Radikalizmi i shprehur në trajtimin e fesë dhe rolit të saj në shoqëri është shqetësues. Në kohën kur shoqëria vuan më së paku prej saj, ekstremistët laikë dhe sekularë, vazhdojnë me avazin e vjetër që fenë ta mbajnë si problem që nuk duhet hequr kurrë nga rendi i ditës. Nuk janë shqetësuese qëndrimet e atyre injorantëve që armiqësinë dhe intolerancën ndaj fesë e kanë ose për shkak të përpjekjeve të fundit për të shpëtuar nga fundosja dhe dështimi në politikë, ose për shkak se janë shndërruar në vegla në duart e politikës, por nga ata që këtë e bëjnë në emër të ideologjisë. Nga ekstremistët e vërtetë. Ata që nuk njohin dialogun dhe tolerancën. Këta janë “ushtri” në rritje, të cilët kanë hyrë edhe në garë për të treguar se kush është më ekstremist e kush më fashist.
Siç duket, pjesë e garës, është edhe Baton Haxhiu, i cili, jo vetëm në rolin e një bashkëbiseduesi, por edhe të një “zëdhënësi”, merr penën dhe shkruan “Një përgjigje[1]”për një mik të tij, një shqiptar që jeton në Zvicër, për një hall të rëndë që kanë kosovarët. Sigurisht, nuk është varfëria, nuk është as ikja e shqiptarëve nga Kosova, por është feja. Është hapësira mediale që po iu jepet disa personaliteteve fetare ajo që është bosht i letrës së shkëmbyer dhe rrjedhimisht ajo që paraqet shqetësimin më të madh. Është një gjë që duhet penguar. Është thirrje, apel, dhe Batoni vendosi t’i del në ndihmë kësaj thirrje apo kërkesë, e cila, në fakt, do të duhej shpërfillë dhe dënuar si një kërkesë, e cila fton për shkelje të së drejtës dhe lirisë së të shprehurit.
Batoni, nuk është i pavëmendshëm për këtë gjë, e ka parasysh, por, sikur gjithë të tjerët si ai, ‘tjetri’ që nuk mendon sikur ata, duhet eliminuar. Atij nuk duhet t’i njihet e drejta. Dhe, me këtë botëkuptim për të drejtën, ai na jep shembullin e një ‘demokracie të keqe’, e cila duhet shkulur me rrënjë. Këto bindje, ndonëse ka parasysh “kërcënimet”, Batonit i japin guximin që të del me klasifikime tepër fyese dhe me ide edhe më të çoroditura (kjo është gara) se ato të Xhemalit se “islamistëve të rinj”, “neoislamistëve”, “xhihadistëve” duhet t’iu ç’maskohet propaganda dhe duhet rezistuar Islamin e tyre fashizoid. Ai bën thirrje për ndihmë?!!!
Është ky problemi i vetëm –sipas tij- që e ka Kosova. Paramendoni, në këtë kohë Ramazani, kur niveli shpirtëror i besimtarëve për dashuri, respekt dhe solidaritet të ndërsjellë rritet në maksimum, në këtë kohë kur vendi po ecë të ujëra të turbullta, ende askush nuk po e di se kjo marrëveshja famëkeqe ku do t’ia vë gurin politik dhe administrativ shtetit, në këtë kohë kur vendin, me gjithë rreziqet e mëdha po e braktisin me mijëra, kryesisht të rinj, pikërisht në këtë kohë, Batoni i bie ndërmend ta shkruaj këtë artikull. Njerëzit vuajnë për bukë, ndërsa ai dhe disa të tjerë që qajnë me të me lot krokodili, dertin e kanë për vlerat evropiane.
Artikulli, ndonëse flet për “fashizmin islam”, për të cilin do të doja t’ia kujtoj Batonit dhe të tjerëve se është pjellë e epokës millosheviqiane që ka mbaruar, megjithatë, sa më shumë që e shoshitë, aq më shumë zbulon për të. Nëse ke parasysh mënyrën se si është përmbyllur artikulli, atëherë lehtë e ke ta kuptosh se fjalia e fundit, ndonëse është thënë e fundit, synohet e para. Ajo është qëllimi dhe mesazhi i artikullit. Fashist nuk është vetëm Dr. Krasniqi. Fashistë, me mjekra e pa to, me shamia e pa to, janë dhe të gjithë ata që Islamin e duan edhe jashtë shtëpisë. Në radhë të parë, është ai “dështaku” që nuk ka arritur ta ruaj këtë Islam “shtëpiak.” Fjala është për Myftiun, Naim Tërnava. Dhe kjo është kampanja. Kërkohet një Myfti që Islamin do ta heq nga mediat, nga televizionet, nga rrugët, nga shkollat, do tua heq vajzave shamitë dhe përfundimisht do ta vë atë nën arrest shtëpiak. Një gjë që kurrë nuk do të realizohet.
Ky është rrëfimi për kampanjën e nismës së dështuar që në fillim.
[1] Shih: Gazeta Tribuna, 16.07.2013.