Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
EDUKIMI I RINISË MYSLIMANE PËRBALLË SFIDAVE BASHKËKOHORE

(Punim i publikuar në Takvim 2013, botim i Kryesisë së BIK-ut, Kosovë)
 
Në vend të parathënies[1]
Ky punim i kushtohet ekskluzivisht përgatitjes shpirtërore të të rinjve sipas metodologjisë profetike, duke vënë si synim të parë aftësimin e tyre për ballafaqim sa më stoik me sfidat e kohës bashkëkohore. Në fokus ka tri pika kryesore: së pari, mbjelljen e besimit, pastaj përmirësimin e gabimeve dhe së treti ruajtjen e besimit. Secila nga këto pika ka karakteristikat e veta, e me theks të veçantë ruajtjen maksimale dhe përshtatjen me kapacitetin dhe aftësitë intelektuale të të riut. Pra, në përputhje me moshën dhe zhvillimin e tyre psikik, iu ofrohet ky program. Kështu, që të tri këto pika që përbëjnë tërësinë e kësaj metodologjie shquhen për një ekuilibër dhe drejtpeshim, duke inkorporuar krahas nxitjes edhe edukimin nëpërmjet qortimit dhe ndëshkimit përkatës, kuptohet gjithmonë brenda suazave të normave të caktuara më parë.
I. MBJELLJA E BESIMIT TË PASTËR NË SHPIRTRAT E TË RINJVE
I.1. MËSIMI I BESIMIT QË NGA VEGJËLIA
Xhundub Ibn Abdullahu rrëfen:
“Ishim me Pejgamberin [alejhis salatu ves selam] ndërsa ende ishim të vegjël, kështu që mësuam besimin (imanin) para se ta mësonim Kur’anin, e më pas, e mësuam këtë të fundit dhe na u shtua besimi me të!”[2]
Kjo nënkupton se besimin duhet tua mësojmë të rinjve para çdo gjëje. Respektivisht, duhet t’i mësojmë për:
§ Allahun e Madhëruar dhe të drejtat e Tij;
§ Librat dhe të Dërguarit e Allahut;
§ Pejgamberin [alejhis salatu ves selam], besimin në të dhe obligimet ndaj tij;
§ Caktimet e Allahut të Madhëruar, duke përfshirë këtu sprovat, fatkeqësitë, vdekjen, etj;
Me një fjalë, iu mësohet besimi në përgjithësi, por pa hyrë në detaje. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ishte shumë kureshtar që këtij aspekti t’i kushtonte kujdesin maksimal, ndaj edhe në fokus kishte gjëra që nuk janë të rënda për tu mbajtur mend por që edhe në të njëjtën kohë përsëriten shpesh, siç kemi të bëjmë me disa dua-lutje. P.sh. lutja në kunut dhe teshehhud janë të përpiluara asisoj që reflektojnë vetëm besim. Ibni Maxheh transmeton hadithin e Hasan Ibni Aliut, i cili thotë t’ia ketë mësuar gjyshi i tij, Muhammedi, [alejhis salatu ves selam] disa fjalë t’i thotë në kunutin e vitrit:
“(All-llahumme-hidini fi men hedejt ve afini fi men afejt ve tevel-leni fi men teve-l-lejt ve barik li fi ma a’tajt vekini sherre ma kadajt fe inneke takdi ve la jukda alejk, innehu la jedhil-lu men valej-te ve la je’izzu men aejt tebarekte Rabbena ve tealejt)
O Zoti im, më bëj mua prej atyre që Ti i ke udhëzuar dhe më bëj prej atyre që Ti i ke falur, më bëj prej të dashurve Tu, më beko mua në atë që më ke dhënë dhe më mbro nga dëmi i asaj që Ti ke caktuar. Vërtet, Ti je Ai i Cili cakton dhe askush s’mund të caktojë kundër Teje asgjë. Me të vërtetë s’ka mposhtje për atë të cilin Ti e do dhe s’ka ndi¬hmë për atë që është armik i Yt. I Madhë¬ruar dhe i Lartësuar je, O Zoti ynë.” Albani hadithin e vlerëson për autentik.
Edhe lutja në teshehhud bartë këto domethënie. Ibni Maxheh transmeton nga Ibni Abbasi:
“I Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam] na e mësonte këtë dua – lutje, ashtu siç na e mësonte kaptinën nga Kur’ani:
‘Allahumme inni eudhu bike min adhabi xhehenem, ve eudhu bike min adhabi-l-kabri, ve eudhu bike min fitneti-l-mesihi-d-dexh-xhal, ve eudhu bike min fitneti-l-mahja ve-l-memat’
O Zoti im! Kërkoj të më mbrosh nga dënimi i Xhehennemit, kërkoj të më mbrosh nga dënimi i varrit, kërkoj të më mbrosh nga sprova e Dexh-xhallit dhe kërkoj të më mbrosh nga sprova e të gjallëve dhe të vdekurve!”[3]
Se këto thënie kanë synuar këtë botëkuptim na flet edhe mosha e transmetuesve, Hasanit dhe Ibni Abbasit, të cilët sigurisht se kur kanë dëgjuar këto fjalë kanë qenë ende të vegjël.
I.2. SQARIMET DHE SHPJEGIMET
Në ligjërimet e tij, sidomos për të rinjtë, Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] mundohej të fliste duke qenë sa më shumë të jetë e mundur i kuptueshëm. Në fakt, edhe ishte, ngase siç rrëfen Aisheja [Allahu qoftë i kënaqur me të]:
“Të folurit e të Dërguarit të Allahut [paqja dhe mëshira qofshin mbi të] ishte të folur i rrjedhshëm, të cilin e kuptonte çdokush që e dëgjonte!”[4]
Më të qartë dhe më të kuptueshëm e bënte edhe metodologjia e tij në shpjegim, që shoqërohej me elemente të ndryshme, si:
1. Marrja e shembujve
Rëndësia e shembujve është e pakontestueshme. Kur’ani është përplot shembuj, ngase me shembuj gjërat bëhen më të kapshme. Aliu [Allahu qoftë i kënaqur me të] ka thënë: “Shembujt janë kandilat e fjalëve!”
E këtu mbase qëndron edhe arsyeja pse Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] sillte shembuj dhe bënte krahasime ndërmjet besimtarit dhe të tjerëve. Tirmidhiu sjell hadithin e Ebu Hurejres [Allahu i Madhëruar qoftë i kënaqur me të] i cili përshkruan gjendjen e besimtarit dhe jobesimtarit në këtë botë, ballafaqimin me sprova dhe në fund mbarimin e tyre. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] thotë:
“Shembulli i besimtarit është sikurse shembulli i të mbjellës (perimeve, drithërave) që era i lëkund (por nuk i shkul). Besimtari vazhdimisht do të goditet me bela- sprova. Ndërsa shembulli i hipokritit është sikur shembulli i shkurres (larix) apo pishës, që nuk luhatet derisa të prehet.”[5]
Pra, besimtari në këtë botë sprovohet me bela, jeta e tij është përplot të liga, por shpëtimin e ka te Allahu i Madhëruar. Ndërsa jobesimtari, për të mos iu përshpejtuar dënimi, në këtë botë gëzon të mira, kurse në botën tjetër, do të ketë dënim të përhershëm.
2. Ilustrimi figurativ
Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] e kishte zakon që shpjegimet e tij ndonjëherë t’i konkretizonte edhe në formë ilustrimesh, gjë e cila flet për nevojën e madhe që fëmijëve tanë sot t’iu ofrojmë edukim sipas kësaj metodologjie. Ibni Mes’udi [Allahu qoftë i kënaqur me të] se:
“Na e vizatoi Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] një vijë e pastaj tha: “Kjo është rruga e Allahut të Madhëruar.” Pastaj bëri disa viza në të djathtë dhe të majtë, pastaj tha: “Këto janë rrugët e devijuara, në çdo rrugë prej tyre ka shejtan që thërret në të”, pastaj lexoi (ajetin kur’anor): “Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, ashtu që të ruheni.” (el-En’am, 153).”[6]
3. Tregimet
Thjeshtësimin e mënyrës së përvetësimit të besimit, Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] e bënte edhe nëpërmjet tregimeve. I kësaj natyre është edhe tregimi që flet për njeriun e fundit që hyn në Xhennet, e të cilin Imam Muslimi dhe Imam Ahmedi e kanë shënuar në Sahihun, respektivisht Musendin e tij, nga Ibni Mes’udi, i cili thotë se Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“Njeriu i fundit që hyn në Xhennet është një njeri që një herë ecën, herën tjetër shkon zvarrë ndërsa herën e tretë e godet zjarri, e kur ta ketë kaluar atë, kthehet nga ai dhe thotë: “I Madhëruar qofte Ai që më shpëtoi prej teje, Allahu mua më dhuroi diç që nuk i dhuroi as të parëve dhe as mbramëve. Atëherë i paraqitet atij një pemë dhe thotë:”O Zot, më afro afër asaj peme që të hyj nën hijen e saj dhe të pi nga uji i saj!“ Allahu i Lartësuar i thotë:”O Bir i Ademit, nëse do ta dhuroj atë, a do të më kërkosh tjetër?“I thotë: ”Jo, o Zoti im!”, dhe i premton se nuk do t`i kërkojë diç tjetër. Zoti i tij e arsyeton sepse i paraqet mirësi para të cilave sfidohet durimi i tij, kështu Ai e afron afër saj, hyn nën hijen e saj dhe pinë nga uji i saj. Pastaj i paraqitet atij një peme edhe më e bukur se e para dhe ai thotë: “O Zot, më afro tek ajo pemë që të pi prej saj dhe të hyj nën hijen e saj, nuk do të kërkoj tjetër! Allahu i thotë: ”O Biri i Ademit, a nuk më premtove se nuk do të më kërkosh tjetër?! Sikur të të afroj tek ajo, a do të më kërkosh prapë tjetër?” Por, Zoti e arsyeton atë, ngase i paraqet mirësi, ndaj të cilave nuk mund të ketë durim, kështu që e afron tek ajo dhe ai hyn nën hijen e saj dhe pinë nga uji i saj. Pastaj i paraqitet një pemë tek dera e Xhennetit, e cila është më e mirë se dy të parat. Njeriu i thotë: ”O Zoti im, më afro të futem tek ajo që të hy nën hijen e saj dhe të pi nga uji i saj, ndërsa unë nuk do të kërkojë tjetër.” Allahu i thotë: “O biri i Ademit, a nuk më premtove se nuk do të më kërkosh tjetër?!” Po, o Zoti im, por më nuk do të kërkoj tjetër – i thotë robi. Zoti i tij i pranon faljen sepse i paraqet gjëra që ai nuk mund të durojë nga ato, kështu që e afron tek ajo, e kur të jetë afruar, ai dëgjon zërat e banorëve të Xhennetit dhe thotë: “O Zot, më fut aty!” I thotë Allahu: ”O bir i Ademit, çfarë të kënaq, a je i kënaqur të të jap sa bota dhe një herë sa ajo?” Thotë: ”O Zot, a më përqesh mua ndërsa Ti je Zot i boteve? Me këtë rast qesh Ibn Mesudi dhe thotë:”A nuk më pyesni përse po qeshi?” I thanë:”Përse po qesh?”Kështu qeshi dhe i Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam] ndërsa i thanë:”Përse qeshe o i Dërguari i Allahut? Tha: “Nga të qeshurit e Zotit të botëve. Kur ai (robi) i tha: ”A më përqesh mua dhe Ti je Zot i Botëve?!”, Allahu i thotë: ”Unë nuk përqeshem me ty, por Unë bëj çfarë të dua!“
4. Pyetje – përgjigjet.
Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] edukimin e të rinjve e bënte edhe nëpërmjet mundësisë për pyetje. Ebu Hurejre rrëfen për vete[7]:
“Është pyetur: O i Dërguari i Allahut! Kush është njeriu që Ditën e Kiametit do ta gëzojë më së shumti ndërmjetësimin tënd? I Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam] tha: Kam menduar se askush para teje Ebu Hurejre nuk do të më pyet për këtë hadithi, për shkak të kureshtjes së madhe që kam parë tek ty për hadithin. Njeriu që do ta gëzojë më së shumti ndërmjetësimin tim në Ditën e Kiametit është ai që sinqerisht nga zemra ose shpirti i tij ka thënë: La ilahe il-la Allah! [Dëshmoj se nuk adhurohet askush pos Allahut!]”[8]
I.3. NGJALLJA E KURESHTJES PËR MËSIM
Metodologjia e Pejgamberit, [alejhis salatu ves selam] ishte e përkryer. Përdorte forma dhe mënyra që praktikisht janë treguar shumë të suksesshme. Të shohim hadithin e Muadhit dhe përfshirjen e disa prej këtyre elementeve në të. Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] siç na rrëfen Muadhi, e kishte thirrur:
“O Muadh Ibn Xhebeli! Në gatishmëri për ju dhe në ndihmë tuajën, o i Dërguari i Allahut! –i thashë. Eci për pak çaste e pastaj, prapë më tha: O Muadh! Në gatishmëri për ju dhe në ndihmë tuajën, o i Dërguari i Allahut!–i thashë. Prapë eci për një kohë dhe më tha (për të tretën herë): O Muadh! Në gatishmëri për ju dhe në ndihmë tuajën, o i Dërguari i Allahut!–i thashë. A e di se çfarë është e drejta e Allahut tek robërit e Tij? Thashë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri! E drejta e Allahut tek robërit e Tij është që ta adhurojnë vetëm Atë dhe të mos i përshkruajnë shok në asgjë – mu përgjigj. Pastaj vazhdoi udhëtimin dhe për pak çaste për të më pyetur sërish: O Muadh Ibn Xhebeli! Në gatishmëri për ju dhe në ndihmë tuajën, o i Dërguari i Allahut! –i thashë. A e di se çfarë të drejte kanë robërit tek Allahu nëse veprojnë ashtu (e adhurojnë vetëm Atë)? Thashë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri! E drejta e robërve tek Allahu është që të mos i ndëshkon!”[9]
Në këtë hadith vërejmë tri elemente interesante, që zgjojnë kureshtjen e dëgjuesit dhe e mbajnë të vëmendshëm për të kuptuar se çfarë është ajo që do t’i thuhet. Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam]:
§ E thirri tri herë
§ E thërriste me pushime
§ Kur i foli, i foli në formë pyetëse: “A e di…?”
…për t’ia bërë me dije se besimi është shumë i rëndësishëm.
 
II. PËRMIRËSIMI I GABIMEVE
 
Për të përmirësuar gabimet, Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] ndoqi një mori rregullash, shumtë të rëndësishme për tu aplikuare dhe sot e kësaj dite. Me këtë rast ne do të veçonim disa nga praktikat e tij, si:
II.1. POROSITË DHE KËSHILLAT
Besimi është sikur një pemë, e cila për tu zhvilluar dhe për të dhënë frytet e saj, ka nevojë për një përkujdesje të vazhdueshme. Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam], përveç që mbolli besimin në zemrat e të rinjve, dha edhe udhëzimet përkatëse që ky besim të mbrohet nga ‘barishtet e egra.’ Këshillë që trajton këtë aspekt është ajo dhënë Ibni Abbasit [Allahu qoftë i kënaqur me të dy]:
“O djalosh! Unë do t’i mësoj ca fjalë (do t’i jap ca këshilla, andaj ke vëmendjen): Ruaje Allahun, të ruan Ai ty, ruaje Allahun, do ta gjesh para vete, kur lypësh, lyp nga Allahu dhe kur të kërkosh ndihmë, kërkoje nga Allahu. Dije se sikur e tërë bota të bëhen tok për të ta bërë një të mirë, nuk do të munden të bëjnë tjetër vetëm se atë që Allahu e ka shkruar për ty. Po kështu, edhe nëse bashkohen për të të dëmtuar me diç, nuk do të kenë mundësi të të dëmtojnë përveçse me atë që Allahu ta ka shkruar. Janë ngritur lapsat dhe janë tharë fletët!”[10]
Pra, për ta ruajtur besimin, në radhë të parë porositet që t’iu shmanget mëkateve, e pastaj punohet në drejtim të vetëdijesimit të tij se po deshe ndihmën e Allahut, duhet të punosh përherë ngase Allahu nuk njihet vetëm në ditë të vështira, e më pas jepen edhe udhëzime për veprime konkrete.
II.2. TESTIMI I BESIMIT
Besimi është një identitet i fshehtë, i cili reflekton në veprat dhe punët e njeriut. Me një fjalë, jo vetëm prania apo evidentimi i tij tek besimtarit, por edhe niveli i fuqisë së tij, kanë nevojë për testim. Allahu i Madhëruar kështu na ka mësuar.
Elif, Lam, Mim. 2. A menduan njerëzit të thonë: “Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?” 3. Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, ashtu që All-llahu gjithqysh do t’i dallojë ata që e thanë të vërtetën e do t’i dallojë edhe gënjeshtarët.” (el-Ankebut: 1-3)
Këtë metodologji e praktikoi edhe Muhammedi, [alejhis salatu ves selam]. Habbab Ibn Eretti, siç transmeton Buhariu në Sahihun e tij, kishte shkuar tek Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] dhe i ishte ankuar për gjendjen e vështirë që përjetonin në Mekke. Kishte kërkuar ndihmë nga Allahu i Madhëruar që t’i nxirrte nga ajo gjendje e mjerueshme. Por, është ligj i Zotit që besimtarët të sprovohen, dhe kështu ka ndodhë gjatë gjithë historisë. Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] ia përkujtoi edhe Habbabit këtë parim dhe i tha:
“Para jush ka qenë një burrë, të cilit ia kanë hapur një gropë dhe e kanë vënë në të, për t’ia vënë më pas sharrën mbi kokë dhe për ta ndarë në dysh, por kjo nuk e luhaste dot nga feja. Krihej me krahër të hekurt aq sa i ndahej mishi dhe muskujt nga kockat, por as kjo nuk e largonte nga feja e vet. pasha Allahun, kjo punë (e kësaj feje) ka për tu plotësuar aq sa udhëtari do të udhëtojë nga San’aja në Hadrameut ndërsa nuk do të ketë frikë askënd përveç Allahut të Madhëruar, apo ujkut për kopenë e tij, por, ju po nguteni!”
E keni parasysh, këto fjalë janë thënë në kohën më të vështirë të muslimanëve, në kohën kur edhe ekzistenca e tyre ishte në pikëpyetje ndërsa Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] i përgëzonte ata me fitore në të ardhmen.
II.3. HAPAT KONKRET NË PËRMIRËSIM
1. Arsyetimi dhe alternativa
Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] me rastin e përmirësimit të gabimeve, jo vetëm që arsyetonte përmirësimin por edhe sillte zgjidhjen e duhur. Ibni Mes’udi rrëfen se faleshim pas Pejgamberit, [alejhis salatu ves selam] ndërsa në teshehhud citonim: es-selamu ala Allah! Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] tha:
“Vërtetë, Allahu është Selami (një nga emrat e Tij), andaj kur dikush prej jush të falet le të thotë: et-tehijjatu li-l-Lahi ve-s-salavatu ve-t-tajjibatu, es-selamu alejkum ejjuhe-n-Nebijju ve rahmetu-Llahi ve berekatuhu, es-selamu aleja ve ala ibadi-Lahi-s-salihne…”[11]
2. Përjetimi i peshës së mëkatit
Ndonjëherë, kur ndonjë gabim mund të ketë qenë i madh, ani pse është bërë në rrethana të caktuara, Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] për të mos lejuar përsëritjen e tij, e bënte shumë të madh, aq sa kryerësi pendohej aty për aty. Me Usame Ibn Zejdin është një rast shumë interesant. Usame rrëfen:
“Na dërgoi i Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam] në Hureka ndërsa ne iu shkuam atyre në mëngjes dhe i mposhtëm. Unë dhe një ensar iu vërsulëm pas një njeriu, i cili posa e zumë, tha La ilahe il-la Allah! Ensariu e braktisi ndërsa unë e qëllova me shtizën time derisa e mbyta. Kur u kthyem, Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] u informua me rastin ndërsa mua më tha: Usame, a e mbyte pasi që tha: La ilahe il-la Allah?! E tha vetëm sa për tu mbrojtur – (u arsyetova.( Por, ai vazhdonte të ma përsëriste këtë fjalë aq sa dëshirove sikur të mos e kisha pranuar islamin më parë!”[12]
E shihni, Usame aq shumë u prek nga mëkati saqë do të kishte dëshiruar që deri atë ditë ë mos ketë pranuar fare Islamin.
3. Shfaqja e hidhërimit
Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] ndonjëherë mospajtimin e shprehte edhe me shenja fytyre. Aliu [Allahu qoftë i kënaqur me të] rrëfen se Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] ia kishte dhënë një rrobe të qëndisur me penj mëndafshi, të cilën ai e kishte veshur në prani të tij. Pashë hidhërimin në fytyrën e Pejgamberit, [alejhis salatu ves selam], kështu që e hoqa atë dhe ua ndava grave të mia –thotë Aliu [Allahu qoftë i kënaqur me të].
4. Vërejtja për fundin e keq
Përveç shprehjes së hidhërimit verbal, Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] edukonte Sahabet duke ua përkujtuar pasojat e gabimeve në besim. Tirmidhiu transmeton hadithin e Ebu Hurejres [Allahu qoftë i kënaqur me të]:
“Ziheshim rreth kaderit (caktimit të Zotit) ndërsa i Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam] erdhi tek ne i hidhëruar dhe i skuqur nga hidhërimi aq sa ishte bërë sikur (alegori) në faqe të ishte derdhur lëng shege, tha: A për këtë jeni urdhëruar?! A e këtë gjë jam dërguar tek ju?! Ata që ishin para jush u shkatërruan pikërisht kur u përçanë rreth kësaj çështje. Iu bëj be dhe iu urdhëroj që të mos përçaheni – ziheni rreth kësaj çështjeje!”[13]
5. Qortimi dhe ndëshkimi
Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] e kishte zakon që gabimet e mëdha të mos i lëshonte pa qortim, apo ndëshkim, varësisht nga vepra e kryer. Muadhin, për shkak se e zgjaste namazin shumë, e kritikoi ashpër, duke i thënë:
“…O Muadh! A po i largon njerëzit (apo a po i vë njerëzit në sprova)?!…”[14]
Kritikat apo ndëshkimi ishin gjithnjë në përputhje me veprën e bërë. Pra, nuk ngutej që për një vepër të vogël, të jepte ndëshkimin maksimal, dhe as anasjelltas. Nëse Muadhin e kritikoi, por nuk e lëçiti, Ka’b Ibn Malikun, për shkak të mospjesëmarrjes në betejën e Tebukut, e lëçiti për 50 ditë të tëra, derisa Allahu i Madhëruar e shfajësoi në Kur’an.
 
III. RUAJTJA DHE KULTIVIMI I BESIMIT
 
Është kjo faza e tretë dhe e fundit në këtë punim që flet për metodologjinë profetike për përgatitjen shpirtërore të rinisë myslimane. Se çfarë hapash ndoqi Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] në këtë fazë të fundit, do të shohim në vijim.
III.1. NXITJA PËR MBAJTJE PËR KUR’ANIT DHE SUNNETIT
Kur’ani dhe Sunneti janë dy burimet kryesore të Islamit, të cilave duhet t’i referohemi deri në amshim. Zgjidhjet afatgjata të problemeve mund t’i gjejmë vetëm në këto burime, andaj, edhe Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] këshillonte, që mbajtjes për këtyre dy burimeve të mos i ndahemi kurrë. Irbad Ibn Sarije na sjell dëshminë përkatëse.
“Një ditë, i Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam] u fal me ne ndërsa pas namazit u kthye (kah ne) dhe na këshilloi me një këshillim të arrirë, sa sytë rrodhën lot dhe zemrat u tronditën prej tij. Dikush tha: “O i dërguar i Allahut! Sikur të ishte kjo këshilla e lamtumirës, prandaj çfarë porosie do të na lësh? Ai tha: “U porosis për devotshmëri ndaj Allahut , të dëgjoni dhe të bindeni edhe nëse bëhet i pari juaj një rob etiopian, sepse ai që do të jetojë prej jush pas meje do të shohë përçarje të shumta. Prandaj kapuni fort pas sunnetit tim dhe sunetit të Hulefave të udhëzuar dhe të drejtë. Kapuni fort për të dhe shtrëngojeni me dhembë. Ruhuni prej shpikjeve në fe, sepse çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është humbje.”[15]
III.2. LARGIMI NGA VENDET DHE POZITAT E SPROVAVE
Besimtari është i fortë, trim, i gatshëm për të sakrifikuar për Allahun e Madhëruar, por kjo nuk d.t.th. se ai duhet t’i qaset çdo gjëje. Përkundrazi, për ta ruajtur besimin e tij, është porositur që të largohet jo vetëm nga vendet e fitnes (sprovave), siç mund të jetë ndonjë qytet a shtet, por edhe nga pozitat dhe postet që mund të jenë të tillë. AbduRrrahman Ibn Semures, Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] i tha:
“O AbduRrahman Ibn Semure! Mos e kërko pozitën e emirit, për shkak se nëse të epet si shkak i kërkesës sate, do të ngarkohet në qafë, e nëse të jepet pse të tjerët kërkojnë, do të ndihmohesh (nga Zoti)!”[16]
III.3. IKJA NGA DYSHIMET
Dyshimet janë porta e djallit. Nëpërmjet tyre depërton në zemrën e besimtarit. Andaj, për ta ruajtur besimin, dyshimeve qysh në start duhet ikur. Dyshimet mund të dihet ku dhe kur nisin, por ku mbarojnë, vetëm Zoti e di. Ose thënë më mirë, dyshimet mund të të largojnë dhe nga besimi fare. Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] i ka thënë Ebu Hurejres [Allahu qoftë i kënaqur me të]:
“Njerëzit do të vazhdojnë të pyesin (njëri tjetrin dhe të diskutojnë) derisa do të thuhet (do të bëhet dhe kjo pyetje): Zoti i ka krijuar krijesat, po Atë kush e ka krijuar. Kujt t’i ndodhë një gjë e tillë, le të thotë: Kam besuar në Allahun!” [17]
III.4. RUAJTJA NËPËRMJET VEPRAVE TË MIRA
Besimi, krahas largimit nga dyshimet, ruhet, madje shume fuqishëm, edhe duke bërë vepra të mira. Ato të motivojnë dhe nxisin shumë, andaj Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] i ka parë si ilaç efektiv, sidomos për ruajtjen e besimit. Ebu Hurejre [Allahu qoftë i kënaqur me të] transmeton se Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“Sprovave që janë sikur pjesët e errëta të natës, përshpejtojuani me vepra (të mira) ngase (në ato sprova) njeriu gdhin besimtar, por ngryset pabesimtar, apo edhe e kundërta, ngryset besimtar e gdhin pabesimtar. E shet fenë për gjësende të dynjasë me pak vlerë.” [18]
 
[1] Bazuar në një punim të zgjeruar nga Sulejman Ibn Kasim el-Ijd me të titull: ‘El-Menhexh en-Nebevijj fi muvaxheheti-t-tehaddijat el-akaidijjeh li-sh-shebab.’
[2] Transmeton Ibni Maxheh në Sunen, ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[3] Albani hadithin e vlerëson për hasen sahih.
[4] Hadithin e transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani e cilëson hasen.
[5] Albani e vlerëson hadithin për autentik.
[6] Hadithin e transmeton Imam Ahmedi ndërsa Albani e cilëson autentik.
[7] Nga tekstet tjera kuptohet se pyetësi ka qenë vet Ebu Hurejre.
[8] Transmetojnë Buhariu, Ahmedi dhe të tjerë.
[9] Hadithin e transmetojnë Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.
[10] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e vlerëson për autentik.
[11] Buhariu.
[12] Buhariu.
[13] Albani e konsideron hasen.
[14] Transmetojnë Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.
[15] Transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani e klasifikon për autentik.
[16] Muslimi.
[17] Muslimi.
[18] Muslimi.


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013