Gruaja, për të cilën do të flasim sot ka disa karakteristika të veçanta. Ajo është njëra nga gratë e Muhammedit [alejhis salatu ves selam], për jetën e të cilës nuk dihet shumë. Kjo, për shkak se, jo vetëm se jetoi pak, porse edhe në shtëpinë e Muhammedit [alejhis salatu ves selam] nuk kaloi kohë të gjatë. Megjithëkëtë, ajo hyri në histori. Hyri, jo vetëm si nënë e besimtarëve, pro edhe si një grua me një tipar të dalluar. Sot do të flasim për Zejneben, të bijën e Huzejmes [Allahu qoftë i kënaqur me të!]
Kush ishte Zejnebja?
Emri i plotë
Quhet Zejnebe, e bija e Huzejmes, i biri i Harithit, i biri i Abdullahut, i biri i Amrit, i biri i Abdu Menafit, i biri i Hilalit, i biri i Amirit, i biri i Sa’sa’s.
Viti i lindjes
Zejnebja ka lindur në Mekke, 13 vite para pejgamberllëkut.
Familja e saj
Zejnebja rrjedh nga një familje e shquar. Ishte motër me Mejmunën, gruan tjetër të Muhammedit [alejhis salatu ves selam]. Në fakt, e kishte motër vetëm nga nëna. E, për nënën e saj, thuhet se nuk ka patur vjehërr dhëndurët e të cilës kanë qenë më të mirë se të saj.
Dhëndurët e saj ishin:
1) Muhammedi [alejhis salatu ves selam]. Ishte i martuar me Zejneben dhe Mejmunën.
2) Abbasi, xhaxhai i Muhammedit [alejhis salatu ves selam].
3) Hamza, xhaxhai i Muhammedit [alejhis salatu ves selam].
4) Xhaferi, kushëriri i Muhammedit [alejhis salatu ves selam].
5) Aliu, kushëriri i Muhammedit [alejhis salatu ves selam].
6) Ebu Bekri, sahabijji i nderuar.
7) Sheddad in Usame in el-Had, sahabijj i nderuar.
Kur e pranoi Islamin?
Saktësisht nuk dihet kur e pranoi Islamin, porse ishte nga ata që e pranuan atë në vitet e para. Në të vërtetë, ajo, bashkë me burrin e saj, e pranuan fenë.
Martesat e mëparshme
Zejnebja para se të martohej për të Dërguarin e Allahut [alejhis salatu ves selam], ishte e martuar porse me kë dhe sa herë ka mospajtime. Disa kanë thënë se ka qenë gruaja e Tufejl ibn Harithit, porse ai e kishte shkurorëzuar. Pastaj qe martuar për Ubejde ibn Harithin, i cili ra dëshmor në betejën e Bedrit. Eshtë thënë se ka qenë gruaja e Abdullah ibn Xhahshit, i cili ra dëshmor në betejën e Uhudit, mendim ky që nga disa është vlerësuar të jetë më i sakti.
Nga martesat e mëhershme, Zejnebja nuk kishte fëmijë. Në të vërtetë, thuhet se nga martesa me Tufejlin kishte patur një djalë, i cili kishte vdekur ende para pejgamberllëkut.
Martesa me Muhammedin [alejhis salatu ves selam]
Burri i Zejnebes, Abdullahu, do të bie dëshmor trimërisht në betejën e Uhudit. Zejnebja, sigurisht, u mërzit. Nuk kishte fëmijë ndërsa ishte edhe e re në moshë. Ishte vetëm 30 vjeçare. Kështu, për ta ngushëlluar dhe për ta mbushur boshllëkun e jetës bashkëshortore, Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] do të martohet me të në Ramazan të vitit të tretë hixhrijj ose plot 31 muaj pas hixhretit.
Eshtë diskutuar po kështu se kush ishte ai që e mori përsipër martesën – kurorëzimin e saj me Muhammedin [alejhis salatu ves selam]. Thuhet se ajo vet ia la këtë çështje në dorë Muhammedit [alejhis salatu ves selam], e thuhet se atë e kurorëzoi xhaxhai i saj ndërsa Muhammedi, [alejhis salatu ves selam] ia dha mehrin prej 400 dërhemësh.
Jeta e saj si ‘Nënë e besimtarëve’
Zejnebja nuk jetoi gjatë në shtëpinë profetike. Ajo që do ta ndante atë kësaj radhe nga burri ishte vdekja e saj. Vdiq, sipas një mendimi, pas tetë muajsh martese me Muhammedin [alejhis salatu ves selam]. Thuhet edhe ndryshe se nuk jetoi më shumë se dy muaj se dy muaj e gjysmë në kurorë me të. Megjithëkëtë, emri i saj është përjetësuar, dhe jo vetëm si ‘Nënë e besimtarëve.’ Zejnebja njihej me një ofiq shumë të dashur, ‘Ummul meskinë – Nëna e skamnorëve.’ Ishte shumë dorëdhënëse. Ndihmonte të varfrit shumë. Angazhimi i saj në jetën publike ishte edhe para martesës me Muhammedin [alejhis salatu ves selam]. Kishte marrë pjesë në betejat e Bedrit dhe Uhudit duke iu ndihmuar ushtarëve në shërim dhe bartje të ujit. Madje, thuhet se ofiqin ‘Ummul meskinë – Nëna e skamorëve’ e mori në periudhën para islame. Pra, që moti njihej me këtë ofiq.
Vdekja e saj
Zejnebja, pas një jete bashkëshortore relativisht të shkurtër me të Dërguarin e Allahut [alejhis salatu ves selam], respektivisht në muajin Rebiul ahir, në vitin e katërt të hixhrit, do të vdes. Ishte vetëm 30 vjeçare kur vdiq. Varrimin e saj e mori përsipër vet Muhammedi [alejhis salatu ves selam]. Atë e varrosi në varrezat Bekië ndërsa është gruaja e tij e parë që u varros në atë varreza.
Mësimet e përfituara nga jeta e saj
Ndonëse nuk jetoi gjatë, ajo ishte protagoniste e disa veprave që emrin e saj e përjetësuan. Ajo la pas vete thesare urtësish e këshillash. Karakteri dhe personaliteti i saj flasin për Zejneben para se të flasin librat.
Në vijim, do të mundohemi të nxjerrim disa mësime të rëndësishme nga jeta e saj.
1) Urtësia e martesave të Muhammedit [alejhis salatu ves selam].
Orientalistët kanë akuzuar Muhammedin [alejhis salatu ves selam] për kinse njeri të dhënë pas grave. Ata kanë harruar ose qëllimshëm kanë anashkaluar këto raste, të cilat reflektojnë qëllimet e vërteta të tij në martesa. Nuk ishte epshi por qëllimet fisnike ato që e bënë të martohej. Zejnebja ishte e vejë, në një vend të huaj, kush do të përkujdesej për të? Ose, cili do të mund ta mbushte boshllëkun e saj bashkëshortor më mirë se Muhammedi [alejhis salatu ves selam]. Kështu, në mësojmë se urtësia e martesës ka qenë solidarizimi me të, ngushëllimi i saj dhe përpjekja për ta kompensuar humbjen e saj.
Një fakt tjetër, që vërteton këtë gjë, e që nuk përmendet shumë, është se Zejnebja, nuk ishte edhe gjithaq e bukur. Pra, nuk kishte ato tipare të një femre të cilën do ta pëlqenin meshkujt. Paramendoni çfarë krize shpirtërore do të përjetonte sikur në atë moshë të re, kur kishte humbur burrin e saj, të mbetej e ve dhe pa përkujdesje për shkak se meshkujt nuk do ta pëlqenin shkak i mungesës së bukurisë?!
2) Rëndësia e devotshmërisë
Zejnebja duroi dhe durimi i saj u shpërblye. Ajo tregoi në momentet më kritike të jetës së saj se Islami është gjëja më e rëndësishme për të. Për këtë shkak, Allahu i Madhëruar zgjodhi që muajt e fundit të jetës së saj të jenë nën kurorë me njeriun më të dashur të Allahut, Muhammedin [alejhis salatu ves selam].
3) Motivet e martesës
Martesat duhet të jenë rezultat i një përzgjedhje në baza morali dhe besimi. Elementet tjera nuk garantojnë jetë bashkëshortore të lumtur. Allahu na e përkujton këtë kriter në ajetin vijues.
“Mos u martoni me idhujtare deri që ato të besojnë (Zotin). Një robëreshë besimtare është më e vlefshme se një idhujtare, edhe nëse ajo (idhujtarja) ju mahnitë. Mos u martoni as me idhujtarë deri që ata të besojnë (Zotin). Një rob besimtar është më i vlefshëm se idhujtari edhe nëse ai ju mahnit. Ata ju ftojnë për në zjarr, e All-llahu me mëshirën e vet ju fton për në xhennet, për në shpëtim dhe u sqaron njerëzve argumentet e veta, ashtu që ata të përkujtojnë.” (el-Bekare, 221)
Ndërsa Muhammedi [alejhis salatu ves selam] thotë:
“Gruaja martohet për katër gjëra: pasurinë, familjen, bukurinë dhe fenë e saj. Zgjidhe atë që ka fenë, të lumshin duart!” (Buhariu)
Po kështu thotë:
“Nëse kërkon dorën e vajzës saj ai, fenë dhe mrolain e të cilit e pëlqeni, atëherë martojeni (me vajzën tuaj), ndryshe, në tok do të jetë sprovë dhe rrëmujë-çrregullim…” (Tirmidhiu. Hadithi është hasen.)
4) Respekti për burrin
Zejnebja është shembulli i gruas, e cila nëpërmjet respektit për burrin, synon të arrijë edhe kënaqësinë e Allahut. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] thotë:
“Nëse gruaja falë pesë namazet, agjëron muajin e saj (të Ramazanit), e ruan nderin e saj dhe e respekton burrin e saj, atëherë le të hyj në Xhennet nëpërmjet cilës derë të dëshirojë!” (Albani thotë se është autentik.)
5) Jeta dhe e vërteta e saj
Jeta e Zejnebes na flet për jetën dhe esencën e saj. Ajo nuk matet me vite. Jeta matet me vepra dhe kontribut. Ndonëse jetoi pak, ajo bëri vepra të mira aq sa të përjetësohet emri i saj.
6) Islami si koleksion vlerash
Jeta e Zejnebes na zbulon edhe një detaj të kësaj feje, i cili i garanton asaj përjetësinë. Zejnebja njihej si ‘Ummul mesakinë – Nëna e skamnorëve’ edhe në periudhën paraislame dhe me të u bë e njohur edhe në Islam. Islami është një fe, e cila nuk ka rol selektive. Ajo pranon të mirat. Madje ka ardhur me këtë parim edhe si moto të saj. Thotë Allahu:
…u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet…“ (el-A’rafë, 157)
7) Sadakaja dhe vlera e saj
Ky ndoshta është mësimi më i theksuar në biografinë e Zejnebes. Eshtë një mësim i rëndësishëm për myslimanet e sotme, që të japin për Allahun dhe fenë e Tij. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] thotë:
“O ju gra myslimane! Le të mos përbuzë fqinja për fqinjen e saj, qoftë edhe një thundër dele!” (Buhariu)
Thundra e deles nuk jepet sadaka. Hadithi sikur na thotë se nuk bën që gruaja të ndihet keq nëse nuk ka mundësi të jap shumë. Asaj i mjafton ajo që e ka, pavarësisht se mund të jetë pak, ngase tek Allahu ajo mund të zmadhohet.
8) Horizonti i mirësisë i madh aq sa e zë çdo kë
Nga jeta e grave të Muhammedit [alejhis salatu ves selam] kemi mësuar se secila prej tyre ka qenë e shquar me diç. Zejnebja ka qenë e shquar në dhënien e lëmoshës. Kjo do të thotë se secili/a ka vlera. Duhet gjurmuar në vetveten tonë për të mësuar se çfarë mund të bëjmë më së miri.
9) Solidariteti si portret i shoqërisë myslimane
Biografia e saj portretizon shoqërinë myslimane. Ajo është shoqëri solidariteti, ndihme reciproke, respekti. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] thotë:
“Shembulli i besimtarëve në dashuri, mëshirë dhe butësi të ndërsjellë, është sikur shembulli i një trupi, që nëse rënkon një gjymtyrë, atëherë i tërë trupi vuan nga pagjumësia dhe ethet!” (Muslimi)
“Myslimani për myslimanin është sikur godina, pjesët e së cilës mbajnë njëra tjetrën!” (Buhariu)
10) Nevoja e organizimit institucional të jetës aktive të gruas
Gratë kanë rol të pamohueshëm në shoqëri. Atyre duhet tua mundësojmë që jetën e tyre ta organizojnë në formë institucionale. Ato kanë mundësi të bëjnë shumë për shoqërinë dhe kjo do të ishte forma më e mirë e mundshme për të ruajtur nderin e tyre por edhe për të përfituar nga dija dhe kontributi i tyre.