Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
PARANDALIMI I DUKURISË SË TRAFIKIMIT TË QENIEVE NJERËZORE

O ju që besuat!...Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi. Kini dro dënimit të All-llahut, se me të vërtetë All-llahu është ndëshkues i fortë.”

(Kur’ani, el-Maide, 2)

 

Sikur e keqja nuk di të ndalur. Ajo, me kalimin e kohës, vetëm sa forcohet dhe vë rrënjët më thellë. Ndërron imazhin, formën e mënyrën por esencën assesi. Kjo falë edhe angazhimit pa pagesë të pasuesve të djallit, të cilët pareshtur veprojnë në drejtim të devijimit të njerëzimit por gjithnjë me intriga dhe mashtrime që vështirë dallohen se janë të tilla.

وَإِذَا قِيلَ لَهُمْ لَا تُفْسِدُوا فِي الْأَرْضِ قَالُوا إِنَّمَا نَحْنُ مُصْلِحُونَ (11) أَلَا إِنَّهُمْ هُمُ الْمُفْسِدُونَ وَلَكِنْ لَا يَشْعُرُونَ

E kur atyre u thuhet: "Mos e prishni rendin në tokë"! Ata thonë: "Ne jemi vetëm përmirësues (paqtues)! 12. Veni re, ata në të vërtetë janë shkatërruesit, por nuk e kuptojnë”. ([1])

Dukuria e trafikimit të qenieve të gjalla, e cila vetëm në emër është e re, është edhe një peizazh i kësaj natyre mallkuese dhe fatale për njerëzimin.

Trafikimi i qenieve të gjalla ka ekzistuar edhe në të kaluarën vetëm se tani, në kohën moderne, kanë ndryshuar qëllimet dhe metodat e këtij trafikimi të ashtuquajtur Skllavëri moderne. Tanimë, përgjithësisht, të trafikuarit përdoren për prostitucion dhe shitje të organeve të trupit, dhe atë nga rrjete mafiozësh dhe banditësh.

Është tmerrues fakti se në Kosovë lista e femrave lokale të trafikuara është në rritje e sipër. Deri më tani listës së femrave të trafikuara i kanë prirë femrat e huaja ndërsa tani kryesojnë listën femrat kosovare. Statistikat për viktimat e trafikimit gjatë vitit 2007 tregojnë se nr. i viktimave të identifikuara është siç vijon: Moldavi = 3, Shqipëri = 9, Kosovë = 18, Ukrainë = 1, Maqedoni = 1, vende tjera = 1. Shumica e këtyre viktimave (rreth 65%) janë të moshës 13-17 vjeçare([2]).

Për shkak të aktualizimit të kësaj dukurie në skenën shoqërore dhe shfaqjes së saj edhe tek ne, sidomos pas periudhës së luftës, nevoja e trajtimit të saj edhe nga këndvështrimi islam u pa më se i domosdoshëm. Ky artikull është vetëm një hap drejt parandalimit të kësaj dukurie.

1.      Roli i njeriut në tokë

Njeriu, i veçuar dhe dalluar nga krijesa tjera, është ngarkuar nga Allahu me mbajtje të ekuilibrit të raporteve njeri-njeri dhe çdo gjëje tjetër në këtë botë. Ai, gjithnjë sipas Kur’anit, është mëkëmbës i Allahut në tokë. Thotë Allahu:

وَإِذْ قَالَ رَبُّكَ لِلْمَلاَئِكَةِ إِنِّي جَاعِلٌ فِي الأَرْضِ خَلِيفَةً قَالُواْ أَتَجْعَلُ فِيهَا مَن يُفْسِدُ فِيهَا وَيَسْفِكُ الدِّمَاء وَنَحْنُ نُسَبِّحُ بِحَمْدِكَ وَنُقَدِّسُ لَكَ قَالَ إِنِّي أَعْلَمُ مَا لاَ تَعْلَمُونَ

(Përkujto Muhammed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: "Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës!" Ata thanë: "A do të vëshë në te atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë!" Ai tha: "Unë di atë që ju nuk e dini!”. ([3])

Megjithatë, ky post, bazuar në rëndësinë e madhe që ka, nuk është privilegj më shumë se që është përgjegjësi. Allahu i madhëruar duke ia përkujtuar njeriut këtë, i rrëfen për atë që duhet dhe atë që nuk duhet bërë. Thotë Allahu:

وَابْتَغِ فِيمَا آتَاكَ اللَّهُ الدَّارَ الْآخِرَةَ وَلَا تَنسَ نَصِيبَكَ مِنَ الدُّنْيَا وَأَحْسِن كَمَا أَحْسَنَ اللَّهُ إِلَيْكَ وَلَا تَبْغِ الْفَسَادَ فِي الْأَرْضِ إِنَّ اللَّهَ لَا يُحِبُّ الْمُفْسِدِينَ

Dhe me atë që të ka dhënë All-llahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos lë mangu atë që të takon nga kjo botë, dhe bën mirë ashtu siç të ka bërë All-llahu ty, e mos bën të këqija në tokë, se All-llahu nuk i do çrregulluesit”. ([4])

Nga këtu, detyrimisht, njeriu merr përsipër rregullimin dhe mbajtjen e rendit në këtë botë. Thotë Allahu:

وَهُوَ الَّذِي جَعَلَكُمْ خَلاَئِفَ الأَرْضِ وَرَفَعَ بَعْضَكُمْ فَوْقَ بَعْضٍ دَرَجَاتٍ لِّيَبْلُوَكُمْ فِي مَا آتَاكُمْ إِنَّ رَبَّكَ سَرِيعُ الْعِقَابِ وَإِنَّهُ لَغَفُورٌ رَّحِيمٌ

Ai është që ju bëri sundues (zëvendësues) në tokë (pas shkatërrimit të atyre që ishin më parë) dhe lartësoi në një shkallë më të lartë disa nga ju mbi të tjerët, për t'ju sprovuar në atë që ju dha. All-llahu është ndëshkues i shpejtë, është që falë e Mëshirues”. ([5])

ثُمَّ جَعَلْنَاكُمْ خَلاَئِفَ فِي الأَرْضِ مِن بَعْدِهِم لِنَنظُرَ كَيْفَ تَعْمَلُونَ

Pastaj juve ju bëmë zëvendësues pas tyre në Tokë për t'ju parë si do të veproni”. ([6])

Nëse Allahu profetët e Vet, njerëzit më të sinqertë dhe më të dashur tek Ai, njëherit edhe më të drejtë, i kishte urdhëruar që të jenë vigjilentë ndaj këtij misioni që kanë marrë mbi supet e tyre, atëherë ku mbetet vend për diskutim për të tjerët që nuk janë profet. Thotë Allahu duke urdhëruar Davudin, alejhi’s selam:

يَا دَاوُودُ إِنَّا جَعَلْنَاكَ خَلِيفَةً فِي الْأَرْضِ فَاحْكُم بَيْنَ النَّاسِ بِالْحَقِّ وَلَا تَتَّبِعِ الْهَوَى فَيُضِلَّكَ عَن سَبِيلِ اللَّهِ إِنَّ الَّذِينَ يَضِلُّونَ عَن سَبِيلِ اللَّهِ لَهُمْ عَذَابٌ شَدِيدٌ بِمَا نَسُوا يَوْمَ الْحِسَابِ

O Davud: "Ne të kemi bërë sundimtar në tokë, e ti pra gjyko me drejtësi mes njerëzve, e mos shko pas dëshirave se ato të shmangin prej rrugës së All-llahut. Ata që largohen prej rrugës së All-llahut i pret dënim i rëndë për shkak se e harruan ditën e përgjegjësisë”. ([7])

Kjo ishte mënyra e parë e formimit të njeriut karshi kësaj dukurie, d.t.th.: duke ia përkujtuar rolin dhe misionin e tij në këtë botë. Por, tregimi nuk mbaron këtu...

Islami depërton thellë në zemrën e njeriut dhe pastron ndërgjegjen e tij se çdo herë, në çdo kohë dhe në çdo vend je nën përcjelljen e Allahut, andaj, bëre trafikim ditën apo natën, haptazi apo fshehurazi, Zoti e di këtë dhe ti do të ndëshkohesh për këtë. Thotë Allahu:

يَعْلَمُ مَا فِي السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ وَيَعْلَمُ مَا تُسِرُّونَ وَمَا تُعْلِنُونَ وَاللَّهُ عَلِيمٌ بِذَاتِ الصُّدُورِ

Ai e di ç'ka në qiej e në tokë, e di atë që e fshihni dhe atë që e shfaqni haptazi, sepse All-llahu di edhe atë që mbajnë në zemrat”. ([8])

وَعِندَهُ مَفَاتِحُ الْغَيْبِ لاَ يَعْلَمُهَا إِلاَّ هُوَ وَيَعْلَمُ مَا فِي الْبَرِّ وَالْبَحْرِ وَمَا تَسْقُطُ مِن وَرَقَةٍ إِلاَّ يَعْلَمُهَا وَلاَ حَبَّةٍ فِي ظُلُمَاتِ الأَرْضِ وَلاَ رَطْبٍ وَلاَ يَابِسٍ إِلاَّ فِي كِتَابٍ مُّبِينٍ

Çelësat e fshehtësive janë vetëm te Ai, atë (fshehtësinë) nuk e di kush pos Tij. Ai e di çka ka në tokë dhe në det, Ai e di për çdo gjeth që bie dhe s'ka kokërr në thellësi të tokës, s'ka të njomë dhe s'ka të thatë që nuk është (shënuar) në librin e qartë (Levhi - Mahfudh)”. ([9])

يَعْلَمُ خَائِنَةَ الْأَعْيُنِ وَمَا تُخْفِي الصُّدُورُ

Ai di për shikimin me cep të syve, e edhe për atë që e fshehin në zemra”. ([10])

Allahu është Ai që di çdo gjë andaj po qe se njeriu e ka parasysh këtë, e sidomos ai që kontrabandon qenie të gjalla, atëherë ai, vetëm nëse është tërësisht i zhveshur nga besimi, ndryshe do të heq dorë nga kjo dukuri e shëmtuar.

2.      Islami dhe pesë elementet më kyçe të jetës

Islami është një fe, e cila para së gjithash, ka siguruar pesë elemente kyçe të jetës së njeriut, pa të cilat vështirë se zhvillohet ajo. Ato janë: Ruajtja e fesë, jetës (qenies), pasardhësve, mendjes dhe pasurisë. Nisur nga këtu, çdo pjesë e njeriut, është e shenjte dhe cenimi i saj, sidomos nëse personi është besimtar, konsiderohet shkelje e një lirie për çka Allahu parasheh rrezik të madh. Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: “Mos kini smirë për njëri-tjetrin, mos mashtroni, mos urreni njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit dhe mos ndërhyni në shitblerjen e njëri-tjetrit. Jini vëllezër, siç i ka hije robve të Allahut. Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi, nuk e lë në baltë, nuk e gënjen dhe nuk e përçmon atë. Devotshmëria është këtu (e tha këtë tri herë, duke bërë me shenjë nga zemra e tij). Për një njeri është shumë keq që ta përçmojë vëllanë e tij musliman.”([11])

Jo vetëm kaq, këtë parim, të patjetërsueshëm për zhvillimin e lirshëm të jetës së njeriut, e kishte vërtetuar edhe një herë por në një vend tjetër dhe në një mënyrë më rigoroze. Ai, në Haxhin Lamtumirës, në afërsi të Shtëpisë së Allahut, Qabesë së Madhërueshme, kishte deklaruar:

O Njerëz! Dëgjoni çka do t'ju them, sepse nuk e di nese do t'ju takoj në këtë vend pas këtij viti. O njerëz! Kini frikë Zotin dhe respektojeni Atë. Bëhuni të njerëzishëm dhe të drejtë ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve. Kjo është dita e flijimeve në emër të Allahut. Më të vërtetë gjaku dhe pasuria juaj janë të shenjta për ju, derisa të takoheni me Krijuesin tuaj, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë në këtë muaj dhe në këtë vend.”.

Pra, siç ndalohet përdhosja e shenjtërisë së Qabesë dhe Mekkes, po kështu ndalohet dhe është krim mbytja dhe keqpërdorimi i pasurisë së muslimanit.

3. Drejt vetëdijesimit familjar dhe ikjes nga jeta e shthurur

Pasojat e jetës së shthurur janë të paparashikueshme. Ato sa dëmtojnë imazhin e njeriut si njeri po aq dëmtojnë edhe imazhin e shoqërisë ngase njeriu është, të paktën, një tullë në murin e madh të shoqërisë. Ndoshta këtu qëndron sekreti i nxitjes për martesë edhe nëse njeriu nuk ka shumë mundësi materiale ngase martesa ruan nderin e tij. Allahu thotë:

وَأَنكِحُوا الْأَيَامَى مِنكُمْ وَالصَّالِحِينَ مِنْ عِبَادِكُمْ وَإِمَائِكُمْ إِن يَكُونُوا فُقَرَاء يُغْنِهِمُ اللَّهُ مِن فَضْلِهِ وَاللَّهُ وَاسِعٌ عَلِيمٌ

Dhe martoni të pamartuarat (të pamartuarit) edhe robërit e robëreshat tuaja që janë të ndershëm e të ndershme. Nëse janë të varfër, All-llahu i begaton nga mirësitë e Tij, All-llahu është bujar i madh, i gjithëdijshëm”. ([12])

Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: "O ju të rinj, kush ka mundësi prej juve për t'u martuar, le të martohet, pasi martesa ndihmon në ruajtjen e shikimit dhe mbron nga amoraliteti, e ai i cili nuk ka mundësi të martohet, le të agjërojë, ngase agjërimi është mburojë për të (nderin e tij)". ([13])

Ikja nga martesa në asnjë çast nuk konsiderohet e mirë sidomos nëse njeriu ka pasion të madh për marrëdhënie seksuale. Muhammedi, alejhi’s selam, edhe pse i dërguar i Allahut, megjithatë martesën e praktikonte, madje disa njerëzve që tentuan ta braktisnin një gjë të tillë, ua ndaloi dhe ua bëri me dije se një rrugë e tillë është gabim.  Kur tre veta kishin ardhur në shtëpinë e tij dhe kishin pyetur për adhurimin e tij, ishin bindur se ata, pa braktisur edhe disa gjëra të kësaj bote nuk do të shpëtonin dot. Më konkretisht, njëri tha se do të falej tërë natën, tjetri se do të agjëronte përherë ndërsa i treti se nuk do të flinte më me gruan. Muhammedi, alejhi’s selam, meqë nuk ishte në shtëpi, kur erdhi iu tha: “Çka është me një popull që thotë kështu e kështu. Unë agjëroj dhe ndalem (pushoj) së agjëruari, falem dhe flejë, dhe martohem me gra. Kështu që kushdo që ia kthen shpinën Sunneti tim, ai nuk është prej meje.” ([14])

Nëse puna qëndron kështu, atëherë rëndësia e themelimit të institucionit familjar qenka shumë me rëndësi, dhe nga këtu, keqpërdorimi, anashkalimi dhe dobësia para kësaj sfide janë shenja të personalitetit të dobët të njeriut. Paraprakisht duhet ta dijë përgjegjësinë e tij për të kuptuar më pas pasojat e anashkalimit te saj.

Nga Ibni Umeri transmetohet se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Të gjithë ju jeni barinj dhe secili është përgjegjës për tufën e tij. Mëkëmbësi është bari, burri në familjen e tij është bari, gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe rojtare e fëmijëve. Pra, të gjithë ju jeni barinj dhe secili është përgjegjës për tufën e tij”. ([15])

Ndryshe, pasojat janë të mëdha. Allahu i Madhëruar ka thënë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا قُوا أَنفُسَكُمْ وَأَهْلِيكُمْ نَاراً وَقُودُهَا النَّاسُ وَالْحِجَارَةُ عَلَيْهَا مَلَائِكَةٌ غِلَاظٌ شِدَادٌ لَا يَعْصُونَ اللَّهَ مَا أَمَرَهُمْ وَيَفْعَلُونَ مَا يُؤْمَرُونَ

O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar”. ([16])

Muhammedi, alejhi’s selam, ka thënë:

ثلاثة لا ينظر الله عز وجل إليهم يوم القيامة : العاق لوالديه و المرأة المترجلة و الديوث ، و ثلاثة لا يدخلون الجنة : العاق لوالديه و المدمن الخمر و المنان بما أعطى

Allahu, në Ditën e Llogarisë, nuk do t’i shikojë (mëshirojë) tri grupe njerëzish: Ata që kundërshtojnë prindërit, gruan që sillet si burrë dhe dejjuthin (atë që e pranon dukurinë negative në shtëpinë e tij). Ndërsa tri grupe nuk do të hyjnë në Xhennet: Ata që janë të pasjellshëm ndaj prindërve, ai që konsumon alkool dhe ai që jep por ua përmend atë njerëzve”. ([17])

Nga këtu, babait nuk i lejohet që vajzës së tij t’ia përgatisë terrenin për asnjë marrëzi. Ai duhet ta edukoje atë në frymën e moralit të mirëfilltë, duhet ta mësoje se nderi nuk shitet për asnjë çmim, jeta epet por nderi jo, dhe vetëm pas kësaj, pasojnë kërcënimet për fëmijën që nuk respekton prindin. Mjafton si kërcenim pjesa e thënies së Muhammedit, alejhi’s selam që e përmendëm pak më parë.

4.      Diskriminim në asfarë bazash

Tani që kuptuam se jeta e shthurur nuk preferohet, na ka mbetur të vërtetojmë faktin e pamohuar se në Islam nuk ka asnjë diskriminim dhe atë në asnjë bazë.

a) Nuk ka diskriminim gjinor

Gjinia nuk është ajo që përcakton mirësinë apo jo të njeriut. Ajo që e dallon njeriun dhe e cilëson si të afërt me Allahun apo larg Tij janë pikërisht veprat e njeriut. Një gjë të tillë, Allahu i Madhëruar e ka vërtetuar në shumë vende në Kur’an, si:

فَاسْتَجَابَ لَهُمْ رَبُّهُمْ أَنِّي لاَ أُضِيعُ عَمَلَ عَامِلٍ مِّنكُم مِّن ذَكَرٍ أَوْ أُنثَى

Zoti i tyre iu përgjegj lutjes së tyre (e tha): Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër...”. ([18])

وَمَن يَعْمَلْ مِنَ الصَّالِحَاتَ مِن ذَكَرٍ أَوْ أُنثَى وَهُوَ مُؤْمِنٌ فَأُوْلَـئِكَ يَدْخُلُونَ الْجَنَّةَ وَلاَ يُظْلَمُونَ نَقِيراً

Kush bën ndonjë nga punët e mira, qoftë mashkull ose femër duke qenë besimtarë, të tillët hyjnë në xhennet dhe nuk u bëhet farë padrejtësie”. ([19])

مَنْ عَمِلَ صَالِحاً مِّن ذَكَرٍ أَوْ أُنثَى وَهُوَ مُؤْمِنٌ فَلَنُحْيِيَنَّهُ حَيَاةً طَيِّبَةً وَلَنَجْزِيَنَّهُمْ أَجْرَهُم بِأَحْسَنِ مَا كَانُواْ يَعْمَلُونَ

Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t'i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t'u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre”. ([20])

Kur Muhammedi, alejhi’s selam lutej, nuk veçonte burrat nga gratë. Ai lutej për të gjithë. Ebu Hurejre, Ebu Katade dhe Ebu Ibrahim Eshhelij, nga baba i tij, i cili ishte sahab i Pejgamberit, alejhi’s selam, tregojnë se Pejgamberi, alejhi’s selam e ka falur një xhenaze dhe ka thënë: “O Zoti im, fali të gjallët dhe të vdekurit tanë, të vegjlit dhe të mëdhenjtë, meshkujt dhe femrat, ata që janë të pranishëm dhe ata që mungojnë...”. ([21])

Se ka rrënuar në themele diskriminim gjinor vërteton edhe ligjërata e fundit e Muhammedit, alejhi’s selam e mbajtur në Arafat dhe në Ditën e Kurban Bajramit, ku ndër tjera theksoi: “Këshillohuni ndërmjet veti që me gratë të silleni mirë, sepse ato janë në shërbim tek ju, ju  nuk dispononi diç tjetër prej tyre pos kësaj (shërbimit)...Ju keni të drejta ndaj grave tuaja dhe gratë tuaja kanë të drejta ndaj jush. Gratë tuaja nuk guxojnë në shtratin tuaj ta pranojnë tjetërkënd, e as ta lejojnë në shtëpinë tuaj atë që ju nuk e doni. Kurse e drejta e tyre në ju është që të kujdeseni mirë për to, t'u jepni ushqim dhe t'i veshmbathni si ka hije”. ([22])

Gruaja, çfarëdo që të ketë qenë, e bukur apo e shëmtuar, nuk është konsideruar favorite për Xhennet apo e rrezikuar nga zjarri përderisa nuk e ka dëshmuar veten për një gjë të tillë. Dëshmori i parë në Islam ishte femër. Pastaj, Ata b. Ebi Rebahu transmeton se ka thënë: “Mua ibni Abbasi më ka thënë: “A do të ta tregoj një nga gratë e Xhennetit? “Gjithsesi” - i thashë, e ai më tha: “Kjo grua zezake erdhi te Pejgamberi, alejhi’s selam e i tha: “Mua nganjëherë më godet epilepsia dhe unë (në atë gjendje) zhvishem, andaj lute për mua All-llahun e madhërishëm”. (Pejgamberi) Tha: “Nëse do, bëj durim në sëmundje, do ta fitosh Xhennetin, e nëse do, po i bëj lutje All-llahut të madhërishëm që të të shërojë”. Ajo tha: “Do të duroj”. Pastaj ajo vazhdoi: “Unë (në atë gjendje) zhvishem, andaj lute All-llahun që mos të zhvishem”. Dhe Pejgamberi i bëri lutje”. ([23])

b)      Nuk ka diskriminim racor

Islami ndalon çdo lloj diskriminimi e edhe atë në baza racore, kombëtare, etnike, etj. Allahu i madhëruar ua ka përkujtuar njerëzimit se:

يَا أَيُّهَا النَّاسُ إِنَّا خَلَقْنَاكُم مِّن ذَكَرٍ وَأُنثَى وَجَعَلْنَاكُمْ شُعُوباً وَقَبَائِلَ لِتَعَارَفُوا إِنَّ أَكْرَمَكُمْ عِندَ اللَّهِ أَتْقَاكُمْ إِنَّ اللَّهَ عَلِيمٌ خَبِيرٌ

O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s'ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”. ([24])

Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:

“...وَمَنْ قَاتَلَ تَحْتَ رَايَةٍ عُمِّيَّةٍ يَدْعُو إِلَى عَصَبِيَّةٍ أَوْ يَغْضَبُ لِعَصَبِيَّةٍ فَقُتِلَ فَقِتْلَةٌ جَاهِلِيَّةٌ

...dhe kush lufton pa ditur se për çka lufton (se ajo gjë a është e vërtete apo jo), thërret në fanatizëm apo hidhërohet për atë gjë, dhe mbytet, ai ka vdekur siç vdesin injorantët”. ([25])

c)      Nuk ka diskriminim shtresor

I pasuri nuk do të thotë se edhe tek Allahu mund të kalojë lehtë nëse nuk bën mirë. I varfëri, nëse në këtë bote nuk ka pozitë materiale, nuk do të thotë se i tillë është edhe tek Allahu. Sa bukur qëndron në një hadith: “…Duke thithur foshnja gji te nëna e vet, kalon atypari një kalorës hipur në një deve të shtrenjtë e të bukur dhe nëna e tij tha: “O All-llahu im, bëre djalin tim sikurse ky!” Fëmija e la gjirin, u kthye kah njeriu, e shikoi dhe tha: “O All-llahu im, mos më bëjë si ai!” Pastaj u kthye kah gjiri dhe vazhdoi të thithë”. (Transmetuesi tregon e thotë) “Sikur po e shoh të Dërguarin e All-llahut, alejhi’s selam se si e vë gishtin e tij tregues dhe fillon të thithë duke na treguar”. Pastaj (Pejgamberi) tha: “Pastaj (njerëzit) kaluan me një robëreshë duke e rrahur dhe i thonin: “Ke bërë zina, ke vjedhur”. Kurse ajo thoshte: Hasbijall-llahu ve ni'mel-vekil” (All-llahu më mjafton për gjithçka dhe Ai është mbrojtësi më i mirë), nëna e foshnjës atëherë tha: “O All-llahu im, mos e bëj djalin tim si kjo”. Foshnja e la thithjen dhe shikoi kah ajo e tha: “O All-llahu im, më bëjë mua si ajo”. ([26])

Ibni Mesudi, fizikisht, ishte i dobët, por Muhammedi, alejhi’s selam tregoi se ai në Ditën e Llogarisë, vetëm me një këmbë do të peshojë sa një kodër. Shembuj të kësaj natyre në Islam ke sa të duash.

5. Rëndësia e jetës ligjore

Edhe pse Islami ka insistuar që njeriut t’ia pastrojë ndërgjegjen, ta lidhe fuqishëm me Zotin e vet, t’ia bëjë me dije se Ai të vëzhgon në çdo çast, megjithatë jetën e njeriut nuk e ka lënë të zhveshur pa ligje e parime. Meqë në botë ka njerëz që janë të prirë për të bërë keq, edhe nëse e dinë atë, Islami ka paraparë masat ndëshkuese për shkelësit e ligjit, pa marrë parasysh se për kë bëhet fjalë. Aisheja rrëfen e thotë: 

“Kurejshitët ishin tepër të shqetësuar për shkak të rastit të gruas nga fisi El-Mahzumi, e cila kishte vjedhur, e pastaj kishin thënë: “Kush do t'i flasë për këtë Pejgamberit, alejhi’s selam?” Pastaj thanë: “Kush do të ketë guxim ta bëjë këtë përveç Usame ibnu Zejdit, i cili ishte i dashuri i Pejgamberit, alejhi’s selam”. Usame shkoi te i Dërguari i All-llahut dhe i tregoi se ka ardhur të ndërmjetësojë për rastin e asaj gruaje. Pejgamberi, alejhi’s selam tha: “Ti po ndërmjetëson që të mos zbatohet një dënim prej dënimeve të All-llahut?” Pastaj Pejgamberi, alejhi’s selam u ngrit në këmbë dhe filloi të flasë, ku përveç tjerash tha: “Ata të cilët ishin para jush pësuan për arsye se kur në mesin e tyre vidhte ndonjë fisnik (i pasur) e linin, nuk e dënonin, ndërsa kur vidhte ndonjë i dobët (i varfër) e zbatonin mbi të dënimin! Betohem me All-llahun që sikur të vidhte Fatimeja, e bija e Muhammedit, unë sigur­isht do t'ia preja dorën”. ([27])

Kështu është Islami. Duke u nisur nga ky parim, aspekti i pengimit të shfaqjes së kësaj dukurie negative në shoqëri, bëhet nëpërmjet proklamimit të drejtësisë dhe zbatimit të saj për çdokënd që shkel ligjet.

Nëse edhe nga bota shtazore ka ligje([28]), sidomos të sferës morale, që dënojnë për shkelje të tij, atëherë si të flitet për njeriun dhe zhvillimin e jetës së tij pa këto ligje. Buhariu transmeton nga Amri b. Mejmuni, i cili duke udhëtuar për në Jemen ende pa qenë musliman, kishte parë diç të çuditshme, të cilën e përshkruan:

رَأَيْتُ فِي الْجَاهِلِيَّةِ قِرْدَةً اجْتَمَعَ عَلَيْهَا قِرَدَةٌ قَدْ زَنَتْ فَرَجَمُوهَا فَرَجَمْتُهَا مَعَهُمْ

Në periudhën paraislame kam parë një majmun femër, rreth së cilës ishin tubuar disa majmunë, të cilët për shkak të rënies së saj në amoralitet, e gurëzonin. Edhe unë e gurëzova bashkë me ta”.

Ndërsa detajet e këtij parandalimi, pak më detajisht, janë më poshtë.

6. Parandalimi

Islami këtë dukuri, pak më konkretisht dhe aq sa mua më është dhënë mundësia e paraqitjes së argumenteve, e ndalon në mënyrat vijuese:

a) Parandalimi ne kuptim të masave preventive. Allahu i madhëruar ka thënë:

وَلاَ تَقْرَبُواْ الزِّنَى إِنَّهُ كَانَ فَاحِشَةً وَسَاء سَبِيلاً

Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe”. ([29])

Bazuar në këtë, parandalimi është bërë edhe në shkaqe dhe në çdo gjë që të shpie tek e keqja. Kështu, qëndrimi me njerëz moralprishur, me narkomanë, me shokë të këqij, me vajza të pispillosura, janë shkaqe që të shtyjnë në këtë humnere, qoftë ajo amoralitet apo edhe në trafikim, siç u vërtetua edhe në seminarin e mbajtur enkas për këtë dukuri, përmendja e te cilit u bë më lartë.

Prindërit duhet të kenë kujdes shumë të madh ngase si rezultat i marrëdhënieve të këqija ndërmjet tyre, fëmija ndonjëherë mund të marr arratinë dhe të niset në ndonjë rrugë të panjohur. Raportet e këqija ndërmjet burrit dhe gruas, shkurorëzimet, mos përmbajtja idesë se burri duhet të siguroje bukën ndërsa nëna duhet të edukojë fëmijën, shkaktojnë një gjë të tillë. Pra këtu shihet qartë se roli i femrës, më i mirë i mundshëm, është edukimi i fëmijëve të saj. Për të mos na akuzuar se ne muslimanët e izolojmë femrën, këto që përmenda më lartë i kanë konstatuar edhe të krishterët([30]). Madje aktualiteti i sotëm tregon se si shkak i mungesës se dy prindërve në shtëpi për një kohë të gjatë, fëmijët (vëllezër e motra) kanë rënë në amoralitet.

b) Urrejtja e një gjëje të tillë, dhe këtë nga dy aspekte:

·                     Urrejtja që njeriu t’i bëjë keq njeriut. Islami ka nxitur në forcim të marrëdhënieve të ndërsjella me njerëz e assesi në shkatërrim të tyre. Transmetohet nga Ibni Umeri dhe Aisheja r.a. se i Dërguari i All-llahut, alejhi’s selam ka thënë: “Vazhdimisht më porositë Xhibrili për fqinjin, saqë kam menduar se edhe do t'i jep të drejtë në trashëgimi”. ([31]) Transmetohet se Ebu Dherri ka thënë: “Më ka thënë i Dërguari i All-llahut, alejhi’s selam: “O Ebu Dherr, kur të ziesh çorbë, shto në të ujë dhe kujdesu për fqinjin”. ([32])

Nëse nxit për mirësjellje, Islami kërcënon për shqetësimin dhe të këqijat që mund t’ia bësh njerëzve, duke filluar nga fqinji. Meditojeni formulimin tekstual të këtij hadithi e besoj se mjafton. Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Pasha Allahun nuk beson, pasha Allahun nuk beson, pasha Allahun nuk beson!” I thanë: “Kush o i Dërguari i Allahut? Tha: “Ai, fqinji i të cilit nuk është i sigurt nga të këqijat e tij!”. ([33]) Madje, nëpërkëmbja e nderit të fqiut, mikut, të afërmit, qysh ndodhë edhe në trafikim ndonjëherë, është prej mëkateve të mëdha. Abdullahu rrëfen: E kam pyetur te derguarin e Allahut, alejhi’s selam:

أَيُّ الذَّنْبِ أَعْظَمُ عِنْدَ اللَّهِ قَالَ أَنْ تَجْعَلَ لِلَّهِ نِدًّا وَهُوَ خَلَقَكَ قُلْتُ إِنَّ ذَلِكَ لَعَظِيمٌ قُلْتُ ثُمَّ أَيُّ قَالَ وَأَنْ تَقْتُلَ وَلَدَكَ تَخَافُ أَنْ يَطْعَمَ مَعَكَ قُلْتُ ثُمَّ أَيُّ قَالَ أَنْ تُزَانِيَ حَلِيلَةَ جَارِكَ

Cili mëkat është më i madhi? T’i besh Allahut shok ndërsa Ai të ka krijuar- u përgjigj. Vërtet qenka i madh kjo por cili mëkat pas tij vie në radhë? Ta mbysësh fëmijën tënd nga frika që edhe ai të hajë me ty- u përgjigj. Pastaj cili? Të biesh në amoralitet me gruan e fqiut (edhe nëse ajo e bën me dëshirë këtë)”. ([34])

·                     Rreziku i ushtrimit të prostitucionit. Shërbimi së keqes, edhe nëse drejtpërdrejtë nuk e bën atë, konsiderohet mëkat dhe sikur ta bëje atë. Kështu, kush pajtohet me vrasjen e dikujt padrejtësisht, ai ka pjese në mëkat, kush iu shërben me alkool edhe nëse vet nuk e pinë atë, ka pjesë në mëkat, kush nënshkruan kontratën e kamatës apo është dëshmitar i saj, ai ka mëkat, kush i shërben prostitucionit, qoftë me trafikim, qoftë me mënyra tjera, ka rënë në mëkat, për të mos thënë se ata që trafikojnë ata edhe kryejnë vet prostitucionin. Nga këtu, prostitucioni paraqet rrezik të madh dhe pikërisht për këtë gjë, është konsideruar prej mëkateve të mëdha. Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:

لَا يَزْنِي الزَّانِي حِينَ يَزْنِي وَهُوَ مُؤْمِنٌ

Nuk ndodhë që njeriu të bëjë prostitucion e gjatë asaj kohe të jetë besimtar”. ([35])

c) Parandalimi në kuptim të forcimit shpirtëror. Një nga shkaqet e përmendura si të mundshme për aktivizimin e organit famëkeq të quajtur trafikim janë edhe kushtet e rënda ekonomike. Ajo, shikuar nga prizmi islam, aspak nuk e ulë nderin e njeriut. I varfëri mund të jetë besimtar shumë i mirë, madje vet Muhammedi, alejhi’s selam ishte i varfër. Ai, siç transmetohet nga Ebu Hurejre, na ka mësuar se: “Nuk është pasuri malli i shumtë, por pasuri është pasuria e shpirtit”. ([36])

Pasuri në peshoren e Muhammedit, alejhi’s selam ishte nderi. Nëse nuk ke nder nuk ke pasuri. Mu për këtë, furnizimi i paktë por i mjaftueshëm duke qenë moralisht i pastër është pasuria më e madhe. Transmetohet nga Ubejdullah b. Mihsan el-Ensarij el-Hatmij se i Dërguari i Allahut, alejhi’s selam ka thënë: “

مَنْ أَصْبَحَ مِنْكُمْ آمِنًا فِي سِرْبِهِ مُعَافًى فِي جَسَدِهِ عِنْدَهُ قُوتُ يَوْمِهِ فَكَأَنَّمَا حِيزَتْ لَهُ الدُّنْيَا

 Kush gdhihet prej jush i sigurt në shpirtin e tij, familjen e tij, i shëndoshë në trupin e tij dhe ka ushqim për një ditë, është sikur t'i është dhënë krejt bota”. ([37])

d) Ndëshkimi për këtë mëkat. Përderisa trafikimi ndërlidhet me shumë gjëra dhe në vete, thënë më qartë, ngërthen shumë mëkate: shkelje të nderit të tjetrit, shkelje të parimeve të Allahut, prostitucion, “mirëmbajtje” të prostitucionit, abortim me dhunë, etj, atëherë edhe ndëshkimi për këtë mëkat është shumë i madh. Nëse kthehemi vetëm disa paragrafë më lartë dhe shohim tregimin e vërtete mbi majmunët, do të pyesnim veten: Po këta shimpanze që flasin, me gjithë këto krime që kryejnë kundër njëzimit, a duhet lënë të jetojnë? Unë nuk dua të zgjerohem vetëm se përmend se ligji me vdekje, edhe sot i aplikuar në shtetin më demokratik në botë, Amerikë, në Islam mbetet përherë valid, sidomos në raste të tilla. Thotë Allahu:

الزَّانِيَةُ وَالزَّانِي فَاجْلِدُوا كُلَّ وَاحِدٍ مِّنْهُمَا مِئَةَ جَلْدَةٍ وَلَا تَأْخُذْكُم بِهِمَا رَأْفَةٌ فِي دِينِ اللَّهِ إِن كُنتُمْ تُؤْمِنُونَ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ وَلْيَشْهَدْ عَذَابَهُمَا طَائِفَةٌ مِّنَ الْمُؤْمِنِينَ

(dispozitë obliguese është që) Laviren dhe lavirin t'i rrahni, secilin prej tyre me nga njëqind të rëna, dhe në zbatimin e dispozitave të All-llahut mos u tregoni zemërbutë ndaj atyre dyve, nëse jeni që besoni All-llahut dhe botës tjetër. E gjatë zbatimit të ndëshkimit ndaj tyre, le të jenë të pranishëm një numër besimtarësh”. ([38])

Kjo përkitazi me ata të pamartuarit ndërsa ata që ushtrojnë prostitucionin dhe janë të martuar, për ata është dënimi me vdekje. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Muhammedi, alejhi’s selam ia kishte shqiptuar dënimin me vdekje atij që kishte bërë amoralitet dhe kishte kërkuar katër herë që t’ia shqiptonte këtë masë ndëshkimi.

Përfundim

Pas kësaj që pamë përkitazi me këtë dukuri negative, e cila zemër e ka prostitucionin, ia vlen të përkujtojmë prape së:

إِنَّ الَّذِينَ يُحِبُّونَ أَن تَشِيعَ الْفَاحِشَةُ فِي الَّذِينَ آمَنُوا لَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ فِي الدُّنْيَا وَالْآخِرَةِ وَاللَّهُ يَعْلَمُ وَأَنتُمْ لَا تَعْلَمُونَ

Ata, të cilët dëshirojnë që te besimtarët të përhapet imoraliteti, ata i pret dënimi i dhembshëm në këtë dhe në botën tjetër. All-llahu di (të fshehtat) e ju nuk i dini”. ([39])

Këta njerëz që kësaj dukurie çdo ditë e më tepër janë duke ia ngulitur rrënjët, është mirë të përkujtojnë se ata barrën e këtij mëkati do ta bartin deri në amshim. Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: “Kush sjell një shprehi a traditë të mirë në Islam do ta fitojë shpërblimin e saj, por edhe shpërblimin e të gjithë atyre që pas tij e punojnë atë, por pa ju zvogëluar aspak shpër­blimi i tyre. Ndërsa kush sjell në Islam një shprehi a traditë të keqe, do të jetë barrë mbi të, por edhe barra e të gjithë atyre që ashtu veprojnë pas tij, pa iu zvogëluar aspak përgjegjësia dhe dënimi i atyre të tjerëve”. ([40])

Nga këtu, të birit të Ademit, alejhi’s selam, Kabilit që vrau Habilin, gjer në amshim sa vrasje që ndodhë i shkon një pjesë e barrës ngase ai qe shpikësi i saj. Muhammedi, alejhi’s selam, siç transmeton Ibni Mes’udi, thotë: “Asnjë person nuk mbytet padrejtësisht, e që birit të Ademit (Kabilit) të mos i bie hise nga gjaku i tij, sepse ai i pari e ka filluar vrasjen”. ([41])

Nëse deri sot shoqërisë i kemi sjellur të këqija, le të pendohemi tek Allahu dhe tash e tutje, seriozisht, le ta hapim një kapitull të ri jete dhe të fillojmë që gabimet t’i përmirësojmë, të këqijat t’i largojmë dhe t’iu bëjmë të mira njerëzve!

 

5-3-2008, e mërkurë

Vushtrri, Kosovë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 



[1] el-Bekare, 11-12

[2]Këto të dhëna janë marrë nga një seminar me liderë religjiozë, muslimanë e të krishterë, përkitazi me ndalimin e trafikimit të qenieve të gjalla. Seminari “Partneriteti kundër trafikimit me qenie njerëzore – PATH” është organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, USAID, Qeveria e Kosovës, Karitasi francez, Kisha Katolike, CRS, dhe atë gjatë 26-27 shkurtit, 2008 në lokalet e vilës Pikniku në Prishtinë.

[3] el-Bekare, 30

[4] el-Kasas, 77

[5] el-En’am, 165

[6] Junus, 14

[7] Sad, 26

[8] et-Tegabun, 4

[9] el-En’am, 59

[10] Gafir, 19

[11] Muslimi

[12] en-Nur, 32

[13] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi

[14] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi

[15] Muttefekun alejhi

[16] et-Tahrim, 6

[17]Transmeton Nesaiu ndërsa Albani në Sahihu'l xhamii,5382, e ka cilësuar autentik.

 

[18] Ali Imran, 195

[19] en-Nisa, 124

[20] en-Nahl, 97

[21] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani në Sahihu ve daifu suneni’t Tirmidhijj, 1024, e ka cilësuar autentik.

[22] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani në Sahihu ve daifu suneni’t Tirmidhijj,  1163, e ka cilësuar hasen-të mirë.

[23] Muttefekun alejhi

[24] el-Huxhurat, 13

[25] Transmeton Nesaiu ndërsa Albani në Sahihu ve daifu suneni’n Nesaijj, 4114, e ka cilësuar autentik.

[26] Muttefekun alejhi

[27] Muttefekun alejhi

[28]Seria e botimeve “Ihdhir”, fletushka: Ihdhiri’z zina, Eshref Kadeh, Kajro, 1999, f.: 18-19.

 

[29] el-Isra, 32

[30] Kulla e rojës lajmëron mbretërinë e Jehovait, 5 Qershor 1997, f. 20, kolona 4.

[31] Muttefekun alejhi

[32] Muslimi

[33] Muttefekun alejhi

[34] Buhariu

[35] Buhariu

[36] Muttefekun alejhi

[37] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani në Sahihu ve daifu suneni’t Tirmidhijj, 2346, e ka cilësuar hasen-të mirë.

[38] en-Nur, 2

[39] en-Nur, 19

[40] Muslimi

[41] Muttefekun alejhi


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013