Sikur të njoftoheshe se kërkohet një djalosh i ri vullnetar për ta kryer një eksperiment mjekësor me të, duke ia vënë në bark një lëmsh një kilogramësh për një përudhe një mujore, e më pas, pas përfundimit të muajit do t’i nxirret ky lëmsh. Operacioni do të jetë i veshtirë dhe i rrezikshëm, madje edhe për jetë dhe krahas kësaj ai do të kryhet pa mpirje dhe si (dëm)shpërblim do të jepen 10.000 euro, a do të pranoje ti, personalisht ti? Paramendoje veten: flenë, zgjohesh, ngrihesh, ulesh, han, pushon, punon…dhe në barkun tënd është ky lëmsh..!
Unë për veten time kurrë nuk do ta pranoja një gjë të tillë, qoftë si këmbim edhe i miliona eurove, sikur që mendoj se edhe shumë prej jush nuk do ta pranonin një gjë të tillë. Por, vëlla, ekziston një grua e cila ka bërë edhe diç më të madhe. A e di kush është ajo? A je kureshtar ta dish? Ajo është NËNA JOTE! Po, ajo të barti në bark, jo një muaj por nëntë muaj të plotë, dhe pa asnjë kompensim material. Gjatë kësaj kohe ajo përjetoi dhimbje të mëdha, të cilat vetëm Allahu i di. Vjellje, mundim, dhimbje koke, dhimbje të trupit, dhe në momentet kur ti vetëm bëheshe gati të dilje në këtë botë ajo lëshon klithmën e saj, nga e cila gati sa nuk vdesë, apo ndoshta edhe pat vdekur kur të lindi ty siç patën këtë fat shumë gra tjera. Ajo përjetoi dhimbjet gjatë çdo momenti të lindjes, të cilat as burrat më të fuqishëm nuk do t’i përballonin dot. Pas lindjes sate, ose lexo më mirë pas dhimbjeve që përjetoi nga lindja jote, ajo edhe kohën e saj e shpenzonte duke mos fjetur me net të tëra për përkujdesjen ndaj teje. Ti flije ndërsa ajo nuk flinte, të shëronte kur sëmureshe, pastronte trupin tënd nga ajo, që sot ti nuk do ta bëje kurrë. Ajo e bënte këtë dhe qeshte e gëzuar, madje të këndonte edhe ninulla; ajo të shihte si gjënë më të çmuar që Allahu ia ka dhënë asaj.
Tash ndalu dhe shiko se ti çfarë ke bërë me të kur u rrite. Përgjigjen le t’ia jap secili vetvetes. Le ta jap secili përgjigjen dhe le të kujton ditën kur për shkak të fjalëve dhe veprave tua ajo qau me lot. Le ta jap secili përgjigjen dhe le ta kujtoj ditën kur ngriti zërin e tij të “fuqishëm” ndaj zërit të saj të dobët, e cila e luste t’ia plotësonte ndonjë kërkesë.
Le ta jap secili përgjigjen dhe le ta kujtoj ditën kur do të ndiejë keqardhje për këtë që ka bërë por do të jetë tepër vonë ngase keqardhja dhe pendimi më nuk pranohen.
http://www.twbh.com
Përshtati në shqip: Sedat G. ISLAMI
30 tetor 2007, e hënë
Vushtrri, Kosovë