Organizata “Përkrahja Globale Për Profetin Muhammed” boton librin “ Ky është i dërguari i Allahut” në 40 gjuhë
Dr. Ali b. Omer Badehdah, sekretar gjeneral dhe asistent pranë organizatës “Përkrahja Globale”, gjatë kongresit të mbajtur më 2-4/11/2008, njoftoi për një projekt famoz për botimin e një libri për Muhammedin, alejhi’s selam, libër ky që do të përkthehet në dyzet gjuhë.
Libri mban titullin “Ky është i dërguari i Allahut” (Hadha RESULULLAH) dhe kryesisht është i përpiluar nga tekste profetike (hadithe) të zgjedhura të vjelura nga enciklopeditë e mëdha të haditheve. Gjërat janë shtjelluar në mënyrë të përgjithshme pa iu qasur detajeve apo çështjeve juridike, në të cilat ka dispozita të ndryshme.
Synimi i këtij libri, nënvizoi Dr. Badehdah, është ofrimi i personalitetit të Pejgamberit, alejhi’s selam nëpërmjet fjalëve dhe veprave të tij. Hadithet janë zgjedhë në atë mënyrë që të jenë të kuptueshme dhe të lehta për të gjithë, pa marrë parasysh nivelin e përgatitjes intelektuale të tyre. Ato nuk janë të përcjella me studime juridike, nuk janë të pasuara me komente a sqarime, me një fjalë, ai që thotë e flet është vetëm Pejgamberi, alejhi’s selam kurse veprat e tij janë përkthim praktik i fjalëve të tij.
Organizata, sipas Dr. Badehdah, është duke shikuar mundësitë për shpërndarjen e librit anekënd botës duke dhënë shenjë se versioni arab do të shpërndahet në kongres e më pas, me lejen e Allahut të Madhëruar, edhe ai anglisht.
Është cituar se kongresi në fjalë synon realizimin e një mori projektesh të mëdha, të cilat do të dilnin me programe globale praktike për jomyslimanët me qellim të kontaktit (tesktual) me tërë ata që fyen Pejgamberin, alejhi’s selam.
“Neve, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim, kemi kontaktuar qysh një kohë të gjatë disa shoqata islame dhe kemi kërkuar prej tyre të na ofrojnë nisma globale për jomyslimanët në sferën e përkrahjes për Muhammedin, alejhi’s selam, siç do bëjmë neve në këtë kongres, respektivisht para përmbylljes se tij do të prezantojmë nismat tona, që janë shumë cilësore dhe të veçanta” – deklaroi Badehdah.
Autor: Ali ZEHRANI
Përshtati në shqip: Sedat ISLAMI