Hyrje
“إِنَّ أُنَاسًا كَانُوا يُؤْخَذُونَ بِالْوَحْيِ فِي عَهْدِ رَسُولِ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ وَإِنَّ الْوَحْيَ قَدْ انْقَطَعَ وَإِنَّمَا نَأْخُذُكُمْ الْآنَ بِمَا ظَهَرَ لَنَا مِنْ أَعْمَالِكُمْ فَمَنْ أَظْهَرَ لَنَا خَيْرًا أَمِنَّاهُ وَقَرَّبْنَاهُ وَلَيْسَ إِلَيْنَا مِنْ سَرِيرَتِهِ شَيْءٌ اللَّهُ يُحَاسِبُهُ فِي سَرِيرَتِهِ وَمَنْ أَظْهَرَ لَنَا سُوءًا لَمْ نَأْمَنْهُ وَلَمْ نُصَدِّقْهُ وَإِنْ قَالَ إِنَّ سَرِيرَتَهُ حَسَنَةٌ
Disa njerëz, në kohën e Muhammedit, alejhi’s selam, gjykoheshin nga shpallja, e cila është ndalur, dhe ne tani iu gjykojmë në bazë të veprave që shfaqni. Kush bën vepra te mira, e konsiderojmë besnik dhe e afrojmë; neve nuk na mbetet hulumtimi i sekreteve të tij, për to Allahu e gjykon. Ndërsa kush na shfaq vepra të këqija, nuk e marrim për besnik dhe nuk i besojmë edhe nëse thotë se qëllimet i ka te mira”( ).
Këto fjalë të arta, të thëna nga njeriu që Muhammedi, alejhi’s selam e cilësoi si të vetmin që mund të supozonte dhe që supozimi i tij është i vërtetë( ), pra nga Omer b. Hattabi, janë moto e punimit tonë. Nëpërmjet këtij vrojtimi dhe studimi të tematikes dhe natyrës së shkrimeve të Rahmetliut, Sherif Ahmetit, respektivisht të motiveve dhe shkaqeve të tyre, nuk kemi synuar ta shfajësojmë, t’i japim epitet që nuk i takon, apo ta akuzojmë me diç, edhe pse nuk e fshehim aspak se ky punim nuk është kritik. Ai është përmbledhur në atë forme që, nëpërmjet ngushticave kohore, ku problemet, korrupsioni, krizat ekonomike, mashtrimet, vrasjet, shoqërisë ia kane zënë frymën dhe e kanë ngulfatur, mundohet ta përçojë zërin dhe veto-n e autorit kundër tyre. Shkrimet e myderrizit tonë, të shkruara e botuara në intervale të ndryshme kohore, paraqesin një personalitet që po të përshkruhej nga ndonjë piktor do të dilte gjigant, i guximshëm, humanist, paqedashës. Autori vuante shume për arsim dhe kulturë.
Studimi ynë është bazuar në veprën voluminoze “Komente dhe mendime islame”, të autorit, e cila përveç që është përmbledhëse e punimeve më të rëndësishme të tij, ajo fatbardhësisht është botuar në të gjallë të tij, që dëshmon se vepra është përfaqësuese e ideve dhe mendimeve të autorit. Andaj, tërë këtë që do ta paraqesim këtu, është fryt i studimit brenda kopertinave të librit në fjalë.
Temat e trajtuara nga myderrizi ynë Sherif Ahmeti
Gjate shtjellimit të materialeve të përmbledhura në “Komente dhe mendime islame”, gjetëm se autori, Allahu pastë mëshirë mbi të, kishte shtjelluar tema islame me tematika të ndryshme, që për mendimin tonë, janë bërë për dy shkaqe:
• Janë shkruar në intervale të ndryshme kohore; ka artikull që me tjetrin ka distancë ndoshta edhe një apo mbi një dekade, dhe
• Autori ka jetuar për myslimanët, që d.t.th.: se ka shkruar për problemet që janë shfaqur në shoqëri, e, sipas traditës së autorit, ka diktuar nevojën e patjetërsueshme për luftimin e saj me penën e tij.
Para se të prezantojmë tematikat e punimeve të autorit, ia vlen të përmendim se mungesa e fusnotave në punimet e tij nuk është dëshmi plagjiati, përkundrazi, është fakt i diturisë së tij. Zaten, dijetarët nuk kanë nevojë për fusnota. Ndoshta punimet tona, sot, për kah formulimi e thurja e fjalive duken më cilësore se punimet e tij, megjithatë ato përballë punimeve të rahmetliu janë shumë të zbehura dhe me vlerë të vogël.
Sido që të jetë, temat e tij, marrë në kuptim të përgjithshëm, nuk dalin jashtë:
Tematikës arsimore, jo vetëm fetare, që padyshim ka qenë rezultat i diapazonit të gjerë të, jo vetëm kulturës së tij, por edhe profesionit të tij, ngase ai, siç e dini, kishte ushtruar edhe detyrën e mësuesit. Motivi patriotik ishte shumë prezent në punimet e tij. Nën tytën e komunistëve dhe nën diktaturën e regjimeve, autori harronte me dëshirë kanosjen e rrezikut për jetë, dhe, për edukimin e popullit, shkruante pa pushuar asnjëherë.
a) Rëndësia e diturisë.
Autori, rëndësinë e diturisë, e shpreh edhe në vet faktin se ajo, si urdhër hyjnor, është urdhëruar edhe para adhurimeve, madje edhe para vet besimit. 750 ajete, që direkt e tërthorazi, shtjellojnë tematiken e diturisë, sipas autorit, dëshmojnë vetvetiu se sa rëndësi ka kjo gjë. Por ajo që Rahmetliu i kushton kujdes të veçantë është dituria e vërtetë, dituria që sjell fryte, dituria me vepra( ). Nga këtu, ai konstaton se dituria është bazë për kulturë, madje tekstualisht thotë: “Dituria nga besimi e kultura nga dituria”. Periudha e artë e Islamit ( ), në kohën kur pjesa tjetër e botës përjetonte periudhën më të egër, më barbare, më injorante, është një dëshmi shtesë e kësaj diturie, e cila sa herë që kultivohej, gjithnjë jepte fryte. Por kur ara e saj mbeti e papunuar dhe fara e saj e pambjellur, atëherë mbi të mbinë ferra që shuan lulëzimin e saj.
b) Botëkuptime të gabuara.
Në kuadër të tematikes arsimore, Sherif Ahmeti, i qe qasur edhe përmirësimit të botëkuptimeve të gabuara, e sidomos në aspektin arsimor islam. Kështu shohim autorin të fillojë nga rrënja e fesë, nga pastrimi i besimit nga besëtytnitë dhe keqinterpretimet përkitazi me besimin në Allahun e Madhëruar.
- Zhveshja e Allahut nga ngjashmëritë me krijesa, e aprovuar në ajetin:
“لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ وَهُوَ السَّمِيعُ البَصِيرُ
…Asnjë send nuk është si Ai; Ai është dëgjuesi, shikuesi”. ( )
…e që qe keqinterpretuar nga ithtarë të feve e ideologjive tjera, siç qenë grekët e romakët, të cilët, të prirë nga përkufizimi vetëm në mendjet e tyre, të kufizuara sipas natyrës, i përshkruan Allahut gjini e ngjashmëri tjera me krijesat, ishte brengë e penës së Rahmetliut. Ai sqaroi se besimi i pastër në Allahun, monoteizmi, ishte mision i të gjithë pejgamberëve, ai qe shfaqur i pari në tokë; Ademi, alejhi’s selam ishte monoteist, e me pas, u shfaq politeizmi, si pjell e intrigave dhe kurtheve të djallit, që padyshim qe përkrahur edhe devijimet e filozofëve të humbur( ).
- Udhëzimi dhe humbja( ), liria, pavarësia dhe detyrimi, sqarimi i rolit të Muhammedit, alejhi’s selam, veprat që bën njeriu, humbja dhe devijimi i tij si shkak i kryeneçësisë së tij, ishin gjërat që, në kuadër të përmirësimit të botëkuptimeve të gabuara, i shtjelloi në punimet e tij. Sherif Ahmeti, me vizion prej dijetari, sqaroi parimet bazë të besimit islam, pra të Ehli Sunnetit dhe Xhematit, ose sunnitëve, siç jemi mësuar t’i quajmë më shkurt, duke përfunduar se Allahu nuk iu bën padrejtësi njerëzimit dhe askujt tjetër, se njeriu do të jap përgjegjësi për veprën që e ka bërë; nëse ka qenë i lirë, dhe se mundësia e inkuadrimit në çetën e burrave të sinqerte është gjithmonë e hapur. Allahu nuk dëshiron që njerëzit të bëjnë keq, nuk cakton gjëra të tilla, në kuptimin që njeriu i bën e ai e ndëshkon për to padrejtësisht, larg asaj, Allahu nuk i bën padrejtësi askujt, edhe pse veprat e këqija janë në dijeninë e Tij. Ndryshe, kjo do të binte ndesh me urdhrin e Tij që të gjithë njerëzit të besojnë, që të gjithë të bëjnë vepra të mira…Prapë, edhe këtu, autori sqaron se bota filloi mirë, filloi mbarë, filloi me besim të sinqertë e të pastër, pra me nënshtrueshmëri Allahut, por më pas ndodhën të këqijat, ndodhi politeizmi dhe pabesimi( ).
- Besimi i vërtetë, që është si një trung, me rrënjë thellë në tokë e me degë të ngritura lart në qiell, është besimi që synon Islami( ). Sikur, logjikisht, që nuk ka fitim pa punë, po kështu edhe besim pa vepra nuk ka. Myderrizi ynë këtë e shtjellon duke përmendur dëshminë historike të arabëve të periudhës së Muhammedit, alejhi’s selam, të cilëve kur iu kërkua thënia e dëshmisë islame, refuzuan me diturinë se pas thënies lypset nënshtrimi, apo thënë më thjesht, larg nga adhurimi i putave dhe çdo vepre të lige( ).
- Myderrizi ynë, penën e tij, në vend të ngjyrës, e kishte mbushur me fakte e argumente( ), dhe, nga fillimi e në mbarim, zhvleftësonte besëtytnitë dhe marrëzitë, që nga injoranca qarkullonin në mesin e njerëzve. Adhurimi i putave, evliave, shkuarja tek falltari, magjistari, shkrirja e plumbit, e çdo forme tjetër besëtytnie, ishin kundërshtarë të autorit, që në arenën e shkrimeve të tij, pësonin disfatë, njëri pas tjetrit. Hoxha, nuk është i shenjtë, i pagabuar, ai është krijesë sikur njerëzit e tjerë, edhe nga ky këndvështrim, ai vetëm ua mëson fenë njerëzve, ndryshe, asnjë ndikim nuk mund ta këtë në asgjë.
- “Ibadetin” që rëndom kuptohet si falja e namazit, Sherif Ahmeti, e nxjerr nga ky kuptim i ngushtë, dhe ashtu siç pati deklaruar edhe Ibni Tejmije( ), përmend se çdo veprim që kryen njeriu, me të cilin synon arritjen e kënaqësisë së Allahut, pa marrë parasysh se a është namaz, zekat, haxh, agjërim, lëmoshë, shkuarje në xhami, vizitë e të sëmurit, shkollim, punë, ajo është adhurim-ibadet( ).
- Feja ka lindur bashkë me njeriun ( ). Sot kur bëhen përpjekje për mohim të kulturës fetare, autori përkujton se nevojën për fe, jo vetëm myslimanët, por edhe jomyslimanët e kanë vërtetuar. Henri Branje, shkrimtar i famshëm francez, thotë: Nëpër kritikë të historisë është provuar kategorikisht se ndjenja fetare është e ngjeshur në natyrë të njeriut. Në asnjë periudhë të historisë kjo ndjenjë nuk u shuajt”. Autori zhvleftëson bindjen se feja ka lindur nga frika dhe shpresa, apo edhe nga gënjeshtra…Ajo ka lindur bashkë me njeriun dhe si e tillë, për sa kohë mbetet njeri në botë, mbetet edhe ajo.
- Keqkuptimet rreth disa të vërtetave fetare, siç është rasti me Pejgamberët, për gjininë e të cilëve diskutuan disa: se a duhet të jenë vetëm meshkuj apo bën edhe femra, siç mendonte Ibni Hazmi( ). Rahmetliu demanton këtë teori dhe vërteton se të dërguarit janë vetëm meshkuj( ). Në kuadër të kësaj tematike, demanton edhe intepremtimet logjike të krijesave tjera, si f.v. melekët, që disa i komentojnë si dritë apo fuqi, dhe xhinët që komentohen si diç e keqe e jo se në fakt diç ekziston. Këto janë keqkomentime dhe interpretime të paqëlluara( ).
- Kur’ani dhe realiteti i tij( ). Ndonëse të hedhurit pluhur rreth Kur’anit dhe autenticitetit të tij nuk ka të ndalur, Sherif Ahmeti, si në të kaluarën por edhe tani, kundërshton ashpër këto ide e teori famëkeqe, duke i zhvlerësuar me fakte e dëshmi. Kur’ani ishte mrekullia më e madhe e Muhammedit, alejhi’s selam, pra nuk është i shkruar prej tij. Është i ruajtur gjer në amshim nga Allahu. Mrekullia e tij mahniti edhe armiqtë, siç e përshkroi shumë bukur rastin e Ebu Xhehlit, Ebu Sufjanit dhe Ahnes b. Shurejkut, të cilët vjedhurazi shkonin natën dhe dëgjonin Kur’an nga Muhammedi. Këtë e bënin nga kërshëria për të dëgjuar diç që nuk ishte prodhim i trurit të njeriut. Pastaj, dëshmia e Velid b. Mugires, njërit nga prijatarët e poezisë, se ajetet e Kur’anit që i dëgjoi nga Muhammedi, alejhi’s selam nuk janë nga njeriu, janë pjesë e arsenalit intelektual, me të cilën sulmonte rahmetliu kundërshtarët e Kur’anit.
- Dynjaja dhe ahireti( ). Dhënia pas njërës dhe anashkalimi i tjetrës, sipas Islamit, është rrugë dhe mënyrë e gabuar. Muslimani duhet t’i shfrytëzojë të dyja përnjëherë. Ai duhet të punoje në dynja duke shpresuar në shpërblim në Ahiret, dhe duke përkujtuar ahiretin, të largohet nga punët e paligjshme në dunja( ). Një gjë të tillë e bën edhe tek ndërlidhja e fesë me punën, respektivisht, namazit me punën. Tri ajetet e kaptinës el-Xhumuah( ), ku përveç faljes përmendet edhe puna, përshkruajnë rrugën, që muslimani duhet ta trasojë.
- Tesavvufi dhe zuhdi( ), disa terme që janë keqkuptuar në masë, ishin po kështu gjëra që Sherif Ahmeti, i sqaroi. Të jesh i devotshëm nuk do të thotë të jesh pasiv në raport me shoqërinë. Nga këtu, rahmetliu më shumë preferonte termin zuhd (devotshmëri e qëlluar) se sa sofizmin( ), që përkthyer në realitetin fetar, është një formë e tejkaluar e adhurimit, formë e ekzagjeruar, dhe parimisht, e refuzuar.
- Islami nuk është për përçarje, ai ofron njerëzit. Nëse ai arriti të bënte bashkimin e fiseve më të armiqësuara, Evs dhe Hazrexh, nëse arriti të krijonte shtetin më të fuqishëm të historisë nga njerëz të armiqësuar, nëse nga njerëz nomadë nxori qytetarë, nëse nga njerëz injorantë nxori dijetarë, atëherë si mund të thuhet se kjo fe ndanë njerëzit?!
Myderrizi ynë, si humanist i madh që ishte, çdoherë insistonte që me lapsin e tij fisnik të afrojë njerëzit. Një gjë të tillë e vërejmë edhe tek shtjellimi i temave të shumëdiskutuara në shtresën e hoxhallarëve, si ajo e Mevludit( ) dhe Talkinit( ), të cilat më shumë i komenton si imperativ i kohës (Mevludin) dhe traditë që, meqë është përhapur në shoqëri, nuk do të duhej të luftohej në atë formë që nga njerëzit të perceptohej si diç antiislame, derisa ka bazë, edhe pse jo të fortë. Nuk preferonte te çohej pluhur rreth gjërave që për shumë kohë janë bërë praktikë tek ne, që edhe ashtu nuk paraqesin ndonjë rrezik për devijim fetar. Edhe ai pranonte për bazë të dobët fetare të tyre por rrethanat dhe ambienti sikur ia kishin imponuar gjërat e tilla.
- Natyra dhe ligjet e saja janë dëshmi e ekzistimit të Allahut( ). Termi “Natyrë”, disi, të bën të kuptosh diç në kundërshtim me Allahun. Ata që nuk e pranojnë Allahun, natyralistët, pranojnë fuqi mbinatyrore, e cila udhëheqë me gjithësinë dhe të cilën e quajnë natyrë. Sherif Ahmeti, duke dashur të mos keqkuptohet, sqaron se natyra është ligj prej ligjeve të Allahut, punon në përputhje e parimet e vëna nga Allahu, andaj ajo vetëm sa ia shton besimtarit bindjen për ekzistimin e Allahut Fuqiplotë.
- Jo formaliteti në fe. Nëpërmjet shtjellimit të ritit të namazit dhe agjërimit, rahmetliu zbulon të vërtetën islame se formaliteti nuk është i kërkuar në fe. Allahu kur obligoi namazin nuk tha “Faluni!” ( ) por tha “Kryejeni faljen!”. Kur urdhëroi agjërimin, nuk tha “Agjëroni!” por tha “Agjëroni që të jeni të devotshëm!” ( ). Ndryshe, nëse njeriu falet dhe agjëron, por megjithatë nuk është larguar nga veprat e këqija, konsiderohet se ai ka kryer vetëm formalisht këtu lutje dhe se ai nuk shpërblehet për to. Si mund të agjërohet Ramazani shkel e shko, çuditet autori, kur ai është muaj në të cilin ka zbritur Kur’ani, muaj në të cilin Ibrahimit, alejhi’s selam i është plotësuar duaja për dërgimin e Muhammedit, alejhi’s selam pejgamber?!( )
- Arsimimi i femrës( ). Si për çudi, dashakëqijtë e islamit çdoherë janë munduar ta përbuzin Islamin duke u kapur për arsimin e femrës. Ata mendojnë se islami ka persekutuar femrën, ia ka mohuar të drejtat e saja ndërsa harrojnë se të drejtat që, praktikisht, i gëzon femra në Islam nuk i gëzon askund tjetër. Urdhri për arsimim vlen edhe për femrën. Madje, femrat në Islam kane luajtur rol të madh në kumtimin e fesë. Gratë sahabije, në krye me nënat tona-gratë e Pejgamberit, alejhi’s selam, janë shembulli më i mirë.
- Sëmundja nuk është e keqe( ). Ndonëse tek i sëmuri kjo mbetet vetëm fjale ngushëlluese, megjithatë, parimisht, në islam, sëmundja i ngjan një gjilpëre të mjekut, që në fillim të dhemb por të shëron. Edhe sëmundja është e tillë; te pastron nga mëkatet, andaj nuk duhet urryer.
c) Dituri ekskluzive islame( ). Derisa më parë, Sherif Ahmeti, trajtonte problematiken e arsimimit, në përgjithësi, ai një kohë të ndritur ia kushtoi edhe disa njohurive me peshë për myslimanët. Nëpërmjet shtjellimit të një mori kaptinash dhe ndodhish, me rëndësi historike për myslimanët, sjellë versionet e vërteta, të aprovuara tek dijetarë më eminentë, dhe të cilat në vete ngërthejnë një thesar te tërë diturish, porosish, mësimesh e këshillash. Sqarimi për realitetin e Israsë dhe Miraxhit, një mrekullie dydiagonalëshe; horizontale, në kuptim të fluturimit nga Mekkeja në Kuds, dhe vertikale, prapë dy diagonalëshe; e para, në kuptim të udhëtimit tek Allahu Fuqiplotë, dhe, e dyta, në kuptim të unifikimit, edhe qiellor zyrtar, të revelatës dhe misionit të tij me profetët tjerë. Takimi me profetët, jo vetëm në Kuds si Imam, por edhe në qiell, e sidomos me një pjesë të Ulu’l azmit, si Ibrahimi e Musai, profetë që mbi supet e tyre bartën vështirësitë më të mëdha të kumtimit të shpalljes nga i Madhi Zot. Drejtpërdrejtë, takimi me ta, reflektonte përkrahjen dhe mbështetjen morale që i jepej Muhammedit, alejhi’s selam në misionin e tij.
Pastaj sqarimi i domethënieve të kaptinës së parë të Kur’anit, kaptinës “El fatiha”, e cila përfshin tërë ajkën e Kur’anit, për çka edhe quhet “Ummu’l Kur’an”, (Nëna e Kur’anit), shpjegimi i Ajetu’l Kursijjes, ajetit më të madh dhe më domethënës në Kur’an, si dhe sqarimi i kaptinave tjera, para lexuesit të sinqertë, ofrojnë vizionin afatgjatë për një jetë të suksesshme dhe një fund të mirë, respektivisht, fitimin e Xhennetit në botën e amshueshme.
Në kuadër të shtjellimit të arsimimit dhe rëndësisë së tij( ), Rahmetliu, me një strategji dhe vizioni prej dijetari, shtron nevojën e edukimit të elitës arsimore, respektivisht, përgatitjen sa më adekuate të ligjëruesve myslimanë. Ikja nga interesat e ngushta të organizatave dhe lëvizjeve të ndryshme, shtjellimi i temave adekuate, ikja nga përsëritja e temave të njëjta, leximi i shumtë dhe ecja në hap me kohën( ), mos akuzimi i të tjerëve dhe edukimi i xhematit në frymën tolerante dhe origjinale islame, ishin disa prej këshillave të arta të dijetarit tonë.
Tematika e ndërgjegjësimit shpirtëror ishte e theksuar shumë në punimet e tij. Nga pafuqia juridike që me forcë ta ndaloj të keqen, dhe të mirin ta shpërblej me të mirë e te keqin me ndëshkim adekuat, autori iu kishte qasur kësaj ane edukimi si alternativë e vetme për të. Metodat që trasoi në këtë lëmi, ajo e tergibit dhe terhibit, nxitjes dhe kërcënimit( ), si dhe metoda e shtjellimit të temave në formë tregimi apo proze( ), janë çelës i suksesit të tij si edukator i mrekullueshëm. Në kuadër te kësaj tematike, autori pastron ndërgjegjen e njeriut duke ia përkujtuar:
- Përgjegjësia e njeriut ( ). Njeriu, siç është vërtetuar, ka marrë përsipër amanetin, që krijesat tjera e kanë refuzuar me arsyetim të vështirësisë së tij. Thotë Allahu:
“إِنَّا عَرَضْنَا الْأَمَانَةَ عَلَى السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ وَالْجِبَالِ فَأَبَيْنَ أَن يَحْمِلْنَهَا وَأَشْفَقْنَ مِنْهَا وَحَمَلَهَا الْإِنسَانُ إِنَّهُ كَانَ ظَلُوماً جَهُولاً
Ne ua ofruam amanetin (obligimet) qiejve, tokës dhe maleve, e ato nuk deshën ta marrin përsipër atë dhe u frikësuan prej tij, ndërsa njeriu atë e mori mbi vete; dhe ai i bëri padrejt vetes, dhe ishte i padijshëm”. ( )
Meqë Allahu e veçoi njeriun me mendje( ) e jo me fuqi, ngase i solli shembuj për t’ia përkujtuar veten e tij se sa i dobët është ai; ka kafshë shumë të mëdha të cilat i nënshtron, siç është elefanti, por ka kafshë shumë të vogla, të cilat e mbysin atë, siç është gjarpri. Nga këtu, e thirri që t’i bëjë respekt vazhdimisht Allahut Fuqiplotë dhe Muhammedit, alejhi’s selam( ).
- Njeriu kundruall njeriut duhet të sillet me moral. Mund të jesh i pasur sa të duash por nëse nuk ke moral, atëherë ti je i varfër. Mund të vishesh bukur, por përderisa nuk ke veshje morali, ti je i zhveshur. Ajetin kur’anor, që hoxha ynë e përdori, e që është:
“وَلِبَاسُ التَّقْوَىَ ذَلِكَ خَيْرٌ
…Po petku i devotshmërisë, ai është më i miri..”. ( )
…është vërtet adekuat për kohën tonë. Pastaj, kësaj, rahmetliu ia shton edhe nevojën e falënderimit për dhuntitë që Allahu na i ka dhënë( ). Nëse Allahu të ka begatuar me këto të mira, a duhet që në raport me krijesat e Tij, për të cilat je përgjegjës, të bëhesh i keq?!
Në kohën kur vrasjet kanë marrë edhe kuptimin tjetër: mbytje për së gjalli (trafikimi i qenieve të gjalla për prostitucion apo shitje të pjesëve të trupit)( ), myderrizi ynë, nëpërmjet ajetit të parë të kaptinës en-Nisa:
“O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burra shumë e gra. Dhe kini frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin (akraballëkun), se All-llahu është mbikëqyrës mbi ju”,
…bën thirrje për mirëkuptim, tolerance, respekt të ndërsjellë, jo vetëm me myslimanet por me tërë njerëzit ngase Allahu nuk po i thërret në këtë moral vetëm myslimanet por tërë njerëzimin: “O ju njerëz!”.
- Stop oportunizmit! është një porosi dhe këshillë e dijetarit tonë. Ndonëse hadithi me të cilin dëshmon është i dobët ( ), megjithatë kuptimi i tij, që është i vërtetë, është më se i pranuar. Muslimani merr model njeriun në bazë të veprave të mira, e jo në baza tjera, sado që të jetë i pashëm apo i pasur. Njerëzit i pason vetëm kur bëjnë mirë ndërsa kur bëjnë keq, edhe nëse i ka të afërm, nuk i pason.
Tematika sociale-shoqërore. Barazia në mes njerëzve, luftimi i dhunës, vlerësimi i njerëzve në baza morali, ndihma reciproke dhe e ndërsjellë, ishin disa prej porosive të autorit. Në temën “Barazia mes njerëzve”, f.:98, pena e autorit me dëshmi vërteton një gjë të tillë.
Normat që urdhërojnë solidaritetin dhe ndihmën e ndërsjellë, shton autori, ishin pikërisht ato që nxisnin arabët e periudhës së parë ta pranonin Islamin. Uthman b. Medh’uni, gjithnjë sipas rahmetliut, islam ishte ai që duke lexuar ajetin “All-llahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim” ( ), kishte pranuar Islamin.
Kësaj teme autori i qaset edhe më, dhe atë duke sjellë para nesh margaritarë nga thesari profetik( ), respektivisht duke përkujtuar parimin më njerëzor dhe më human:
“لَا يُؤْمِنُ أَحَدُكُمْ حَتَّى يُحِبَّ لِأَخِيهِ مَا يُحِبُّ لِنَفْسِهِ
Nuk ka besuar askush, komplet, përderisa edhe vëllait t’ia dëshirojë atë që dëshiron për vete”( ).
Rahmetliu, edhe pse jo në letër, megjithatë në praktikë gëzon epitetin “Ambasador i të drejtave të njeriut”. Ai luftonte çdo mënyrë apo formë të shkeljes së të drejtës së njeriut. Ai, të pasurve, ua përkujtoi se, në raport me të varfrit, nuk kanë të drejte ta ushtrojnë:
Ihtikarin (monopolizimin), dhe
Dorështrëngimin, si dhe
Duhet ikur jetës luksoze aq sa ka mundësi njeriu( ).
Tematika demonstruese-revoltuese. Jeta e njeriut është e shenjtë, cenimi i saj është i gjykuar të dështojë, është krim që duhet shuar me fuqinë e moralit. Në damarët e autorit qarkullonte furishëm gjaku demonstrues kundër së kotës.
Autori, përveç demonstrimit dhe revoltës kundër së keqes, ai shfaq edhe diturinë e tij, ngase, nuk përmend shpifjet që janë thënë kundër së vërtetës, metodë e Muhammed Kutbit, një kolosi të letrës islame, të përmendur në parathënien e botimit të 11-të të librit të tij “Shubuhatun havle’l islam”( ). Shtjellimi i temave për personalitetin e Muhammedit, alejhi’s selam dhe shëmbëlltyrën e paparë të tij, sikur sot janë përgjigje e heshtur, e karakterit të parimit të Muhammed Kutbit, kundër publikimit të karikaturave fyese të Muhammedit, alejhi’s selam në disa gazeta daneze.
***
Ibni Mes’udi, duke nderuar Zejd b. Thabitin, njërin nga shokët e shquar të Muhammedit, alejhi’s selam, ia kishte kapur kafshën e udhëtimit (devenë) për litari dhe e ngiste duke i thënë:
“هكذا أمرنا أن نفعل بعلمائنا،
Kështu jemi urdhëruar t’i respektojmë dijetarët”( ).
Ndërsa unë, që përveç namazit të xhenazes që ia kam falur rahmetliut, diç tjetër nuk kam patur rastin të bëj për të deri më sot, me këtë punim shumë modest, në radhë të parë shprehi falënderimet për Allahun që na ka dhuruar dijetarët, pastaj dashurinë time për Muhammedin, alejhi’s selam ngase nderimi i dijetarëve është pjesë e nderimit dhe respektimit të Muhammedit, alejhi’s selam, dhe në fund, drejtpërdrejtë, respektin për rahmetliun. Mëshira e Allahut qoftë mbi të përherë!