Pyetja:
I nderuari Hoxhë!
Çfarë dispozite fetare ka për shkrimin e inicialeve në vend të shkrimit komplet të salavatit mbi Muhammedin, alejhi's selam në shkrime?
Përgjigja:
Falënderimi i takon Allahut të Madhëruar kurse përshëndetjet qofshin mbi Muhammedin, familjen, shokët dhe pasuesit e tij!
Salavatit mbi Muhammedin, alejhi's selam është prej adhurimeve më të pëlqyera dhe prej lutjeve më të ndritshme. Shumë më mirë do të dilte sikur atë ta shqiptojë e shkruaje komplet por si është puna nëse nuk e thotë fare apo mjafton vetëm me iniciale siç thatë edhe ju?
Dispozita e kësaj është në përputhshmëri me dispozitën për salavatin mbi Muhammedin, alejhi's selam, dispozitë kjo e diskutuar tek dijetarët. Mendimi më i saktë duket të jetë ai që e trajton si Sunnet e jo si Vaxhib. Ibni Xheriri këtë e përcjell edhe si Ixhma - konsensus të ummetit. Kurse sa i përket lënësit të salavatit që në hadith është përshkruar me koprraci kjo nuk tregon për vaxhib (obligim) por vetëm për preferim të vërtetuar.
Parimisht, bazuar në këtë, nëse folësi nuk e thotë, nuk ka mëkat, sikurse që as shkrimtari nuk ka mëkat nëse nuk e shkruan duke ripërsëritur prapë se shumë më mirë do të ishte të thuhej dhe shkruhej e plotë.
Allahu e di më së miri!