Es-selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu!
Paqja, mëshira dhe mirësitë e Allahut qofshin mbi ju!
Të ndëruar vëllezër besimtarë!
Vëllezër dhe motra!
Muaji Ramazan na erdhi. Është ky muaji që sinonim ka faljen dhe mëshirën. Muaji, në të cilën hapen dyert e Xhennetit ndërsa mbyllen ato të Xhehennemit. Është muaji i vlerave dhe mirësive, muaji i Natës së Kadrit, e cila është më e mirë se njëmijë muaj. I Dërguari i Allahut [Paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të!] ua përkujtonte besimtarëve këto mirësi të këtij muaji të madh të Ramazanit, për të motivuar shpirtrat e tyre për sakrificë dhe adhurim të madh. Andaj, bazuar në këto, iu thërras që në këtë muaj të madh të shtoni adhurimet, të rrisni vëllimin e tyre, të pastroni shpirtrat, të ndihmoni skamnorët, të forconi lidhjet sa më shumë me Allahun që fal dhe mëshiron shumë.
Mos lejoni assesi të ik Ramazani pa iu falur mëkatet tuaja. Mëkatet falen edhe duke u lutur për besimtarët, andaj, mos na harroni në lutjet tuaja. Lutuni për ne që t’iu falen mëkatet!
Allahu na i pranoftë agjërimin, adhurimin dhe të gjitha veprat tjera që i bëjmë për Të!
Agjërim të lehtë!
Edhe një herë, urime Ramazani!