edhe e lehtë, kjo kaptinë ofroi edhe këtë alternativë apo shërbim: Këshillimi ndërmjet vete për përballim dhe rezistencë ndaj stuhive dhe dallgëve që synojnë fundosjen e moralit shoqëror.
Shoqëria, mund të jenë të mirë por edhe të këqij, andaj largimi nga shoqëria e keqe kërkon sakrificë. Varfëria mund të jetë shkak për vjedhje por këshilla vëllait që të bëjë durim ngase edhe Muhammedi, alejhi’s selam ishe i varfër bën ndikim. Vrasja e të afërmit është shkaktar i destabilizimit të shoqërisë ngase hakmarrjet që sjellin vrasje për vrasje, dhe këshillimi këtu se «Falja është ndëshkimi më i madh», «I forti fal ndërsa i dobëti hakmerret», e këshilla tjera, janë shumë me rëndësi. Kamata sjell përfitime pa djersë por shkakton inatosje dhe hidhërim të të tjerëve andaj këshilla për largim prej saj është shumë dobidhënëse. Privimi nga martesa për shkaqe materiale mund të jete shkas për rënie në prostitucion por kujdesi për moral dhe nder, që është shkak për shpëtim në ahiret, është njëra nga këshillat që ruajnë shoqërinë. Mbajtja për parimeve fetare, ndonjëherë mund të jetë e vështirë, sidomos kur jeton në ambiente të çoroditura, por përkujtimi se tek Allahu do të kthehemi dhe sjellja e shembujve të muslimanëve që duruan në këtë rrugë dhe të cilët mund të merren modele, është po kështu një këshillë, që këtë anë të shoqërisë e zhvillon shumë.
Kështu, kur të kihen parasysh këta shembuj të thjeshtë që përmendëm, konkuldojmë me plot të drejte se:
“Feja është këshillë (sinqeritet)”. Thamë: “Ndaj kujt? Tha: “Ndaj All-llahut, Librit të Tij, Pejgamberit të Tij, udhëheqësve të muslimanëve dhe njerëzve tjerë prej tyre”. ([45])
Përmbyllje
Kur’ani është udhëzim për në rrugën e drejtë, dhe nëse në të kaluarën, para më shumë se 1400 vite, solli këto alternativa të pazëvendësueshme për mbarëvajtjen e proceseve shoqërore, atëherë shumë të sigurte do të përfundonim se Kur’ani, libri i Allahut, mbetet i pazëvendësuar deri në amshim. Mundësitë, alternativat dhe opsionet që ofron, janë zgjidhje perfekte për zhvillimin normal të jetës, andaj kthimi tek Kur’ani d.t.th. kthim tek e vërteta. Thotë Allahu:
All-llahu e vë me atë (me Kur'anin) në rrugët e shpëtimit atë që ndjek kënaqësinë e tij dhe me ndihmën e Tij i nxjerr ata prej errësirave në dritë dhe i udhëzon në një rrugë që është e drejtë.”. ([46])
Elif, Lam, Ra. (ky është) Libër; Ne ta shpallëm ty që me urdhrin e Zotit t'i nxjerrish njerëzit prej errësirave në dritë; (t'i nxjerrish prej errësirës) në rrugë të Fuqiplotit, të Falënderuarit”. ([47])
[2]Majkëll Hart, 100 personalitetet më me ndikim në histori, Focus-Shkup, Shkup, 2000, f. 177
[3]Platoni urrente gruan, pjesë shumë me rëndësi e shoqërisë. Ai thoshte: “Gruaja është një mall i shkëmbyeshëm që duhet të kaloje nga një dorë në tjetrën”. Gruaja në Islam, Prof. Dr. Bekir Topaloglu, b. 2, Stamboll, 2000, f. 21.
[4]Tefsiru’l Kur’ani’l Adhim, Ibni Kethir, b. 1, El Mekteb eth-thekafijj, Kajro, Egjipt, 2001,vell. 4, f. 552
[5]Rijadu’s salihine min kelami sejjidi’l murseline, Imam Neveveiu, botim i ri, Daru’l ma’rifeh, Bejrut, Liban, 1998, f.: 76
[7]Ahmed Muhammed esh-Sherkavi, Jetimetu’d dehri fi tefsiri sureti’l asri. Libri është shkakrkuar nga: http://saaid.net/bahoth/63.zip
[8]Albani senedin e ketij hadithi e ka cilesuar autentik. Shih: es-Silsileu’s sahihah, 6/307.
[9]Sherif Ahmeti, Komente dhe mendime islame, Shtëpia botuese “Lidhja”- Prishtine, Prishtine, 1995, f. 174.
[10]Tefsiru’l Xhelalejni, Muessesetu Zajid b. Sultan el-Nahjan lil’l a’ali’l hajrijjeti ve’l insanijjeh, f. 601. Et-Tefsiru’l vexhiz ala hamishi’l Kur’ani’l Adhim ve emahu esbabu’n nuzuli ve kavaidu’t tertil, Prof. dr. Vehbe Zuhajli, b. 2, Daru’l fikr, Damask, Siri, 1416, f.: 603.
[11]Madje në Islam, njeriu vetëm, edhe pse mund të jetë shumë i mirë, i devotshëm, i sinqertë, ai kështu, nuk mund të kontribuojë shumë për të mos thënë asgjë positive për shoqerinë. Rastin më të mirë për këtë e kemi hadithin e tre vetave që i zuri nata dhe hynë në shpellë. Kur hynë, ra një guri dhe ua zuri kalimin andaj seclili prej tyre e luti Allahun që për hirë të një vepre të mirë dhe të sinqertë që e ka bërë vetëm për Allahun, t’ua hapë hyrje-daljen. Allahu pas lutjes së tre personave ua hapi atë. Pra nuk bëhet fjalë për një njeri por për të gjithë...
[20]Transmeton Ibni Maxhe ndërsa Shejh Albani ka cilësuar si autentik. Shih: Sahihu’l xhamii, 5028
[21]Një ndjenjë e tillë ekziston edhe në popull. Jo rrallë dëgjon tregime pikërisht për këtë gjë. Kur Nastradinit (Nasiruddinit) ia kishin thyer shtëpinë dhe i kishin vjedhë diç me rëndësi, ai kishte shkuar tek varrezat. “Përse po qëndron këtu e nuk po hulumton për fajtorët?- thanë. Po ata nëse nuk mund t’i gjej në qytet, herët a vonë nuk kanë zgjidhje tjetër përveç që të vijnë të vdekur në këtë vend” ku llogari do të japin para Allahut të Gjithëpushtetshëm.