Thirrja në fenë e Allahut mbase është edhe art. Të thërrasësh në fenë e Allahut, përveç që është përgjegjësi, si urdhër hyjnor, po kështu, edhe përgatitja profesionale dhe adekuate për të mbetet përgjegjësi, ndryshe, dëmi do të ishte më i madh se sa dobia. Ajo, që neve do ta trajtojmë këtu, në fakt, është një trendësh parimor i përfituar nga një ajet kur’anor, e që padyshim, është shumë racional dhe efektiv, sidomos nëse kihet parasysh thanësi i tij, i cili ishte vetëm një misionar (besimtar) nga koha e Musait, alejhi’s selam. Fjala është për ajetin që Allahu na e solli nëpërmjet gjuhës së këtij besimtari: “Juve do t’ju bie ndër mend çka po ju them, e çështjen time ia besoj All-llahut; vërtet, All-llahu mbikëqyr robërit!”. ( )
Ajo që, në shikim të parë dhe sipërfaqësor, përfitojmë nga ky ajet, është një metodologji mahnitëse dhe shumë efikase në fushën e predikimit islam. Allahu i Madhëruar përshkroi rrugën e misionarit drejt kumtimit me sukses të detyrës së tij. Ai, gjithnjë sipas ajetit, duhet:
• Te këshilloj, së pari,
• Tua bëj me dije se unë vetëm kaq jam i obliguar, dhe
• Takimi im me ju, besuat a mohuat, është tek Allahu. Ai përcjell veprat tuaja. Pra, prape të këshilloj.
Ibni Kethiri, në koment të ajetit në fjalë, ka thënë: Juve do t’iu bie ndërmend vërtetësia e urdhëresave dhe ndalesave që ua kumtova, do t’iu kujtohen këshillat dh sqarimet, do t’i kujtoni e do të ndieni keqardhje por kjo aspak nuk do t’iu ndihmojë. Unë mbështetem në Allahun, kërkoj mbrojtje tek Ai dhe iki-largohem prej jush ndërsa Ai iu shikon ju, e udhëzon atë që do dhe e humb atë që e meriton humbjen…”( ).
Çka nënkuptojmë me fjalën misionar?
Fjala “Hoxhë” në popull përdoret për një mësues fetar, puna e të cilit, përgjatë kohës më të madhe të historisë, ka qenë e reduktuar vetëm në objekte fetare, gjë që nuk do të duhej të ishte ashtu. Hoxha, që si term është huazuar nga turqishtja( ), në sferën e predikimit islam, përfshin një rreth më të gjerë. Puna e tij nuk është e përkufizuar vetëm brenda mureve të xhamisë apo ndonjë objekti fetar, jo, ai duhet të jete në shërbim të ithtarëve të fesë së tij kudo që ata të jenë. Nisur nga këtu, me çallmë apo pa të,: Misionari nuk është vetëm hatib( ). Misionari është njeri, i cili beson në një parim a ide dhe në të cilën fton me shkrim, ligjërim, biseda të zakonta, punë të palodhur në përditshmërinë e tij, qoftë private a publike, dhe atë, me të gjitha mjetet e mundshme të predikimit( ). Me një fjalë, ai që në orar e pas orari të punës, në vikende e ditë pune, ditën e natën, fton dhe thërret në fenë e Allahut.
1. Këshilla
“Këshilla është fjale me të cilën shprehet dëshira për ndonjë të mirë për atë që e këshillon”( ). Këshilla, në rrafshin praktik, do të thotë: Korrigjim i gabimtarëve, mëshirë ndaj tyre dhe përmbushje (plotësim) të kërkesave (nevojave) të tyre( ).
Se ajo është e një rëndësie të veçantë, tregojnë citate të ndryshme kur’anore dhe profetike, ku Allahu urdhëron Muhammedin, alejhi’s selam të këshilloje njerëzimin. Ka thënë Allahu: “Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira”. ( ), “Vazhdo me këshillë, sepse këshilla besimtarëve u bën dobi”. ( )
Nga ajetet e sipërshënuara, përveç urdhrit për këshillë e qortim, ne po kështu, vërejmë edhe ndikimin e saj: Ajo iu bën dobi njerëzimit, çfarëdo shtrese qofshin, e në veçanti besimtarëve. Një rast shumë interesant të ndikimit të këshillës e përshkruan edhe hadithi në vijim. Muhammedi, alejhi’s selam ia arriti që nëpërmjet këshillës ta zbus zemrën e një beduini të paarsimuar. Imam Muslimi transmeton ne Sahihun e tij nga Enes b. Maliku se: “Derisa ishim duke ndejtur në xhami, erdhi një malësor dhe urinoi në xhami. Ndal! Ndal!- thanë shokët e të dërguarit te Allahut por i dërguari i Allahu tha: Mos e pengoni por lëreni (ta kryej atë), kështu që ata nuk e penguan. Pastaj e thirri atë Pejgamberi, alejhi’s selam dhe i tha: Këto xhami nuk janë për urinë dhe hedhurina (ndyrësi tjera), por janë për përkujtimin e Allahut, namazin, leximin e Kur’anit. Ose (dyshon në rrëfimin tekstual transmetuesi) siç ka thënë Pejgamberi, alejhi’s selam. Pastaj urdhëroi një njeri që të sillte një kove ujë, që e derdhi mbi vendin e urinuar”.( )
Se sa rëndësi ka këshilla tregon edhe fakti se kur muslimanët ia jepnin besën Muhammedit, alejhi’s selam për Islam, pjesë përbërëse e besës ishte edhe këshilla. Xhabiri transmeton: “Ia dhashë besën Muhammedit, alejhi’s selam për faljen e namazit, dhënien e zekatit dhe këshillën për çdo musliman”. ( )
Madje, e vërteta është se, feja jone e tëra është këshillë. Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: “Feja është sinqeriteti”. Thamë: “Ndaj kujt? Tha: “Ndaj All-llahut, Librit të Tij, Pejgamberit të Tij, udhëheqësve të muslimanëve dhe njerëzve tjerë prej tyre”. ( )
Si jepet këshilla?
Për ta kryer rolin e saj ashtu siç duhet, këshilla duhet të jepet në përputhshmëri me disa parime edukative, ndryshe, ajo dështon. Ajo, që është paraparë si masë parapërgatitëse për këshillën, zakonisht përmblidhet në këto që do t’i shënojmë më poshtë:
a) Të mos nxitojë njeriu në vërtetimin e asaj që i thuhet për ndonjë të afërm, shok, a fqinj, para se ta vërtetojë atë. Allahu i Madhëruar dhe Muhammedi, alejhi’s selam ngutin dhe paragjykimin i kanë cilësuar si gabime. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ata nuk dinë asgjë për atë (emërtim), ata nuk ndjekin tjetër vetëm paragjykime, e paragjykimi nuk është asgjë ndaj së vërtetës”. ( )
Këtë parim e ka vërtetuar në teori e praktikë edhe vet Muhammedi, alejhi’s selam, i cili ka thënë: “Keni kujdes nga supozimet ngase ato janë thënia më e rrejshme” ( ).
Këtu hyn edhe rasti nëse fjala që i transmetohet përmban dy kuptime, me ç’rast besimtari i sinqertë, do t’i jepte kahje pozitive. Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të ka thënë: “Fjalën që ka dalë prej vëllait tënd musliman mos e mendo ndryshe vetëm se si të mirë derisa asaj mund t’ia japësh një domethënie të tillë” ( ).
Vajza e Abdullah b. el-Mutiut i kishte thënë burrit të saj, Talha b. Abdurrahman b. Aufit, i cili ishte më bujari i kohës së tij: Nuk kam parë njerëz më mosmirënjohës se shokët tu. E përse? e pyeti. Kur kishe para vinin ndërsa tani kur ke mbetur pa para të kanë harruar. Për Zotin, kjo është mirësi e tyre ndaj nesh- u përgjigj njeriu. Ata vinin tek ne kur kishim me çka t’i nderonim ndërsa tani kur kemi mbetur pa pasuri, ata nuk vine të na ngushtojnë fare ngase nuk kemi me çka t’i presim- sqaroi Talha( ).
b) Ta ketë të freskët përherë në kujtesë se njerëzit nuk janë të pamëkate. Ata gabojnë në gëzime e hidhërime ngase në asnjërin rast nuk mund ta përmbajnë veten.
c) Çështjen duhet ta shikosh nga këndvështrimi yt por edhe nga këndvështrimi i tjetrit. Ndodhe që, në baze të përpjekjeve, ta besoj ndonjë teori a mendim tjetër, andaj nuk duhet nxituar që t’ia mohosh apo cilësosh si mendim të gabuar përderisa ajo çështje mund ta përmbajë edhe atë kuptim që ofron tjetri( ).
d) Këshilla nuk duhet të sjellë dëm më të madh se sa heshtja. Ndodhë që njeriu në ndonjë rast sheh ndonjë gjë të keqe dhe dëshiron ta mohojë, largoj e zhdukë atë por nga ambienti dhe atmosfera ku gjendet, është i bllokuar. Në këtë rast, më mirë është të heshtet se sa të këshillohet. E kësaj natyre është edhe këshilla dhënë njeriut në publik, që dijetarët e kanë quajtur: Poshtërim dhe nënçmim( ). Imam Shafiu ka thënë: Ai që e këshillon vëllain e vet në heshtje, ai e ka këshilluar dhe ruajtur, ndërsa ai që e këshillon në publik, ai e ka zbuluar dhe nënçmuar”( ).
e) Që këshilla të jetë kohe pas kohe e jo të kalojë në monotoni. Ibni Mes’udi transmeton: “Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam na vinte kohë pas kohe për këshilla nga droja që të mos krijohej monotoni”( ).
f) Që këshillën ta jap vetëm për hirë të Allahut, ngase e kundërta do të shkaktojë urrejtje dhe dënim nga Allahu i Madhëruar.
g) Që vet të jetë shembull, ndryshe, i verbëri nuk mund të dhurojë sy.
h) Që t’ia shfaq dashurinë dhe dëshirën që ka për mirëqenien dhe udhëzimin e tij( ).
Kujdes!
Këshilla ndonjëherë del jashtë pozitivitetit dhe nxit për të këqija( ). Allahu i Madhëruar në Kur’anin Famëlartë na ka sjellur shembuj të këshillës së keqe dhe mashtruese. P.sh.: përkitazi me vëllezërit e Jusufit, alejhi’s selam, Allahu rrëfen nëpërmjet gjuhës së tyre e thotë: “Ata thanë: “O babai ynë, ç’ke që nuk na beson për Jusufin, e ne ia duam të mirën atij?”. ( )
Ata, në të vërtetë, e morën që ta mbysin e jo ta këshillojnë e ruajnë. Prapëseprapë, këshilla mashtruese dhe tradhtare më e madhe mbetet ajo e Iblisit të mallkuar, i cili mashtroi Ademin dhe Havvanë duke i këshilluar rrejshëm:
“Dhe ju bëri be atyre (duke u thënë) se: Unë jam këshillues për ju. 22. Atëherë me mashtrim i zbriti (në nivel të palakmueshëm). E kur e shijuan pemën u zbulua vendturpi i tyre dhe filluan ta mbulojnë atë (duke vënë gjeth mbi gjeth) nga gjethet e (pemëve të) xhennetit. Zoti i tyre i thirri (duke u thënë): “A nuk ua ndalova ju dyve atë pemë dhe a nuk ju thashë ju dyve se shejtani është armik i hapët për ju?!”. ( )
2. Shfajësimi i vetvetes
“Shfajësimi i vetvetes” është, në një mënyrë, përkthimi i pikës së dytë të temës sonë, të përmendur më lartë. Ajo që neve synojmë me këtë pikë këtu është deklarimi i misionarit se detyra ime ka një kufi; unë thërras, sqaroj, lehtësoj, shpjegoj por udhëzimi vjen prej Allahut. Nëse një zemër pranon ta largojë pluhurin e injorancës dhe mëkateve, udhëzimi i Allahut depërton në të, ndryshe, vrazhdësia e saj vetëm sa shtohet. Misionari musliman duhet të jetë ai që përgëzon me Xhennet ata që veprojnë mirë dhe kërcënon me Xhehennem ata që veprojnë keq. As ai dhe askush tjetër nuk mund ta dijë fundin e askujt por feja kështu na mëson: Shpresojmë për të mirin Xhennetin ndërsa për shkelësin e rregullave kemi frikë Xhehennemin. Nisur nga këtu, nëse njeriu sheh ndonjë të afërm apo familjar të misionarit që nuk zbaton rregullat fetare, ai nuk guxon assesi që ta akuzojë predikuesin se nuk është i sinqertë. Është shumë e qartë se ai duhet të fillojë nga shtëpia e tij por nëse ata nuk i përgjigjen këtu nuk ka vend për asnjë akuzë, ndryshe, Ademin për djalë, Nuhun për djalë dhe grua, Ibrahimin për baba, Lutin për grua, dhe Muhammedin, alejhimu’s selam, për axhallarë, të tillët do t’i akuzonin më parë ngase ata ishin pejgamber dhe megjithatë nuk ia dolën të udhëzonin të permendurit.
Kjo nuk qëndron. Allahu ka sqaruar se udhëzimi i tyre është vetëm në duart e Tij. Këtë, parimisht dhe shumë qartë, e gjejmë në Kur’an dhe në hadithe. Udhëzimi i njerëzve në Kur’an kur i është atribuuar Muhammedit, alejhi’s selam, ka qene me kuptim të vetëm predikimit dhe mësimit e assesi të udhëzimit. Ja argumentet që dëshmojnë se udhëzimi vjen vetëm prej Allahut. Duke filluar nga kaptina e parë e Kur’anit, el Fatiha-ja, Allahu na përkujton këtë parim e thotë: “Udhëzona (përforcona) në rrugën e drejtë!”. ( ), “…All-llahu e vë në rrugë të drejtë atë që dëshiron”. ( )
Ndërsa ajetet tjera ku ky rol i është përmendur Muhammedit, alejhi’s selam dhe pejgamberëve tjerë, alejhimu’s selam, apo edhe Kur’anit Fisnik( ), zakonisht kanë domethënien e kumtimit, qortimit, përgëzimit, dhe assesi jo se ata udhëzojnë dikë( ). Përkitazi me pejgamberët tjerë, Allahu ka thënë: “Të dërguar që ishin lajmgëzues e kërcënues, ashtu që pas dërgimit të dërguarve njerëzit të mos kenë fakt (arsyetim) para All-llahut. All-llahu është i pavarur në sundimin e vet dhe di si të veprojë”. ( )
Ndërsa përkitazi me Muhammedin, alejhi’s selam, Allahu, edhe pse ia ka përshkruar udhëzimin në disa ajete, në ajetet tjera e ka sqaruar se ai është vetëm kumtim. Thotë Allahu: “…Në të vërtetë, edhe ti udhëzon për në rrugën e drejtë”. ( )
Në ajetet tjera sqarohet domethënia dhe esenca e kësaj çështjeje: “Ngrihu dhe tërhiqu vërejtjen (duke i thirrur)”. ( ), “E ti pra këshillo, se je vetëm përkujtues. Ti ndaj tyre nuk je mbizotërues!”. ( ), “Është e vërtetë se ti nuk mund ta udhëzosh atë që do ti, por All-llahu udhëzon kë të dojë dhe Ai është që di më së miri për të udhëzuarit”. ( )
Në koment të këtij ajeti, Ibni Kethiri, ka thënë: Allahu i Madhëruar i drejtohet të dërguarit të Vet, paqja dhe mëshira qofshin mbi të: Ti nuk e ke obligim udhëzimin e tyre, ti vetëm kumtoje fjalën Time. Allahu udhëzon kë të do( )…siç ka thënë:“Nuk është obligim yti (Muhammed) udhëzimi i tyre (në rrugë të drejtë), All-llahu e shpie në rrugë të drejtë atë që do…”. ( )
Buhariu dhe Muslimi kanë transmetuar se ajeti në fjalë ka zbritur përkitazi me xhaxhain e Muhammedit, alejhi’s selam, Ebu Talibin, i cili e mbronte dhe e ndihmonte. Kur i erdhi vdekja, Muhammedi, alejhi’s selam dëshironte që edhe nga frymëmarrjet e fundit të tij të nxirrte të paktën shqiptimin e shehadetit por nuk ia doli mbanë. Pejgamberi, alejhi’s selam i tha: “O xhaxhai im, thuaje shehadetin që të dëshmoj me të tek Allahu për ty!”
Ai deshi ta thoshte por insistimi i Ebu Xhehlit dhe pabesimtarëve tjerë, sipas një versioni të Muslimit, apo “burrëria” idhujtare e kurejshëve, që të mos tregohej i dobët në prag të vdekjes, sipas versionit të Muslimit dhe Tirmidhiut( ), kështu që, përfundimisht, vdiq si pabesimtar. Allahu i shpalli Muhammedit, alejhi’s selam:“Është e vërtetë se ti nuk mund ta udhëzosh atë që do ti, por All-llahu udhëzon kë të dojë dhe Ai është që di më së miri për të udhëzuarit”. ( )
Obligimi i misionarit
Misionari musliman, në pozitë të trashëgimtarit të Muhammedit, alejhi’s selam, ka detyrat e kumtimit dhe transmetimit të mësimeve të kësaj feje. Allahu i Madhëruar në Kur’anin Famëlartë, në disa vende, ka potencuar nevojën e ekzistimit të një grupi që thërret në këtë fe( ) duke sqaruar se kjo, përveç tjerash, është edhe detyrë e përbashkët e vëllazërisë( ). Detyrat e një misionari musliman fokusohen në këto pika, si më të rëndësishmet:
1) Kumtimi i fesë, gjë e cila konsiderohet si besë e marrur prej nesh. Allahu këtë e ka përmendur në Kur’an: “Ne ua ofruam amanetin (obligimet) qiejve, tokës dhe maleve, e ato nuk deshën ta marrin përsipër atë dhe u frikësuan prej tij, ndërsa njeriu atë e mori mbi vete; dhe ai i bëri padrejt vetes, dhe ishte i padijshëm”. ( )
Muhammedi, alejhi’s selam ka përmendur një dënim të rëndë për atë që e di të vërtetën e nuk e kumton atë. Tirmidhiu transmeton nga Ebu Hurejre se Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: “Kush pyetet për ndonjë dituri që e di dhe e fsheh, ai, në Ditën e Kijametit, do të lidhet me një fre të zjarrte (në gojë)”. ( )
Nisur nga këtu, misionari musliman, kumton fenë e Allahut pa marrë parasysh se ajo bie apo jo ndesh me doket, zakonet dhe traditat e njerëzve. Misionari është i obliguar ta thotë të vërtetën dhe të mos çajë kokën për tjetër gjë. Kështu na ka mësuar Allahu: “Dhe kurrsesi ata të mos shmangin ty nga ajetet e All-llahut meqë ato t’u kanë shpallur ty, dhe ti thirr te Zoti yt e kurrsesi mos u bën pasues i dëshirave të idhujtarëve”. ( )
Misionari duhet t’iu thotë njerëzve se: Kjo është e lejuar e kjo është e ndaluar, ne nuk jemi ata që lejojmë apo ndalojmë, ne ua mësojmë fenë, dhe aspak nuk duhet të bezdiset nëse ndonjërit prej masës (audiencës, spektatorëve, xhematit) nuk i pëlqen kjo. Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, kishte kundërshtuar Uthmanin në një çështje rreth haxhit me arsyetimin se fjalën e Muhammedit, alejhi’s selam nuk e braktise për asnjë çmim( ). Ngjashëm me Aliun vepruan Ibni Omeri(( ) dhe Ibni Abbasi( ).
Megjithatë, kjo nuk do të thotë që të vërtetën ta prezantoj pa ndonjë stil a metodë të bukur prezantimi. Një model ia ka sjellur Allahu në Kur’an. Ai, i Madhëruar qoftë, ka thënë: ” Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira”. ( )
Pra, metodologjia e misionarit musliman fokusohet në tri elemente themelore:
• Urtësinë,
• Këshillën e mirë, dhe
• Dialogu i ndërsjellë dhe qëllimmirë.
Se kjo gjë vërtetë është e nevojshme rrëfen edhe fakti në vijim se, kur Allahu urdhëroi Musain dhe Harunin, alejhima’s selam, të shkojnë tek Faraoni për ta thirrur në besim, i mësoi që të sillen butë.
“Shko me argumentet e Mia, ti dhe vëllai yt, e mos e hiqni prej kujdesit të përmendurit ndaj Meje. 43. Shkoni që të dy te faraoni, se ai vërtet e ka tepruar. 44. Atij i thuani fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet”. ( )
2) Mësimi i gjërave fetare dhe gjërave të kësaj bote. Misionari musliman e ka obligim që njerëzve t’ua mësoj gjërat përkitazi me fe, duke filluar nga pika më e rëndësishme –besimi, e pastaj edhe tek gjërat tjera, si: hallalli, harami, edukata, etj.
3) Nxitja e njerëzve për vepra të mira. Allahu këtë e ka përmendur në Kur’an: “O ju që besuat, falni namazin me ruku e sexhde dhe vetëm Zotin tuaj adhurojeni. Bëni punë të mira (të dobishme), se do të gjeni shpëtim”. ( )
4) Mbjellja e ndjenjës në shpirt për të qenë krenar me këtë fe. Misionari musliman pas vete nuk duhet të rreshtojë shifra, ai duhet të nxisë njerëzit që, krahas zbatimit e përfilljes së detyrave fetare, ata duhet të mburren dhe të jenë krenar me këtë fe( ).
3. Prapë këshillë
Misionari musliman këshillën nuk duhet ta lërë anash asnjëherë. Ai, edhe pasi të ketë dhënë këshillë, ta ketë shfajësuar veten se përveç kumtimit diç tjetër nuk ka mbi supe, ai prapë duhet të këshilloj njerëzit. Por, kësaj radhe këshilla është pakëz më ndryshe. Ajo, në një forme është sikur një kërcenim. “Nëse ju nuk i përfillni urdhrat e Allahut, Allahu e di se çka bëni dhe do t’iu dënoj” është një lloj qortimi-kërcënimi. Ndoshta këtu qëndron edhe sekreti i ardhjes në fund të kësaj forme të këshillës. Ajetet dhe hadithet e kësaj natyre janë të shumta. Allahu ka thënë: “Ti tërhiqju atyre vërejtjen për ditën e kijametit, kur zemrat, të mllefosura arrijnë në fyt. Për zullumqarët nuk ka as mik e as ndërmjetësues që i shkon fjala. 19. Ai di për shikimin me cep të syve, e edhe për atë që e fshehin në zemra”. ( )
Enes b. Maliku transmeton se Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam ka thënë: ” Në Ditën e Kiametit, nga Xhehennemi thirret njeriu që ishte dëfryer më së shumti në dynja dhe zhytet një herë në zjarre e i thuhet: O njeri! A ke parë ndonjë të mirë ndonjëherë? A ke kaluar pranë ndonjë të mire ndonjëherë? Thotë: Jo, pasha Allahun, o Zot, (nuk kam parë të mirë në dynja). Pastaj sillet njeriu prej banorëve të Xhennetit, që kishte vuajtur më së shumti në dynja dhe zhytet njëherë në Xhennet e pastaj i thuhet: O njeri! A ke parë ndonjë të ligë ndonjëherë? A të ka goditur ndonjë vështirësi ndonjëherë? Thotë: Jo, pasha Allahu, o Zot, kurrë nuk më ka goditur fatkeqësi dhe as nuk kam parë të ligë (keqe) kurrë”. ( )
Përfundim
Misioni i predikuesit musliman nuk kufizohet vetëm në këto alternativa e mundësi që ofruam, edhe pse këto janë bosht i punës së tij. Ajo që neve synuam këtu nuk është hiq më shumë se një mund modest për një këshillë të sinqertë. Kjo për faktin se mundi i derdhur vend e pa vend, nevojë e pa nevojë, rrallë herë jep fryte të dëshiruara, për të mos thënë se dështon gjithmonë. Misionari musliman, duke u nisur nga koha që jeton, duhet ta di se dita e tij duhet të jetë më e gjatë se 24 orë, jave me më shumë se shtatë ditë, muaji me më shume se 31 ditë dhe viti me më shumë se 12 muaj. Ai, duhet të punoj çdoherë, gjithkund dhe me çdokënd, andaj një njeri me një mision kaq të madh e kaq gjithëpërfshirës, patjetër se duhet ta ketë një plan të punës së tij. Dhashtë Zoti e kjo temë deri diku i ofron një opsione për një plan të suksesshëm!
Sedat G. Islami
28-1-2008, e hënë
Vushtrri, Kosovë