Në një nga rrëfimet arabe, të shqiptarizuar edhe në letërsinë tonë, flitet për fatin e hidhur të tre qeve. Ishin bashkë, u rritën bashkë por patën fund të hidhur ndaras. Ujku përdori një strategji djallëzore që t’i përçante dhe t’i bindte se ky i madhi po iu sillte telashe. Kishte “radikalizuar” qëndrimet e tij sepse po ua hante barin, andaj, në bashkëpunim me këta që ndiqnin një vijë paksa më “tolerante, arriti ta eliminonte kaun e parë. Pas një kohe, ujku filloi ta akuzonte edhe kaun e dytë për “radikalizëm.” E bindi këtë të fundit se prania e tij ishte bezdisëse dhe me probleme. Edhe me të i qëroi hesapet. Kau i tretë mbeti vetëm. Ishte toleranti, bashkëpunëtori, i kuptueshmi, por për ujkun ishte hiç më shumë se një ka. Edhe atë filloi ta akuzonte. Mëzati e pa se ku qëndronte puna. Kuptoi se ai kishte qenë përgjatë gjithë kohës në shërbim të ujkut e jo bashkëpunëtorit, për të cilin ishte hiç më ndryshe se dy mëzetërit tjerë. Pranoi gabimin, iu nënshtrua fatit se nuk mund të vepronte ndryshe, por la një fjalë, e cila porositët ndër breza si urtësi e mësim: “Në të vërtetë, mua më ngrëne kur pate ngrënë kaun e madh!”
Me gjithë respektin, por nuk mund të gjeja një mënyrë më të thjeshtë se si t’i drejtohem vëllezërve të mi, të cilët po duan ta promovojnë veten tek klasa politike dhe intelektuale laike si tolerantë karshi konservatorëve, radikalëve, ekstremistëve.
Ne, që të gjithë, radikalë e modernistë, jemi caku.
Ata tashmë na e kanë bërë me dije se Islami, me të gjitha versionet e tij, radikale, tolerante, tradicionale, është i papranueshëm.
Andaj, le të mos ua japim shansin që të na përçajnë e shpërderdhin për të na zhdukur që të gjithëve më pas!