Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
ISLAMI PËRBALLË MODERNIZMIT -sfidat dhe alternativat-

Abstrakt
 
Ky punim trajton raportet ndërmjet Islamit, si fe dhe sistem jete, dhe modernizmit, si një sfidë bashkëkohore për të. Janë diskutuar mendimet rreth definomi të modernizmit, në është vetëm qasje letrare apo edhe filozofi dhe mënyrë jetese, sikur që në këtë kontekst janë shpjeguar edhe pozicionet e shkollarëve muslimanë në raport me të. Për të krijuar një koncept sa më të qartë të qëndrimit islam karshi modernizmit janë shtjelluar edhe parimet kyçe të modernizmit nga spektri islam, respektivisht nëse modernizmi ka diç që ia vlen të sakrifikohet me Islam për të. Pastaj, punimi i është qasur edhe sfidave me te cilat ballafaqohet Islami në epokën moderne për të përfunduar me disa nga mënyrat dhe format se si duhet ballafaquar muslimanët me modernizmin dhe sfidat e tij.
 
Përmbajtja
 
Hyrje
KAPITULLI I: Modernizmi, rezyme mbi sfondin historik dhe konceptual të tij
KAPITULLI II: Qëndrimet e shkollarëve muslimanë karshi modernizmit
KAPITULLI III: Diskutime rreth disa prej parimeve me te rëndësishme të modernizmit
KAPITULLI IV: Sfidat e Islamit përballë Modernizmit
KAPITULLI V: Mënyrat e ballafaqimit me Modernizmin dhe sfidat e tij
Përfundim
Bibliografi
 
Hyrje
Modernizmi, si qasje e re ndaj jetës dhe botëkuptimeve të saja, shpirtërore e materiale, ka shkaktuar reagime nga qarqe të ndryshme, ndoshta më së shumti nga qarqet fetare, me të cilat disi ka filluar një luftë të pa kompromis. Është gjykuar nga këndvështrime të ndryshme; disa e kanë parë si të paalternativë, si diç që i ka kontribuar njerëzimit në rrafshin teknologjik shumë, andaj kanë përvetësuar sistemet e tij duke anashkaluar fenë, pjesërisht ose tërësisht. Të tjerë, nga qarqe fetare, në këtë rast të krishterë, kanë refuzuar ashpër dhe kanë shkishëruar modernistët, qëndrim që më vonë është rishikuar dhe ndërruar. Edhe Islami ka thënë fjalën e vet, dhe ky punim pikërisht i referohet këtij aspekti, pra prezantimit të qëndrimit islam karshi modernizmit. Punimi mëton të shfaq origjinalitetin islam dhe mjaftimin e tij me sistemet dhe ligjet e tij, sikur që synon të dëshmojë se qëndrimi i modernistëve karshi fesë, e që është ndërtuar duke shikuar në Kishën dhe dogmat e saj, është përgjithësim i gabuar edhe për fetë tjera, ngase diç që mund të jetë njollë në një fe, në tjetrën mund te mos figurojë fare.
Punimin e kam ndarë në pesë kapituj, ku kam sqaruar domethënien e modernizmit, qasjen e saj, qëndrimet e muslimanëve ndaj saj, sfidat e Islamit përballë tij dhe kapitullin e fundit ia kam kushtuar metodologjisë vepruese kundër modernizmit dhe akuzave të tij. Më pas, kam bërë përmbylljen me disa prej rezultateve të punimit dhe rekomandimeve të tij.
 
KAPITULLI I: MODERNIZMI, REZYME MBI SFONDIN HISTORIK DHE KONCEPTUAL TE SAJ
 
Modernizmi në të vërtetë origjinën e ka në Evropë (në kohën e Mesjetës). Këtu lindi e më pas u përhap në tërë botën. Është fryt do të thosha i Iluminizmit apo projekt i pambaruar i saj, siç thotë Habermasi. Enciklopedia britanike paraqitjen e saj e sheh me përfundim të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit XX. Shprehjet që përdoren për të emërtuar këtë lëvizje në anglishte janë Modernity, Modernisation dhe Modernism. Moderniteti është një ‘nocion që shënon një praktikë shoqërore krejtësisht të ndryshme nga ajo e traditës’, apo është një gjendje, siç e përkufizon Zekije Demir[1], derisa modernizimi është procesi ndërsa modernizmi ideologjia. Muhammed Nuruddin Efajeh citon mendimin se moderniteti është përshkrim i veçorive të përbashkëta të shteteve të përparuara në teknologji, politike, ekonomi dhe shoqëri, ndërsa modernizmin e sheh si përshkrim të proceseve nëpërmjet të cilave arrihet tek perceptimi i këtyre niveleve të zhvillimit[2].
Kjo laramani nuk do të duhej të na befasojë fare ngase kjo është një pikë ku tradicionalistët e sulmojnë modernizmin dhe ku modernistët njëherësh e shohin epërsinë e tyre[3].
Modernizmi përmbledh konceptet modern, modernitet dhe modernizim në një shkallë më të lartë të kuptimit dhe ndërtohet mbi themelet e ideologjisë, rezultat ky i shndërrimit mendor të shfaqur me periudhën e iluminizmit, mbi ato të humanizmit, shekullarizimit dhe demokracisë[4].
Ishte menduar si drejtim letrar[5], por jo, ajo nuk përkufizohet vetëm në këtë fushë. Giddensi e sheh si mënyrë jetese specifike perëndimore derisa sipas Enciklopedisë se lehtësuar për fe, drejtime dhe parti bashkëkohore[6], ‘Modernizmi është doktrinë ideore, letrare dhe laike, e ndërtuar mbi ide dhe besime të pastra perëndimore, si marksizmi, ekzistencializmi, frojdizmi dhe darvinizmi…’
Modernizmi u shfaq si revolucion ndaj Kishës dhe mu për këtë, siç shënon Enciklopedia Britanike, kjo lëvizje bën thirrje për një riinterpretim të mësimeve tradicionale katolike[7], apo thënë më mirë të flakjes së të gjitha atyre mësimeve që -sipas tyre- i kishte shkelur koha dhe njëkohësisht dakordimi i pjesëve tjera të doktrinës kishtare dhe të përvojës krishtere me të arriturat bashkëkohore nga fusha e filozofisë, e shkencave natyrore, shoqërore, shpirtërore, e kulturës, e teologjisë, etj[8].
Ndoshta kjo ka bërë që modernizmi të shihet si një fe, jo në kuptim të “besoj” por të asaj “mohoj”, dhe rrjedhimisht, modernizmi është ideologji shekullare – ateiste[9].
Filozofia moderniste mund të kuptohet nga vet rrethanat në të cilat lindi. Ajo u shkaktua si revoltë dhe reagim ndaj disa sjelljeve e parimeve të krishtera dhe kishtare që, siç thotë Akademik Ekrem Murtezai, në thumb kishin autoritetin e Papës dhe pagabueshmërinë e tij si dhe teorinë mbi Isanë (Jezusin) [10]. Nga këtu, fokus i tyre ishte feja (jo vetëm e krishtere) me të gjitha parimet e saj. Ata kërkonin një “kontroll të rreptë” mbi çdo parim a teori fetare, në mënyrë që t’i përgjigjej arsyes (mendjes) ose të refuzohej. Jeta e njeriut, në mënyrë rigoroze, duhet të zhvishej nga tradita fetare; atë e menaxhon vetëm arsyeja. Me këtë synojnë (kinse) çlirimin e njeriut.
Modernizmi, më vonë, depërton edhe ne vendet islame. Se si u prit dhe ç’qëndrime kishin e kanë muslimanët ndaj tij, do të mësojmë në vijim, por këtu duam vetëm të sqarojmë se modernistët “muslimanë”, si partizanë të modernizmit perëndimor për detyrë kanë zhvleftësimin e fesë islame. Andaj, në këtë ese në fokus do të jenë vetëm pikat ku është sulmuar Islami.
Janë diskutuar shumë qëndrimet e modernizmit ndaj fesë (islame) dhe ja një përmbledhje e disa prej pikave më të rëndësishme: Modernizmi:
- shkëput lidhjet tërësisht me fenë; mohon Zotin, të fshehtën (gajbin) dhe ligjin fetar –boten e sundon mendja. Bindjet fetare domosdo duhet t’i nënshtrohen testit logjik, gjë që i ka shtyrë të mohojnë edhe mrekullitë e profetëve.
- thërret në përvetësimin e mënyrës së jetesës së zotërinjve të bardhë (perëndimorëve).
- thërret edhe në hapjen e derës së hulumtimit shkencor për të gjithë, duke minimizuar kështu rolin e dijetarëve.
- mohon të kaluarën, ose thënë është revolucion ndaj saj dhe çdo gjëje që posedon, e shenjtë që apo jo[11].
Modernizmi, që për moto pati mirëqenien dhe lumturinë e njeriut, dështoi. Synimin për zgjidhje të problemeve të njerëzve e shndërruan në kompleks. Kjo ngase ata presupozuan një ikje nga të gjitha tipat e hyjnores, për të arritur në një liri përfundimtare për njeriun, por në fakt ata krijuan hyjnitë dhe dogmat e veta, të cilat e rrethojnë njeriun si barriera shkencore dhe shekullariste përgjatë rrugës së lirisë[12]. E ndoshta për këtë shkak modernizmi merret si diç që i ka kaluar koha apo është kthyer në “të vjetër.”
 
KAPITULLI II: QËNDRIMET E SHKOLLARËVE MUSLIMANË KARSHI MODERNIZMIT
 
Modernizmi në studime të dijetarëve dhe mendimtarëve muslimanë është vështruar nga aspekte të ndryshme, kështu që si rezultat kemi edhe qëndrime të ndryshme:
– Ka që e kanë mohuar atë dhe e kanë parë si diç që bie ndesh me fenë andaj është refuzuar apriori, sidomos nga dijetarët muslimanë tradicionalistë. P.sh. Sefer Havalej në “Mukaddimetun fi tetavvuri’l fikri’l garbijji ve’l hadatheh”[13] (Hyrje në zhvillimin e mendimit perëndimor dhe modernitetit), Dr. Ived Ibn Muhammed el-Karni në “El- Hadathetu fi mizani’l Islam” [14](Moderniteti në peshojën islame) dhe Dr. Ahmed Muhammed Zayed në një seri ligjëratash për modernitetin[15], mendojnë se moderniteti është diçka që thelbësisht bie ndesh me Islamin dhe si i tillë nuk pranohet. Ja disa nga arsyet me të cilat shpjegojnë qëndrimin e tyre përmblidhen në pikat në vijim:
Devijimi në çështjet e besimit dhe lufta kundër fesë.
Lufta kundër traditave dhe zakoneve shoqërore, që për bazë kanë fenë.
Lufta ndaj hixhabit – mbulesës së kokës[16].
Paqartësia dhe konfuzioni në teoritë dhe mendimet e tyre.
Mbështetja në shembuj të izoluar kinse për të mbështetur qëndrimet e tyre. Kjo, natyrisht kur flitet për modernistët nga radhët e muslimanëve, që mundohen të arsyetojnë qëndrimet e trye me raste nga historia islame, si p.sh. në Ibni Arabiun, Hal-laxhin etj, që nga shumica myslimane njihen si heretikë dhe të dalë prej feje.
Përvetësimi i ideologjive të gabuara. Në “El-Meusuatu’l mujessere” qëndron se ata kanë përvetësuar ide dhe botëkuptime të fraksioneve dhe lëvizjeve të ndryshme.
Shthurja morale, gjë që mund të vërehet në poezitë e tyre, etj.
Tërthorazi, edhe Ali Bulac, mohon modernizmin. Ai shtetin modern nacional e fajëson për qorrsokakun epokal në të cilin gjendet njerëzimi[17].
- Ka që e kanë pranuar dhe nuk kanë parë se ai bie ndesh thelbësisht me Islamin. Këtë mendim disi mund ta hasësh tek Abdullah Muhammed el-Gadh-dhami, i cili përkundër faktit që llogaritet si një ndër modernistët e njohur në Arabinë Saudite, ai me krenari rrëfen se ka qenë student i njërit ndër dijetarët më tradicionalist në këtë vend, Muhammed Ibn Salih el-Uthejminit[18].
- Të tjerë nuk kanë qenë kaq tolerantë por gjithsesi se janë munduar të gjejnë një kompromis ndërmjet Islamit dhe modernizmit, duke këshilluar që dy ekstremitetet: komentimi mekanik i fesë, në njërën ane, dhe ndarja e fesë nga jeta, në anën tjetër, të mos ekzistojnë[19]. E ndoshta kjo ka qenë shkak që Islami të konsiderohet si modernizim i vërtetë[20], në kuptim të çrrënjosjes së traditës idhujtare dhe dokeve dhe zakoneve që vlerave njerëzore ua kishin humbur kuptimin. Janë përmendur edhe disa prej parimeve të ngjashme të Islamit me modernizmin, si:
· Liria, ngase Islami ka ardhur për të garantuar lirinë e vërtete të njeriut, për të garantuar atë që është qenësore. Në fakt, jo vetëm për te realizuar zhvillim dhe ekonomi, por (para së gjithash) edhe për të zbuluar sekretin e jetës dhe qëllimin e saj: adhurimin[21].
· Shkrirja e identiteteve. Islami ka punuar në drejtim të asaj që jo të shkrijë identitetit por të zhvleftësojë ndikimin e tyre. Raca e bardhë nuk mund të favorizohet ndaj të zezës për shkak të ngjyrës…
· Nëse zhdukja e dhunës është ideal, atëherë Islami ka parapri modernizmin ngase ai ka ardhë të luftojë dhunën. Vetë emri i tij flet për përmbajtjen e tij: Islam d.t.th. paqe.
· Barazinë gjinore, një tjetër ideal të modernizmit, Islami e ka garantuar shumë më parë. Tekstet fetare që garantojnë këtë janë të shumta.
- E të tjerë, si Prof. Dr. Abdu’l Vehhab el-Mesiri, mendojnë se modernizmi me këtë sfond që ka, nuk i përgjigjet botës mbarë, andaj në kontekst me Islamin, do të duhej të ketë një modernizëm të ri, që mendjes ia jep vendin e saj por jo duke anashkaluar zemrën (fenë)[22]. Ndërsa Hajreddin Karaman mendonte se modernizmi duhet vënë në shërbim të fesë, mu ashtu siç bëhet transploatimi i organeve[23], një shembull që disi krijon një konfuzion dhe paqartësi se nëse organet e Islamit paskan nevojë për ndërrim.
 
KAPITULLI III: DISKUTIME RRETH DISA PREJ PARIMEVE MË TË RËNDËSISHME TË MODERNIZMIT
 
1. Mohimi i fesë
Rrethanat dhe vendet ku u shfaq modernizmi deri diku mund të arsyetojnë qëndrimin e tyre karshi fesë, por gjithnjë karshi fesë së krishtere. Kisha me dogmat e saj nuk lejonte zhvillimin e shkencës dhe persekutonte ithtarët e saj – shkencëtarët. Kisha, siç shënon Ahmet Davutogllu, bën një dhe gabim tjetër, atë të lëshimit pe nga parimet e saj. Pas luftës së II-të botërore, Vatikani bëri një kthesë të rëndësishme në lidhje me transformimet qytetërimore dhe pasojat e saj politike, edhe pse më parë ishte kundër, madje ndaj modernistëve kishte lansuar edhe anatema[24]. Ky koncil i hapur më 1 tetor 1962 dhe i mbyllur me 8 dhjetor 1965 është pranuar si veprim reformues më i zgjeruar në tërë historinë e Kishës, në kuptimin e numrit të pjesëmarrësve po ashtu edhe në kuptimin e laramanisë së çështjeve të diskutuara. Shumë çështje u riekzaminuan për të mbuluar humnerën në mes jetës moderne dhe besimit katolik, për të zbutur tensionet ndërmjet shekullaristëve dhe klerikëve[25]. Por kështu nuk është në Islam. Islami nuk ndërron pavarësisht se si rrjedhin gjërat në botë. Islami, sië thoshte Sejjid Kutbi, ‘vë rregulla themelore dhe të vërteta – fakte të përgjithshme të cilat nuk luhaten dhe as nuk ndërrojnë; dinamika e jetës, ndërrimet e sistemeve, shumëllojshmëria e doktrinave dhe diversiteti i mjediseve nuk ndikojnë fare në to…’
Nga këtu, modernizmi nuk do të duhej të krijon qëndrim të përgjithshëm ndaj fesë, sepse siç konstaton Muhammed Shakir esh-Sherif, Islami nuk ka qëndrim ndaj shkencës dhe shkencëtarëve sikur të Kishës.[26]
Nuk di si do të mund ta arsyetoja ndryshe këtë qëndrim të modernistëve vetëm se aty ku nuk sundon Zoti, siç thoshte Novalisi[27], sundojnë fantazmat, e realiteti perëndimor, sidomos në sferën e moralit, e dëshmon më së miri këtë.
 
2. Islami dhe dituria
Modernistet njohuritë fetare i konsiderojnë besëtytni ndërsa harrojnë se Islamit përveç shpalljes njohjen e mbështet edhe në shqisa dhe eksperimente[28].
Sejjid Muhammed Nakib el-Attas, ani pse nuk mohon të arriturat teknologjike, megjithatë ai në diturinë bashkëkohore perëndimore vëren diç që syri i rëndomtë nuk mund ta vërejë. “Shume sfida kanë ngritur krye ndërmjet dilemave të njeriut nëper histori, por mesa duket asnjëra nuk ka qenë aq shkatërruese sa ajo që ka ngritur qytetërimi perëndimor sot. Ne i përmbahemi mendimit se problemi më i madh që tinëzisht kërcënon epokën tonë është problemi i diturisë, jo asaj që rivale ka injorancën por asaj që është përhapur nëpër të gjitha vendet e botës nga qytetërimi perëndimor, dituria karakteri i së cilës është problematizuar për shkak të qëllimit të vërtetë të saj, e cila solli kaosin në jetën e njeriut në vend të paqes dhe drejtësisë, dituria që pretendon të jetë e vërtetë porse është origjinë e pështjellimit dhe skepticizmit, që e ngriti dyshimin dhe supozimin deri në shkallë “shkencore” në metodologji…dituria që për herë të parë solli kaosin në tri mbreteritë e natyrës: botën shtazore, bimore dhe materiale[29]” – konstaton Attas-i.
 
3. Liria
Islami në fakt solli lirinë e vërtetë. Ajo nënkupton atë pozitën natyrale në të cilën është krijuar njeriu, mu ashtu siç është shprehur Omer Ibn el-Hattab: “Si keni robëruar njerëzit kur nënat e tyre i kanë lindur të lirë?!”
Kjo liri e natyrshme sipas Islamit përfshin aspekte të shumta dhe të ndryshme, si:
· Liria e besimit. Islami nuk ka detyruar me forcë njerëzit të besojnë. Është propagandë dhe shpifje e pabazë ndaj tij kur thuhet se njerëzit kanë përqafuar fenë nga shpata. Si do të ishte puna atëherë ma ata njerëz kur do t’iu lexoheshin citatet kur’anore: “Sikur të kishte dashur Zoti yt, do t’i besonin çka janë në tokë që të gjithë. A ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?” Junus, 99; “E ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë…” el-Kehf, 29; “Në fe nuk ka dhunë…” el-Bekare, 256.
Ajo që e dallon Islamin nga modernizmi është se përderisa nuk ia imponon askujt besimin, atëherë në rast se njeriu e pranon Islamin me vullnet dhe dëshirë, nuk ka mundësi më të dalë prej tij. Kjo nënkupton një lloj loje dhe talljeje me të, ndryshe nga modernizmi që njeriu mund të gdhijë besimtar e të ngryset i pafe.
· Liria e meditimit. Në Kur’an janë një mori shprehjesh dhe citatesh që ftojnë në meditim, si: ilm (shkence-dije); akl (mendje); tedebbur (meditim); fikh (të kuptuar), etj. P.sh. në kaptinën el-Bekare, 164, Allahu thotë: “Është fakt se në krijimin e qiejve e të tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, të anijes që lundron në det që u sjell dobi njerëzve, në atë shi që e lëshon All-llahu prej së larti e me të ngjall tokën pas vdekjes së saj dhe përhapë në te nga çdo lloj gjallese, në qarkullimin e erërave dhe reve të nënshtruara mes qiellit e tokës, (në të gjitha këto), për një popull që ka mend ka argumente.”
Jo vetëm kaq, Islami refuzon gjërat e paargumentuara, madje duke filluar nga vet baza –besimi në monoteizëm. Mu për këtë, kundërshtarët shpeshherë, siç është regjistruar në Kur’an, i ka sfiduar me këtë aspekt: “…Thuaju: “Sillni argumentin tuaj (çka thoni) po qe se jeni të drejtë”?” el-Bekare, 111.
· Liria e mendimit dhe shprehjes. Islami parimisht nuk është kundër lirisë së mendimit dhe shprehjes, vetëm se duke u nisur nga ajo se nuk ka njeri të përkryer dhe se çdokush mund të gabojë, lirinë e kushtëzon paraprakisht me maturi dhe kujdes. Jo çdo gjë thuhet. Ndryshe, Islami thënien e së vërtetës, pra shprehjen e mendimit, qoftë edhe nëse për të kosto është vet jeta, e ka konsideruar martirizim. Profeti Muhammed ka thënë: “Vërtetë, xhihadi më i madh është thënia e fjalës së drejtë tek sundimtari tiran!”[30]
Islami lirinë dhe përgjegjësinë si sheh si të mishëruara që njëra nuk ndahet dot nga tjetra. Mu për këtë, atij i tregohet e vërteta ndërsa barrën e veprimit e bartë ai. Në Kur’an, në kaptinën el-Insan, citati 3, qëndron: “Ne e udhëzuam atë në rrugë të drejtë, e ai do të jetë: mirënjohës ose përbuzës.”
Ko liri po kështu varet edhe nga liria e tjetrit. Ajo assesi nuk guxon te cenoje lirinë e tjetrit.
 
4. Mohimi i trashëgimisë – të kaluarës
Trashëgimi islame konsiderohet ajo çfarë mendjet e ndritura myslimane i kanë lënë këtij Ummeti (bashkësie fetare). Është ‘produkt mendor i muslimanit përgjatë shekujve’. Trashëgimia islame, prej A-Zh, nënkupton përpjekjet dhe mundin për të shërbyer Kur’anin dhe Sunnetin. E modernistët që jo vetëm mohojnë këtë të kaluar por edhe mendojnë se duhet bërë revolucion ndaj saj natyrisht se janë të refuzuar kur dihet se këto janë baza dhe referenca të padiskutuara të Islamit[31].
 
5. Njeriu ndërmjet modernistëve dhe Islamit
Modernistët tentojnë që disi njeriun ta shenjtërojnë – hyjnizojnë, që ai të jetë qendra e kësaj gjithësie, që çdo gjë të shikohet nëpërmjet mendjes dhe nevojave të tij. Kjo natyrisht se është gabim ngase me këtë njeriut vetëm sa do t’i shtohet dëshpërimi. Tretmani që Islami i bën njeriut është shumë më logjik dhe më i ndershëm. Njeriu ndonëse është qenia më e mirë, me gjithë këtë nuk është hyjnor. Allahu e nderoi atë duke e krijuar me duart e Tij[32] atij ia nënshtroi gjithësinë dhe tërë çka ka në të e melaiket – engjëjt i urdhëroi të bëjnë sexhde – përulje për të. E dalloi prej krijesave tjera me të menduar ndërsa për udhëzim për botën e padukshme i dërgoi profetë.
 
KAPITULLI IV: SFIDAT E ISLAMIT PËRBALLË MODERNIZMIT
 
1. Islami i sfiduar dhe sfidues
Në rrethanat dhe ambientin në të cilat u shpall Islami ishte e pamundur që të mos sfidohej. Sfidat ishin të çdo natyre e përmase; sfidohej konceptualisht, e edhe në forma tjera. Kur Profeti Muhammedi (a.s.) proklamoi monoteizmin (besimin vetëm në një Zot), ata menduan se ka bërë diç të paparë më herët, diç që “mendja” nuk mund ta kuptojë dot[33]. Kur’anin ua prezantonte si libër hyjnore ndërsa e akuzonin për përralla[34]. Refuzuan edhe me arsyetimin se donin të mbanin traditën e baballarëve[35].
 
Iu fliste për jetën e amshueshme ndërsa ata ia kthenin se nuk kemi jete tjetër veç kësaj në këtë botë[36].
 
Kur’ani natyrisht se demantoi këto qëndrime dhe atyre iu foli, madje në raste të caktuara, edhe me logjikë të thjeshte, por prapë nuk kuptuan. Çështjen e besimit në një Zot e pa domosdoshmëri, ndryshe: “Sikur të kishte në to (në qiej e në tokë) zota pos All-llahut, ato të dyja do të shkatërroheshin. Larg asaj që i përshkruajnë është All-llahu, Zoti i Arshit.”[37] Në Kur’an solli lajme e rrëfime nga e kaluara e largët për të cilat askush nga arabët, e rrjedhimisht as Profeti Muhammed (a.s.), nuk kishin dituri[38]. Për ringjalljen dhe jetën e amshueshme iu tha: “…Ata do të thonë: “Kush do të na rikthejë neve në jetë?” Thuaj: “Ai që ju krijoi për të parën herë!”…”[39]; “Thuaj: “I ngjall Ai që i krijoi për herë të parë, e Ai është shumë i dijshëm për çdo krijim.”[40]
 
Dhe jo vetëm kaq, Kur’ani sfidoi tërë njerëzimin, në çdo kohë dhe vend, që të sjellin diç të ngjashme me të, diç që do t’i bëjë ballë kohës kaq sa i bëri Islami. “Apo, pse ata thonë: “Ai (Muhammedi) e trilloi atë (Kur’anin)”. Thuaj: “Formuloni pra dhjetë kaptina si ai (Kur’ani) ashtu të trilluara (siç thoni ju) dhe thirrni, pos All-llahut, po qe se jeni të drejtë (çka thoni), kë të mundeni për ndihmë!””[41]; “E në qoftë se jeni në dyshim në atë që Ne ia shpallëm gradualisht robit tonë, atëherë silleni ju një kaptinë të ngjashme si ai (Kur’ani) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (zotërat) pos All-llahut, nëse jeni të sinqertë (në thëniet tuaja se Kur’ani nuk është prej Zotit).” Kur’ani, El-Bekare, 23.
 
2. Sfidat me te cilat ballafaqohet Islami
Dr Ahmed Umer Hashim[42] numëron disa ndër sfidat me të cilat është ballafaquar dhe vazhdon të ballafaqohet islami, e që duken siç vijon:
 
a. Sfida ne aspektin ushtarak
Bota islame është sfiduar ushtarakisht nga shtetet e zhvilluara dhe thuajse pjesa më e madhe e saj deri në shek. XX, ishte kolonizuar nga shtetet moderne. Kjo gjendje, edhe sot e kësaj dite vazhdon, direkt apo indirekt, siç është rasti me Palestinën, Irakun dhe Afganistanin.
 
b. Sfida në spektrin politik
Bota perëndimore për të vazhduar ndikimin e saj në vendet islame, respektivisht për të ndikuar në dobësimin e faktorit islam, ndihmuan në krijimin e lëvizjeve të ndryshme politike, të zhveshura tërësisht nga sfondi fetar. Partia nacionaliste el-Ba’th në Irak, si shembull, që për dekada udhëhoqi me ketë vend islam, është dëshmia më e mirë për këtë.
 
c. Sfida shoqërore
Janë bërë përpjekje të vazhdueshme për ndërrimin e sistemit familjar, për ndërrimin e mënyrës së sjelljes, veshjes, etj.
 
d. Sfida ekonomike
Sistemi ekonomik islam është zëvendësuar me gjëra që në fakt luftohen prej Islamit, siç është kamata dhe këtë duke e emërtuar me emra tjerë: kredi, etj. Në këtë aspekt, vendet islame janë sfiduar edhe me borxhe të papërballueshme nga vendet në zhvillim, ne mënyrë që të krijojnë një varësi prej vendeve në zhvillim (moderne).
 
e. Sfida në aspektin shëndetësor
Kjo është bërë nëpërmjet përhapjes së pijeve dhe lëndëve të ndaluara nga Islami, siç: alkooli, birrat, lëndët narkotike, etj.
 
f. Sfida kulturore
Kjo është bërë duke zhvilluar luftë psikike ndaj Islamit dhe sistemit e vlerave të tij. Madje janë themeluar edhe shkenca përkatëse, siç është shkenca e Orientalizmit, e cila në masë të madhe i shërben mbjelljes së dyshimeve në mesin e besimtarëve se Islami dhe ligjet e tij i përkasin të kaluarës, se Islami kinse ka nevoje për reformim (mu ashtu siç bëri Kisha në koncilin e saj 1962-1965), se aspekte të caktuara nga Islami duhet të zhduken, si xhihadi, etj.
KAPITULLI V: MËNYRAT E BALLAFAQIMIT ME MODERNIZMIN DHE SFIDAT E TIJ
 
1. Shfaqja e fundamentalizmit islam
Modernistët besojnë se çdo gjë është e ndryshueshme dhe nuk ka asgjë konstante, ndryshe nga Islami, që ka parime të besimit dhe moralit, të pandryshueshme, e për të cilat muslimanët anekënd botës janë pajtuar. Islami ka parime te qëndrueshme, te cilat koha asnjëherë nuk mund t’i zhvleftësoje. A nuk mjafton fakti që 1400 vite kane kaluar pa ndodhë as edhe ndërrimi më i vogël dhe se Islami sot gjithsesi se i prin listës se feve me ithtarë më të shumtë në botë.
Kjo po kështu nënkupton se muslimanët duhet të vërtetojnë edhe praktikisht se burimet dhe referencat e tyre, Kur’ani dhe Sunneti vlejnë edhe për kohën moderne.
 
b. Shfaqja e aspekteve pozitive të Islamit
Muslimanët, krahas asaj që duhet të shfaqin aspektet pozitive të Islamit, ata duhet të dëshmojnë në praktike se Islami nuk është vetëm sistem vlerash, vetëm teori, siç thotë Mahadir Muhammed, por se duhet jetësuar parimet e tij edhe në shkence, avancim teknologjik, në zhvillim të përgjithshëm. Ne, pranuam apo jo, sot kemi nevojë për të arriturat dhe zhvillimin e modernistëve[43].
 
3. Sqarimi i aspekteve ku Islami mund të atakohet
Kjo, nënkupton që duhet vetëdijesuar muslimanët karshi lëvizjeve politike dhe ideore që sot mbretërojnë në botë, e që në një apo mënyrë tjetër paraqesin rrezik për Islamin. Mu për këtë është vlerësuar se muslimanët duhet të formojnë këshilla dijetarësh që të merren me këto problematika[44].
 
Përfundim
 
Në përfundim të këtij punimi, do të doja që krahas rezultateve të përmend edhe disa rekomandime. Sa iu përket rezultateve, ndër më të rëndësishmet do të veçoja:
 
· Islami mohon modernizmin që përjashton fenë si faktor në shoqëri, dhe nga këtu qëndrimet e tradicionalistëve muslimanë janë më të arsyeshmet.
· Islami nuk mohon të drejtat dhe liritë e njeriut për meditim, shprehje dhe jetë, vetëm se i fut ato në kuadër të normave, logjikisht të pranuara.
· Islami, në kuptim të çrrënjosjes së të keqes, konsiderohet revolucion i revolucioneve, ngase shkatërroi idhujtarinë dhe besëtytnitë.
· Islami dallon nga fete tjera dhe qëndrimi ndaj tij sikur ndaj feve tjera është padrejtësi
Ndërsa sa iu përket rekomandimeve, do t’i bashkëngjitesha mendimit të Prof. Dr. Abdu’l Vehhab el-Mesiri, mendojnë se modernizmi me këtë sfond që ka, nuk i përgjigjet botës mbarë, e aq më pak asaj islame, andaj në kontekst me Islamin, do të duhej të ketë një modernizëm të ri[45], jo vetëm që nuk mohon fenë por edhe i shërben asaj me të arriturat dhe teknologjinë e tij. Sikur që do të ftoja një rishikim të qëndrimeve karshi Islamit ngase koha ka dëshmuar se alternativat e tij mbase janë të vetmet që garantojnë shpëtimin njerëzor.
 
Bibliografia
 
Kur’ani Fisnik
1. Demir, Zekije, (2006) Feminizmi modern dhe postmodern. Shkup: Logos –A.
2. Pajazaiti, Ali, (2009) Fjalor i Sociologjisë. Shkup: Logos –A.
3. El-Karni, Ived Ibn Muhammed, El-Hadathetu fi mizani’l Islam, http://saaid.net.
4. El Mevsuatu’l mujesseretu fi’l edjan, ve’l medhahib ve’l ahzab el muasareh, http://saaid.net/feraq/mthahb/104.htm
5. Murtezai, Ekrem, (2007) Fjalor i terminologjisë fetare. Prishtinë: Dituria Islame.
6. Davutogllu, Ahmet, (2005) Transformimi qyteterimor dhe bota muslimane, (perkthzen: Redi Shehu & Olsi Jazexhi). Shkup: Logos –A.
7. Ibrahimi, Nexhat, (2006) Islami si provokim global. Shkup: Logos –A.
8. Esh-Sherif, Mustafa, el-Islam ve’l hadathetu – hel jekunu gade alemin arabijj,
9. Grup autorësh, (1998) El hadathetu ve ma ba’de-l hadatheh. Kajro: Xhemijjetu’d Da’veti’l Islamijjeti’l Alemijjeh.
10. Esh-Sherif, Muhammed Shakir, El-Ilmanijjeh ve thimaruha el-habitheh, http://saaid.net/book/open.php?cat=89&book=49.
11. Hofmann, Murad, (2007) Islami ne mijevjecarin e trete – Lulëzimi i religjionit: rrezik apo shpëtim, (përktheu: Behxhet Jashari). Shkup: Furkan -ISM.
12. Ulvan, Taha Xhabir, (1997) Kriza e mendimit bashkëkohor, (përktheu: Muhammed Mustafa). Shkup: Logos –A.
13. El-Attas, Sejjid Muhammed Nakib, (2006) Islami dhe shekullarizmi (përktheu: Elma Berkolli). Shkup: Logos -A.
14. Hashim, Ahmed Umer, (2001) Et-Tedamun fi muvaxheheti’t tehaddijjat. Kajro: Daru’sh shuruk.
15. Efajeh, Muhammed Nuruddin, (1998) El-hadathetu ve’t tevasul fi’l felsefeti’n nakdijjehti’l musareti, nemudhexh Habermas. Bejrut: Efrikija-sh-Sherk.
16. Abdu’l Vasi, Abdu’l Vehhab, (1991) Et-Tehaddijjat el-leti tuvaxhihu el-alem el-islamijj. Kajro: Daru’sh Sha’b.
17. El-Benna, Xhemal, (…) El Islamu ve tehaddijjat el-asr, (…).
18. Grup autorësh, (2000) eth-Thekafetu’l Islamijjetu – Thekafetu’l muslimi ve tehaddijjatu’l asr. Jordan: Daru’l menahixh.
19. Esh-Sherefi, Abdu’l Mexhid, (1991) El Islamu ve’l hadatheh. Tunis: Dar et-Tunisijjeh.
20. El-Gadh-dhami, Abdullah Muhammed, (2005) Hikajetu’l hadatheti fi’l Memleketi’l arabijjeti’s Suudijjeh. Bejrut: Merkez eth-thekafijj el-arabijj.
21. El-Kabanxhi, Sejjid Sadruddin, (2010) El-Islamu ve ishkalijjat el-hadatheti. Universiteti Nexhef el-Eshref.
22. Mohammad, Mahathir, (2006) Sfida, përktheu: Brikena Qafa – Osmani). Shkup: Logos -A.
 
——————————————
[1] Demir, Zekije, Feminizmi modern dhe postmodern, f. 24.
[2] Efajeh, Muhammed Nuruddin, El-hadathetu ve’t tevasul fi’l felsefeti’n nakdijjehti’l musareti, nemudhexh Habermas, f. 107.
[3] El-Gadh-dhami, Abdullah Muhammed, Hikajetu’l hadatheti fi’l Memleketi’l arabijjeti’s Suudijjeh, f.33-38.
[4] Pajazaiti, Ali, Fjalor i Sociologjisë, f. 422.
[5] El-Karni, Ived Ibn Muhammed, El-Hadathetu fi mizani’l Islam, f.7.
[6] El Mevsuatu’l mujesseretu fi’l edjan, ve’l medhahib ve’l ahzab el muasareh, shih: http://saaid.net/feraq/mthahb/104.htm
[7] http://www.alukah.net
[8] Murtezai, Ekrem, Fjalor i terminologjisë fetare, f.330.
[9] Revista Etika, nr.7, f. 29, 46.
[10] Murtezai, Ekrem, Fjalor i terminologjisë fetare, f.330.
[11] Shih: http://www.islamselect.com/mat/85520; http://saaid.net/mktarat/almani/70.htm;
http://www.saaid.net/feraq/mthahb/90.htm
[12] Davutogllu, Ahmet, Transformimi qyteterimor dhe bota muslimane, f. 79.
[13] http://saaid.net/book/open.php?cat=83&book=541
[14] http://saaid.net/book/open.php?cat=89&book=26
[15] http://www.saaid.net/mktarat/almani/h.htm
[16] Kete mund ta hasim edhe tek ne. P.sh. Alma Lama, ne një shkrim shume kontrovers per shamine, nënvizon kete aspekt, pra heqjen disi te paarsyeshme te shamise -vetem qe femra te duket e bukur. http://www.telegrafi.com/?id=26&a=2634&komentet=1
[17] Ibrahimi, Nexhat, Islami si provokim global, f.297.
[18] El-Gadh-dhami, Abdullah Muhammed, Hikajetu’l hadatheti fi’l Memleketi’l arabijjeti’s Suudijjeh, f.33-38.
[19] Esh-Sherif, Mustafa, el-Islam ve’l hadathetu – hel jekunu gade alemin arabijj, f.10.
[20] Ibid, f.9.
[21] Ibid, f.13.
[22] El hadathetu ve ma ba’de-l hadatheh, f.12.
[23] Revista Etika, nr.7, f. 30.
[24] Murtezai, Ekrem, Fjalor i terminologjisë fetare, f.331.
[25] Davutogllu, Ahmet, Transformimi qyteterimor dhe bota muslimane, f. 81.
[26] Esh-Sherif, Muhammed Shakir, El-Ilmanijjeh ve thimaruha el-habitheh, http://saaid.net/book/open.php?cat=89&book=49.
[27] Hofmann, Murad, Islami ne mijevjecarin e trete – Lulezimi i religjionit: rrezik apo shpetim, f. 11.
[28] Ulvan, Taha Xhabir, Kriza e mendimit bashkëkohor, f. 34.
[29] El-Attas, Sejjid Muhammed Nakib, Islami dhe shekullarizmi, f. 166.
[30] Albani në Es-Silsiletu’s sahihah, 1/806, e ka klasifikuar si thënie autentike.
[31] Shih: http://saaid.net/mktarat/almani/70-3.htm
[32] Shih: Kur’ani, el-Infitar, 6-8.
[33] Kur’ani, Sad, 6.
[34] Kur’ani, el-En’ame, 25.
[35] Kur’ani, el-Bekare, 170.
[36] Kur’ani, el-Xhathije, 24.; el-Mu’minune, 82.; Kaf, 3.
[37] Kur’ani, el-Enbija, 22.
[38] Kur’ani, Hud, 49.
[39] Kur’ani, el-Isra, 51.
[40] Kur’ani, Jasin, 79.
[41] Kur’ani, Hud, 13.
[42] Hashim, Ahmed Umer, Et-Tedamun fi muvaxheheti’t tehaddijjat, f. 115-116.
[43] Mohammad, Mahathir, Sfida, f. 202.
[44] Per em shume shih: http://saaid.net/mktarat/almani/70-10.htm
[45] El hadathetu ve ma ba’de-l hadatheh, f.12.


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013