Hyrje
Njerëzit nga vet natyra e tyre bëjnë mëkate. Të tillë janë të krijuar, por kjo, assesi nuk nënkupton se njeriu duhet të bëjë mëkate, ngase nëse të gjithë gabojnë, atëherë – siç thotë Pejgamberi, alejhi’s selam – më i miri është ai që pendohet[1]. Për tua lehtësuar rrugën robërve, Allahu i Madhëruar ka lënë në dispozicion të tyre mundësi të shumta, një prej të cilave edhe Ramazani. Fatkeqësisht, njerëzit, qoftë nga neglizhenca, qoftë nga mosdija, nuk shfrytëzojnë Ramazanin siç duhet, kështu që, tashmë kur jemi në këta dy muajt para tij, për të mos dështuar, kemi vendosur të fillojmë përgatitjet për të përfituar maksimalisht nga shanset dhe mundësitë që Allahu i Madhëruar na jep në këtë muaj.
Allahun e Madhëruar e lus që të keni dobi prej kësaj ligjërate!
Legjitimitetit i pritjes dhe nevoja e përgatitjes
Arsyet dhe motivet e pritjes dhe përgatitjes për Ramazan janë të shumta. Ato janë edhe logjike edhe fetare. Kushdo që ndalet dhe vështron Ramazanin, qoftë edhe kalimthi, bindet se është një muaj që meriton të përgatitet për të. Nëse asgjë nuk do të motivonte për përgatitje është të paktën Nata e Kadrit, një shanse jetike për faljen e të gjitha mëkateve. Mu për këtë, është transmeton nga Mual-la Ibn el-Fadili për Selefin se:
“كانوا يدعون الله ستة أشهر أن يبلغهم رمضان، ثم يدعونه ستة أشهر أن يتقبل منهم
E lusnin Allahun e Madhëruar gjashtë muaj ditë përpara që tua mundësonte arritjen e Ramazanit, ndërsa e lusnin gjashtë muaj pas tij që tua pranonte atë!”
Ndërsa Jahja Ibn Ebi Kethiri lutej:
“اللهم سلمني إلى رمضان، وسلم لي رمضان، وتسلمه منى متقبلاً
O Zot! Më dorëzo tek Ramazani dhe dorëzoje atë tek unë si dhe merre prej meje të pranuar!”
Pastaj, Ramazani si një muaj i vlerave, muaj i mirësive, muaj i angazhimeve shtesë, kërkon që besimtari të ketë një përgatitje paraprake, në mënyrë që të mos dështojë qysh në start. Paramendoni një garues (atlet) i cili synon fitimin e një gare, sa kohë i kushton përgatitjeve dhe ushtrimeve, ngase e di se prej tyre varet gara; nëse ushtron shumë, shpreson në fitore, ndryshe dështon.
Ramazani, në gjuhën fetare, llogaritet si viti i ri shpirtëror, kështu që përmbyllja e një viti, respektivisht përmbyllja e veprave duhet të bëhet patjetër me adhurim. E dini fare mirë se Muhammedi, alejhi’s selam, ka thënë:
“وَإِنَّمَا الْأَعْمَالُ بِالْخَوَاتِيمِ
…dhe veprat vlerësohen në baze të përmbylljes së tyre!” (Buhariu)
Këtu qëndron një prej arsyeve pse Pejgamberi, alejhi’s selam, me gjithë dijen që agjërimi më së shumti –pas muajit Ramazan- vlerësohet në muajin Muharr-rrem, agjëronte shumë në muajin para Ramazanit, Sha’ban. Nesaiu transmeton në Sunenin e tij nga Usame Ibn Zejd, i cili thotë:
“قُلْتُ يَا رَسُولَ اللَّهِ لَمْ أَرَكَ تَصُومُ شَهْرًا مِنْ الشُّهُورِ مَا تَصُومُ مِنْ شَعْبَانَ قَالَ ذَلِكَ شَهْرٌ يَغْفُلُ النَّاسُ عَنْهُ بَيْنَ رَجَبٍ وَرَمَضَانَ وَهُوَ شَهْرٌ تُرْفَعُ فِيهِ الْأَعْمَالُ إِلَى رَبِّ الْعَالَمِينَ فَأُحِبُّ أَنْ يُرْفَعَ عَمَلِي وَأَنَا صَائِمٌ
I thashë: O i Dërguari i Allahut! Nuk të kam parë të kesh agjëruar më shumë në ndonjë muaj se që agjëron në Sha’ban (përse)? Pejgamberi, alejhi’s selam iu përgjigj: (agjëroj ngase) Ky është një muaj, ndërmjet Rexhebit dhe Ramazanit, që njerëzit janë neglizhent ndaj tij; ai është muaj në të cilin ngritën veprat tek Zoti i botëve ndërsa unë dua që vepra ime të ngritët duke qenë agjërueshëm!” Albani hadithin e ka klasifikuar hasen.
Pra, ia vlen për të mos thënë se është dhe obligim, që në muajin e dorëzimit vjetor të veprave, të jemi në gjendje shpirtërore të lartë.
Përgatitja për Ramazan – si dhe çka?
Konsideroj se besimtari para ardhjes së Ramazanit në fokus duhet të ketë gjëra nga e kaluara dhe gjëra nga e ardhmja. Me një fjalë, duhet të bëjë një kthesë, retrospektivë në të kaluarën dhe duhet të krijon një vizion për te ardhmen se çka dhe si do të mundet ta shfrytëzojë Ramazanin maksimalisht.
1. Kthimi në të kaluarën
Ajo çka ne synojmë këtu është rishikimi i Ramazanit të kaluar. Respektivisht, duhet të ndalemi tek qëllimet themelore të Ramazanit dhe të shohim sa janë mishëruar ato me ne, e pastaj edhe të llogarisim vetën për gjëra që mund të na kenë rezervuar shpërblime të mëdha në Ramazan por që nuk dimë si dhe sa i kemi shfrytëzuar. Më qartë, duhet të pyesim:
Nëse objektiva kryesore e agjërimit është devotshmëria, siç ka thënë Allahu në Kur’an [2], atëherë sa jemi të devotshëm ne? E dini fare mirë se për të shpresuar në pranimin e një vepre, një prej shenjave aluduese është edhe ndërrimi i gjendjes së mëparshme në një të re, gjithsesi më të mirë. Sa jemi të devotshëm? Ose më qartë, a e di se si mund ta dallosh veten në je apo jo i devotshëm? Këtë mund ta kuptosh nëpërmjet një definicioni që i është dhënë devotshmërisë:
“التقوى هي أن يجدك الله حيث أمرك ولا يجدك حيث نهاك
Devotshmëria është që Allahu të të gjejë aty ku të ka urdhëruar dhe mos të gjejë atje ku të ka ndaluar!”
A kemi agjëruar në përputhje me rregullat apo kemi bërë shkelje, gjë që duhet të na frikësojë se mos nuk na u pranohen veprat, sepse siç e dini, Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“من لم يدع قول الزور والعمل به فليس لله حاجة في أن يدع طعامه وشرابه
Kush nuk braktis shpifjen (fjalën e keqe) dhe veprimin sipas saj, (ai nuk ka nevojë të agjërojë ngase) Allahu nuk ka nevojë që askush ta braktis ushqimin dhe pijen e tij.” Buhariu.
“رب صائم حظه من صيامه الجوع والعطش ورب قائم حظه من قيامه السهر
Ndodhë që ndonjë agjërues të ketë hise nga agjërimi i tij vetëm urinë dhe etjen sikur që ndodhë që ndonjë falës nga namazi i tij të ketë hise vetëm lodhjen dhe pagjumësinë.”[3]
Mu për këtë, agjërimi pa devotshmëri konsiderohet sikurse namazi pa abdes. Njeriu mund të kryej ritual, të ngritët, ulet, por të ketë fituar shpërblimin e agjërimit shumë vështirë.
Sa kemi shfrytëzuar mundësinë e faljes kolektive – teravitë ngase siç e dimë, Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“إِنَّ الرَّجُلَ إِذَا صَلَّى مَعَ الْإِمَامِ حَتَّى يَنْصَرِفَ حُسِبَ لَهُ قِيَامُ لَيْلَةٍ
Kur njeriu të falet me Imamin derisa të kryhet, kjo i llogaritet namaz nate.”[4]
Sa kemi shtruar iftare për të varfrit dhe miqtë, kur dimë se shtrimi i iftarit të sjellë edhe shpërblimin e agjëruesit, siç ka thënë Pejgamberi, alejhi’s selam:
“مَنْ فَطَّرَ صَائِمًا كَانَ لَهُ مِثْلُ أَجْرِهِ غَيْرَ أَنَّهُ لَا يَنْقُصُ مِنْ أَجْرِ الصَّائِمِ شَيْئًا
Kush e ushqen një agjërues ka shpërblimin sikurse te tij (agjëruesit), duke mos iu cunguar aspak agjëruesit shpërblimi.”[5]
Nata e Kadrit si të ka zënë? E di se Nata e Kadrit është në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit dhe se ajo mund të bjerë në secilën prej tyre, ani pse nuk mohohet që mundësia të jetë në natën e 27-të është e madhe. Si ka qenë gjendja jote? Je kufizuar në këtë 27-in apo gjatë tërë dhjetëshit të fundit ke bërë përpjekje?
Kur’ani, që është ikonë e Ramazanit, është karakteristikë themelore e tij, sa ka zënë vend në jetën tende? Sa ke jetuar me Kur’anin? Sa here e ke lexuar? Ose, sa ka ndikuar leximi i tij ne jetën tënde post-ramazaneske? Sa ke gjykuar me çështjet tua private, të paktën, me të? Sa ke luftuar për ngritjen dhe përhapjen e tij, në njërën anë, dhe mbrojtjen e tij, nga ana tjetër, sidomos në këtë vit (ndërmjet dy Ramazanave) kur dihet se Kur’ani është fyer e madje edhe djegur para syve të botës mbarë?
2. Vizioni për Ramazanin e ri
Planprogrami që besimtari duhet të përgatis për Ramazanin e ri, e qe me lejen e Allahut të Madhëruar shpreson të jetë ndryshe nga gjithë të tjerët, të jetë një pikënisje e re për të, një kapitull ku mëton të shkruhet kënaqësia e Allahut e cila do ta përcjell gjer në amshim, duhet të jetë gjithëpërfshirës, në mënyrë që të mos lë pa përfshirë asgjë, sado e vogël që të jetë, e që do të mund të ishte shkak për dështim ose zbehje të suksesit.
Kështu, për të dalë ngadhënjimtar nga një Ramazan, ai duhet të ketë një program. Kjo, ngase Ramazani –siç thotë Muhammed Husejn Jakub[6]- i ngjan detit, i cili ka dobi të shumta; njerëzit mund të udhëtojnë – lundrojnë mbi të, pastaj në thellësi të tij ka gurë të çmuar dhe mish të freskët, por jo çdokush që hyn në det mund të marrë këto të mira; ka prej atyre që hyjnë e fatkeqësisht fundosen. Kështu, për të mos u fundosur në Ramazan, ngase siç e dini ashtu sikur që shpërblimi shumëfishohet por kështu edhe mëkatet shumëfishohet dënimi për to, duam të përpilojmë një planporgram të progresit në Ramazan.
2.1. Detaje nga programi
Lutje
Duhet të lutemi, ashtu sikur Selefi, që Allahu të na mundësojë arritjen e Ramazanit, ngase ka mundësi që vdekja të na zë para Ramazanit dhe kështu bashkë me jetën të ikin edhe mundësitë.
Ushtrime përkatëse
Nëse në Ramazan mendojmë që, përveç agjërimit, të falim edhe namaz nate, atëherë qysh tash duhet të fillojmë me agjërim, të paktën të hënave dhe të enjteve, me namaz nate të paktën nga dhjetë minuta, ngase kështu forcohemi.
Pastrim të shpirtit
Ramazani është muaji i solidaritetit, kështu që nuk do të mund të theksohet ky aspekt shoqëror islam nëse paraprakisht zemra nuk është pastruar. Mu për këtë, Pejgamberi, alejhi’s selam ka bërë thirrje për pastrim shpirtëror qysh në muajin paraprak ngase Allahu nuk fal ata që nuk kanë zemrat e pastra.
“إِنَّ اللَّهَ لَيَطَّلِعُ فِي لَيْلَةِ النِّصْفِ مِنْ شَعْبَانَ فَيَغْفِرُ لِجَمِيعِ خَلْقِهِ إِلَّا لِمُشْرِكٍ أَوْ مُشَاحِنٍ
Vërtetë, Allahu i Madhëruar do të shikoj në natën e gjysmës së muajit Sha’ban dhe do të fal të gjitha krijesat, me përjashtim të politeistit apo atij që është i armiqësuar.”[7]
Pastaj jo vetëm kaq, mundohu që të pastrosh qëllimin tënd, që agjërimi yt të jetë vetëm për Zotin, ngase vepra që nuk ka sinqeritetin është e kotë.
Kupto prioritetet në këtë muaj
Askush nuk e mohon se është mirë të lexohet, sidomos libra fetare, por në këtë muaj asgjëje nuk duhet t’i jepet përparësi ndaj Kur’anit. Me gjithë këshillën që Kur’ani duhet medituar, dijetarët e kanë lejuar që në këtë muaj, për hire të bereqetit, të lexohet sa më shumë Kur’an, pa u ndalur thellë në meditime. Malik Ibni Enesi kur vinte Ramazani i braktiste mexhliset e hadithit dhe diturisë dhe përqendrohej vetëm në Kur’an. Sufjan Thevriu braktiste te gjitha adhurimet (fakultative) në Ramazan dhe i qasej vetëm Kur’anit. Seid Ibn Xhubejri bënte nga një hatme në çdo të dytën natë.
Kësisoj, vepro edhe me lutjen në vend të fjalëve, me Umren në vend të vizitave të shumta, me iftaret në vend të shpenzimeve të shumta për vete.
Gjurmo për motive
Sill ndërmend disa nga motivet që do të forconin për agjërim, si:
- Dashuria e Zotit ndaj nesh ngase na ka dhënë shanse që me pak punë të arrijmë shpërblime të mëdha. Paramendoni, çfarë mirësie është sikur të arrijmë Natën e Kadrit!
- Shpërblimi i madh. Çdo vepër e njeriut ka një masë shpërblimi, ndërsa agjërimi është vepër që Allahu i Madhëruar shpërblen për të aq sa njeriu nuk mund ta imagjinojë dot.
“كُلُّ عَمَلِ ابْنِ آدَمَ لَهُ إِلَّا الصِّيَامَ فَإِنَّهُ لِي وَأَنَا أَجْزِي بِهِ
Çdo vepër e njeriut është për të, përveç agjërimit, që është për Mua dhe Unë shpërblej për të…” Buhariu.
- Ramazani, krahas këtyre mirësive dhe mundësive, ka edhe ambientin që të mundëson një gjë të tillë. Pejgamberi, alejhi’s selam iu merrte myzhde Sahabeve me rastin e ardhjes së muajit Ramazan dhe iu thoshte:
“أَتَاكُمْ رَمَضَانُ شَهْرٌ مُبَارَكٌ فَرَضَ اللَّهُ عَزَّ وَجَلَّ عَلَيْكُمْ صِيَامَهُ تُفْتَحُ فِيهِ أَبْوَابُ السَّمَاءِ وَتُغْلَقُ فِيهِ أَبْوَابُ الْجَحِيمِ وَتُغَلُّ فِيهِ مَرَدَةُ الشَّيَاطِينِ لِلَّهِ فِيهِ لَيْلَةٌ خَيْرٌ مِنْ أَلْفِ شَهْرٍ مَنْ حُرِمَ خَيْرَهَا فَقَدْ حُرِمَ
Juve iu erdhi muaji i ramazanit, muaj i bekuar, agjërimin e të cilit Allahu ua obligoi; në të hapen dyert e Xhennetit, mbyllen ato të Xhehennemit ndërsa djajtë e tërbuar prangosen. Në të është një natë, më me vlerë se njëmijë muaj, kush privohet prej saj, vërtet është i privuar!”[8]
- Ndoshta Ramazani i fundit. Paramendo, nëse ke jetë për këtë Ramazan, ndoshta më nuk do të kesh mundësi të agjërosh, qoftë për shkaqe shëndetësore, apo dhe vet vdekja. Kështu që kjo duhet të jetë një motiv i fortë për ty për të shfrytëzuar ramazanin maksimalisht.
- Ramazani mund të jetë dëshmi për dhe kundër teje. Është vërtetuar se “Agjërimi dhe Kur’ani ndërmjetësojnë për robin Ditën e Kiametit…”[9], kështu që përfito nga rasti dhe puno që agjërimi të ndërmjetësojë për ty, të jetë pro teje.
- Ramazani dhe disa prej karakteristika te tij, si:
Është muaji i shpalljeve hyjnore, kanë zbritur që të gjithë librat hyjnor
Është muaji i fitoreve më të mëdha: si fitorja e Bedrit, çlirimi i Mekkes, e shumë e shumë fitore tjera gjatë historisë.
Synime dhe objektiva
Për të përfituar maksimalisht nga Ramazani, ti qysh tani duhet të përpilosh një listë synimesh dhe objektivash që mendon t’i realizosh në këtë Ramazan, si:
- Falja e mëkateve, ngase siç e di, vetëm të larguarit nga mëshira e Allahut, siç qëndron në hadith[10], nuk i falen mëkatet në këtë muaj.
- Nëse Ramazani është muaji i lirimit nga zjarri i Xhehennemit, siç qëndron në hadith[11], atëherë përpiqu që ta arrish këtë.
- Nëse shpërblim për Ramazanin është edhe një derë nëpër të cilën hyhet në Xhennet, pra dera Rejjan[12], atëherë puno që të hysh në Xhennet pikërisht nëpërmjet kësaj dere!
- Nëse mendon dhe ke dëshirë që në Xhennet të jesh në shoqëri të njerëzve të mirë, pra të kesh edhe pozitë, atëherë agjëro sinqerisht, ngase Muhammedi, alejhi’s selam, alejhi’s selam, siç transmetojnë Ibni Huzejme dhe Ibni Hibban ndërsa Albani e ka vlerësuar hadithin për të saktë, ka thënë për atë që dëshmon deklaratën islame, fal namazin, agjëron dhe falet në Ramazan si dhe jep zekatin:
“من مات على هذا كان من الصديقين و الشهداء
Kush vdes në këtë gjendje, do të jetë (në Xhennet) me të sinqertit dhe dëshmorët!”
Evito pengesat e suksesit
Sigurisht se ke mësuar nga Ramazani i kaluar disa prej shkaqeve që të kane privuar nga mirësitë e tij, andaj fillo qysh tani të distancohesh prej tyre, sidomos nga televizioni dhe humbja e kohës pas shikimit të serialeve dhe filmave. Mësohu që kohën ta menaxhosh në dobi e jo dëm tëndin.
Përkujtim të rregullave të Ramazanit
Meqenëse është ende herët, shfrytëzo kohën që të përkujtosh rregullat bazë të agjërimit, riktheju prapë atyre në mënyrë që të mos bësh diç nga harresa apo mosdija e që do të ishte shkak për privim nga shpërblimi.
Allahun e Madhëruar e lus që të na mundësojë arritjen e këtij Ramazani dhe përfitimin maksimal nga mirësitë dhe begatitë e tij të panumërta!
Amin!
[1] Transmetojnë Ahmedi, Tirmidhiu, Ibni Maxheh, ndërsa Albani e ka cilësuar hasen.
[2] Kur’ani, el-Bekare, 183.
[3] Albani në Sahihu-l-Xhamii, 3488, e ka cilësuar autentik.
[4] Transmeton Nesaiu ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[5] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[6] Për më shumë kthehu tek libri i tij Kalbun xhedid.
[7] Transmeton Ibni Maxheh ndërsa Albani e ka cilësuar hasen.
[8] Transmeton Nesaiu ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[9] Hadithi është autentik. Shih: Shihu-l-Xhamii, 3882.
[10] Transmeton Hakimi ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[11] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[12] Hadithi është autentik. Shih: Sahihu-l-Xhamii, 2121.