(Ligjëruar në një tribunë në Lipjan, nën organizim të KBI-Lipjan, 9.8.2012 )
Jeta është përplot batica e zbatica. Herë kemi ditë të mira, e herë ditë që na mërzisin. Kalojmë vite në bollëk e shëndet, e sprovohemi në të tjera me varfëri e sëmundje. Gëzohemi për lindjen e pikëllohemi për vdekjen. Por, kështu e ka jeta, dhe ky është ligji hyjnor që vë në lëvizje atë. Allahu i Madhëruar, ua përkujton këtë parim në bisedën për përvojat e besimtarëve në Uhud, ku pësuan, dhe në Bedër ku fituan:
Në qoftë se juve u preku çka u dhemb (në Uhud), edhe atë popull (armikun) e pat prekur dhembje si kjo e juaja (në Bedër). Ne, këto ditë i ndërrojmë (u japim në përdorim) mes njerëzve për t’u ditur tek All-llahu ata që besuan dhe për t’i zgjedhur disa prej jush për dëshmorë (ose dëshmues). All-llahu nuk i do zullumqarët.“ (Ali Imran, 140)
Pra, jo çdoherë fitoni ndërsa këto ndryshime, herë fitore e herë disfatë, janë për t’iu sprovuar…
Megjithëkëtë, sprova vazhdon të mbetet ligj hyjnor i keqkuptuar dhe keqinterpretuar. Ka njerëz që sprovën e marrin për pretekste të ndryshme: dikush për të refuzuar kthimin në rrugën e Allahut, ngase Allahu nuk po i dujka ata, nuk po ua dëshiruaka të mirën, kështu që nuk shohin arsye për tu penduar; dikush për arsyetim të largimit nga praktikimi i fesë, pasi që më parë qe udhëzuar ndërsa tash këto sprova sikur ia kanë rënduar jetën aq sa nuk sheh urtësi pas tyre…
Ka dhe të tjerë me shpjegime irracionale dhe arsyetime neveritëse, por ne nuk do të merremi me ta dhe as me bindjet e gabuara të tyre. Sot, sprovën ta prezantojmë në origjinal ashtu siç është, do të sjellim esencën dhe thelbin e saj, do të zbulojmë urtësitë që fshihen pas sprovës, e të cilat janë vërtetë madhështore. Tërë këtë, do ta bëjmë duke përmendur disa nga rregullat e trajtimit të duhur të sprovës.
1. Çdo gjë ndodhë me caktimin e Allahut
Besimtari, për dallim nga të tjerët, beson fuqishëm se çdo gjë që i ndodhë atij është e paracaktuar nga Krijuesi, në regjistrin hyjnor, në Leuhi Mahfudh. Allahu ka thënë:
Çfarëdo e keqe që ndodh (godet), nuk mund të jetë ndryshe, vetëm sipas caktimit të All-llahut…“ (et-Tegabun, 11)
Një gjë të tillë e ka vërtetuar edhe i Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam] në thëniet e tij, më konkretisht në atë drejtuar Ibni Abbasit [Allahu qoftë i kënaqur me të dy]: “…Dije se sikur tërë populli të tubohej që të të ndihmojnë në diç, nuk do të ndihmojnë, përveç atë çka të ka caktuar Allahu. E nëse do të tuboheshin që në diç të të bëjnë dëm, nuk do të mund ta bënin, përveç në atë çka Allahu tashmë ta ka caktuar. Janë ngritur lart pendët dhe janë tharë faqet (ka mbaruar caktimi i gjërave).”
Rëndësia e kësaj rregulle është jashtëzakonisht e madhe. Ajo bën dhe ndarjen ndërmjet besimtarit dhe jobesimtarit, ngase ky i fundit, gjërat nuk i lidh me Allahun, dhe për pasojë, bën një jetë përplot frikë, stres, ankth, vuajtje…
Allahu na i përshkruan bindjet e tyre në Kur’an, dhe po aty edhe i demanton ato në at formë që të mbushin mendjen dhe të forcojnë shpirtërisht shumë.
Dhe ata që nuk luftuan dhe atyre të vetëve u thanë: “Sikur të na dëgjon neve (e të ktheheshin siç u kthyem ne), nuk do të mbyteshim!” Thuaju: “Largojeni pra vdekjen prej vetes suaj, nëse jeni të sigurt çka thoni?“ (Ali Imran, 168)
Pra, caktimit të Allahut nuk mund t’i shpëtosh, pavarësisht se ku gjendesh apo çfarë bën. Mu për këtë, Allahu porosit besimtarët që të kenë kujdes nga bindje sikur këto të jobesimtarëve:
O besimtarë, mos u bëni si ata që nuk besuan dhe, për vëllezërit e tyre që kishin dalë në udhëtim (tregtie e gjallërimi) ose që kishin shkuar në luftë thonin: “Sikur të kishin ndejtur pranë nesh (e të mos dilnin), ata as nuk do të vdisnin as nuk do të mbyteshin”. Atë (bindje), All-llahu ua bëri një dëshpërim në zemrat e tyre. Pse All-llahu është Ai që jep jetë dhe jep vdekje dhe All-llahu sheh atë që ju punoni.“ (Ali Imran, 156 )
2. Të gjithë sprovohen
Të gjithë njerëzit, pa dallim, në një apo formë tjetër, sprovohen. Sprovohen të mirët, sikur që sprovohen dhe të këqijtë. Allahu me këtë sikur dëshiron të përforcojë shpirtin e besimtarit duke i thënë se nuk je i apri dhe as i fundit që sprovohesh, ka patur para teje dhe do të ketë pas teje të tjerë që sprovohen.
A menduan njerëzit të thonë: “Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?” 3. Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, ashtu që All-llahu gjithqysh do t’i dallojë ata që e thanë të vërtetën e do t’i dallojë edhe gënjeshtarët.“ (el-Ankebut, 2-3)
3. Jo vetëm të këqijtë sprovohen dhe sprova nuk është gjithnjë me të këqija
Pra, çështja nuk ka të bëjë me vetëm një individ, sikur që nuk ka të bëjë me klasifikimin se i keqi po u sprovuaka. Përkundrazi, sprova godet më së shumti të mirët, madje ata më të mirët. Ja ç’përgjigje jep i Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam] kur pyetet për njerëzit që sprovohen më së shumti. Ibni Maxheh transmeton në Sunenin e tij nga Sa’d Ibn Ebi Vekkasi [Allahu qoftë i kënaqur me të], i cili thotë:
“Thashë: O i Dërguari i Allahut, cilët njerëz sprovohen më së shumti? Profetët –tha, pastaj ata më të mirët, të mirët (e kështu me radhë). Robi sprovohet sipas besimit të tij; nëse është i fortë, sprovohet i ka të rënda, e nëse jo, atëherë sprovohet sipas fesë së tij. sprova nuk i ndahet robit (besimtar) derisa të mos e lëshojë të ec mbi tokë pa ia shlyer të gjitha mëkatet.”[1]
Aisheja [Allahu qoftë i kënaqur me të], siç shënon Imam Buhariu në Sahihun e tij, rrëfente të mos ketë parë njeri me dhimbje më të mëdha se i Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam]!
Po kështu, një gjë duhet ta kemi parasysh se, sprova nuk është vetëm me të këqija. Thënë të drejtën, sprova e llojit tjetër, ajo me të mira, siç na mëson Allahu në kaptinën el-Enbija, 35[2], dhe në vende tjera, është edhe më e rrezikshme, pasi që, derisa sprova e llojit të parë e bën njeriun të mendojë t’i kthehet rrugës së drejtë, kjo e llojit të dytë, e bën më tiran, arrogant, mizor. Shembulli i Faraonit, Karunit, etj, është ilustrimi më adekuat për këtë. Kjo sprovë e bën njeriun përbuzës, harrestar, mëkatar, neglizhent…E largon prej Allahut edhe më shumë.
Nga këtu, duhet qenë shumë të vëmendshëm se ç’shpjegim apo ç’interpretim i bëjmë sprovës.
4. Interpretimi i sprovës
Sprova, siç nënvizojnë disa dijetarë, duhet interpretuar doemos si mirësi, pasi që Allahu, në esencë, nuk cakton për robin e Vet vetëm se atë që është e mirë për të. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“عَجَبًا لِأَمْرِ الْمُؤْمِنِ، إِنَّ أَمْرَهُ كُلَّهُ خَيْرٌ، وَلَيْسَ ذَاكَ لِأَحَدٍ إِلَّا لِلْمُؤْمِنِ، إِنْ أَصَابَتْهُ سَرَّاءُ شَكَرَ، فَكَانَ خَيْرًا لَهُ، وَإِنْ أَصَابَتْهُ ضَرَّاءُ، صَبَرَ فَكَانَ خَيْرًا لَهُ
E çuditshme kjo puna e besimtarit, ngado që ta kthesh, është në të mirë të tij, dhe kjo për askënd tjetër vetëm se për të. Nëse begatohet me diç, falënderon, e kjo është mirë për të, e nëse sprovohet diç, bën durim,. E (edhe) kjo është mirë për të!” (Muslimi)
Nga këtu, Muhammedi [alejhis salatu ves selam] duke patur parasysh këtë botëkuptim të sprovës, atë tentonte tua paraqes besimtarëve si diç të dashur për ta, si diç që do t’ia shohin hairin në Ditën e Llogarisë. Tirmidhiu transmeton në Sunenin e tij se Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“Të pasprovuarit kur të shohin të sprovuarit çfarë shpërblimi iu jepet në Ditën e Gjykimit, do të donin shumë sikur lëkura e tyre të ishte ndukur (këputur) në dynja me gërshërë!”[3]
5. Shkaqet kryesore të sprovave
1) Shkak kryesor i sprovave mund të jenë mëkatet dhe gjynahet, siç ka thënë Allahu në Kur’anin Famëlartë:
E kur juve u goditi një dështim (në Uhud) e që ju ia patët dhënë atë dyfish (armikut në Bedr), thatë: “Prej nga kjo”? Thuaj: “Ajo është nga vetë ju”! S’ka dyshim se All-llahu është i plotëfuqishëm për çdo send.“ (Ali Imran, 165)
!Çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqija), e për shumë të tjera Ai u falë.“ (esh-Shura, 30)
Çfarëdo e mire që të vjen është nga All-llahu, e çka të ndodhë nga ndonjë e keqe është nga vetë ti. Ne të dërguam ty Pejgamber për mbarë botën. Mjafton që All-llahu është dëshmues për këtë.“ (en-Nisa, 79)
2) Sprovimi prej Allahut, për tu dëshmuar sheshazi besimi i tij. Allahu ka thënë:
Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është ngadhënjyesi, mëkatfalësi.“ (el-Mulk, 2)
6. Objektivat e sprovave
1) Falja e mëkateve
Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“Vazhdon sprova në trupin, fëmijën dhe pasurinë e besimtarit apo besimtares derisa ta takon Allahun ndërsa nuk i ka mbetur asnjë mëkat!”[4]
2) Për arritjen e një pozite që me vepër nuk ka mundur të arrin
Bazuar në hadithin paraprak[5], dhe në hadithe tjera të ngjashme në kuptim, besimtari sprovohet në këtë botë për të mbërri dhe një gradë që Allahu ia ka shkruar porse me veprat e tij nuk ka mundur ta bëjë këtë. Ibn Haxher Askalani ka thënë: Hadithet e vërteta dhe të qarta flasin se me të ndodhur të sprovës, arrihet shpërblimi, ndërsa me durim dhe pajtim, më pastaj, shumohet dhe rritet ai shpërblim.
3) Për dallimin e besimtarëve nga hipokritët
Allahu ka thënë:
All-llahu nuk është që t’i lë besimtarët ashtu siç jeni, pa dalluar të keqin nga i miri…“ (Ali Imran, 179)
A menduan njerëzit të thonë: “Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?” 3. Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, ashtu që All-llahu gjithqysh do t’i dallojë ata që e thanë të vërtetën e do t’i dallojë edhe gënjeshtarët.“ (el-Ankebut, 2-3)
4) Ruajtjen e besimtarit nga sprovat e dynjasë
Mu ashtu sikur ti e mbron të sëmurin nga uji, nëse këta të fundit mund ta dëmton atë, po kështu Allahu të mbron nga dynjaja, nëse ajo të dëmton. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“Kur Allahu ta dojë robin, e ruan atë nga dynjaja (dhe të mirat e saj që mund të jenë sprovë për të), mu ashtu sikur ndonjëri prej jush vazhdon ta ruajë të sëmurin e tij nga uji (pirja e tij, nëse kjo e dëmton atë).”[6]
5) Për ta kthjellë dhe bërë më vigjilent besimtarin, i cili mbase nga koha në kohë mund të harrojë, mund të bjerë në mëkate dhe gabime, kështu që sprovimi bëhet për ta kthyer atë atje ku duhet qenë. Allahu ka thënë:
Ne i shpërndajmë ata në grupe nëpër tokë; prej tyre ka të mirë, por edhe jo të tillë. Ne i provuam me të mira e me të këqija, në mënyrë që të tërhiqen nga e keqja.“ (el-A’rafë, 168)
6) Sprova si parakusht i kualifikimit për prijatari në tokë.
Ummeti nuk do të mund ta përmbledh veten, përderisa nuk sprovohet. Sprova është sikur një magnet, që tërheq pjesët e ndara të ndonjë gjëje. Shumë prej nesh nuk e dinim se ekzistonin këto probleme të muslimanëve në Arakan – Burma, apo të ujgurëve, apo të vërtetën mbi sunnitët e Sirisë, Iranit, etj. Por tash me ndodhjen e këtyre sprovave, mësuam të vërteten për ta, kuptuan obligimet tona karshi tyre, dhe kështu, ummeti rizgjohet, dhe me lejen e Allahut fiton. Allahu ka thënë:
Atyre nga mesi juaj të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, All-llahu u premtoi se do t’i bëjë zotërues në atë tokë ashtu si i pat bërë zotërues ata që ishin para tyre dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta, do ta forcojë, e në vend të frikës Ai do t’ju dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë. E kush edhe pas kësaj mohon, të tillët janë ata më të prishurit.“ (en-Nur, 55)
7. Ikja nga sprovat
Rregull tjetër që ka të bëjë me sprovat është edhe ky i shmangies nga rrugët që të çojnë tek sprova. Nuk është mençuri e besimtarit që t’i qaset mejdaneve, ku nuk mund të fitojë. Nuk është prej urtësisë të përvjelësh mëngët për punët që nuk mund t’i bësh. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] një veprim të tillë e sheh si nënçmim dhe poshtërim i vetvetes.
“Besimtarit nuk i takon ta përulë – nënçmojë veten e tij! E si po e nënçmuaka veten?! – e pyetën. Tha: I ekspozohet belave që nuk ka fuqi t’i përballojë!”[7]
8. Mospërshpejtimi i zgjidhjes së problemit
Rregulli i fundit që do ta përmendim këtu ka të bëjë me durimin në pritjen e zgjidhjes së problemeve. Sprovat ndonjëherë janë të rënda dhe kostoja e tyre është e madhe, megjithëkëtë, duhet duruar derisa Allahu të na bëjë zgjidhjet. Kësisoj, siç transmetohet në Sahihun e Buhariut nga Habbab Ibn Eretti [Allahu qoftë i kënaqur me të], besimtarët kishin kërkuar nga Resulullahi [alejhis salatu ves selam] zgjidhje për gjendjen e mjerë të tyre ndërsa ai, pasi që ua solli një shembull nga gjenerata e kaluara se si ata jepnin për Allahun edhe më të shtrenjtën, madje nuk pranonin t’i ndaheshin rrugës së tije dhe nëse kosto ishte dhënia e jetës në mënyrën më të vrazhdë të mundshme, atë të prerjes në dysh të trupit të tyre, i përgëzon se Allahu ka për t’i ndihmuar porse ata po nguten pak.
Në sprova nuk duhet ngutur e aq më parë të shkëputet ymydi – shpresa nga Allahu, ndryshe do të binim në mëkat. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] na ka treguar se sprovat nuk bën ta dobësojnë besimtarin aq sa ta kërkojë vdekjen[8] apo të dëshpërohet dhe të bëhet pesimist në mëshirën e Allahut, e kështu të humb shumë. Jakubi [alejhis selam] ua tha të bijve një fjalë për të vazhduar në kërkimin e Jusufit [alejhis selam], e cila ka mbetur si parim deri në amshim:
(Jakubi u tha të bijve të vet) “O bijtë e mi, shkoni dhe hulumtoni (në Egjipt) për Jusufin dhe vëllain e tij, e mos e humbni shpresën nga mëshira e All-llahut, pse vetëm populli jobesimtar e humb shpresën në All-llahun.“ (Jusuf, 87)
Pra, jomyslimanët janë ata që nuk kanë shpresë në Allahun, për këtë shkak ne nuk guxojmë të veprojmë si ata.
Përmbyllje
Të nderuar vëllezër dhe motra!
Këto ishin disa nga urtësitë e sprovave dhe mënyrat e drejta të kuptimit të tyre, por rëndësia e tyre nuk mbyllet me kaq. Sprovat janë të rëndësishme edhe për faktin se në kohë të tyre lindin adhurime shumë madhështore, si durimi, mbështetja në Allahun e Madhëruar, shpresa në shpërblimin e Tij, etj, dhe të cilat kanë shpërblime të mëdha. Andaj, në vend se të na çorientojnë sprovat dhe të na lajthisin, le të shërbejnë si mundësi dhe raste për të përfituar tek Allahu.
E lus Allahun të keni përfituar nga këto fjalë sikur që e lus për pranimin e agjërimit tonë dhe të gjitha veprave të mira që i kemi bërë në këtë muaj!
—————————————————————
[1] Albani për hadithin thotë se është i saktë –hasenun sahih.
[2] Çdo krijesë do ta shijojë vdekjen, e Ne, në shenjë sprove ju sprovojmë me vështirësi e kënaqësi, dhe ju ktheheni te Ne.“ (el-Enbija, 35)
[3] Ngjashëm me këtë transmeton edhe Imam Muslimi në Sahihun e tij: “Ditën e Kiametit do të sillet një njeri që është nga banoret e zjarrit, por që ka pasur në dynja më së shumti të mira materiale dhe do të futet për një çast të vetëm ne zjarr dhe do të nxirret. Më pas do t’i thuhet: “A ke qenë i lumtur më parë?” “Jo, për Zotin, nuk kam qenë kurrë i lumtur.”- do të thotë. Do të merret pastaj një tjetër që ka jetuar në vuajtjet më të mëdha në dynja dhe do të futet për një çast në Xhennet dhe më pas do të nxirret e do të pyetet: “A ke parë vuajtje më parë?” “Jo, për Zotin, nuk kam parë kurrë.” – do të thotë.”
[4] Transmetojnë Imam Ahmedi në Musned, Buhariu në Edebul Mufred dhe Tirmidhiu në Sunen nga Ebu Hurejre ndërsa Albani e vlerëson për të vërtetë –hasenun sahih.
[5] Jam bazuar në këtë hadith ngase hadithi tjetër me të cilin disa argumentojnë, është i dobët.
[6] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani ka thënë se është autentik.
[7] Transmetojnë Tirmidhiu dhe Ibni Maxheh ndërsa Albani thotë se është autentik.
[8] Hadithin e transmeton Imam Muslimi.