Se përse perëndimorët vazhdojnë të mbajnë qëndrime negative ndaj Islamit dhe muslimanëve janë dhënë teori dhe shpjegime të shumta e të ndryshme, të cilat, në raste të caktuara, nuk përkojnë fare me të vërtetat islame. Konsideroj se defekti qëndron në perceptimet e gabuara të problemit por edhe të ofrimit të zgjidhjes së duhur. Ikja nga vija e drejtë fetare me pretekste të ndryshme ka bërë që në horizont ende të mos shihen rezultate të duhura. Për mendimin tim, metodologjia e duhur do të ishte dialogu ynë i drejtpërdrejtë me ta. Ata duhet ta dëgjojnë Islamin prej nesh, ashtu siç është në të vërtetë, e jo ashtu siç iu është prezantuar i shtrembër. E kam thënë edhe më parë dhe po e përsëris prapë se në perëndim Islami është përshkruar si një njeri që ka thikën dhe gërshërët në duar por kurrë nuk iu është thënë se ky njeri është mjek e jo kriminel. Askujt që ia sheh mjekut në duar këto gjëra nuk i shkon ndërmend se ai është kriminel. Përkundrazi, e respektojnë dhe çmojnë për shkak të punës që bën.
Metodologjia e prezantimit të Islamit para të huajve nga muslimanët është treguar e suksesshme që në vitet e para të Islamit. Do të doja t’iu rikujtoj se qysh atëherë janë regjistruar përpjekje për të ndalë përhapjen e Islamit pikërisht nëpërmjet shtrembërimit të figurës së tij. Imam Ahmedi [Allahu e mëshiroftë!] në Musnedin e tij (3/180[1]) transmeton nga Ummu Selemes [Allahu qoftë i kënaqur me të!] hadithin e migrimit në Etiopi, në të cilin tentativat e shtrembërimit të Islamit përballë prezantimit të drejtë të tij nëpërmjet vet muslimanëve, dështojnë. Ja si na përshkruhet gjendja. Kurejshët kishin dërguar Abdullah ibn Rebiah ibn Mugire el-Mahzumijjin dhe Amr ibn el-Asin në Etiopi për ta bindur mbretin Nagusin (ar. Nexhashiun) për kinse arrogancën, vandalizmin, padëgjueshmërinë dhe problemet e shkaktuara nga bijtë dhe bijat e tyre, të cilët ishin strehuar në vendin e tij. Pra, tentuar që t’i paraqisnin të vrazhdë, problematikë, shkatarraqë, gjë që ndikoi paksa tek mbreti. Askush nuk dëshiron probleme, sidomos me të huajt, të cilëve iu kanë ofruar strehim. Por, mbreti ishte më i mençur se të vepronte vetëm sipas fjalëve të këtyre emisarëve kurejshit. Ai parapëlqeu që të dëgjonte edhe muslimanët, për të marrë më pas vendimin për ekstradim të tyre ose vazhdim të lejeqëndrimit në shtetin e tij. Erdhi Xhafer ibn Abdul Muttalibi, kushëriri i Muhammedit [alejhis salatu ves selam!] dhe foli:
“Shkëlqesia juaj!
Kemi qenë popull injorant (të pafe); adhuronim idhujt, hanim ngordhësirën, bënim amoralitet, shkëpusnim lidhjet familjare, ishin të pasjellshëm me fqinjët, i forti e shtypte të dobëtin...Ishim në këtë gjendje derisa Allahu na e dërgoi një të Dërguar (profet), familjen, sinqeritetin, besnikërinë dhe nderin e të cilit i njohim të gjithë, kështu, na ftoi ta njëjësojmë Zotin dhe ta adhurojmë vetëm Atë, duke braktisur kështu gurët dhe idhujt që adhuronim ne dhe baballarët tanë. Na urdhëroi të flisnim të vërtetën, ta çonim në vend amanetin, të mbanim lidhjet familjare, të kultivonim raporte të mira me fqinjët, të distancoheshim nga ndalesat, të mos derdhnim gjaqe, na ndaloi nga amoraliteti, shpifja, ngrënia e pasurisë së jetimit, shpifja ndaj grave të ndershme, na urdhëroi që ta adhurojmë vetëm Allahun dhe të mos i bëjmë shok, ta falim namazin, ta japim zekatin, të agjërojmë...
Për këto shkaqe, populli ynë na armiqësoi dhe na maltretuan aq sa u desh ta braktisnim vendin tonë...”
Mbreti kërkoi nga Xhaferi që të citonte diç nga ajo që i ishte shpallur Profetit. Xhaferi citoi ajetet e para nga kaptina Merjem, nga leximi i të cilave mbreti dhe patriarkët e tij u ndikuan aq shumë saqë qanë. Këta të fundit, më parë, i sugjeruan mbretit që t’i kthente muslimanët në vendin e tyre, për shkak të frikës për probleme që mund të shkaktonin në vendin e tyre, por tash kur dëgjuan këto fjalë, pra mësuan për Islamin nga vet muslimanët, ata ndryshuan qëndrimet e tyre.
Nga kjo që përmendëm ne mund të rezultojmë me disa gjëra të rëndësishme:
1) Kryengritja e muslimanëve dhe “arroganca e vandalizmi i tyre” nuk janë kundër vlerave, por kundër antivlerave. Ja një përshkrim i asaj që kanë qenë dhe asaj që tanimë ishin në të:
Periudha paraislame
|
Islami
|
Adhuronin idhujt
|
Adhuronin vetëm një Zot
|
Hanin ngordhësira
|
Hanin vetëm gjërat e lejuara dhe të thera në emër të Allahut
|
Bënin amoralitet
|
Ruan nderin bashkëshortor
|
Shkëpusnin lidhjet familjare
|
I mbanin ato
|
Ishin të pasjellshëm me fqinjtë
|
Fqinji tanimë ishte pjesë praktike e besimit
|
I forti e shtypte të dobëtin
|
E vërteta triumfon
|
Ky përshkrim i përgjithshëm i fesë pati ndikimin e vet të madh.
2) Objektiva kryesore e Islamit është jeta e njeriut dhe gjallërimi i saj me besim, e jo vrasja. Xhaferi i tha mbretit se Profeti i ndalonte nga vrasja. Bota duhet ta sjell ndërmend këtë dialog. Islami nuk është dhunues, është kundër dhunës. Mësojeni këtë nga muslimanët.
3) Nga përgjigja e zgjeruar e Xhaferit mësojmë edhe kriterin se në dialog, krahas zhvleftësimit të shpifjeve, Islamin duhet tua ofrojmë në version të zgjeruar. Duhet të shfrytëzojmë rastin që t’iu tregojmë për të vërtetat e Islamit. Xhaferi nuk mjaftoi me përgjigjen në atë që u akuzuan, por tregoi se Profeti është njeri besnikë dhe i sinqertë, gjë që na bën të bindemi për vërtetësinë e asaj që pretendon ngase nuk ka gënjyer kurrë, si dhe fton që të mos gënjejmë, të mos shpifim për gratë e ndershme si dhe të mos keqpërdorim pasurinë e jetimit.
Janë këto parime humane, që lehtë tërheqin zemrën dhe shpirtin e njeriut. Por, edhe pse qau mbreti dhe qanë priftërinjtë e tij, çështja nuk mbaroi me kaq. Tashmë zemërkëqijtë do të mundohen të fusnin armiqësi për kinse fyerje në baza fetare. Kurejshët shkuan dhe i thanë mbretit se muslimanët ndajnë mendime të këqija për Isanë [alejhiselam!]. Këto është e tërë poenta e tregimit dhe është mësimi kryesor, që njëherësh duhet të shërbejë kriter në dialogun tonë me jomuslimanët. Muslimanët u tubuan dhe duke ditur se sa rëndësi ka Isai [alejhiselam!] për të krishterët diskutuan se ç’përgjigje do t’i ofronin. A do të prezantonin qëndrimin parimor apo do të bënin përshtatje me qëndrimet e krishtera? Natyrisht, vendosën për të parën, ta thonë të vërtetën, pavarësisht epilogut. E vërteta duhet të thuhet. Fshehja e saj është vetëm zvarritje e zgjidhjes së problemeve. Është mjegullim dhe zymtësi në kriteret e zgjidhjes së problemeve njëfetare. U ngrit Xhaferi dhe shkoi tek mbreti e tha: Ne themi për Isanë atë që i është shpallë Profetit tonë: “Ai është rob dhe i Dërguar i Zotit, është frymë (shpirt) dhe fjalë e drejtuar Merjemës së Virgjër!”
Mbreti me të dëgjuar të këtyre fjalëve tha se dallimi ndërmjet tyre ishte shumë i vogël. Priftërinjtë që ishin përreth, në shenjë mospajtimi, ofshanë, ndërsa mbreti tha: Me gjithë ofshamën tuaj!
Muslimanët vazhduan të qëndrojnë të sigurt në Etiopi edhe për në kohë të gjatë.
Ajo që përfitojmë nga kjo pjesë e dialogut ka të bëjë me dy gjëra të rëndësishme:
1) Në dialog e vërteta nuk duhet të fshihet, nuk duhet të interpretohet për përshtatje, nuk duhet të iket nga domethënia e saj parësore, sepse kështu rezultatet do të ishin vetëm sipërfaqësore.
2) Fanatizmi duhet të mos ketë vend në dialog.
Kam përshtypjen se sikur ne t’ia prezantonim botës Islamin me këtë besim monoteist që ka, me këtë humanitet që posedon, me këtë rend shoqëror perfekt, me këtë solidaritet, me këtë besnikëri bashkëshortore, gjëra këto që më së shumti i mungojnë sot shoqërisë perëndimore, atëherë në vend të armiqësisë do të kishte shumë të atillë që do ta përqafonin atë, siç bëri edhe vet mbreti Nagusi.
[1] Ahmed Shakiri hadithin e vlerëson autentik.