Ashura është një ditë, të cilën Allahu Fuqiplotë e zgjodhi për të shënuar ngjarje të rëndësishme, dhe rrjedhimisht, e veçoi dhe dalloi me vlera dhe urtësi, të cilat nuk mund t’i gjesh në ditë tjera. Është një ditë, e cila sjell një adhurim – agjërimin, jo vetëm si një ditë për të mos ngrënë dhe pirë, por se, paralel me të, ose thënë më mirë, të fshehur në shpirtin e tij, sjell edhe një element të kredos islame, atë të përfaqësimit të të gjithë profetëve. Me këtë dua të them se, megjithëse Ashura nuk është një ditë agjërimi e obliguar, ajo prapë nuk është thjesht një ditë agjërimi. Se për çfarë bëhet fjalë, të shohim në vijim.
I. VLERA E ASHURASË
Se Ashura nuk është një ditë e rëndomtë, mësojmë edhe nga fakti se ajo figuron në ditët e një muaji të zgjedhur, Muharr-rremit, në të cilin ndalohet lufta. Sigurisht se për shkak të karakteristikave që ka, vlera dhe pesha e adhurimit (më konkretisht agjërimit) në të janë më të mëdha se në muajt tjerë, me përjashtim të Ramazanit. Imam Ahmedi, Muslimi dhe Ebu Davudi transmetojnë se:
“Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] ishte pyetur: Cili namaz është më me vlerë pas atyre të obliguarave? Tha: Namazi i natës. Cili agjërim është më i miri pas atij të Ramazanit? Tha: Agjërimi në muajin e Allahut, të cilin e quani: ‘Muharr-rrem’.”
Hadithi na flet për një garë, në të cilën pjesëmarrës janë vetëm fituesit e mëparshëm, ata që kanë kaluar shtegun e farzeve. Për të dëshmuar veten si ende të suksesshëm, para vete kanë këto dy disiplina: namazin dhe agjërimin në dy kohë të caktuara. Nga këtu, gjejmë se i pari i të devotshmëve, Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ishte shumë kureshtar për këto adhurime, e në veçanti për agjërimin, përpjekjet për të cilin i intensifikonte në momentet kur i afrohet cakut – Ashurasë, në rastin tonë. Ibni Abbasi [Allahu qoftë i kënaqur me të dy!] rrëfen e thotë:
” Nuk di të ketë agjëruar Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] ndonjë ditë, që shpresonte të ketë vlerë më shumë se sa ditët e tjera, përveç këtyre ditëve (të muajit Ramazan) dhe Ditën e Ashurës.”
E çfarë e ka motivuar Pejgamberin [alejhis salatu ves selam] të agjërojë, mësojmë nga vet thënia e tij:
” Kam shpresa se agjërimi i Ditës së Ashurës falë mëkatet e vitit të kaluar.”
Ky hadith ka peshën dhe rëndësinë e vet për besimtarin, pasi që Ashura simbolizon edhe fillimin e vitit hixhri, dhe kjo mundësi për të pastruar llogarinë e viti paraprak me një, dy e më së shumti tri ditë agjërimi, është rast që nuk bën të lëshohet.
II. MËSIMET FETARE DHE EDUKATIVE TË ASHURASË
II. 1. Në sferën e besimit dhe edukimit
II.1.1. Besimi
A) Lidhja e së tashmes me të kaluarën
Buhariu, Muslimi dhe Ebu Davudi transmetojnë nga Ibni Abbasi [Allahu qoftë i kënaqur me të dy!]:
“Ibni Abbasi rrëfen: Erdhi Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] në Medine dhe pa çifutët duke agjëruar Ditën e Ashurës. Ç’është kjo?- pyeti? Thanë: Kjo është ditë e mbarë, ditë, në të cilën Allahu shpëtoi çifutet nga armiku i tyre kështu që e agjëroi këtë ditë edhe Musai. “Unë kam më shumë të drejtë në Musanë se sa ju”- tha Muhammedi, [alejhis salatu ves selam] kështu që e agjëroi dhe urdhëroi të agjërohej.”
Fakti se Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka më shumë të drejtë në Musanë [alejhiselam] se çifutët, flet për lidhjen që kanë ndërmjet vete, lidhje këtë, që në një hadith, na e sjell në formë të një shembulli të përkryer. Buhariu transmeton se Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“…dhe profetët janë vëllezër nga në babai: nënat i kanë të ndryshme ndërsa fenë e kanë një.”
Fëmijët e dy nënave, mund të mos jenë vëllezër e motra nga nëna, por, përderisa kanë një baba, kanë një pikë të përbashkët, e cila i mban si vëllezër. Ata, kanë ligje [nëna] të ndryshme ndërsa kanë një fe – burim [baba] të përbashkët.
Bazuar në këtë, në hasim se Islami kushtëzon besimin në të gjithë profetët, ndryshe, nëse vetëm një profet mohohet, atëherë kjo do të konsiderohej mohim i të gjithë profetëve, e rrjedhimisht, edhe dalje prej feje. Në kaptinën esh-Shuara, në ajetet 105 dhe 160, Allahu na flet për popujt e Nuhit dhe Lutit [alejhimaselam], të cilët mohuan profetët e tyre por që Allahu këto veprime ua llogariti si mohim të të gjithë profetëve.
Edhe populli i Nuhut gënjeu të dërguarit.“ (esh-Shuara, 105)
Populli i Lutit të dërguarit i konsideroi gënjeshtarë.“ (esh-Shuara, 160)
Hasan bariu, siç qëndron në Tefsirin e Begaviut, ishte pyetur për atë se përse në Kur’an qëndron ‘mohimi i të gjithë profetëve’ në kohën kur ata kanë mohuar vetëm një prej tyre, për çka, kishte dhënë këtë përgjigje: Profeti vijues ka sjellë atë që më pari e solli profeti para tij, kështu që mohimi i njërit, konsiderohet mohim i të gjithëve.
Por, në rastin tonë, pse ne, si Ummet i Muhammedit [alejhis salatu ves selam], jemi më të afërt me Musanë [alejhiselam] se vet çifutët?
Përgjigja është për arsyet në vijim:
1) Ne, ndryshe nga populli i tij që bashkëjetuan me të dhe e përgënjeshtruan, nuk e kemi parë, por e kemi besuar.
2) Ai, sikur edhe profeti ynë, ka ftuar në monoteizëm, madje, në këtë aspekt, nuk dallojnë në asgjë, qoftë edhe imtësi.
3) Ne dëshmojmë për të se e ka kumtuar mesazhin hyjnor dhe e ka kryer obligimin e marrë përsipër me përgjegjësinë më të lartë.
4) Ne, ndryshe nga pseudo-pasuesit e tij çifutë, nuk e kemi sharë, fyer, ofenduar. Allahu për çifutët thotë:
O ju që keni besuar, mos u bëni si ata që e ofenduan Musain, e All-llahu e pastroi atë nga ajo që i thanë…“ (el-Ahzabë, 69)
5) Ne dëshmojmë se sikur ai ta përjetonte misionin e Muhammedit [alejhis salatu ves selam], nuk do të kishte zgjidhje tjetër vetëm se ta pasonte atë.
6) Ne dëshmojmë se të gjithë ata që i përkisnin fesë së tij, pas shpalljes së islamit nëse nuk e pasojnë këtë, Musa [alejhiselam] do të denoncohet prej tyre.
B) Shkëputja e Islamit nga fetë tjera
Islami, ndonëse ndan në vijë të përbashkët me fetë qiellore, ai paraqet një shkëputje të padëshirueshme me to. Kjo për shkak të devijimit të tyre nga origjinaliteti, me të cilin janë shpallur, e që për pasojë kanë humbur edhe pozitën e të qenit fe hyjnore. Kësisoj, shkëputja është domosdoshmëri, ndryshe nuk do të kishim fare fe. P.sh., ata ishin të parët që zgjodhën rrugën e mohimit të Muhammedit [alejhis salatu ves selam], përkundër faktit se në librin e tyre, pra në Teurat, kishin përgëzimin për ardhjen e tij. Allahu ka thënë:
Që pranojnë të dërguarin (Muhammedin), Pejgamberin arab, (që nuk shkruan as nuk lexon), të cilin e gjejnë të cilësuar (të përshkruar me virtytet e tij), te ata në Tevrat dhe në Inxhil…“ (el-A’rafë, 157)
Por, jo, ata jo vetëm që mohuan por filluan edhe të propagandojnë kundër tij, siç na mëson Allahu në Kur’an, në kaptinën el-Bekare:
Ata (ithtarët e librit) thanë: “Bëhuni jehudi ose të krishterë, e gjeni rrugën e drejtë”! Thuaj: “Jo, (asnjërën) por fenë e drejtë të Ibrahimit që ai nuk ishte nga idhujtarët”. 136. Ju (besimtarë) thuani: “Ne i besuam All-llahut, atë që na u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve (të Jakubit që ishin të ndarë në dymbëdhjetë kabile), atë që i është dhënë Musait, Isait dhe atë që iu është dhënë nga Zoti i tyre pejgamberëve, ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe ne vetëm atij i jemi bindur. 137. Në qoftë se ata besuan ashtu siç besuat ju, ata vërtet kanë gjetur rrugën e drejtë, e nëse refuzojnë, atëherë ata janë kundërshtarë (opozitë), po ty (Muhammed) kundër tyre do të mjaftojë All-llahu. Ai është dëgjuesi, i dijshmi.“ (el-Bekare, 135-137)
Se ekziston një ndarje e tillë, dëshmon edhe kjo datë, agjërimi i së cilës, edhe pse është kryer edhe nga çifutët, megjithatë ka një segment, që e dallon besimtarin nga pabesimtari. Pse e them këtë? Për arsye se kur Pejgamberit, [alejhis salatu ves selam] i thanë se çifutet e madhërojnë këtë ditë, e konsiderojnë si festë dhe stolisin gratë e tyre me stoli e inxhi, ai, duke shprehur segmentin që neve na bën të dallojmë prej tyre, tha:
“…atëherë ju (mos bëni ashtu por) agjërojeni”. (Buhariu dhe Muslimi)
Ky element vjen në shprehje edhe në përcaktimin e ditës së nëntë si ditë paraprak e agjërimit, apo edhe e ditës së njëmbëdhjetë, si ditë përcjellëse, në mënyrë që ngjashmëria me ta të minimizohet në maksimum.
C) Ndërlidhja e ngadhënjimit me ndihmën e Allahut
Ashura arrin para nesh të prezantojë besimin e madh që besimtari duhet ta ketë në Allahun dhe ndihmën e tij si dhe botëkuptimin e vërtetë, pasi që fitorja jo çdoherë vjen në formën e njëjtë. Ballafaqimi fizik i Musasë [alejhiselam] dhe popullit të tij me Faraonin dhe ushtrinë e tij do të ishte i pamundur, por, Allahu i Madhëruar, bëri që fitorja të shënohet nga një aspekt tjetër, nga ai i shprehjes së fuqisë së Tij, duke e bërë Faraonin të fundoset me tërë ushtrinë e tij. Kjo, për kohën tonë, do të ishte një ndihmesë e madhe shpirtërore për ata që kanë zemra të dobëta dhe kanë defekte në të mbështeturit në Allahun. A nuk pamë se si Allahu i Madhëruar, këto vitet e fundit na ka treguar shenja të qarta të kësaj natyre:
 Paralizimi komplet i aeroporteve për shkak të vullkaneve
 Paralizimi komplet për shkak të erërave
 Pamundësia e parashikimit të dënimit – tsunami në Japoni
 Tornadot dhe erërat e fuqishme, të cilat largojnë nga funksioni komplet fuqinë njerëzore.
Le të jetë moto e besimtarëve fjala e Allahut, kuptohet pa keqinterpretime:
Obligim Yni ishte të ndihmojmë besimtarët.“ (err-Rrum, 47)
D) Pasimi i Muhammedit [alejhis salatu ves selam]
Mësimi të cilin besimtarët mund ta marrin në fushën e besimit, është edhe ai për domosdonë e pasimit të Muhammedit [alejhis salatu ves selam]. Këtë e mësojmë nga aspekte të ndryshme:
 Konsultimin e sahabeve me të, të cilët e pyesnin për detaje rreth kësaj dite
 Nevojën e këtij konsultimi, pasi që për gjëra të tilla kompetent nuk ishte askush përveç tij.
Në lidhje me këtë parim, Allahu na përkujton:
…Çka t’ju japë Pejgamberi, atë merrnie, e çka t’ju ndalojë, përmbanju dhe kini frikë All-llahun, se All-llahu është ndëshkues i ashpër.“ (el-Hashr, 7)
…prandaj, le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të të dërguarit) se ata do t’i zë ndonjë telashe, ose do t’i godasë dënimi i idhët.“ (en-Nur, 63)
E) Devijimi si pasojë e risive
Ashura na sjell dhe imazhe të devijimit të grupeve fetare, për shkak të mos përmbajtjes asaj që janë urdhëruar.
Ashura na sjell devijimin e shiiave rafidijj, të cilët, këtë ditë e marrin si ditë zie e vajtimi për vrasjen e Husejnit [Allahu qoftë i kënaqur me të!], edhe pse në fakt, e tëra ka qenë rastësi. Ashura nuk ka të bëjë aspak me vrasjen e tij.
Devijimin e çifutëve për shkak të mosllogaritjes hënore të kohës. Ndonëse Ashura është dita e dhjetë e muajit muharrem, megjithëkëtë, çifutët e agjëronin në muaj të ndryshëm. Kur i pati pyetur Muhammedi [alejhis salatu ves selam] për sekretin e agjërimit të asaj dite, ata patën thënë se është dita e shpëtimit të Musasë [alejhiselam]. Këtë pyetja ua kishte bërë Muhammedi [alejhis salatu ves selam] sapo kishte shkuar në Medinë, pra në muajin Rebiul Evvel, që nënkupton se çifutët ia kishin ndërruar datën e vërtetë asaj dite. Nga këtu, një prej komenteve të hadithit në të cilin i pyeti Muhammedi [alejhis salatu ves selam] se përse e agjëronin atë ditë, është edhe ky se atë e bëri në formë pyetjeje çuditëse, pasi që nuk ishte maji muharrem andaj pse agjëronin?!
II.1.1. Edukimi
Ndër mësimet më me rëndësi që i përfitojmë nga kjo datë islame, veçojmë:
A) Edukimin e familjes
Është vërtetuar se muslimanët e parë, jo vetëm që e agjëronin këtë ditë, porse ushtronin dhe fëmijët e tyre për agjërim. Ata iu jepnin fëmijëve lodra që tua largonin ushqimin nga mendja deri në kohën e iftarit.
B) Falënderimi për mirësitë, e para së gjithash, për atë të udhëzimit
Motivet e agjërimit të kësaj dite kanë qenë të ndryshme. Çifutët e agjëronin pse e shpëtoi Zoti Musanë [alejhiselam] dhe popullin e tij nga Faraoni, ndërsa Kurejshët për shkak të lëshimit të shiut, kurse ne, e falënderojmë për shkak se:
 Musanë [alejhiselam] e ndiejmë më të afërt se ata, për shkak të bindjeve tona për të
 Për shkak se Allahu na udhëzoi dhe nuk na la të humbur sikur çifutët, që nuk kursejnë nga fyerjet dhe të sharat profetët, madje as vet Musanë [alejhiselam]
 Për shkak se nuk duam të jemi robër të frikës e të imitojmë idhujtarët, që Allahut ia kanë frikën dhe e falënderojnë vetëm gjatë vështirësive, porse duam ta falënderojmë edhe atëherë kur nuk kemi fare probleme.
III. MËSIMET NË FUSHËN E PREDIKIMIT FETAR
Mësimet e Ashurasë përkojnë dhe me këtë fushë të rëndësishme islame. Ato, në fakt, mund t’i klasifikojmë, siç vijon:
III.1. Mësimet që kanë të bëjnë me natyrën e fesë
A) Gradualiteti në ligjësim
Agjërimi i Ashurasë, në fillim, ishte obligim. Muslimanët e agjëruan këtë ditë deri kur u shpall urdhri për agjërimin e Ramazanit. Këtë e sqaron shumë mirë edhe Aisheja, nëna e besimtarëve, e cila transmeton:
“Ashura ishte një ditë, që e agjëronin kurejshitët edhe para ardhjes së Islamit. Edhe Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] e agjëronte, por kur erdhi në Medine, përveç që e agjëroi vete, i urdhëroi edhe të tjerët ta agjërojnë. Kur erdhi obligimi për Ramazan, atëherë çështja mbeti vullnetare: Kush dëshironte e agjëronte e kush donte e linte.” (Buhariu dhe Muslimi)
III.2. Mësimet që kanë të bëjnë me thirrësin
A) Metodat e thirrjes
a. Pyetja për të bërë pasuesit ta kuptojnë rëndësinë e një gjëje të caktuar
Ndonjëherë, edhe pse e di përgjigjen, është mirë ta parashtrosh pyetjen përkatëse, për të bërë edhe masën ta kuptojnë atë, ose ta vërtetojnë rëndësinë e asaj që mund t’iu jetë rrëfyer më parë. Disa, këtë mësim e kanë përfituar nga kureshtja për të ditur përgjigjen se: përse i pyeti Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] çifutët për Ashuranë kur ai vet e kishte agjëruar sa ka qenë në Mekkë?, për çka, një nga përgjigjet e dhëna ka qenë edhe kjo: për tua vërtetuar pasuesve të tij rëndësinë e agjërimit dhe madhërimit të asaj dite.
Kështu veproi Xhibrili [alejhiselam] kur e pyeti Muhammedin [alejhis salatu ves selam] për Imanin, Islamin dhe Ihsanin, ani pse ai i dinte ato.
b. Thënia e së vërtetës së balancuar ndërmjet trimërisë dhe maturisë
Musa [alejhiselam] ia tha të vërtetën Faraonit, por jo i zhveshur nga etika, e cila duhet ta shoqëron patjetër një thirrës.
B) Thirrja për vepra fakultative
Rëndësia e këtyre veprave është se me to gdhendet personaliteti i njeriut dhe reformohet shoqëria. P.sh., nëse i thërrasim njerëzit për ta dhënë lëmoshën e pasurisë së tyre, atëherë përveç që pastrohet dhënësi nga vetitë e urryera, po kështu përfiton edhe shoqëria, ngase krijohet një harmoni dhe stabilitet.
C) Mosbraktisja e veprave për shkak të mungesës së planit
Parimisht, thirrësit duhet të kenë planet e tyre, por, ta zëmë, në mungesë të tij, për shkaqe objektive, atëherë kjo nuk nënkupton se duhet pushuar nga misioni. Derisa nuk u bë agjërimi i Ramazanit farz, muslimanët agjëruan Ashuranë, që d.t.th., se derisa nuk kanë plan konkret, atëherë të mos e ndalin thirrjen.
D) Raportet me thirrësit tjerë
Ndryshimet në mendime, nuk bën t’i ndajnë apo përçajnë thirrësit. kjo gjë nuk ka qenë evidente tek të parët tanë. Ata ishin shumë tolerant në mes vete. Ibni Umeri [Allahu qoftë i kënaqur me të dy!] nuk e agjëronte këtë, siç transmeton Buhariu, përveç në rastet kur ajo binte në ditët, të cilat e kishte shprehi t’i agjëronte (gjatë javës ose muajit).
Përmbyllje
Në përmbyllje do të doja të përkujtoj besimtarët se urtësitë e kësaj dite nuk kanë të bëjnë aspak me gjëra, të cilat nuk janë vërtetuara ndërsa janë motive kryesore për ta. Më konkretisht, bukurinë e kësaj dite nuk duhet lejuar ta shëmtojnë risitë, si: shpenzimet, sikur të jetë festë, pastrimi në këtë ditë, veçimi i saj me adhurim (namaz apo dua) të caktuar, zierja e hallvës dhe gatimi i ëmbëlsirës se ashtuquajtur “ashure”, vizita e varrezave në këtë dite, sikur nuk duhet të na motivojnë për adhurim legjitim bindjet e pavërtetuara, si: Allahu ia pranoi Ademit pendimin në këtë ditë, Ibrahimi shpëtoi prej zjarrit, Ejjubi u shërua në këtë ditë, Junusi doli nga barku i peshkut, Ja’kubi u bashkua me Jusufin, [alejhimuselam], etj.