Muhammed el-Halv ishte pjesë e një cirku të organizuar në Kajro. Ai kishte një luan, mbi të cilin hipte dhe bënte shikuesit të qeshnin e të kënaqeshin. Por, një herë, derisa ishte në cirk ndërsa kishte përfunduar show-in e tij dhe qëndronte para shikuesve për të falënderuar ata për duartrokitjet e tyre, luani e tradhtoi dhe befasisht e sulmoi. Nxituan shumë veta dhe disi e nxorën nga kthetrat e tij por pas pak ditësh ai vdiq në spital. Luani, që quhej ‘Sultan’, kishte ndier keqardhje të madhe dhe kishte refuzuar çdo lloj kontakti me njerëz. Duke konsideruar se është i rrezikshëm, e dërguan në një kopsht kafshësh. Luani as atje nuk u përmirësua. Përkundrazi, refuzonte ushqimin dhe shoqërinë. Pas disa ditësh, nga keqardhja e madhe, ia nisi të hante këmbët e tij. I rridhte gjak ndërsa ai nuk ndalej derisa edhe i dha fund jetës së tij.
E lexova këtë tregim interesant ndërsa mendjen e kisha tek Kajroja, “nikoqire” e një cirku tjetër, ku një luan (tashmë në lojë ka më shumë se një luan) ka sulmuar zotërinë e vet. Simptomat e keqardhjes vetëm sa kanë filluar të shfaqen. Ditët e lumtura që përjetoi po duket sikur janë në sosje. Ankthi dhe stresi tashmë vërehen qartë në fytyrën e tij. Por, rebelimi dhe çartja e kanë bërë që ende të mos kuptojë gabimin e madh që ka bërë. Ende është nën ndikimin e makthit. Vëmendjen ende e ka të arratisur. Gjithsesi, pasi t’i kthehet ajo do ta kuptojë peshën e gabimit. Do ta kuptojë se pronari i ri, që në vend të kamxhikut ka zgjedhur sheqerkat, është më i mirë. Luani i tërbuar do të mund të shpëtojë veten vetëm nëse nuk e humb pronarin e ri. Paraprakisht, ai ka një fat të mirë. Pronari i ri jo vetëm që është gjallë dhe jeton por është edhe i butë dhe falës. Sa mirë do të ishte sikur t’i kthehej atij në këtë muaj kur mëshira është më e madhe se kurdoherë më parë!
O Zoti im! Shtoja pronarit durimin dhe vendosmërinë ndërsa luanin bëje të pendohet dhe t’i kërkojë falje pronarit të tij!