Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
SEVDE BINT ZEM’AH

Sedat ISLAMI
 
Në ligjëratat e kaluara kemi folur për dy nga gratë e Pejgamberit [alejhis salatu ves selam]. Kemi folur për Aishen dhe Hatixhen [Allahu qoftë i kënaqur me to!] Për Aishen kemi folur me shkas. Disa shiitë të marrë vazhdojnë edhe sot e kësaj dite ta akuzojnë atë për gjëra të paqena, kështu që, rrethanat diktuan nevojën të flasim për të qysh në takimin tonë të parë. Pastaj folëm për Hatixhen, për shkak të pozitës së saj. Ka qenë gruaja e parë e Muhammedit [alejhis salatu ves selam]. Në fakt, ne kemi mbajtur edhe një ligjëratë ku kemi folur përgjithësisht për gratë e Muhammedit [alejhis salatu ves selam] ku jemi ndalë tek koncepti ‘nëna të besimtarëve’ dhe shpjegimet fetare përkatëse.
Sot, do të flasim për një grua tjetër të Muhammedit [alejhis salatu ves selam]. Fjala është për Sevden,.vajzën e Zem’ah-s. Por, para se të fillojmë do të doja tua përkujtoj kalimthi edhe një herë radhitjen e grave të Muhammedit [alejhis salatu ves selam] në lidhjen e kurorës me të, pasi që këtë radhitje do ta respektojmë në ligjëratat tona në vijim.
1. Hatixheja, e bija e Huvejlidit
2. Sevdeja, e bija e Zem’ah-s
3. Aisheja, vajza e Ebu Bekrit
4. Hafsa, vajza e Omerit
5. Zejnebja, vajza e Huzejmes
6. Ummu Seleme (Hindi, vajza e Ebu Umejjes)
7. Zejnebja, vajza e Xhahshit
8. Xhevjrijja, vajza e Harithit
9. Safijja, vajza e Hujej ibn Ahtabit
10. Remleja, vajza e Ebu Sufjanit
11. Marija, vajza e Shem’unit. Ishte nga Egjipti. Ka diskutime nëse kjo bën pjesë në nënat e besimtarëve apo jo.
12. Mejmuneja, vajza e Harithit
 
Emri
Quhet Sevde bint Zem’ah.
Kur e pranoi Islamin
Sevdaja njihej si grua e ndershme dhe e dalluar ndër gratë e kohës së saj. Para se të martohej me Muhammedin [alejhis salatu ves selam] ishte e martuar për Sekran in Amrin, me të cilin kishte gjashtë djem. Kishin pranuar Islamin së bashku ndërsa migruan në Etiopi në migrimin e dytë. Duke qenë se ishte përhapur lajmi se Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka fituar, ka ngadhënjyer dhe fenë mund ta praktikojnë lirshëm, ata vendosën të kthehen. Rrugës ose pak pas kthimit në Mekke kishte vdekur Sekrani, për ta lënë atë të ve me gjashtë fëmijë.
Martesa me Muhammedin [alejhis salatu ves selam]
Rrëfimi për Sevden fillon atje ku mbaron rrëfimi i Hatixhes [Allahu qoftë i kënaqur me të!]. Vdekja e Hatixhes nuk ishte vdekje e një gruaje të rëndomtë. Ajo ishte besimtarja e parë dhe përkrahja më e madhe e Muhammedit [alejhis salatu ves selam] në misionin e tij. Kësisoj, vdekja e saj do të linte një boshllëk të madh në jetën e burrit të saj. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] e kishte humbur atë që e përkrahte shpirtërisht dhe materialisht. E kishte humbur edhe nënën e fëmijëve të tij. Vajzat e tij ishin ende shumë të reja, madje Fatimja, që ishte më e vogla, nuk ishte hiç më shumë se tetë ose nënte vjeçe. Kësisoj, nevoja për një zonjë shtëpie ishte shumë e madhe. Sahabet [Allahu qoftë i kënaqur me ta!] e përjetonin rëndë fatin e Muhammedit [alejhis salatu ves selam] andaj i thanë Havles, vajzës së Hakimit, që ishte gruaja e Uthman Ibn Medh’unit, që t’i fliste për këtë çështje. Ajo shkoi dhe ia përmendi këtë çështje Muhammedit [alejhis salatu ves selam]. Ia përmendi Aishen dhe Sevden. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] i tha të shkonte tek Sevdeja, e cila pranoi por i tha ta pyeste edhe babanë e saj, i cili atëbotë ishte idhujtar. Ia përmendi Muhammedin [alejhis salatu ves selam] por jo si Pejgamber. I tha po e kërkon dorën e vajzës tënde Muhammedi, i biri i Abdullahut. Babai i saj tha se ai është njeri i përshtatshëm, fisnik dhe se i tilli nuk refuzohet. Kështu ajo u fejua me Muhammedin [alejhis salatu ves selam] ndërsa u martuan në vitin e dhjetë të dërgimit, në muajin Ramazan ose Shevval.
Në fakt, për martesën e saj me Muhammedin [alejhis salatu ves selam] lidhen edhe disa tregime. Thuhet se ajo derisa ishte në Etiopi kishte parë ëndërr se si hëna i ishte hedhur sipër. Ia kishte treguar burrit të saj këtë ëndërr ndërsa ai e kishte shpjeguar si vdekje t tij dhe martesë të saj me dikë tjetër. Kështu edhe ndodhi. Nuk shkoi gjatë e ai vdiq ndërsa Sevdeja u martua për Pejgamberin [alejhis salatu ves selam].
Sevdeja atëbotë ishte 55 vjeçare, ose edhe më shumë, madje disa japin disa shifra, që duken paksa të pranueshme. Kanë përmendur moshën 70-80 vjeçare, por kjo është paksa e ekzagjeruar. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ishte 50 vjeçar. Pra ajo ishte më e moshuar, dhe siç duket, për shkak të moshës, Sevdeja nuk ishte e interesuar në dëfrimin bashkëshortor sa ishte e interesuar në arritjen e kënaqësisë së Allahut të Madhëruar nëpërmjet shërbimit dhe dashurisë për të Dërguarin e Tij, madje, tekstualisht, shprehej se donte të ishte gruaja e Muhammedit [alejhis salatu ves selam] në Xhennet. Për këtë shkak, ditën e caktuar të saj, që Muhammedi, alejhi’s selam [alejhis salatu ves selam] ta kalonte me të, ia kishte dhënë Aishes [Allahu qoftë i kënaqur me të].
Portretizim i një personaliteti madhështor të gruas së hershme myslimane
Sevdeja prezanton para gruas myslimane bashkëkohore portretin e një besimtareje të formuar dhe të gatshme që për ta arritur kënaqësinë e Zotit, në radhë të parë, e pastaj edhe të bashkëshortit të saj, ishte në gjendje të sakrifikonte çdo gjë.
Për ta ruajtur fenë e saj, ajo migroi dy herë. Migroi në Etiopi dhe në Medinë. Paramendoni se në çfarë kushtesh ka migruar. Ka patur gjashtë fëmijë. Çfarë mundi është dashur të kujdeset vetëm për ta e lëre më frikën nga kurejshët, të cilët edhe atje kishin shkuar për të gjetur një mënyrë të persekutimit të tyre.
Por, nuk është kjo e tëra. Do të doja të ndalemi pak dhe në një çështje tjetër. Gjatë ose pak pas kthimit në Mekke, si shkak i një dezinformate, asaj i vdes burri. E ve me gjashtë fëmijë në mesin e idhujtarëve. Paramendoni çfarë presioni. Babai i saj, tek i cili qëndronte, ishte idhujtar ndërsa vëllai i saj ishte edhe armik i Islamit. Më vonë ky e pranon Islamin por thuhet se kur kishte marrë lajmin se e motra i është fejuar për Muhammedin [alejhis salatu ves selam] si shenjë e një pakënaqësie të madhe vetes i hidhte dhe në fytyrë. Ky ambient, ndonëse shumë i rëndë, nuk arriti t’ia impononte kurrë largimin prej Islamit. Përkundrazi, ajo duroi dhe durimi i saj u shpërblye.
Sevdeja falte namaz. Ibni Sa’di përmend në Et-tabekat se një atë ishte falur pas Muhammedit [alejhis salatu ves selam], pra ishte namaz nate, dhe duke qenë se ai e zgjaste, madje ka dijetarë që kanë thënë se e kishte farz namazin e natës, ajo ishte lodhur paksa. Në mëngjes i kishte thënë se po të mos i mbaja hundët, do të më rridhnin gjak, gjë që e kishte bërë Muhammedin [alejhis salatu ves selam] të qeshte.
Sevdeja ishte shumë dorëdhënëse. Jepte për Allahun e Madhëruar shumë. Një herë, Pejgamberin [alejhis salatu ves selam] e pyetën gratë se cila prej grave të tij do ta pasonte e para pas vdekjes. Ai tha: Ajo që ka dorën më të gjatë. Menduan se kishte për qëllim madhësinë fizike të dorës, andaj i matën duart, por, kur vdiq Sevdeja, kuptuan se me thënien “gruaja që ka dorën më të gjatë” bëhej fjalë për dhënien e sadakasë. Omeri [Allahu qoftë i kënaqur me të] i kishte dërguar një girareh – enë që përdorej për vënien e hurmave për ti shërbyer mysafirët, ia kishte dërguar përplot me dërhemë. Ajo nuk e kishte ndalë për vete asnjë. I kishte shpërndarë që të gjithë.
Sevdeja, ndonëse jo shumë e dalluar në dije, megjithëkëtë ka një kontribut të vyer. Ka transmetuar pesë hadithi, por, dija nuk është në transmetimin e shumtë. Ajo është, siç ka thënë Imam Shafiu, është në dobinë e saj. Kësisoj, Sevdeja, para nesh, ndonëse me këtë shifër simbolike të haditheve, vjen me tri gjëra shumë të rëndësishme, e para, që paraqet karakterin e saj, e dyta me një vendim, për të cilin, pas Allahut të Madhëruar, i detyrohemi asaj deri në Kiamet dhe e treta që ka të bëjë me të drejtat e grave. Hadithi i parë flet për ndodhinë e ringjalljes, ku njerëzit ringjallen të zhveshur dhe të zbathur. Sevdaja, si grua e ndershme që ishte, ka një preokupim. Si do të jetë puna e meshkujve dhe e fermave, a do ta shikojnë njëri tjetrin, siç do të ndodhte në këtë botë nëse dalin të zhveshur. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] i përgjigjet se çështja është shumë më e madhe se kjo. Në fakt, ia lexon dhe ajetin 37 nga kaptina Abese:
      
Atë ditë secilit njeri i mjafton çështja e vet.”
Këtë hadithi e transmeton Mundhiri në Et-tergiv ve-t-terhib ndërsa Albani thotë se është hasen li gajrihi. Me këtë domethënie, madje autentik, hadithi na vjen edhe në koleksionin e Buhariut, por nga Aisheja.
Hadithi i dytë para nesh sjell moton islame: lehtësimin. Derisa ishte në Haxh, respektivisht në Arafat dhe Muzdelife, ku për shkak të turmës së madhe të njerëzve, ngase ishte haxhi lamtumirës, ajo gjeti vështirësi në qëndrim deri në agim, andaj i kërkoj leje Pejgamberit [alejhis salatu ves selam] të nisej më herët, për çka mori aprovimin prej tij. Pra, kësisoj, ajo do të bëhet një pioniere e lehtësimit në Islam. Do të demonstrojë këtë element të rëndësishëm të Islamit, me të cilin vazhdojmë të jemi krenar dhe do të jemi deri në Kiamet.
Hadithi ose rasti i tretë ka të bëjë me të drejtat e grave. Një ditë, Omeri [Allahu qoftë i kënaqur me të!] e kishte parë vetëm në rrugë, dhe duke qenë se ishte e mbuluar por dallohej për nga trupi, ngase Sevdeja ishte grua e madhe dhe e shëndoshë, i kishte thënë të mos dilte. Ajo kishte shkuar tek Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] i cili i kishte thënë:
“إنه قد أذن لكن أن تخرجن لحاجتكن
Vërtetë, juve iu është lejuar të dilni për nevojat tuaja!” (Albani në Es-sahihah, 8/15)
Sevdeja ishte një tip gruaje që kishte një dozë humori. Ishte e dashur dhe e nderuar. Edhe gratë tjera e donin shumë, madje Aisheja, për shkak të moshës, e respektonte sikur nënë. Një rast, Aisheja bahskëme Hafsanë, emdnuan të bënin një shaka me të. I thanë se kishte dalë Dexh-xhalli. Ajo u frikësua shumë dhe shkoi e u mbyll në një dhomë. Kur erdhi Muhammedi, [alejhis salatu ves selam] i gjeti ato duke qeshur. Çfarë keni? I treguan për Sevden dhe shakanë e tyre. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] shkoi dhe e qetësoi atë.
Vdekja
Sevdeja vdes në fund të sundimit të Omerit [Allahu qoftë i kënaqur me të!] Vdekjen e saj e kishin përjetuar rëndë sahabet. Kjo ngase ishte gruaja e parë që vdiq pas Pejgamberit [alejhis salatu ves selam], madje Ibni Ababsi [Allahu qoftë i kënaqur me të dy!] kishte rënë në sexhde kur e kishte marrë lajmin e vdekjes së saj. E kishin pyetur pse e bëre sexhden. Tha: Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
إذا رأيتم آية فاسجدوا
Kur ta shihni ndonjë shenjë (ar. ajet), bini në sexhde.”
E pastaj shton Ibni Ababsi:
وأي آية أعظم من ذهاب أزواج النبي صلى الله عليه وسلم ؟
E ku ka shenjë më të madhe se vdekja e grave të Muhammedit [alejhis salatu ves selam]. (Hadithin e transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu ndërsa Albani thotë se është hasen.)
Sevdeja si model
Përmbylljen e kësaj ligjërate për Sevden, nënën e besimtarëve, dua ta përmbyll me disa mësime shumë të rëndësishme që përfitohen nga jeta e saj.
Sekreti i martesave të Muhammedit [alejhis salatu ves selam]
U martua me Sevden ndërsa ishte grua më e moshuar se ai. Madje,e dhe në rastin e parë, në martesën me Hatixhen [Allahuu qoftë i kënaqur me të], gruaja ishte më e moshuar se ai. Pra, nuk ka qenë çështje epshi por çështje solidarizimi. Sevdeja kishte humbur burrin ndërsa si e ve kishte pa mbështetje financiare të askujt gjashtë jetim. Jetonte si myslimane në mesin e idhujtarëve në kohën kur tërbimet e tyre ndaj myslimanëve ishin më të mëdha se kurrë më parë. Kësisoj, martesa me Muhammedin [alejhis salatu ves selam] do të ishte jo vetëm ngushëllim, por edhe ruajtje e besimit të saj.
Dua ta trajtoj martesën e tij me Sevden në dritën e një hadithi. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“تُنْكَحُ الْمَرْأَةُ لِأَرْبَعٍ لِمَالِهَا وَلِحَسَبِهَا وَجَمَالِهَا وَلِدِينِهَا فَاظْفَرْ بِذَاتِ الدِّينِ تَرِبَتْ يَدَاكَ
Gruaja martohet për katër gjëra: për pasurinë e saj, familjen e saj, bukurinë e saj dhe fenë e saj. Martohu me atë që ka fe të lumshin duart!”
Sevdeja nuk kishte pasuri, ishte e ve; familja e saj ishin idhujtarë; ajo ishte e vjetër dhe nuk kishte bukuri. Andaj, motivi për martesë me të ka qenë vetëm feja.
Për Muhammedin [alejhis salatu ves selam] dëshmojnë dhe jomyslimanët
Kur Havleja e kërkoi dorën e Sevdes nga babai i saj, siç pamë, ai tha se Muhammedi, alejhi’s selam është i përshtatshëm, është fisnik dhe se i tilli nuk refuzohet. Pra, se ka qenë i ndershëm, besnik, bujar, e kanë pranuar edhe të tjerët.
Përpjekjet e femrës për ruajtjen e fesë dhe formimin e personaliteti fetar
Sevdeja mbetet një hero për femrën myslimane.
Ajo migroi dy herë, një herë në Etiopi ndërsa herën tjetër në Medinë. Ajo pranoi të martohej për Muhammedin [alejhis salatu ves selam] ndërsa ishte në Mekkë në mesin e idhujtarëve. Ajo, jo vetëm që kishte migruar, d.t.th., kishte provokuar idhujtarët, por edhe ishte martuar për njeriun që ata e urrenin më së shumti.
Ka dhënë sadaka. Gruaja myslimane e sotme nuk duhet ta neglizhon këtë tipar ngase është shumë i rëndësishëm, qoftë edhe me ato gjëra që asaj nuk i duken të rëndësishme por që janë. Sipas një studimi, gratë kanë deri në 11 rroba dhe palë këpucë që nuk i përdorin fare. Pra, vetëm me dhënien e atyre gjërave që nuk i përdorin, do të bënin shumë. Sevdeja na ka mësuar për moralin e dhënies përparësi të tjerëve – el-ithar. Ajo i dha përparësi Aishes ndaj vetes së saj.
Ajo dha kontribut në përhapjen e dijes fetare. Sot, gruaja myslimane nuk mund të ankohet ngase ka mundësi që edhe nga brendësia e dhomës së saj ta përhapë fenë. Interneti dhe shfrytëzimi racional i tij mund të jenë mjet i mirë në këtë drejtim.
Dashuria për bashkëshortin. Ia dha ditën e saj Aishes, një gruaje të cilën e donte Muhammedi, [alejhis salatu ve selam] ndërsa dinte jo rrallë ta bënte atë edhe të qeshë. Prej dashurisë bashkëshortore ishte edhe ruajtja e nderit të burrit edhe pas vdekjes. Gratë tjera të Muhammedit [alejhis salatu ves selam] shkuan në Haxh, në kohën e Omerit, ndërsa ajo tha jo ngase haxhin e kishte kryer me Muhammedin [alejhis salatu ves selam] dhe se respektonte urdhrin e Allahut të Madhëruar për të qëndruar në shtëpi. Ishte e vjetër kur tha këto fjalë por moshën e shtyrë nuk e shihte si arsyetim për të dalë jashtë shtëpisë për gjëra jo të domosdoshme. Haxhi ishte nafilet andaj edhe nuk shkoi. Po kështu, kur iu dha mundësia që të zgjidhnin, të vazhdonin me Muhammedin [alejhis salatu ves selam], ajo pranoi me çdo kusht vetëm të ishte me të.
Nuk mashtrohej me veprat e bëra. Ndonëse ishte grua e Muhammedit [alejhis salatu ves selam], ajo falte namaz nate, jepte lëmoshë dhe përpiqej shumë.
Pas vështirësisë, vjen lehtësimi
Porosia për durim nuk është e kotë. Ajo vjen me mirësitë në momentet më të vështira. Sevdeja hoqi të zitë e ullirit por në fund u shpërblye.


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013